Aktualitet

​Vlerësohet e nevojshme shtyrja e afatit për aplikim për statusin e viktimave të dhunës seksuale

Kjo theksua në Konferencën Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Published

on

Numër i madh i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende nuk janë drejtuar te komisioni qeveritar për të kërkuar statusin e tyre që u takon me ligj. Andaj po vlerësohet se afati për aplikim në këtë komision, i cili përfundon ligjërisht në shkurt të vitit 2023, të shtyhet në mënyrë që ofrohet mundësi më e të gjatë kohore që viktimat të aplikojnë për statusin e tyre. Nevoja për këtë u theksua në Konferencën Mobilizimi i komunitetit lokal për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani tha se deri tani janë mbi 1800 aplikime derisa theksoi se po rritet numri i personave që po lajmërohen e që në kohën e luftës kanë qenë të mitur.

“Këto viktima kanë nevojë për ne, por kanë nevojë për të gjithë, kanë nevojë për qytetarët e vendit të vet, për mbështetje, për kurajo, sepse një numër i madh i tyre ende janë të stigmatizuara, një numër i madh i tyre ende nuk kanë aplikuar në komision dhe nëse e shohim afatin kohor, afati kohor për të aplikuar në komision ka filluar në 2018 dhe përfundon në shkurt të vitit që vjen. Gjithsesi, po punojmë në atë drejtim, bashkë me Qeverinë e Kosovës por edhe shoqërinë civile qe t’u jepet mundësi për me vazhdu afatin e aplikimit, po shpresojmë që do të jepet mundësi për me vazhdu afati i aplikimit por vazhdimi i afatit të aplikimit bëhet me ligj sepse me ligj është përcaktuar pesë vite afat për të aplikuar dhe ne do të duhet të gjithë bashkë të mobilizohemi së paku për këtë periudhë kohore që na ka mbetur që ato viktima që mund t’i njohim ti mbështesim dhe t’i drejtojmë të komisioni për ta pranuar një t ë drejtë e cila njihet me ligj”, ka thënë ajo.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti tha se në kohën kur është përcaktuar 5 vjet afat kohor për të aplikuar ka qenë periudhë kur stigma ishte në kulm.

Ai shtoi se nuk duhet lejuar vakume ligjore por duhet të ketë mundësi për aplikim deri në viktimën e fundit që identifikohet.

“Roli i institucioneve dhe mekanizmave lokal është qenësor, ne si organizatë jemi 33 vetë punojmë në baza ditore, kemi psikologë, punonjëses social, mjek, që ofrojmë shërbime, megjithatë numri i këtyre personave është shumë i madh prandaj duhet bashkëpunimi institucional për me adresu çështjet në nivel të duhur. Në raport me zgjatjen e afatit të komisionit, ne kemi avokuar edhe për faktin që krimet e luftës nuk parashkruhen, nuk u humbet afati ligjor, as e drejta në krim të luftës nuk ish dashtë me u afatizu në pesë vjet. Mirëpo në kohën kur ne kemi avokuar ka qenë ajo periudha kur stigma ka qenë në kulm kur ka qenë shumë e vështirë kjo shoqëri me hy, në ligjin për vlerat e luftës. Tash duhet të bëjmë çmos se nuk guxojmë me kriju atë shkëputje vakum ligjor që pas 5 shkurtit edhe sikur një grua apo tre apo pesë persona, shteti duhet me ua dhënë mundësinë dhe duhet me ekzistu mekanizmi ku atyre u njohit e drejta ligjore”, ka thënë Rushiti.

Në këtë konferencë u theksua rëndësia e bashkëpunimit me institucionet lokale.

“Fokusi kryesor do të duhej të ishte me rritë debatin por njëkohësisht ai debat nëse prej të gjithëve besoj ka me ardhur rekomandim pastaj do të jetë edhe për qeverinë pak më shtytëse për me vazhdu afatin e aplikacionit për këto kategori, për arsye se mendoj qe vetëm edhe një nëse nuk arrijmë me bindë me u regjistru gjatë kësaj periudhe, ne duhet me luftu që me shty afatin, vetëm edhe një person nëse ka mbetur jashtë kësaj përfshirje ne duhet me luftu me shty sepse në këtë proces edhe një individ është i rëndësishëm. Këtu flitet për individë rëndësia e të cilëve veç e veç është shumë e rëndësishme. Prandaj jam këtu sot që në emër edhe të kryetarit Rama me shpreh gatishmërinë tonë që të zgjatet afati pasi që mendoni se ne duhet të jemi pjesë e këtyre fazave të luajmë rolin tonë që na takon në këtë proces”, tha drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinë, Izet Sadiku.

Vendi

DW: Kosova sërish në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Published

on

Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë. 100 prokurorë dhe qindra policë janë angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe mbrojtjen e votës së lirë.

Në Kosovë zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare këtë të dielë më (28.12.) të dytat brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ, tashmë ka bërë të gjitha përgatitjet që të zhvillohet procesi i votimit. Ky mekanizëm ka certifikuar listat votuese dhe të partive politike, si dhe ka përcaktuar edhe qendrat e votimit në të gjithë Kosovën dhe jashtë saj.

Procesi teknik ka përfunduar

Sipas KQZ-së, për zgjedhjet e 28 dhjetorit garojnë 22 subjekte politike, prej tyre janë 18 parti politike, 3 koalicione parazgjedhore, si dhe 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur. Ndër partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosje, VV, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe nga radhët e serbëve të Kosovës Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 1180 kandidatë për deputetë që i ka certifikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Rreth 67 për qind janë burra, ndërkaq rreth 33 për qind janë gra. Qendrat e votimit ditën e dielë hapen nga ora shtatë e mëngjesit dhe mbyllen në 19-të të mbrëmjes.

Të drejtë vote, në këto zgjedhje sipas KQZ-së, kanë 2 milionë e 76 mijë e 290 votues. Procesi zgjedhor brenda vendit zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime. Qendra votimi ka edhe jashtë Kosovës, ku votimi fizik organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata në 18 shtete të botës. Mbi 84 mijë qytetarë jashtë Kosovës kanë aplikuar për votim dhe nga to 76 mijë aplikime janë miratuar, që përfshijnë votimin me postë dhe votimin fizik në ambasada dhe konsullata të Kosovës. Vëzhgues ndërkombëtarë monitorojnë procesin

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit në Kosovë, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë akredituar rreth 860 vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë për të monitoruar nga afër procesin zgjedhor. Një delegacion i vëzhguesve do të jetë edhe nga Parlamenti Evropian. Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit do të vëzhgojë procesin e zgjedhjeve, duke u fokusuar siҫ thuhet në njoftim në “respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve demokratike të votimit”. “Përveç qendrave të zakonshme të votimit, do të vëzhgojmë edhe institucionet ku mbahen personat e privuar nga liria, shtëpitë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, si dhe shtëpitë integruese në komunitet”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, iu bën thirrje shtetasve rezidentë dhe atyre jorezidentë që ta ushtrojnë të drejtën e votimit. “Në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe demokratike: të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik”, thotw Radoniqi. Ai kërkoi nga zyrtarët e angazhuar që t’i respektojnë ligjin e rregullat zgjedhore.

“U bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të jenë të angazhuar gjatë ditës së zgjedhjeve, që të veprojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe paanshmëri, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të garantohet dhe të mbrohet plotësisht. Me qëllim të ruajtjes së integritetit, besueshmërisë të procesit zgjedhor, KQZ-ja ka bashkëpunim të ngushtë me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit”, u shpreh Radoniqi.

Masa sigurie para zgjedhjeve

Për të garantuar një proces të drejtë votimi pa probleme, janë të angazhuar qindra forca policore, ndërsa rreth 100 prokurorë janë angazhuar për mbrojtjen e votës në zgjedhjet e së dielës. Zyra e Prokurorit të Shtetit njofton se qëllimi kryesor i angazhimit të 100 prokurorëve është “mbrojtja e votës së lirë të qytetarëve dhe garantimi i integritetit të procesit zgjedhor”.

“Ata do të jenë të shpërndarë në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të plotë të procesit zgjedhor, me qëllim të trajtimit dhe procedimit të çdo parregullsie apo shkeljeje të mundshme ligjore që mund të ndodhë gjatë zgjedhjeve”, thuhet në njoftim të zyrës së prokurorit. Prokurori i Shtetit ka ftuar qytetarët, subjektet politike, institucionet dhe organizatat e ndryshme që të denoncojnë pranë prokurorive kompetente çdo rast për të cilin dyshohet se ka keqpërdorim apo manipulim të votës, në çfarëdo forme dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës nga ana e saj thekson, se “në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim të garantimit të ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët”. Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit garon edhe Lista Srpska,  e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me insistimin e përfaqësuesve të Vetëvendosjes në këtë organ, edhe kësaj radhe tentoi që mos ta certifikojë Listën Srpska, por ishte Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, që urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë Listën Srpska dhe kjo parti tashmë zyrtarisht merr pjesë në zgjedhje.

Analistët politikë, nga ana e tyre, thonë se zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë karakterizohen nga fakti se janë zgjedhje të jashtëzakonshme, të thirrura për të zgjidhur bllokimin institucional të krijuar për më shumë se nëntë muaj pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit, kur asnjë parti nuk arriti të formojë qeverinë. Prania ndërkombëtare në Kosovë përmes ambasadorëve të vendeve të QUINT-it vazhdimisht bën thirrje që zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të zhvillohen në mënyrë të rregullt, të lirë dhe demokratike, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik për të ardhmen evropiane të vendit. Bashkimi Evropian,  në një deklaratë të mëhershme, ka thënë se një proces zgjedhor i besueshëm është kusht thelbësor për rikthimin e plotë të bashkëpunimit me institucionet evropiane, zhbllokimin e ndihmave financiare, si dhe avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. /DW/

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e Psikologjisë në UBT vizitojnë Qendrën për Zhvillim, duke u njohur nga afër me shërbimet në shëndetin mendor

Published

on

Disa studentë të Fakultetit të Psikologjisë në UBT, nën udhëheqjen e profesoreshës Dr. Adelina Ahmeti Pronaj, realizuan një vizitë studimore në Qendrën për Zhvillim, me qëllim thellimin e njohurive praktike në fushën e shëndetit mendor dhe shërbimeve multidisiplinare.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me gamën e gjerë të shërbimeve që ofrohen në qendër, duke përfshirë mbështetjen psikologjike, sociale dhe edukative, të orientuara drejt nevojave të individit dhe familjes. Përmes prezantimeve profesionale dhe diskutimeve të hapura me stafin e qendrës, studentët u njohën me mënyrën se si funksionon bashkëpunimi ndërprofesional në trajtimin e rasteve komplekse në shëndetin mendor.

Një theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së punës ekipore mes psikologëve, punëtorëve socialë, pedagogëve dhe profesionistëve të tjerë, si një element kyç për ofrimin e një mbështetjeje gjithëpërfshirëse dhe efektive. Studentët u njohën gjithashtu me praktikat etike, qasjet bashkëkohore të ndërhyrjes dhe sfidat që shoqërojnë punën me individë dhe familje në nevojë.

Kjo përvojë praktike u vlerësua si jashtëzakonisht e vlefshme nga studentët, pasi shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike të përvetësuar në auditorë dhe praktikës reale në terren. Vizita nxiti reflektim profesional, rriti ndjeshmërinë shoqërore dhe forcoi përkushtimin e studentëve për të kontribuar në të ardhmen në fushën e shëndetit mendor.

Aktivitete të tilla dëshmojnë angazhimin e UBT-së për t’u ofruar studentëve një arsim cilësor, të orientuar drejt praktikës dhe nevojave reale të shoqërisë, duke i përgatitur ata për sfidat profesionale dhe për rolin e tyre si profesionistë të përgjegjshëm në shërbim të komunitetit.

Continue Reading

Vendi

Punëtori statistikore për studentët e Psikologjisë në UBT me ligjëruese nga ShBA

Published

on

Fakulteti i Psikologjisë në UBT, nën organizimin e Asst. Prof. Elona Krasniqi, organizoi me sukses një punëtori statistikore me ligjëruese të ftuar Besjana Krasniqi, kandidate doktorante në Psikologji Zhvillimore të Aplikuar në Universitetin e Maryland, Baltimore County (UMBC), ShBA, si dhe pjesë e Laboratorit për Zhvillimin e Fëmijëve, Familjes dhe Shkollës.

Punëtoria u zhvillua në kuadër të lëndës Metodologji e Avancuar Kërkimore dhe ishte i dedikuar për studentët e programit master në Psikologji. Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte avancimi dhe praktikimi i njohurive statistikore, me fokus në përdorimin e modeleve parashikuese përmes analizave të regresionit.

Gjatë punëtorisë, studentët u angazhuan në mënyrë aktive përmes ndërveprimeve dinamike, shembujve konkretë nga kërkimi empirik, testimit të hipotezave kërkimore duke përdorur programin SPSS, si dhe interpretimit të rezultateve statistikore. Ky format praktik u mundësoi studentëve të lidhin teorinë me aplikimin real në kërkimin shkencor.

Ky aktivitet kontribuoi në ngritjen e kapaciteteve shkencore dhe profesionale të studentëve, duke promovuar njëkohësisht rrjetëzimin profesional dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me studiues dhe profesionistë nga institucione prestigjioze. Punëtoria është në përputhje me planin strategjik të UBT-së për zhvillimin e kapaciteteve kërkimore profesionale, si në nivel institucional ashtu edhe në atë kombëtar.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Burim Bajraktari ndan përvojën ndërkombëtare me studentët e Dizajnit në UBT

Published

on

Javën e kaluar, në ambientet e Bibliotekës në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, u mbajt një ligjëratë me karakter edukativ dhe profesional, e organizuar për studentët e vitit të tretë të programit Dizajn i Integruar – specializimi Enterier. Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Semiotikë dhe Estetikë, nën udhëheqjen e profesoreshës Ardita Rizvanolli.

I ftuar ishte Burim Bajraktari, Arkitekt Kryesor dhe CEO i studios arkitekturore MODIUM, i cili ndau me studentët përvojën e tij shumëvjeçare profesionale në fushën e arkitekturës dhe dizajnit. Bajraktari ka përfunduar studimet pasuniversitare në Kingston University London në vitin 2011 dhe ka ndërtuar karrierën e tij përmes angazhimeve profesionale në Londër dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë ligjëratës, ai prezantoi rrugëtimin e tij profesional, duke filluar nga projektet e hershme të vizualizimit 3D, themelimi i shërbimeve arkitekturore në vitin 2008, si dhe procesin e ribrandimit strategjik në vitin 2015, i cili çoi në krijimin e studios MODIUM. Sot, kjo studio njihet për qasjen e saj bashkëkohore, dizajnet e qëndrueshme dhe trajtimin estetik të hapësirës.

Ligjërata u karakterizua nga diskutime interaktive, ku studentët patën mundësi të bëjnë pyetje dhe të njihen më nga afër me sfidat, mundësitë dhe realitetin e profesionit të arkitektit dhe dizajnerit të enterierit. Ky takim shërbeu si një urë lidhëse mes teorisë akademike dhe praktikës profesionale, duke i motivuar studentët për zhvillimin e mëtejmë të aftësive të tyre kreative dhe profesionale.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së në ofrimin e përvojave praktike dhe frymëzuese për studentët, duke i përgatitur ata për tregun e punës dhe sfidat e industrisë së dizajnit dhe arkitekturës.

Continue Reading

Të kërkuara