Lajmet

Kush e fitoi garën parazgjedhore të Kosovës në rrjetet sociale?

Published

on

Prishtinë, 17 maj – Përdorimi i rrjeteve sociale, e sidomos i Facebook-ut si rrjeti më i popullarizuar në Kosovë, është̈ bërë një domosdoshmëri për politikanët, të cilët janë goxha të varur nga kjo formë e komunikimit, për të qenë më afër me qytetarët dhe sa më të pranishëm në jetën publike. Veçanërisht, ky komunikim virtual, merr intensitet të shtuar në kohën e fushatave zgjedhore politike. Të gjitha rrjetet sociale ‘vlojnë’ nga postimet e shumta politike. Kosova mbajti zgjedhjet e fundit parlamentare me 14 shkurt 2021. Ky hulumtim është koncentruar vetëm në rrjetin social Facebook dhe sjellë të dhëna interesante sa i përket formës së përdorimit të këtij rrjeti nga politikanët shqiptarë të Kosovës dhe ndërveprimit të tyre me opinionin publik.

Të gjithë në rrjetet sociale! Të gjithë kanë për të thënë diçka. Shumë nga ata që postojnë, edhe mund të mendojë se po ‘flasin’ me një numër të madh të qytetarëve, të paktën me të gjithë ata që janë përcjellës (followers) të tyre. E vërteta është më ndryshe. Facebook, ka disa limite që ndalojnë shfaqjen e një postimi tek të gjithë ndjekësit. Por, po ashtu, jep edhe mundësinë që të përçohet mesazhi edhe përtej numrit të ndjekësve. Kjo bëhet nëpërmes pagesës (sponsorizimeve), dhe postimi shfaqet te më shumë përdorues të rrjetit e madje edhe te kategori të përzgjedhura. Pos kësaj, për politikanët, në shumë raste Facebook është shndërruar në ‘foltoren e konferencave mediatike’, pasi adresimet që ata bëjnë, merren direkt nga mediat, duke u krijuar politikanëve dy favore njëkohësisht: E para, ua mundësojnë shfaqjen më të gjerë publike, dhe e dyta, transmetohet vetëm ajo që politikani ka shkruar, pa pasur asnjë mundësi që ai të pyetet nga gazetarët për çështje të ndryshme.

Si rrjedhojë, përdorimi më i shpeshtë i Facebook-ut nga politikanë është i shpeshtë dhe dinamik. Por më shumë kjo formë komunikimi, vjen në shprehje gjatë kohës së fushatës elektorale dhe manifestimeve të tjera politike. Gjithsesi edhe në kohën kur s’ka fushatë parazgjedhore, komunikimi i këtij lloji, është goxha popullor.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë patën dhjetë ditë fushatë. Nga data 2 deri më 12 shkurt, u konsideruan ditët legale të saj. Ndryshe, edhe parafushata ishte intensive. Por, hulumtimi i këtij shkrimi, është përqendruar vetëm në këto dhjetë ditë, për të parë, matur e testuar, se cili mund të ketë qenë efekti i komunikimit publik virtual, mes politikanëve, partive politike në njërën anë dhe qytetarëve në anën tjetër.

Sa për të kujtuar, rezultati përfundimtar, i dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë: 48% e trupës votuese morën pjesë në zgjedhje, apo mbi 840 mijë persona nga rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Fitues i këtyre zgjedhjeve u shpall koalicioni Lëvizja Vetëvendosje dhe lista e krijuar nga Vjosa Osmani – Sadriu me 50.28% të votave, të cilat iu përkthyen me 58 deputetë. E dyta doli Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17.09% me 19 ulëse të deputetëve. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 12.73% u rendit partia e tretë me 15 deputetë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) fitoi 7.12% – 8 deputetë. Pjesën tjetër të parlamentarëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që janë gjithsej 120, e plotësojnë subjektet politike minoritare.

Kandidatët për kryeministër – shfaqja në Facebook

Gjatë këtyre zgjedhjeve kandidatët për kryeministër nga partitë politike, kanë përdorur profilet e tyre në Facebook, për të paraqitur programet dhe për të promovuar takimet me qytetarë, të cilat kësaj radhe kanë qenë edhe të kufizuara për shkak të masave kundër pandemisë COVID-19.

Nga data 2 deri me 12 shkurt, përkatësisht gjatë kohës së fushatës zgjedhore, kandidatët për kryeministër kanë përdorur në nivele të ndryshme profilet e tyre në rrjetin social Facebook.

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit LVV-Lista, Albin Kurti në këtë periudhë ka pasur gjithsej 24 postime. Njëkohësisht, është interesant se Kurti, fitues dominant i këtyre zgjedhjeve, ka qenë përdoruesi më i vakët i Facebook. Nga këto 24 postime, ai ka shpërndarë foto e video, por nuk ka shkruar ndonjë status të pashoqëruar me foto apo video. Secili nga postimet e tij, është përcjellë me një vistër pëlqimesh (like), shpërndarje e komente. Nga hulumtimi, del se Kurti nuk ka shpenzuar mjete financiare në këtë rrjet, pasi nuk ka sponsorizuar asnjë nga publikimet që ka bërë. Në llogarinë personale në Facebook, Kurti sot ka 491,442 ndjekës (followers) dhe është personaliteti politik më popullor në vend.

Fotoja me më së shumti pëlqime, është ajo e publikuar më 8 shkurt 2021, e cila ka marrë mbi 26 mijë sosh. E njëjta kishte 962 komente dhe 683 shpërndarje.

Videoja e publikuar më 11 shkurt ka marrë mbi 25 mijë pëlqime, një tjetër e publikuar më 12 shkurt ka marrë mbi 11 mijë komente, e cila po ashtu ka qenë 1 mijë e 900 herë e shpërndarë.

Kandidatja për presidente nga koalicioni LVV-Lista, Vjosa Osmani – Sadriu, gjatë 10 ditë të fushatës ka bërë gjithsej 61 postime.

Një nga fotot e publikuar më 4 shkurt ka thyer rekordin sa i përket fotove të Osmani – Sadriut. Ajo ka marrë mbi 30 mijë pëlqime e mbi 1 mijë e 800 komente. Ndërsa videoja e publikuar nga Osmani, e datës 12 shkurt ka marrë mbi 35 mijë pëlqime dhe mbi 6 mijë e 700 komente. Llogaria e Vjosa Osmanit në Facebook përcillet nga 347,488 profile të regjistruara në këtë rrjet social.

Numër edhe më të madh të postimeve se Kurti e Osmani në Facebook, ka bërë kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike (PDK), Enver Hoxhaj. Ai ka gjithsej 77 publikime. Nga to fotoja më e pëlqyer ka qenë e publikuar më 7 shkurt, e cila ka mbledhur mbi 10 mijë e 600 pëlqime, por ka përfunduar me vetëm 329 komente.

Ndërsa, videoja më e pëlqyer e shpërndarë nga Hoxhaj dhe më e shikuara, ka marrë mbi 5 mijë e 100 pëlqime, 398 komente, 235 rishpërndarje, dhe rezulton të jetë shikuar mbi 500 mijë herë. Hoxhaj bënë pjesë në mesin e kandidatëve për kryeministër të Kosovës i cili ka bërë disa sponsorizime për të rritur vizibilitetin e publikimeve të tij, gjatë 10 ditëve të fushatës. Hoxhaj ka një llogari personale e cila ka edhe numër goxha të ulët të përcjellësve, meqë janë vetëm 77,683 ndjekës.  

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti është rekordmeni apsolut i përdorimit të llogarisë së tij në Facebook gjatë 10 ditëve të fushës zgjedhore zyrtare. Ai ka pasur plotë 218 postime. I bie që Hoti, ka bërë 21 postime në ditë, ose afërisht në çdo një orë brenda ditës ka shpërndarë diç për të komunikuar me ndjekësit e tij dhe qytetarët nëpërmes llogarisë në Facebook. Sidoqoftë, rezultati, jo vetëm zgjedhor, por edhe i impaktit në publik, ka qenë mjaft më i ulët krahasuar me kundërkandidatët e tij. Gjithashtu, Hoti ka bërë disa sponsorizime, mënyrë që e mundëson Facebook për të arritur shikueshmëri dhe depërtueshmëri më të lartë te audienca.

Nga të gjitha këto shpërfaqje publike, fotoja e 4 shkurtit e shpërndarë nga Hoti, ka arritur më së shumti pëlqime, 14 mijë e 200 sosh. E njëjta ka marrë dhe 3 mijë e 400 komente dhe 190 shpërndarje. Ndërsa, videoja e 9 shkurtit ka arritur 30 mijë e 100 shikime, e njëjta ka marrë dhe mbi 1 mijë pëlqime dhe 301 komente, e gjithashtu mbanë primatin me më së shumti shpërndarje – 299 gjithsej. Llogaria e Hotit, përcillet nga 83,569 përdorues të regjistruar në këtë rrjet.

Bartësi i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në këto zgjedhje, kandidat për president të vendit nga ky subjekt, Ramush Haradinaj ka bërë 75 postime. Në mesin e tyre, fotoja me përshkrim më e ndjekur ka dalë ajo e publikuar më 9 shkurt e cila ka marrë 9 mijë e 600 pëlqime. Fotoja më e komentuar ka qenë e publikuar më 11 shkurt edhe ka marrë mbi 3 mijë e 200 komente, dhe ajo më e shpërndara është e datës 12 shkurt e cila arriti të rishpërndahet 466 herë.

Videoja e publikuar nga Haradinaj më 2 shkurt, ka marrë mbi 10 mijë e 300 pëlqime, e që gjithashtu ka qenë 753 herë e rishpërndarë. Sa i përket komenteve, rezultatin më të mirë e ka ajo e publikuar me 3 shkurt që ka pasur mbi 7 mijë komentime. Videoja më e shikuar e publikuar nga Haradinaj më 10 shkurt ka arritur të marrë 845 mijë shikime. Edhe Haradinaj, sikurse Hoxhaj e Hoti, kanë shpenzuar mjete financiare në këtë rrjet duke sponsorizuar postimet e tyre. Llogaria e Haradinajt në Facebook, përcillet nga 262,372 qytetar.

Duke qenë se pos Hotit, kandidatët e mësipërm, janë edhe kryetar të partive politike, brenda këtij hulumtimi është përfshirë edhe aktiviteti i Isa Mustafës, në atë kohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në Llogarinë e tij, Mustafa ka 70,260 ndjekës. Ai nuk ishte tërësisht pa aktivitet në rrjetet sociale. Mustafa u mundua modestisht ta ndihmoj LDK-në dhe Avdullah Hotin kandidat për kryeministër nga ky subjekt, duke shkruar herë pas here. Gjatë fushatës Isa Mustafa ka pasur gjithsej pesë publikime në Facebook. Nga to, statusi i publikuar më 7 shkurt ka marrë mbi 2 mijë e 900 pëlqime. Ai i publikuar më 10 shkurt ka marrë mbi 2 mijë e 100 komente dhe ka qenë 131 herë i rishpërndarë. Mustafa nuk ka publikuar asnjë foto dhe asnjë video.

(Në këtë tabelë është shfaqur vetëm foto dhe videoja më e pëlqyer në facebook-un e kandidatëve)

Sipas këtyre të dhënave del se Avdullah Hoti nga LDK, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Enver Hoxhaj nga PDK, kanë numrin më të lartë të postimeve në krahasim me kandidatin nga LVV-dhe Lista e Vjosa Osmanit, apo fituesin e zgjedhjeve Albin Kurtin. Mirëpo, dallimi qëndron në shtrirjen e pëlqimeve, komenteve dhe shpërndarjeve, e në këtë rast Kurti, ka dyfishin e tyre në krahasim me kandidatët e tjerë.

Pavarësisht nga këto shifra të publikimeve nga kandidatët për kryeministër të mundshëm dhe kryetarët e partive politike, asnjëri nuk ka pasur interaktivitet me votuesit potencial, apo komuentuesit, duke e bërë komunikimin njëkahor.  

Në fushatë “ndezja” komunikuese në rrjetet sociale bëhet edhe nga partitë politike

Sikur edhe kandidatët për kryeministër, njëjtë vepron pothuajse secili prej garuesve për deputet. Jashtë aktivitetit nuk mbesin as llogaritë e partive politike që kanë adresë në Facebook. Në disa raste, subjektet politike në Kosovë, dhe jo vetëm, angazhojnë ndonjë kompani për të menaxhuar rrjetet e tyre sociale, për të qenë në trend me kohën. Njëra nga to që e pranon këtë është edhe AAK, e cila në gjatë fushatës së fundit kishte angazhuar një kompani për menaxhimin e rrjeteve sociale.

“Në Aleancë kemi departamentin e veçantë për menaxhim të rrjeteve sociale, i cili vepron gjatë tërë kohës. Mirëpo, gjatë fushatave zgjedhore angazhojmë edhe kompani konsulente, të cilat janë të specializuara në menaxhim të rrjeteve sociale. Në shumicën e rasteve kandidatët për deputetë profilet e tyre në rrjetet sociale i menaxhojnë̈ personalisht për shkak se shumica janë të mirëinformuar sa i përket teknologjisë”, thonë nga zyra e medieve të AAK-së.

Mirëpo, disa prej tyre kanë edhe njerëz të profilizuar për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrjeteve sociale. LVV edhe PDK janë dy nga partitë, të cilat kanë deklaruar se nuk kanë angazhuar asnjë kompani për këtë çështje, për shkak që kanë njerëz brenda partive, të cilët janë ekspert të fushës.

Megjithatë, në LVV, konsiderojnë se komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarë gjatë fushatës zgjedhore nuk zëvendësohet me atë përmes rrjeteve sociale.

“Si Lëvizje Vetëvendosje, jemi rritur në takime e tubime direkt me qytetarët, ato janë të pazëvendësueshme, janë të një tjetër lloji. Por, po ashtu janë kategori të ndryshme njerëzore ata që takohen direkt nëpër lagje e fshatra për dallim me ata në rrjetet sociale”, është deklaruar Arlind Manxhuka nga zyra për informim e LVV-së.

Gjithashtu, edhe nga AAK thonë se është i pakontestueshëm komunikimi direkt me qytetarë nëpër takime tradicionale, mirëpo sipas tyre përdorimi i rrjeteve sociale “është kursim në kohë dhe shpenzime”.

“Sigurisht që asgjë nuk e zëvendëson kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët, mirëpo agjenda e ngjeshur me aktivitete, pamundëson një gjë të tillë. Njëra ndër përparësitë e komunikimit nëpërmes rrjeteve sociale, është kursimi në kohë dhe shpenzime. Tanimë, të gjithë e dimë se mjetet klasike për komunikim si; TV dhe Radio përdoren shumë më pak nga qytetarët, ndërkaq Facebook përveç postimeve (foto, video), mundëson edhe ‘live stream’, e cila në fushatën e fundit është përdorur në masë të madhe për shkak të kostos së ulët”, janë shprehur nga AAK.

Ngjashëm mendojnë edhe strukturat e PDK-së.

“Asnjëri lloj i komunikimit nuk mund ta zëvendësoj tjetrin. Unë i shoh vetëm të dy format në një lloj ndërveprimi për t’u arritur efektet e duhura në komunikim. Por, të dy ndaras, kanë përparësitë dhe mangësitë. Përparësia e komunikimit online është se kushton më lirë, është i shpejtë dhe arrin në një kohë të shkurtër te një numër i madh i njerëzve, ndërsa mangësi është se mungon kontakti i drejtpërdrejt. Kurse tek komunikimi direkt, përparësi takimi nga afër me njerëz, duke parë edhe emocionet e tyre, kërkesat e nevojat”, thotë Bashmir Xhemaj, drejtor për komunikim në PDK.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara nga studentët e UBT-së.

(Në këtë tabelë është shfaqur numri i postimeve i partive politike në faqet e facebook-ut)

Për komunikimin online virtual, ende shumë për të mësuar

Në fushën e komunikimit në rrjetet sociale, siç është edhe ky nëpërmes facebook-ut, ka mendime se ai mund të avancohet dhe se Kosova nuk ka arritur ende në nivelin e tillë kulturor e politik të një komunikimi të mirëfilltë.

Violeta Hyseni – Kelmendi, gazetare me përvojë të gjatë dhe njohëse e fushës së komunikimit, ka thënë se partitë politike, kryesisht kandidatët e tyre për kryeministër, për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto të fundit i kanë përdorur më tepër rrjetet sociale.

“Këtë vit ka pasur një trend në rritje të përdorimit të rrjeteve sociale gjatë fushatës zgjedhore nga subjektet politike. Besoj që ka disa arsye pse ka ndodhur kjo: 1) për shkak se komunikimi me elektoratin përmes rrjeteve sociale tashmë është i pashmangshëm në epokën digjitale dhe partitë e kanë kuptuar; 2) për shkak të pandemisë, njerëzit janë mësuar të funksionojnë më shumë online dhe kjo i ka ndihmuar edhe subjektet politike që më lehtë t’iu qasen atyre”, ka thënë Hyseni–Kelmendi.

Ajo ka potencuar se edhe kostoja e organizimit të aktiviteteve përmes rrjeteve sociale është më e ulët. Gjithashtu, trendi i rritjes së përdorimit të rrjeteve sociale në zgjedhjet e fundit, sipas Hyseni-Kelmendit është edhe për shkak se diaspora nuk ka mundur të vijnë shkaku i masave pandemike, po ashtu edhe është targetuar rinia dhe njerëzit e papunë.

“Mendoj që subjektet tona politike gradualisht po i përshtaten epokës digjitale, por gjithsesi ka nevojë që të investojnë më shumë në këtë fushë. Për të komunikuar në mënyrë proaktive dhe për të zhvilluar aktivitete që tërheqin vëmendjen e qytetarëve, nevojitet të angazhohet një ekip profesional që mund të zhvillojë produkte multimediale”, është shprehur Violeta Hyseni – Kelmendi.

Sipas njohësit të komunikimit masiv, Dren Gërgurit, politikanët janë duke e kthyer vëmendjen tek rrjetet sociale vetëm gjatë kohës së fushatës.

“Më shumë politikanët po e kthejnë fokusin tek media sociale gjatë fushatës zgjedhore. Nga viti 2017-2021 kishim tre palë zgjedhje dhe nga këto parti u shfrytëzua media sociale për të përcjellë njoftime, ashtu edhe shpjegim të programeve dhe atë çka e bën një parti politike të jetë e duhura, pra reklamimin e tyre të cilin e bëjnë përmes medieve”, ka thënë Gërguri.

Ai e sheh rrjetin social facebook si më të përdorurin në Kosovë nga politikanët, të cilët e shërbejnë për të shkëmbyer komunikim me simpatizantët e tyre.

“Partitë politike duhet të punojnë më shumë që të shfrytëzojnë medien sociale për një komunikim, i cili do ishte edhe interaktiv. Kryesisht tek ne si rrjet komunikimi nga akterët politikë përdoret për shembull facebook, e cila është media më e popullarizuar sociale dhe ky përdorim është në formën e dërgimit të mesazhit nga politikani tek audienca, por nuk ka ndonjë interaktivitet në mes tyre. Media sociale ka krijuar një rrjet ku jo vetëm të dërgoj mesazh, por edhe të komunikosh me shikuesit e dëgjuesit, pra ofron interaktivitet”, shprehet ai.

Rrjetet sociale janë një platformë e mirë për subjektet politike, sipas ekspertëve, ato kanë shënuar një rritje viteve të fundit, si një mundësi e mirë për të bërë fushatë elektorale, por nga ana tjetër për ta keqpërdorur për manipulim të votuesve.

Bazuar në të gjeturat e hulumtimit, rezulton se garën në rrjetin social Facebook gjatë fushatës zgjedhore në Kosovë, e fitoi LVV dhe Lista e Vjosa Osmani – Sadriut. Ndonëse patën paraqitje shumë më të paketa sesa rivalët e tyre politik, ky grupacion ishte dominant në këtë rrjet social.

Publikimet e shpeshta të ish kandidatit për kryeministër nga LDK Avdullah Hotit, treguan në vetvete se nuk përbënë domosdoshmërisht avantazh karshi oponencës. Ai kishte nëntë herë më shumë postime se rivali i tij Albin Kurti, por reaksioni qytetar mbi këto publikime të Hotit ishte shumë më i ulët se te Kurti, që doli edhe fitues i zgjedhjeve.

Hulumtimi nxjerrë në pah edhe të dhënën interesante se as partitë politike, as kandidatët për kryeministër e as kryetarët e subjekteve politike, nuk u përgjigjen në çështjet që ngritën qytetarët komentues si ndjekës të tyre.

(Autorë të këtij hulumtimi janë studentët: Blenda Agaj, Driton Iseni, Blerta Gashi, Lea Krajkova, Anita Bakalli, Uranik Emini dhe Blerta Zuka)

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara