Lajmet

​ShBA ndan 2.5 milionë dollarë ndihmë ndaj Kosovës

Kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19.

Published

on

Shtetet e Bashkuara përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) sot paralajmëruan ndihmë urgjente Kosovës në vlerë 2.5 milionë dollarë për COVID-19.

Kjo ndihmë do të sigurojë mbështetje gjithëpërfshirëse në realizimin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe do të forcojë sistemin shëndetësor në tërësi.

“Kjo ndihmë është një donacion zemërgjerë nga populli amerikan për popullin e Kosovës. Nuk janë vaksinat si të tilla ato që do të ndalojnë virusin, por është vaksinimi. Prandaj, vendosni maskat, përvilni mëngët dhe bëni atë që duhet bërë për të siguruar se si ju vetë ashtu edhe të dashurit tuaj të jeni të mbrojtur. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të luftuar këtë virus tinëzar së bashku me partnerët tanë, që do të thotë me ju. Bashkërisht, ne mund të luftojmë këtë virus dhe të ndalojmë përhapjen e COVID-19,” tha drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi.

Kjo ndihmë shtesë, e cila do të implementohet përmes UNICEF-it, ndërton mbi bazën e më shumë se 2.6 milionë dollarë ndihmë për COVID-19 dhuruar Kosovës përmes USAID-it gjatë pandemisë.

Që kur Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19, USAID-i ka punuar me punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë dhe komunitetet për të ngadalësuar përhapjen, për t’u kujdesur për të prekurit dhe siguruar pajisjet e nevojshme për të luftuar COVID-19.

Vitin e kaluar, USAID-i shpërndau 249 komplete higjienike në qendrat shëndetësore, 7.750 komplete higjienike për familjet dhe 2,400 pako higjienike për nënat dhe foshnjat në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Me fillimin e vitit shkollor, USAID-i gjithashtu u dhuroi komplete higjienike 660 shkollave fillore dhe të mesme.

Krahas kësaj, Shtetet e Bashkuara dhuruan 50 respiratorë të ri dhe të papërdorur si pjesë e një pakoje mbështetëse që përfshinte pajisje shoqëruese të respiratorëve, instalimin, garancitë, planet e servisimit dhe uebinare online.

Shtetet e Bashkuara dërguan pajisje laboratorike të testimit dhe skanerë termik për vendosje në terminalet hyrëse të vendkalimeve kufitare të Kosovës, përfshirë aeroportin e Prishtinës dhe katër vendkalime kufitare tokësore.

Së fundi, USAID-i paralajmëroi një partneritet në vlerë prej 1 milion dollarësh amerikan me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë në mbështetje të përpjekjeve që po bëhen në informim publik në Kosovë lidhur me parandalimin dhe vaksinimin kundër COVID-19, dhe në emër të Qeverisë së SHBA-së lehtësoi shpërndarjen e 538,200 dozave të vaksinës Pfizer.

Qeveria e SHBA-së, përmes USAID-it, ka investuar mbi 10 milionë dollarë në ndihmë shëndetësore Kosovës gjatë 20 vjetëve të kaluara. 

Vendi

Sorensen prezanton planin e punës për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi gjatë takimeve në Bruksel

Published

on

By

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka njoftuar përmes platformës “X” se gjatë kësaj jave ka zhvilluar takime të ndara dhe të detajuara në Bruksel me të dy kryenegociatorët, ku Kosova është përfaqësuar nga Agron Bajrami.

Gjatë këtyre diskutimeve, Sorensen ka paraqitur planin e punës mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke specifikuar hapat dhe angazhimet që priten gjatë muajve të ardhshëm.

Ky njoftim vë në pah përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të koordinuar agjendën e dialogut dhe për të siguruar progres në procesin e stabilizimit të raporteve mes dy vendeve në kuadër të kornizës së përcaktuar nga Brukseli, duke mbajtur takime të veçanta me përfaqësuesit e palëve për të shpjeguar në detaje ecurinë e planit të punës për periudhën vijuese.

Continue Reading

Aktualitet

Gjykata Supreme shfuqizon tarifën 3-euroshe për shoqëruesit e pacientëve në QKUK

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme tarifën prej 3 eurosh për personat shoqërues mbi 15 vjeç të pacientëve në QKUK, duke shfuqizuar pjesërisht Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore. Ky vendim erdhi pas padisë së Institutit të Kosovës për Drejtësi kundër Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilën kontestohej ligjshmëria e kësaj pagese ditore.

Pas shqyrtimit të provave, Gjykata vlerësoi se Ministria ka tejkaluar autorizimet e saj ligjore dhe ka zgjeruar në mënyrë të palejuar nocionin e bashkëpagesës, pasi ky detyrim mund të vendoset vetëm ndaj personave që janë përfitues të drejtpërdrejtë të shërbimeve shëndetësore.

Sipas aktgjykimit, tarifimi i shoqëruesve cenon të drejtën për qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor dhe krijon obligime financiare pa bazë të qartë ligjore, duke pasur parasysh se prania e familjarëve është shpesh e domosdoshme për pacientët.

Edhe pse kjo tarifë nisi të zbatohej nga shkurti i këtij viti, Gjykata Supreme theksoi se aktet nënligjore duhet të jenë gjithmonë në përputhje me ligjin dhe nuk mund të krijojnë kategori të reja tarifimi të paparashikuara më parë.

Continue Reading

Vendi

Publikohen listat e kandidatëve, këta janë emrat që synojnë ulëset e Kuvendit

Published

on

By

Pas përmbylljes së afatit zyrtar për dorëzimin e listave në KQZ, subjektet kryesore politike në vend kanë zbuluar emrat e kandidatëve me të cilët do të kërkojnë votën e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Gara pritet të jetë e fortë, me ndryshime interesante në renditje dhe prurje të reja në listat zgjedhore.

Listës së Lëvizjes Vetëvendosje i prin kryeministri aktual, Albin Kurti. Në dhjetëshen e parë radhiten emrat kryesorë të partisë si Glauk Konjufca, Donika Gërvalla, Avni Dehari, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla. Një detaj që ka rënë në sy është mungesa e Besnik Bislimit dhe Hysen Durmishit, me këtë të fundit që deklaroi se ishte vendim i tij personal. Ndërkohë, në listë është përfshirë Arton Konushevci, vëllai i heroit Ilir Konushevci, me numrin 15.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë herë garon me një listë ku bartëse është ish-presidentja Vjosa Osmani, e ndjekur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku. Pjesë e dhjetëshes janë edhe Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Anton Quni. Megjithatë, befasi mbetet renditja e Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit jashtë top-dhjetëshes, përkatësisht me numrat 11 dhe 12. Në listë është rikthyer edhe Ukë Rugova, djali i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ishte subjekti i fundit që e bëri publike listën e saj, së cilës i prin kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. Pas tij renditen Uran Ismaili e Vlora Çitaku, ndërsa bie në sy ngjitja e Arian Tahirit në dhjetëshen e parë. Një emër që ka nxitur debate është ai i Nait Hasanit, i përfolur për dyshime rreth manipulimeve me vota në zgjedhjet e kaluara, gjë që ka nxitur edhe reagimin e kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili u distancua nga ky propozim.

 

Te Aleanca për Ardhmëri të Kosovës, përgjegjësinë e bartësit të listës e ka marrë Ardian Gjini. Ndërkohë, lideri i partisë, Ramush Haradinaj, ka zgjedhur të garojë me numrin 11. Nga ana tjetër, partitë si AKR kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë fare në këto zgjedhje, ndërsa PSD-ja do të jetë e pranishme me një listë të shkurtër prej vetëm gjashtë kandidatësh.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kosova dhe Shqipëria prezantohen në Kanë me pavijon të përbashkët dhe premierën e filmit “Dua”

Published

on

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar hapjen e Pavijonit të Kosovës në kuadër të Marché du Film, tregut zyrtar të Festivalit të Filmit në Kanë. Ky prezantim shënon vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë botërore të filmit.

Për të 15-in vit me radhë, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë e Shqipërisë po prezantojnë së bashku kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët Kosovë-Shqipëri, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të produksioneve nga të dy vendet.

Ky edicion shënohet edhe me një moment të veçantë: premierën botërore të filmit “Dua”, i cili është përzgjedhur në programin prestigjioz Semaine de la Critique, ku garon për katër çmime kryesore. Përzgjedhja në këtë program konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme për filma të rinj në Kanë.

Pjesëmarrja e përbashkët dhe prezantimi i filmit “Dua” pritet të forcojnë më tej praninë e kinematografisë shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

Continue Reading

Të kërkuara