Këshilli Bashkiak i Elbasanit aprovoi shpalljen e 4 zonave malore prioritare për zhvillim si pjesë e nismës qeveritare “Paketa e Maleve”, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe investimet në zonat malore të Shqipërisë.
Ky vendim bazohet në ligjin “Për Paketën e Maleve” si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, tha se zonat e përzgjedhura janë njësitë administrative Gjinar, Funar, Tregan dhe Shushicë të cilat përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik e mjedisor për qytetin dhe rajonin.
Ai u shpreh se prioritet mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore në shërbim të qytetarëve dhe rajonit.
“Elbasani ka gjithçka për t’u kthyer në një destinacion të rëndësishëm turistik, dhe ne po i hapim rrugë këtij zhvillimi”, tha Llatja.
Gjinari, i njohur si “xhevahiri natyror” i Elbasanit, ofron potencial për zhvillimin e turizmit malor, ekoturizmit dhe përpunimit të bimëve mjekësore.
Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, shihet si një destinacion i ardhshëm për turizëm kulturor, rural dhe sporte e aventurës.
Ndërsa Tregani, me ujërat termale, mbetet një atraksion i veçantë për turizmin shëndetësor e relaksues dhe aktualisht është zona më e frekuentuar e Elbasanit me mbi 9 mijë vizitorë çdo vit.
Ndërsa Shushica, vetëm pak kilometra nga qyteti, konsiderohet një zonë me potencial për turizëm familjar, bujqësi dhe kulinari tradicionale.
Sipas të dhënave zyrtare, deri në fillim të gushtit në qarkun e Elbasant ka pasur 348 aplikime. Aplikimet mbeten të hapura deri në fund të vitit 2025, ndërsa 500 aplikantët e parë do të përfitojnë lehtësira fiskale për 10-vjet, thuhet në njoftim./S.K/KP/ElbasaniNews/