Lajmet

​Ambasadori Murphy viziton projektin për identifikimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë

Murphy tha se faktet për gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë janë të vërtetuara tashmë.

Published

on

Procesi i përpiktë i identifikimit të viktimave të konfliktit në Bosnje dhe Hercegovinë ishte fokusi i një vizite të sotme nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnje dhe Hercegovinë, Michael John Murphy për të parë punën e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Në Projektin e Identifikimit të Podrinjes, një strukturë e krijuar për të ndihmuar në identifikimin e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës, ambasadori Murphy, i shoqëruar nga zëvendës drejtuesja e Programit për Ballkanin Perëndimor të ICMP-së, Samira Krehiq, vëzhgoi punën e stafit të ICMP-së për të ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën në identifikimin personat e zhdukur nga koha e luftës.

Projekti i Identifikimit të Podrinjes u themelua nga ICMP në Tuzla në vitin 1999 për të siguruar një proces të dedikuar për identifikimin e viktimave të gjenocidit serb në Srebrenicë.

Duke përdorur metoda të identifikimit të bazuara në ADN, ICMP ka ndihmuar Bosnjën dhe Hercegovinën në identifikimin e 75 për qind të 30 mijë personave të raportuar të zhdukur si pasojë e konfliktit të viteve 1990, duke përfshirë 7 mijë nga më shumë se 8 mijë personat që u zhdukën pas gjenocidit në Srebrenicë. Vazhdon puna për gjetjen e varreve të reja masive dhe klandestine dhe identifikimin e të zhdukurve të mbetur.

“Shtetet e Bashkuara luajtën rol vendimtar në themelimin e ICMP-së në vitin 1996 dhe kanë qenë një nga mbështetësit më të rëndësishëm politikë dhe financiarë të punës së ICMP-së në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën. Në Bosnje dhe Hercegovinë, ne po punojmë së bashku në rritjen e kapaciteteve lokale për të trajtuar çështjen e personave të zhdukur në përputhje me sundimin e ligjit dhe për të ndihmuar BeH-në për të mbrojtur të drejtat e familjeve të të zhdukurve”, tha Krehiq.

Ndërsa ambasadori Murphy tha se faktet për gjenocidin e kryer nga forcat serbe në Srebrenicë janë të vërtetuara tashmë.

“Njohja e tyre është e nevojshme për pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Isha i nderuar të takova profesionistë nga Projekti i Identifikimit të Podrinjes në Tuzla, puna e vështirë dhe e palodhshme e të cilëve për të identifikuar eshtrat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës ka mbyllur mijëra familje të viktimave dhe ka ofruar prova të pamohueshme se gjenocidi është kryer në Srebrenicë”, tha ambasadori Murphy.

Në fillim të viteve 2000, ICMP prezantoi përdorimin e një teknologjie relativisht të re, ADN-së, për të identifikuar viktimat e konfliktit në Bosnje.

Ky përdorim – i pari në një kontekst konflikti me një numër të madh njerëzish të zhdukur – kërkonte fillimin e aplikimit të një procesi identifikimi të bazuar në ADN dhe krijimin e një aftësie të përpunimit të laboratorit të ADN-së me xhiro të larta.

Teknologjia u përdor me sukses jo vetëm për viktimat e konfliktit në Bosnje, por për të gjitha viktimat e konfliktit në ish-Jugosllavi në një proces të besueshëm shkencërisht, të verbuar dhe që rezultoi në identifikimin e dhjetëra mijërave.

Të dhënat shkencore të ICMP-së, përfshirë të dhënat e ADN-së, janë pranuar si prova në gjykimet para TPNJ-së dhe gjykatave në Bosnje dhe Hercegovinë në 30 gjykime penale.

Provat janë shqyrtuar në detaje shumë herë dhe janë mbështetur vazhdimisht, duke demonstruar vlerën e hetimit të rasteve të personave të zhdukur për standardet gjyqësore që bën të mundur mbajtjen e autorëve të krimeve para përgjegjësisë.

Në BIH dhe gjetkë, ICMP punon ngushtë me familjet e të zhdukurve për të siguruar që ata janë të përfshirë në procesin e kërkimit dhe identifikimit dhe se procesi është transparent.

Familjet luajtën gjithashtu një rol thelbësor në lobimin për miratimin e Ligjit të BeH për Personat e Zhdukur, i cili u miratua në 2004 si i pari i këtij lloji në botë. Instituti i Personave të Zhdukur i BIH, i themeluar në vitin 2005 me mbështetjen e ICMP-së, ofron një mekanizëm të qëndrueshëm vendas për gjetjen e personave të zhdukur pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare ose kombëtare ose roli i tyre në armiqësitë e kaluara.

ICMP ka punuar me të gjitha vendet në ish-Jugosllavi për të mbështetur përpjekjet e tyre për të gjetur dhe identifikuar personat e zhdukur nga konfliktet e viteve 1990 dhe për të siguruar të drejtat e familjeve të tyre për drejtësi, të vërtetë dhe dëmshpërblime.

Më shumë se 70 për qind e 40 000 personave të zhdukur, nga të gjitha grupet kombëtare, etnike dhe fetare janë llogaritur me ndihmën e ICMP.

Programi i ICMP-së për Ballkanin Perëndimor vazhdon të ofrojë mbështetje për BeH në drejtim të arkeologjisë dhe antropologjisë mjeko-ligjore në gërmime dhe qasje në testimin dhe përputhjen e ADN-së të ICMP-së për qëllimin e identifikimit njerëzor të personave të zhdukur.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 gusht 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
 
Foto: Eliot Engëll
 
 
1 gusht 1994
 
Represioni në Kosovë
Prizren: Parmbrëmë, disa ushtarë serbë në vendin e quajtur Mllaqne, afër liqenit të Bjeshkëve të Sharrit, rrahën rëndë Ramadan Fazliun nga fshati Lubinjë e Prizrenit, në kohën derisa ai po kthehej nga Maqedonia ku kishte blerë naftë.
Bëhet me dije se ushtarët serbë Ramadan Fazliut ia thyen hundën, nofullën, dy dhëmbë, si dhe i shkaktuan lëndime të rënda trupore.
Ramadan Fazliu njoftoi Komisionin për Informim të Degës së LDK-së në Prizren se ushtria serbe po i mban peng edhe 15 bashkëfshatarë të tij, për fatin e të cilëve nuk dihet.
Dje, policia mori në shtëpinë e tij Asllan Temajn nga Prizreni, i cili në stacionin e policisë në Prizren u lidh për radiatori dhe u keqtrajtua brutalisht. Inspektorët serbë u interesuan të dinë nga Asllan Temaj se kush ka armë, rreth veprimtarisë së tij si arsimtar dhe aktivist i LDK-së.
Asllam Temaj në polici u mbajt deri rreth orës 15:00 dhe u porosit që të mos e informojë askend. Asslan temajt policia ia plaçkiti orën e dorës.
Mitrovicë: – Parmbrëmë një patrullë e policisë serbe, nën pretekst të kërkimit të armëve, ishte në shtëpinë e Faik Ibrahimit në fshatin Rekë të Mitrovicës, nga i cili kërkuan që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.
Policia urdhëroi Faik Ibrahimin që të paraqitet në stacionin e policisë në Mitrovicë.
Më 28 korrik, policia ishte dy herë në shtëpinë e Qerim Rrudhanit në rr.”Gjon Kenedi” në Mitrovicë për të kërkuar djalin e tij Besim Rrudhanin.
Ndërkaq, pardje policia mori Besim Rrudhanin dhe së bashku me të shkuan në fshatin Shipol në shstëpinë e Xhafer Rrudhanit, nga i cili kërkuan që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.
Vushtri: – Më 28 korrik, një policë serb së bashku me rojën e fushës, keqtrajtuan rëndë Nazmi Sadikun dhe vëllain e tij (emrin e të cilëit nuk arritëm ta mësojmë). Rrahja e Nazmi Sadikut dhe vëllait të tij u bë pa kurrfarë shkaku.
Po këtë ditë një ekspeditë e policisë serbe, shkoi në fshatin Shilovicë të Vushtrrisë dhe bastisi nën pretekst të kërkimit të armëve shtëpitë e Ramadan Mehmetit, Hadi e Sadri Begut, Zymer Behramit dhe atë të Izet Krasniqit. Policia gjatë bastisjes rrahu brutalisht Ramadan Mehmetin dhe Sadri Begun.
1 gusht 1995
 
Eliot Engëll: Kosova është një çështje kyçe
Televizioni shqiptar emetoi parmbrëmë një bisedë me kongresistin amerikan Eliot Engëll, njohës i mirë i çështjes shqiptare dhe bashkëkryetar i Këshillit për Çështje Shqiptare në Kongresin Amerikan.
Duke u përgjigjur në një pyetje lidhur me Kosovën, z. Engëll theksoi se Kosova është një çështje kyçe në rajon dhe se një grup kongresistësh në Kongresin Amerikan janë të interesuar rreth situatës në këtë vend.
– Pas meje në mur është një tabelë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e kam marrë nga Kosova dhe e kam vendosur në zyrën time. Unë besoj se luftën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje do ta bënte çdo popull në botë, tha ai.
Duke folur më poshtë për Kosovën dhe angazhimin e Shqipërisë rreth saj, Eliot Engëll tha:
“Presidenti Berisha do të vijë dhe do të diskutojë për Kosovën me presidentin Klinton. Përfaqësues nga Kosova gjithashtu kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kemi biseduar rreth këtij problemi. Fatkeqësisht ngjarjet në Bosnjë i kanë treguar botës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës se sa brutal është regjimi i Beogradit dhe njerëzit e Millosheviqit. Ata i kanë ndihmuar më së miri serbët e Bosnjës. Unë them me shqetësim se ajo ç’po ndodh në Bosnjë mund të jetë si pikë uji në det krahasuar me atë çka mund të ndodhë në Kosovë, nëse bota nuk i shikon serbët me shumë vëmendje”.
Lidhur zhvillimet politike në katër vjetët e fundit në Shqipëri, z.Engël theksoi: “Unë mendoj se nuk ka vend që të ketë ecur në rrugë më të drejtë të demokracisë. I heq kapelën popullit shqiptar për atë që ka arritur. Është vërtetë për t’u lavdëruar demokracia në Shqipëri”, tha mes tjerash kongresisti amerikan Eliot Engëll në intervistën për Televizionin Shqiptar.
1 gusht 1997
Inspektorët serbë plaçkitën tregtarët shqiptarë në Prishtinë
Dje, rreth orës 12:00, një ekspeditë e inspektorëve dhe e policisë serbe e përbërë prej rreth 40 vetash bëri një plaçkitje të madhe në Tregun me shumicë të pemëve e perimeve në afërsi të Pallatit të Sporteve në Prishtinë.
Dhjetëra tregtarë u plaçkitën me pretekst se nuk kishin lejet për shitje. Për shkak të dëmtimit dhe drojës nga ndonjë ekspeditë e re sot në këtë treg kishte shumë më pak mall.
Disa tregtarë që ishin plaçkitur dje i thanë sot QIK-ut se
shuma e plaçkitjes individuale kapte shumën deri në 15. 000 dinarë serbë.
Bekim Deliaj nga Peja u dënua me 15 mijë dinarë, Zylbar Ramadani nga Prishtina me 800 dinarë, Ultrim Ymeri me 800 dinarë, Afrim Shala me 300 dinarë, Beqir Gashi me 200 dinarë, Besim Muja me 1. 200 dinarë, Ruzhdi Krasniqi me 350, Emin Sopi me 1. 500 dinarë, Fadil Gashi me 1. 200 dinarë, Fadil Dobratiqi me 620 dinarë etj.
Disa nga tregtarët e plaçkitur shqiptarë deklaruan se edhe përkundër kërkesave për leje të shitjes, organet e instaluara të drejtorisë së tregut në Prishtinë nuk u kanë dhënë lejet. Në këtë mënyrë inspektorët serbë mund plaçkisin se herë që dëshirojnë.
1 gusht 1998
Dihet edhe për një të vrarë e tre të plagosur në Rahovec
Gjatë sulmit të forcave serbe në Rahovec është vrarë edhe Nexhemdin Mushla (61), i cili është varrosur aty edhe ku është vrarë, në oborrin e shtëpisë së tij.
Një i afërm i tij, që kishte arritur të largohet nga Rahoveci, i tha QIK-ut se është plagosur edhe vajza e Nexhmedinit, Hajria, si edhe fqinjtë e tyre Naime e Driton Kadriu.
Skënderaji po i ngjan një baze ushtarake të forcave serbe
Edhe mbrëmë në qytetin e Skënderajt, arriti një konvoj i madh i forcave të ushtrisë serbe i përbërë nga 37 kamionë me ushtarë serbë, të cilët u vendosën në qytetin e Skënderajit dhe në fshatin Polac, njofton NKMDLNJ në Skënderaj.
I njëjti burim njofton se qyteti i Skënderajt është shndërruar në një bazë ushtarake, në të cilin janë vendosur mijëra ushtarë e policë serbë.
Dëshmitarët okularë kanë njoftuar se policia serbe ka ndëryrë pothuaj në secilën shtëpi shqiptare në Skënderaj dhe ka plaçkitur, thyer e demoluar çdo gjë që ka gjetur. Deri tash në tërësi është shkatërruar lagja “Skënderaj 2” dhe Lagjja e Re, ku tashmë nuk ka mbetur asnjë shtëpi e pashkatërruar nga forcat serbe.
Gjendje e rëndë dhe dramatike po mbretëron edhe në rrethinën e Runikut dhe të Turiçecit. Forcat serbe kanë granatuar lagjen Hajzeraj në Leçinë, si dhe ka djegur fshatrat si Padalishtin, Çitakun, Runikun, Kastriotin, Vitakun, Qubrelin, Radishevën e Kotorrin. Sipas informacioneve, forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe në zonën e Drenicës po bëjnë spastrim etnik.
I njëjti burim njofton se deri tash nuk dihet për fatin e shumë banorëve shqiptarë si gra, pleq e fëmijë, të cilët kanë mbetur të bllokuar në fshatrat e lartëshënuara, në të cilat kanë hyrë forcat serbe.
Bëhet e ditur se vetëm në fshatin Çubrel kanë mbetur disa kufoma pleqësh ende të pavarrosura.
Ndërkaq, nga fshati Bingjë i Klinës, i banuar kryesisht me serbë, forcat serbe po granatojnë fshatrat e Drenicës, ndërsa granatime kanë arritur deri në Burojë, ku është rrezikuar popullsia civile, e cila ka filluar masovisht t’i braktisë vatrat e tyre.
Banorët shqiptarë që kanë braktisur shtëpitë e tyre, janë strehuar madje edhe në tunelet hekurudhore, ndërsa po bëhen 5 ditë që këtë trevë nuk e ka vizituar asnjë institucion humanitar.
Në këtë hapësirë tash ka filluar të ndodhë edhe katastrofa humanitare, pasi mungojnë të gjithë artikujt ushqimorë, sanitarë e higjenik, ndërsa as që mund të flitet për medikamente.
NKMDLNJ i Skënderajt pohon se propaganda serbe te popullata e këtushme shqiptare po zgjon neveri. Kjo propagandë në njërën anë po provon që ta mashtrojë opinionin botëror, se kinse në rajonin e Drenicës janë krijuar kushtet për kthimin e të ikurve nga shtëpitë e tyre, derisa në anën tjetër mijëra forca të policisë dhe ushtrisë sebe po depërtojnë dhe po i terrorizojnë banorët shqiptarë të Drenicës.

Continue Reading

lajme

Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së

Published

on

By

Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?

Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.

Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.

Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.

Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.

Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.

Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.

Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.

Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.

Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.

Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.

Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.

Continue Reading

Botë

34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi

Published

on

Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.

“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.

Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.

“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.

Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.

Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/

Continue Reading

Magazinë

Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”

Published

on

Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar një video në llogarinë e saj në Instagram, përmes së cilës promovon Prishtinën dhe njofton se kryeqyteti i Kosovës tashmë mund të eksplorohet edhe përmes shërbimit Google Maps Street View.

Në përshkrimin e videos, artistja shkruan: “Mirë se vini në Prishtinë! Sot është dita e parë e Sunny Hill Festival dhe, për ta festuar këtë, të gjitha restorantet, arkitektura dhe kultura që unë i dua tani mund të eksplorohen në Google Maps Street View.”

Në video, Dua Lipa flet për lidhjen e saj të veçantë me qytetin ku u rrit dhe i fton ndjekësit ta zbulojnë Prishtinën përmes syve të saj.

“Asnjëherë nuk mund ta njohësh një vend derisa ta shohësh me sytë e tu. Vendlindja ime, Prishtina, është tani në Google Maps Street View,” thotë ajo.

Artistja prezanton disa prej vendeve të saj të preferuara në kryeqytet, duke nisur me një librari që, sipas saj, e viziton sa herë kthehet në Prishtinë, ku gjithmonë gjen një libër në gjuhën shqipe që nuk e ka lexuar më parë.

Ajo ndalet gjithashtu në disa restorante dhe bare, të cilat, sipas saj, pasqyrojnë kulturën shqiptare, energjinë dhe atmosferën unike të Prishtinës.

Në fund të videos, Dua Lipa i kushton rëndësi edhe Sunny Hill Festival, të cilin e cilëson si një ëndërr të bërë realitet dhe një ngjarje që mishëron frymën e qytetit, duke mbledhur çdo vit mijëra vizitorë dhe artistë nga e gjithë bota.

Publikimi i videos përkon me nisjen e edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, duke promovuar njëkohësisht Prishtinën, kulturën e saj dhe mundësinë që tashmë qyteti të eksplorohet virtualisht përmes Google Maps Street View./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara