Lajmet

​Hovenier thotë se lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë që kërkon partneritet

Ai ka thënë se ShBA-të janë krenare në rolin e tyre në mbështetje të institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit.

Published

on

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se lufta kundër korrupsionit është proces afatgjatë dhe kërkon partneritet në mes të gjithë akterëve, duke shtuar se roli i shoqërisë civile ofron mbikëqyrje të domosdoshme mbi institucionet qeveritare.

Ai ka thënë se ShBA-të janë krenare në rolin e tyre në mbështetje të institucioneve të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, të cilat sipas tij kanë shënuar përparim ndër vite.

Në kuadër të javës kundër korrupsionit, të organizuar nga Lëvizja FOL, gjatë adresimit të tij para shoqërisë civile dhe mediave, Hovenier ka thënë se me mbështetje të shoqërisë civile duke kërkuar llogari nga institucionet, është shënuar përparim.

“Niveli i besimit që njerëzit e kanë pasur në këto institucione dikur, 15 vjet më herët krahasuar më sot, policia, gjykata, prokurorët, shërbimi korrektues, janë organe vendore kosovare që po bëjnë përparim të dukshëm, a ka hapësirë për përmirësim e dini ju vetë përgjigjen, por edhe ne SHBA mund të themi të njëjtën përgjigje. A është arritur përparim me mbështetje të shoqërisë civile që të ju kërkojmë llogari institucioneve? Po, natyrisht se ka pasur. Që ta përmbyllim këtë, kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe mendoj që të gjithë duhet ta pranojmë se qytetarët presin më shumë nga qeveritë e tyre. Ne, populli, presim që institucionet të na shërbejnë neve dhe jo që të marrin nga ne. Që prokurimi të bëhet në mënyrë transparente, presim që gjyqtarët, prokurorët dhe mbrojtësit të kryejnë punë ne tyre dhe të mos ndikohen në mënyra të padobishme”, ka thënë Hovenier.

Ai ka përmendur ndryshimet në fushën e drejtësisë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për çka ka thënë se ShBA-të janë krenarë me mbështetjen e dhënë.

“Pavarësia e Kosovës ka ndryshuar edhe më shumë dhe prej pavarësisë së Kosovës e kemi parë një themelimin të institucioneve jetike prej atëherë me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, dhe nganjëherë jeni skeptik për punën që po e bëjnë këto e di, këto institucione janë të reja, por SHBA është shumë krenare me rolin tonë në mbështetjen e këtyre institucioneve dhe kosovarëve dhe qeverive gjatë viteve që këto institucione të ngritën në këmbë, të bëjnë punën e tyre, të bëhen me efikase. Është proces afatgjatë, kemi investuar shumë në vetë mbështetjen e këtyre proceseve dhe duhet të them se është edhe e përpjekjeve e Kosovës për kosovarët dhe jemi të kënaqur që mund të mbështesim”, ka thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm dhe unik në luftën kundër korrupsionit.

“Lufta kundër korrupsionit nuk është një herë, por është një proces që është afatgjatë dhe kërkon partneritet midis të gjithë hisedarëve, shoqërisë civile, sepse duhet të keni qeverinë, shoqërinë civile, gazetarët, sektorin privat, të gjithë bashkë. Nganjëherë shohim që qeveritë janë septike për rolin që shoqëria civile mund ta luajë si partner në luftën kundër korrupsionit, dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar, si dhe për të përforcuar aftësitë e shoqërisë për ekspozimin e veprave të korrupsionit, e shohim këtë anembanë… Kosova nuk është e vetme në vendet e botës që e ka vënë luftimin e korrupsionit si një listë shumë të rëndësishme të prioriteteve, edhe pse nevojitet ende shumë punë e madhe për ta çrrënjosur korrupsionin këtu dhe në vendet e tjera të botës”, ka thënë ambasadori amerikan.

Hovenier ka thënë se ShBA-të do të vazhdojnë të mbështesin partnerët e shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit.

Lajmet

Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë

Published

on

By

Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.

Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Evropiane: Ndalimi i ndryshimit të gjinisë në dokumente shkel ligjet e BE-së

Published

on

By

Gjykata më e lartë e Bashkimit Evropian mori vendim të enjten se ligjet kombëtare që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore në dokumentet e identifikimit janë në kundërshtim me ligjin e BE-së. Gjykata theksoi sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen personat kur identiteti i tyre gjinor nuk përputhet me dokumentet zyrtare.

Rasti në fjalë rrodhi nga një shtetase bullgare, e regjistruar si mashkull në lindje, e cila kishte filluar trajtimin hormonal dhe identifikohej si grua. Ajo ishte zhvendosur në Itali dhe u kishte kërkuar autoriteteve bullgare të ndryshonin gjininë ligjore, emrin dhe numrin personal në dokumente.

Gjykatat në Bullgari e kishin refuzuar kërkesën, duke u thirrur në rregullat kombëtare që e përkufizojnë seksin vetëm në aspektin biologjik dhe që ndalojnë ndryshimin e të dhënave gjinore.

Megjithatë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë konstatoi se megjithëse shtetet anëtare janë përgjegjëse për lëshimin e dokumenteve, mosmarrëveshja mes identitetit gjinor dhe letërnjoftimit mund të shkaktojë dyshime gjatë kontrolleve rutinë, udhëtimeve apo ndërveprimeve profesionale. Sipas Gjykatës, këto “paparashikueshmëri të konsiderueshme” pengojnë të drejtën e personit për lëvizje të lirë brenda Bashkimit Evropian. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

KQZ pezullon AKR-në e Behgjet Pacollit

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), pasi subjekti dështoi të organizojë zgjedhjet e brendshme deri në afatin e paraparë (25 shkurt 2026). Edhe pse partia ishte njoftuar paraprakisht, ajo nuk e ka përmbushur këtë obligim ligjor.

KQZ i ka dhënë AKR-së një afat shtesë prej 45 ditësh për ta mbajtur Kuvendin Zgjedhor. Nëse ky kusht nuk plotësohet as brenda kësaj periudhe, partia do të çregjistrohet përfundimisht nga regjistri zyrtar.

AKR, e cila ishte pjesë e Kuvendit që nga viti 2007, aktualisht udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës, Vesel Makolli, pas dorëheqjes së Behgjet Pacollit në tetor 2025. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti mbeti jashtë Kuvendit pasi nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor.

Continue Reading

Lajmet

IKSHPK: Ndotja e ajrit shkakton mbi 1,150 vdekje në vit në Kosovë

Published

on

By

Raporti i fundit i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) për vitin 2025 ka alarmuar se ndotja e ajrit mbetet një rrezik madhor, duke shkaktuar rreth 12.1% të vdekshmërisë totale në vend.

“Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore)”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave, gjendja më kritike është regjistruar në Prishtinë (veçanërisht në Kodrën e Trimave), Obiliq, Gjilan, Fushë Kosovë (Palaj) dhe Mitrovicë, ku nivelet e grimcave helmuese PM2.5 gjatë dimrit kanë arritur deri në 272 µg/m3, shifër kjo shumë herë mbi limitet e lejuara.

Shkaktarët kryesorë mbeten djegia e thëngjillit për ngrohje, termocentralet dhe makinat e vjetra, të cilat po rëndojnë shëndetin e grupeve më të ndjeshme si të moshuarit, gratë shtatzëna dhe fëmijët.

IKSHPK thekson se kjo ndotje lidhet drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sulmeve në zemër, goditjeve në tru dhe problemeve të rënda respiratore, duke kërkuar masa urgjente për zgjerimin e ngrohjes qendrore dhe reduktimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.

Continue Reading

Të kërkuara