Presidenti francez Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Evropës që të tregoj veten në skenën botërore, duke deklaruar se ka ardhur koha që kontinenti të fillojë të sillet si një “fuqi”.
Përballë kërcënimeve në rritje nga Kina, Rusia dhe tashmë edhe SHBA-ja, ai u shpreh për një grup gazetash evropiane se kontinenti po përballet me një thirrje zgjimi.
Macron shtroi pyetjen nëse Evropa është vërtet gati të shndërrohet në një fuqi në fushat e ekonomisë, financave, mbrojtjes dhe sistemeve demokratike, duke shtuar se në një epokë tjetër kjo do të cilësohej si momenti që kontinenti të “pajisej me pjekurinë e tij”.
Përpara samitit të BE-së në Bruksel, udhëheqësi francez përsëriti thirrjen për kredi të përbashkëta në nivel evropian me qëllim mbledhjen e qindra miliarda eurove të nevojshme për investime industriale.
Ai theksoi se ka ardhur koha për të krijuar një kapacitet të përbashkët borxhi për të financuar shpenzimet e së ardhmes përmes eurobondeve, duke argumentuar se nevojiten programe të mëdha evropiane për projektet më cilësore.
Megjithëse thirrje të tilla në të kaluarën janë pritur medyshas nga Gjermania dhe vende të tjera, të cilat dyshojnë se Franca kërkon të përdorë Evropën për të mbajtur barrën e saj financiare, Macron pranoi se vendi i tij nuk ka pasur gjithmonë një model të balancuar si ekonomitë e veriut.
Ai vuri në dukje se Franca nuk ka ndërmarrë reforma si ato të Portugalisë, Spanjës, Italisë apo Greqisë, të cilat sot po japin rezultate, por argumentoi se tregjet botërore po kërkojnë gjithnjë e më shumë alternativa ndaj dollarit amerikan.
Sipas tij, BE-ja ka nevojë për 1.2 trilionë euro në vit për të investuar në sektorë jetikë si siguria, mbrojtja, energjia e pastër dhe inteligjenca artificiale.
Duke kërkuar mbrojtjen e këtyre industrive, Macron saktësoi se nuk bëhet fjalë për proteksionizëm, por për koherencë, në mënyrë që prodhuesve evropianë të mos u imponohen rregulla që nuk vlejnë për konkurrentët jashtë bllokut.
Ai e përshkroi botën e sotme si një vend në çrregullim ku ndryshimet klimatike po nxitojnë, SHBA-ja nuk është më një garantues i sigurt i sigurisë, Rusia ka ndërprerë energjinë e lirë dhe Kina është kthyer në një rival të ashpër. Në këtë situatë, Macron theksoi se evropianët janë vetëm, por kanë njëri-tjetrin si një forcë prej 450 milionë njerëzish.
Ai përfundoi duke thënë se shndërrimi në fuqi është përmbushja e aventurës evropiane, duke kujtuar se ndonëse shtetet u bashkuan për të ndaluar luftën dhe për të ndërtuar një treg, ato gjithmonë e kishin ndaluar veten të mendonin për pushtetin.
Lidhur me tensionet e fundit me Washingtonin, ai paralajmëroi evropianët që të mos mashtrohen nga tërheqjet e përkohshme të SHBA-së, duke thënë se ekziston një tendencë frikacake për t’u qetësuar pas çdo krize, ndërkohë që rreziqet mbeten reale dhe të vazhdueshme.