Aktualitet

​Përvjetori i vrasjes së Enver Maloku

Ai ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999 kur situata ishte e rënduar nga lufta.

Published

on

Sot janë bërë 24 vjet nga vrasja e veprimtarit të LDK-së, Enver Maloku.

Enver Maloku ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës, i cili u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.

Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.

Enver Maloku u lind në fshatin Bradash të komunës së Podujevës më 2 shkurt 1954. Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Enver Maloku, gazetari kryesor i kulturës në Televizionin e Prishtinës, para se ky të mbyllej nga pushtuesi serb më 1990, u bë në vitet nëntëdhjetë gazetari kryesor politik në Kosovë.

Fillimisht ka punuar si gazetar/redaktor, ndërsa nga vitit 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës, e cila, nga themelimi më 1991, kreu punën e agjencisë kombëtare të lajmeve. Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi Qendrën për Informim, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike. Gjakimi i Kosovës së pavarur, me rend demokratik e rezistencë të përgjithshme ndaj okupimit serb, është pakëputshëm peri që lidhi shkrimet e Malokut në Qendrën për Informim të Kosovës apo në gazetat e të përkohshmet e tjera në shqip në Kosovë e gjetiu.

Puna e Malokut, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh. Herën e parë, në korrik të vitit 1998, atë e huqi plumbi i një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë në derë të banesës së tij. Mesazhi ishte shumë i qartë: kërkohej heshtja e Enver Malokut, heshtja e gazetarisë dhe e guximit për shprehje të lirë në Kosovë. Me meritën e Malokut dhe të kolegëve të tij fjala u shqiptua guximshëm e pacenueshëm dhe institucioni që drejtoi ai punoi si kurrë më parë në punë të informimit të opinionit të brendshëm e të jashtëm në kohë okupimi të egër e lufte të ashpër.

Por, në pasditen e 11 janarit 1999, atentatorët tash ishin më shumë dhe, për fat të keq, nuk e huqën cakun. Pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, atentatorët e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës. Në komentet e kohës kur u vra, u tha me të drejtë se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.

Me iniciativë dhe nën Patronatin e presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një monument.

Më 4 prill 2016, presidentja e Republikës së Kosovës, SHT Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhërin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësine e Kosovës.

Gjithashtu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhëri i Artë i Shqiponjës”.

Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”.

Lajmet

BE-ja për protestat pas vendimit të Hagës: Demonstratat paqësore janë e drejtë demokratike

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka reaguar zyrtarisht pas protestave të zhvilluara në Kosovë, të cilat pasuan aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një përgjigje për mediat, zëdhënësi i BE-së ka theksuar se demonstratat paqësore përbëjnë një e drejtë themelore në çdo shoqëri demokratike.

Duke iu përgjigjur interesimit lidhur me protestat e mbajtura pranë zyrave të misionit evropian për sundimin e ligjit, nga Brukseli është konfirmuar se EULEX-i vazhdon të jetë plotësisht funksional. BE-ja bëri të ditur se po e përcjell nga afër situatën e krijuar në Kosovë dhe do të vazhdojë ta monitorojë atë me vëmendje.

Mobilizimi qytetar në vend erdhi pas aktgjykimit të 16 shtatorit, ku Gjykata Speciale i shpalli fajtorë për krime guerre Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin duke i dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet, si dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. /E.A/

 

Continue Reading

Sport

Prapaskenat e largimit: Takimi i minutave të fundit në aeroport nuk e bind Ronaldon

Published

on

By

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga kriza e thelluar në përfaqësuesen e Portugalisë, ku përpjekjet e minutave të fundit për të parandaluar largimin e Cristiano Ronaldos kanë dështuar. Situata ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, aq sa ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Kryeministrit Luís Montenegro, i cili ka zhvilluar telefonata urgjente me sulmuesin 41-vjeçar, trajnerin Jorge Jesus dhe kreun e federatës, Pedro Proença.

Prapaskena më dramatike është zhvilluar në aeroportin e Kopenhagenit, ku Jesus dhe Proença u uulën me urgjencë për të takuar kapitenin përpara se ai të largohej. Pavarësisht bisedimeve intensive që zgjatën deri në orët e vona të mbrëmjes, Ronaldo nuk pranoi të kthehej pas dhe rreth orës 22:45 u nis me avionin e tij privat drejt Madridit.

Ndërsa shkaqet e sakta mbeten ende mister, trajneri Jorge Jesus ka bërë të ditur se do të flasë hapur për përplasjen menjëherë pas ndeshjes kundër Norvegjisë. Nga ana tjetër, vetë Ronaldo ka paralajmëruar se do t’i zbulojë arsyet e këtij vendimi që ka tronditur kombëtaren në kohën e duhur.

Continue Reading

Aktualitet

Trump paralajmëron ndalimin e eksportit të naftës dhe kërkon nga Evropa të hapë rezervat

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë mundësinë e bllokimit të eksporteve të naftës (dizel) për shkak të krizës globale dhe rritjes së çmimeve, ndërsa Presidenti Donald Trump ka deklaruar se mund t’u kërkojë vendeve evropiane të lirojnë një pjesë të rezervave të tyre strategjike, raporton BBC.

Këto deklarata pasojnë thirrjen e Sekretarit të Thesarit amerikan, Scott Bessent, i cili i kërkoi Evropës të përgatitet menjëherë për nxjerrjen në treg të këtyre furnizimeve, duke argumentuar se “fermerët, kamionistët dhe bizneset amerikane nuk duhet të mbajnë barrën” e çmimeve që po fluturojnë.

Uashingtoni ka kërcënuar se do të kufizojë eksportet e dizelit pas rritjes drastike të kostove si pasojë e luftës në Iran. Kjo çështje është kthyer në një nga temat kryesore për votuesit amerikanë në prag të zgjedhjeve të rëndësishme nëntoriane për Kongresin.

Shtetet e Bashkuara janë një furnizues kyç i dizelit në nivel global, duke eksportuar nga 1.2 deri në 1.5 milionë fuçi në ditë. Ekspertët paralajmërojnë se një ndalim i mundshëm i dërgesave jashtë vendit do të rriste edhe më shumë presionin mbi çmimet në shtetet e tjera.

“Po e mendojmë shumë seriozisht,” tha Trump gjatë vikendit lidhur me bllokimin e eksporteve, ndërsa të enjten shtoi se mund t’u kërkojë partnerëve evropianë përdorimin e rezervave të tyre.

“Partnerët tanë evropianë duhet të përpe shpejtojnë përmbushjen e angazhimeve të tyre ekzistuese dhe të vënë menjëherë në dispozicion furnizime shtesë për të trajtuar ndërprerjet aktuale,” shkroi Bessent në rrjetet sociale.

Evropa dhe Britania në bisedime urgjente

Të enjten, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi bisedime me partnerët evropianë për një përgjigje të koordinuar ndaj një ndalimi të mundshëm nga SHBA-ja.

Sipas të dhënave nga organizata e automobilizmit RAC, çmimet e dizelit në Britani të Madhe arritën nivele rekorde këtë javë, duke prekura kufirin e 2 paundëve për litër.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se po zhvillohen “shumë telefonata dhe takime” për situatën e dizelit, përfshirë kontakte të nivelit të lartë me administratën amerikane. Nga ana tjetër, zyrtarët britanikë theksuan se vendi ka një furnizim të qëndrueshëm, por pranuan se çmimet pritet të rriten më tej.

Pse po rriten çmimet globale?

Çmimet e benzinës dhe dizelit në mbarë botën janë rritur ndjeshëm që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Iran në muajin shkurt.

Mbyllja e ngushticës strategjike të Hormuzit — përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë — ka bllokuar rrugët kryesore të transportit dhe ka çuar në shtrenjtimin e të gjitha nënprodukteve të naftës në tregjet ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Moti sot në Kosovë: Diell, vranësira të lehta dhe temperatura deri në 22°C

Published

on

By

Sot në Kosovë parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin mes 2 dhe 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të ditës do të arrijnë nga 19 deri në 22 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi të lehtë nga 1 deri në 5 m/s.

 

Continue Reading

Të kërkuara