Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka propozuar që i akuzuari Igor Popoviq të dënohet me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dëbim prej 2 vitesh nga Kosova, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë mes të dy palëve.
Sipas aktakuzës, Popoviq ka mbajtur një fjalim publik në Rahovec me përmbajtje që, sipas Prokurorisë, nxitte urrejtje dhe përçarje ndëretnike më 18 korrik 2025 rreth mesditës. Gjatë fjalës së tij, ai ka bërë deklarata që cilësohen si nxitëse ndaj grupeve etnike.
Për këtë masë u pajtua edhe vetë i akuzuari Popoviq dhe mbrojtja e tij.
Prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu tha se nga marrëveshja, rezulton që gjykatës t’i propozohet shqiptimi i njëjtit dënim, sipas marrëveshjes, për veprën penale për të cilën akuzohet, gjashtë muaj burgim, i cili të zëvendësohet me gjobë në shumën prej 3 mijë eurosh.
Ajo i propozoi gjykatës që në të njëjtën kohë, të shqiptohet edhe dënimi plotësues – dëbimi nga territori i Kosovës për një afat prej dy vitesh, për çka palët janë pajtuar.
“Aktakuzës i është bashkangjit marrëveshja për pranimin e fajësisë. Kjo marrëveshje është e lidhur në përputhje të plotë me dispozitat penale për këto arsye qenësore. Në radhë të parë i akuzuari Igor Popoviq mjaftueshëm është konsultuar me mbrojtësit e tij që nga fillimi i procedurës penale dhe se ky pranim është në përputhje të plotë me të gjitha provat me të cilat është arsyetuar aktakuza. Kjo marrëveshje i përmbushë të gjitha kriteret qe të pranohet nga gjykata. Nga marrëveshja rezulton që Gjykatës i propozojmë që t’i shqiptojë po të njëjtit dënim sipas marrëveshjes që për veprën penale që akuzohet të gjykohet me gjashtë muaj burgim i cili dënim t’i zëvendësohet me dënim me gjobe në lartësi prej 3 mijë euro. Në të njëjtën kohe t’i shqiptohet dënimi i plotësuar dëbimi nga shteti i Kosovës në afat prej dy vitesh, për cka edhe jemi pajtuar”, tha Zejnullahu.
Gjyqtari Kujtim Krasniqi bëri të ditur se sot të bëhet shpallja e aktgjykimit në orën 14:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Igor Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, i cili u arrestua muajin e kaluar nga Policia e Kosovës.
I akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.