Aktualitet

​Kompanitë hasin në pengesa gjatë eksportit në Serbi, opozita kërkon reciprocitet

Hajdari deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë.

Published

on

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari thekson se Kosova nuk është duke u përfaqësuar ashtu siç duhet në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA).

Ministrja Hajdari duke folur në debatin publik “Barrierat tregtare mes Kosovës dhe Serbisë”, të organizuar nga Komisioni për Ekonomi e mbështetur nga KDI, deklaroi se janë marrë disa masa antidamping karshi produkteve serbe që importohen në Kosovë. Ajo ka treguar se kanë dërguar letër-shkresë si MINT në Sekretariatin e CEFTA-s për adresimin e drejt të Kosovës, në këtë rast për të larguar UNMIK-un në përfaqësim.

“Është një proces që pret për ndërmarrjen e veprimit dhe për adresimin e letrës drejtuar nga Republika e Kosovës në Komitetin drejtues të CEFTA-s që Kosova të përfaqësohet si shtet e jo përmes UNMIK-ut. Këtë letër mund ta keni edhe ju si kopje e cila pritet që të adresohet. Kjo është sa i përket çështjes bilaterale. Kemi edhe problemin tjetër që është përmes mekanizimit rajonal RÇ, ku aty kemi zakonisht çështjen e mosnjohjes së diplomave dhe certifikatave. Sidoqoftë negociatat për njohjen reciproke profesionale janë duke vazhduar në kornizën e RCC-së dhe CEFTA-s, por që pa sukses ende”, theksoi Hajdari.

Në diskutimin publik përfaqësuesja e KDI-së, Violeta Haxholli ka thënë se pavarësisht se tani nuk ka reciprocitet të plotë tregtar ndaj Serbisë, kompanitë kosovare vazhdojnë të hasin në sfida gjatë eksportit të produkteve në Serbi.

Derisa theksoi se KDI në raportin e saj ka evidentuar dhe njëkohësisht iu ka rekomanduar institucioneve, që çështja e temës së reciprocitetit me Serbinë të mos bëhet çështje e politike, pasi që siç u shpreh Haxholli, pastaj po mungon përkrahja ndërkombëtare.

“Tani kemi një qeveri të re nga muaji prill i këtij viti, e cila deklaruar do të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë, megjithatë ende nuk kemi ndonjë vendim sa i përket kësaj çështje… Ajo çfarë ne si KDI, kemi evidentuar në këtë raport, edhe njëkohësisht iu rekomandojmë institucioneve, është që kjo temë të mos bëhet temë e përplasjeve politike, spektri politik duhet të gjejë një konsensus sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Ne kemi parë që në mungesë të konsensusit ne të mos kemi as përkrahje ndërkombëtare për masat tregtare të cilat i kemi marrë ndaj shtetit serb. Dhe gjithashtu kjo temë nuk duhet të politizohet… Serbia ka aplikuar për një kohë të gjatë me barriera dhe masa tregtare ndaj Kosovës, të cilat fare nuk i ka shpallur, por ata janë në terren”, theksoi ajo.

Duke iu përgjigjur Haxhollit, ministrja Hajdari tha se është mirë të veçohen edhe përpjekjet e ministrisë së MINT në raport tregtar me rajonin dhe po ashtu me Serbinë, e jo vetëm të thuhet që Qeveria Kurti nuk ka vendosur masën e reciprocitetit.

“Është mirë të flitet dhe për punët e mira, e jo vetëm ajo se Qeveria Kurti nuk ka vepruar me reciprocitet. Unë reciprocitetin e shoh në çdo aspekt, nuk është vetëm për çështje tregtare. Kjo ka të bëj edhe si në përfaqësimin e Kosovës në politikë, si në transport, si në çdo sektor tjetër Kosova duhet të jetë e barabartë”, theksoi Hajdari.

Drejtori i Doganës, Agron Llugaliu tha se përveç moszbatimit të IBM-së ose Marrëveshjes së Integruar të Kufirit, Kosova përballet edhe me pengesa të shumta nga autoritetet serbe, siç potencoi ai edhe me imponimin e dokumenteve nga strukturat paralele.

“Përveç këtyre pengesave për mosnjohjen e dokumenteve, që imponon dokumente të strukturave paralele që Serbia i aplikon për tregtinë e Kosovës, është me rëndësi të theksojmë edhe faktin logjistik që përmendi ministrja… Gjithashtu kemi probleme transitet që kalojnë përmes Serbisë dhe që vijnë nga vendet e treta, por edhe për eksportet tona që shkojnë në vendet e treta. Shpesh autoritetet serbe nuk e njohin Kosovën si territor të ndarë dhe për këtë kërkojnë të bëhen procedura sikur importi të kishte ndodhur nga ose në Serbi”, tha ai.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala u shprehet i habitur nga partia në pushtet që dikur ka rrokullisur kamionët me mallra serbe dhe nuk vendos reciprocitetin e premtuar.

“Sa i përket pritjeve tona për reciprocitetin, me thënë të drejtën kur iu shoh prej juve disave që keni qenë duke i përmbysur kamionët atje, unë kam pritë, seriozisht kam pritë. Ku rrokullisshi kamionë, mos pini ujë, dimër e ftohet keni qëndruar në barrikada kundër produkteve serbe dhe sot nuk shkoni andej hiç dhe shikoni rrugë alternative. Prandaj, edhe kjo pritje e jona është e natyrshme. Na keni proklamuar, keni demonstruar, thyer dhe demoluar për reciprocitetin, tash kur i keni krejt përgjegjësitë institucionale, po thoni pritni pak ta shkruajmë një letër. Qe 8 muaj ditë e keni shkruar një letër CEFTA-s. Këtë e mbështesim, ama qe tetë muaj ditë në qeveri një letër e keni çuar”, tha Shala.

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi theksoi se të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

Krasniqi ka thënë se kjo Odë ka kërkuar largimin e Kosovës nga CEFTA. Derisa ka kërkuar ndryshimin e politikave tregtare për të pasur prodhimtari dhe rritje të mirëqenies.

“Ne si Odë e Afarizmit kemi kërkuar që Kosova të rinegociojë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të shkojë atje si shtet e jo në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, si UNMIK siç është duke ndodhur. Në rast se kjo nuk arrihet, ne kemi kërkuar që Kosova të largohet nga CEFTA, sepse edhe ashtu raportet e të bërit biznes në mes nesh dhe këtyre shteteve janë në dëm të Kosovës në përgjithësi. 90 përqind importojmë nga këto vende. Po ashtu ne kërkojmë nga Dogana që të përdorë reciprocitet dhe jo të krenohet me shpejtësi, por edhe me vonesa të jashtëzakonshme ndaj vendeve që përdorin reciprocitet ndaj neve, sidomos ndaj Serbisë dhe pengesave tarifore dhe jo tarifore… Në përgjithësi marrëveshjet tona ndërkombëtare kanë qenë të dëmshme. Të gjitha marrëveshjet që i ka nënshkruar Kosova kanë ndikuar në rritje të importit dhe jo në rritjen e eksportit. Me CEFTA nuk janë mbrojtur produktet, ashtu edhe me MSA-në, si dhe me Turqinë”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i OEK, Berat Rukiqi, ka thënë se çështja e raporteve tregtare me Serbinë është shumë më specifike se sa me vendet e tjera për shkak të konotacionit politik.

“Shumica e barrierave apo sfidave të këmbimeve tregtare me Serbinë kanë konotacion politik. Sfondi i shumë veprimeve nuk është tregtar, nuk është për shkak se ne po rrezikojmë ndonjë sektor në Serbi me konkurrencë, por në rastin e Serbisë janë veprime administrative dhe veprime politike të tyre”, theksoi ai.

Kurse deputeti Pal Lekaj nga AAK ka kërkuar nga qeveria aktuale që të mos flasë për historikun 20-vjeçar për raportet tregtare me Serbinë, por të veprojë karshi pengesave që janë duke u bërë nga Serbia.

“Mos të flasim për histori këtu nga ekzekutivi dhe mos të kthehemi në periudhën, thuajse 20 vjet asgjë nuk ka ndodhur dhe thuajse Kosova po lulëzon tani me ardhjen e Qeverisë Kurti. Është për të ardhur keq që nuk kanë memorie institucionale. Ne mund të flasim sa të doni sa i përket barrierave dhe reciprocitetit ndaj Serbisë. Por ne duhet të pajtohemi që ne nuk kemi ingirenca që të përzihemi në një shtet tjetër që s’na njeh, përpos vijës së Brukselit. Dhe ajo vijë duket se na ka vendosur në një qorrsokak dhe thuaja se ne jemi fajtor, e jo Serbia që po na i qet të gjitha këto pengesa”, tha ai. 

lajme

Protesta kundër aktgjykimit të Speciales vazhdon për të shtatën ditë

Published

on

By

Protestat në Prishtinë kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë edhe sonte, për të shtatën ditë me radhë.

Qytetarët pritet të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu”, pas gjashtë netëve radhazi të tubimeve në kryeqytet. Protesta e së hënës ishte e gjashta dhe u zhvillua me pjesëmarrje të madhe qytetarësh.

Tubimet kanë nisur pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa gjatë netëve të kaluara tubimet në Prishtinë janë zhvilluar pa incidente të raportuara.

Protestat janë shoqëruar me pankarta dhe thirrje për drejtësi, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë qytetarë nga Kosova dhe diaspora.

D.L

Continue Reading

Aktualitet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Vendi

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Lajmet

Rama shkarkon Vlora Hysenin pas hetimeve të SPAK-ut për skandalin e AKSHI-t

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New York-u lidhur me masën e “arrestit shtëpiak” të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke njoftuar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Hyseni po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet për zbulim të sekretit shtetëror, ndihmë ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si dhe për përfshirje në skandalin e korrupsionit me tenderët 59-milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Lidhur me këto akuza, Rama theksoi se çdo dyshim i organit të akuzës duhet të hetohet e të zbardhet deri në fund përmes një procesi të pavarur gjyqësor, duke nënvizuar se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se pavarësia e organeve të drejtësisë është një rrugë pa kthim dhe se fajësia apo pafajësia mbetet përgjegjësi individuale e çdokujt para gjykatës.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur, qëndrimi im mbetet i njëjtë: kjo shumicë nuk bën avokatinë e askujt”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Rama kritikoi reagimet e opozitës dhe medias, duke e quajtur të pashmangshme që çdo hetim ndaj personave publikë të kthehet në “gjyq mesjetar” përpara se gjykata të thotë fjalën e saj përfundimtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara