Lajmet

​Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: Nuk po dërgohen në vendbanime shqiptare

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

Published

on

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi deklaron se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në. Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje.

Një gjë të tillë e thonë edhe dy nga regjistruesit shqiptarë. Këta të fundit nuk kanë dashur të identifikohen, por janë emra të njohur për redaksinë. Ata kanë bërë të ditur se prej ditës kur ka nisur regjistrimi, ata janë dërguar në fshatra të cilët janë të banuar nga serbët.

Deputeti Shaip Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

“Tre (regjistrues) janë për Medvegjë që kanë kaluar testet që janë kryer. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi bërë alarmimin me OSBE-në dhe me ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, njofton Kamberi.

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

“Të gjithë ata që janë pasivizuar, qëndrimi është që të regjistrohen si banorë, sepse atyre nuk mund t’ju merret shtetësia sipas ligjit. Prandaj, si shtetas të Serbisë ata kanë të drejtë të regjistrohen. Ndërkohë, sa i përket adresave të reja si individ duhet të paraqes kërkesë për t’i dhënë adresë të re në vendin ku ai lajmërohet. Është një procedurë krejtësisht tjetër ajo, e cila duhet sigurisht që të niset menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, shton Kamberi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre.


“Ne nuk kemi marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, për faktin se Enti Statistikor Republikan nuk ka respektuar kërkesat tona për regjistrim të diasporës, regjistrim të banorëve të zhvendosur dhe për faktin se nuk kemi pasur mjaftueshëm regjistrues shqiptarë. Sikurse në dokumentacione nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Kësaj here me ndërmjetësimin e OSBE-së, të gjitha këto janë arritur dhe procesi ka filluar, ashtu siç ishte planifikuar me 1 tetor”, vijon ai.

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi pret që nga ky regjistrim që do të përfundojë gjatë këtij muaji, shqiptarëve t’u kthehen të drejtat.

“E para ka të bëjë me nivelin e integrimit që ne kërkojmë nga organet shtetërore, nga statistikat që do të tregojnë se sa është numri i shqiptarëve në këtë rajon. Kërkesa jonë do të duhet të jetë në nivel të atillë që të ri inkuadrohemi dhe të participojmë në punën e organeve shtetërore të cilat funksionojnë në komunat tona. Ka funksion dhe rol edhe në financimin e projekteve kapitale që vijnë nga qyteti dhe vijnë nga shteti për komunat tona dhe financimin e rregullt mujor që i bëhet komunave nga niveli shtetëror. Po ashtu edhe financimin që i bëhet Këshillit Nacional. Numrin e mjekëve që do të ketë ‘Shtëpia e Shëndetit’, numrin e ambulanteve që duhet të ekzistojnë në vendbanimet e caktuara, pavarësisht nga numri i popullsisë. Dhe ajo që është e rëndësishme për Preshevën është se nga numri i banorëve që do të dalë se ka kjo komunë do të varet legjitimiteti për kthimin e Gjykatës Themelorë në Preshevë, e cila në vitin 2013 është shuar”, deklaron ai.

Për këtë flet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi i cili thotë se ky proces është përgjigje ndaj diskriminimit e pasivizimit të adresave. Ai shton se janë ofruar kushtet optimale për regjistrim të popullsisë, proces ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet e monitorohet nga EUROSTAT.

“Fletëregjistrimet janë në gjuhën shqipe të cilat i ka asistuar Këshilli Kombëtar Shqiptar. Instruktorët për regjistruesit janë edhe nga komuniteti shqiptar. Regjistrues janë edhe nga komuniteti shqiptar e madje edhe në disa vendbanime të përziera është lejuar edhe mundësia për asistent gjuhësor… Në këtë proces të regjistrimit të popullsisë nuk nevojitet asgjë tjetër përveç emrit, mbiemrit dhe një numri personal, me ç’rast regjistruesi e ka për detyrë tri herë të shkojë në shtëpinë e tij dhe në rast se nuk e gjen në shtëpinë e tij do të duhej të lënë një kontakt-numër dhe regjistrimin mund ta kumtojë një familjar për gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, shprehet ai.

Në Preshevë e Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, por jo edhe në Medvegjë.

“Ne kemi diku 86 regjistrues në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe kemi 24 regjistrues në Medvegjë, tre nga të cilët janë shqiptarë”, shton Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

“56 mijë banorë shqiptarë kanë qenë në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të vitit 2002, rezident. Dhe rreth 30 mijë kanë qenë, jo rezident që do të thotë se pjesa që jetojnë në diasporë. Ne synojmë që të ruajmë së paku këtë minim dhe të arrijmë të kemi 56 mijë, 57 mijë, rreth 60 mijë banorë rezident në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që është shumë e qartë se diaspora jonë është rritur në ndërkohë. Sepse, kemi njerëz që janë larguar dhe migrimi ka bërë të vetën. Procesi i largimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrave e Medvegjës që është përfunduar në vitet ’99-2000 edhe që po tentohet përmes pasivizimit të adresave të legalizohet me spastrim etnik të kryer, ka qenë një ndër arsyet që ne nuk kemi pranuar të marrim pjesë në regjistrimin e vitit 2011”, ka përfunduar deputeti Kamberi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi që ka nisur ditën e shtunë, bëhet edhe regjistrimi i pronave. Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive shqiptare në Kosovës kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, si përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve dhe pasivizimit të adresave. 

Lajmet

Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri të Kosovës

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, të dyshuar për përfshirje në organizimin dhe vendosjen e barrikadave në veri të vendit gjatë vitit 2022.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe realizimin e bllokimit të rrugëve në komunat veriore të Kosovës, duke vendosur automjete dhe pengesa të tjera në infrastrukturën rrugore. Këto veprime, sipas prokurorisë, kanë pasur për qëllim pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.

Barrikadat në veri u vendosën në një periudhë tensionesh të shtuara politike dhe të sigurisë në fund të vitit 2022, duke shkaktuar situatë të ndërlikuar në terren dhe duke kërkuar ndërhyrje të institucioneve të sigurisë dhe praninë e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë KFOR-in, për të ruajtur rendin dhe stabilitetin.

Prokuroria Speciale thekson se për këtë rast janë mbledhur prova materiale dhe dëshmi që lidhen me përfshirjen e të akuzuarve në organizimin e barrikadave, dhe se rasti tashmë ka kaluar në procedurë gjyqësore.

Të pandehurit do të përballen me proces në gjykatat kompetente, ku do të shqyrtohen akuzat dhe provat e paraqitura nga prokuroria. /Ekonomia online/ /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj gjashtë serbëve për barrikadat në veri të Kosovës

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. dyshohen se, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Aktakuza thotë se ata kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë në rast të ndërhyrjes për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes.

Ndërkohë, hetimet ndaj 11 personave të tjerë janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes.

Barrikadat në veri ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili më vonë u dënua me dy vjet burgim për organizimin e sulmit ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri të Kosovës. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fazıl Say dhe Filharmonia e Kosovës sonte në koncertin përmbyllës të Chopin Piano Fest

Published

on

Prishtina do të mirëpresë sonte një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore të vitit, me koncertin përmbyllës të edicionit 2026 të festivalit Chopin Piano Fest.

Në skenën e Klan Arenës do të ngjitet pianisti i njohur turk Fazıl Say, i cili do të performojë së bashku me Filharmoninë e Kosovës, nën dirigjimin e maestro Aurélien Azan Zielinski.

Koncerti, që nis në orën 19:30, pritet të sjellë një mbrëmje të veçantë artistike, duke kurorëzuar programin e festivalit me interpretimin e njërit prej pianistëve më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare.

Për publikun kosovar, kjo paraqitje përfaqëson një mundësi të rrallë për të ndjekur nga afër virtuozitetin e Fazıl Say, i njohur për interpretimet e tij të jashtëzakonshme dhe kontributin në muzikën klasike bashkëkohore.

Koncerti përmbyll një tjetër edicion të suksesshëm të Chopin Piano Fest, festival që prej vitesh sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës klasike nga mbarë bota./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Inflacioni në Kosovë arrin 6,8 për qind në maj 2026 

Published

on

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar.

Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e inflacionit vjetor në muajin maj 2026 ka arritur në 6,8 për qind, ndërsa krahasuar me muajin prill 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind në nivel mujor. ASK ka bërë të ditur se indeksi i përgjithshëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në maj 2026 ishte 6,8 për qind më i lartë krahasuar me majin e vitit 2025.

Rritja vjetore e çmimeve është ndikuar kryesisht nga transporti me 14,1 për qind, strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 13,2 për qind, si dhe pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 5,6 për qind.

Rritje janë regjistruar edhe në restorante dhe shërbime akomodimi me 5,3 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 5,1 për qind, shëndetësi me 4,1 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 3,6 për qind, si dhe në kategori të tjera si rekreacioni, veshja dhe komunikimi. Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin e shërbimeve arsimore me 0,6 për qind.

Sa i përket ndryshimeve mujore, ASK ka bërë të ditur se në maj 2026 krahasuar me prillin 2026 është shënuar rënie prej 0,4 për qind.

Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në transport me 2,0 për qind, strehim dhe energji me 0,7 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike me 0,2 për qind, si dhe në disa kategori të tjera me luhatje më të vogla.

Në anën tjetër, rritje mujore e çmimeve është regjistruar në pijet alkoolike dhe duhan me 0,7 për qind, shëndetësi me 0,7 për qind, mobilje dhe pajisje shtëpiake me 0,6 për qind, si dhe në kategori si informacioni, veshja dhe shërbimet e restoranteve. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara