Lajmet

​Kurti: Pranova planin evropian, Asociacioni bëhet nëse plotësohen gjashtë parimet

Kështu deklaroi ai sot në seancën e Kuvendit të Kosovës.

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se plani evropian përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra-tjetrës defakto. Kurse çështja e Asociacionit do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, i cili mund të krijohet nëse plotësohen gjashtë parimet që i ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës.

Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se si Qeveri qëllim kishin problemet e zbatueshmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara dhe hapjen e kapitullit për marrëveshje përfundimtare. Ai tha se takimi i 18 gushtit të vitit 2022 ishte rezultat i Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen përfundimtare, pasi u ka thënë se nuk do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

E si rezultat e kësaj, Kurti përmendi vizitën e 9 shtatorit të vitit 2020, të dy emisarëve ku edhe prezantuan propozimin franko-gjerman, derisa foli edhe për karakteristikat që ngërthen në vete ky propozim.

“Që në komentin e parë të qeverisë ne e vlerësuam propozimin si një bazë të mirë për diskutimin të mëtejshëm për arsye se propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme ndërkombëtare të Kosovës dhe Serbisë, të gjitha marrëveshjet e mëhershme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës…propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë…propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen defakto të shtetësisë së palëve ndaj njëra tjetrës…..e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e listës serbe që kontrollohet nga Beogradi”, tha Kurti, duke shtuar se propozimi përmbante detyrim të pranimit të saj nga Serbia para anëtarësimit të saj në institucionet e BE-së.

Kurti u ndal edhe te versioni i dytë i propozimit më 6 dhjetor të vitit 2022 nga lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, i cili është edhe plani përfundimtar, ku tha se nuk kishte ndryshuar propozimet e para, veçse ishte bashkuar edhe një plan i zbatimit.

“Megjithatë, dokumenti kryesor shoqërohet edhe me një plan zbatimi që kishte referencë të qartë tek një staturt që do të hartonte ekipi menaxhues, obligim që rrjedhë nga marrëveshja e vitit 2013 e që ishte tregues për krimin e asociacioni të komunave me shumicë serbe. Më datë 20 janar 2023, emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa takime në këtë takim të fundit. Ata më banë të qartë që propozimi kryesor është fare pranë formatit merre ose leje, nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve prej nga vinë emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bën të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovës dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tha ai se në fillim u ka dhënë qëndrimin e tij në formë të shkruar.

“Qëndrimi im në atë takim është që propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet të përfshijë më shumë element garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimin të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në një formë të tillë që të ketë kuptim normalizimin në mes dy shteteve. Pas vizitës së Miroslav Lajçak, më datë 6 shkurt 2023 dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të planit të zbatimit, unë ia konfirmova plani është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i planit të zbatimit”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi se kur mund të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra tjetrës defakto, plani kryesor nuk ka asnjë referencë për ndonjë asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre dhe tash kur do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, aty qëndrimi im është se Asociacioni mund të krijohet nëse plotësohet 6 pikshi apo 6 parimet që i kamë paraqitur këtu një javë më parë”, tha ai.

Seanca po vazhdon. 

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara