Lajmet

​RrGK fillon fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhje lokale”

RrGK ka inkurajuar qytetarët që të votojnë për gratë.

Published

on

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka filluar fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhjet lokale”.

RrGK ka njoftuar se rreth 80 vullnetarë nga e hëna në të premten (11-15 tetor) do të shkojnë çdo derë për të diskutuar me gratë dhe burrat mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet që do të mbahen me 17 tetor.

“Rreth 80 vullnetarë për pesë ditë (11-15 tetor) do të bisedojnë me qytetarë duke shkuar derë më derë në 21 komuna të Kosovës për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor 2021. Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) garanton përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha fushat, përfshirë atë politike. Mirëpo, në kundërshtim me këtë ligj, deri më sot, as partitë politike e as komunat nuk kanë siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në sferën publike. Prandaj, na mbetet neve si qytetarë ta arrijmë barazinë”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.

Tutje RrGK ka inkurajuar qytetarët që të votojnë për gratë duke theksuar se ato të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna.

“RrGK inkurajon të gjithë qytetarët që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna dhe në kuvende komunale, si dhe do të përpiqen për arritjen e barazisë gjinore. Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. Po ashtu, kujtojmë se RrGK ka bërë fushatë për këtë edhe në zgjedhjet e vitit 2017, 2019 dhe në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, si dhe do të vazhdojë të përkrahë, mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike apo orientimi seksual. RrGK vlerëson zgjedhjet si element qenësor të një shteti demokratik, kurse barazinë gjinore si të drejtë elementare të njeriut, andaj bëjmë thirrje që të votohen më shumë gra në këto zgjedhje lokale, si kusht i domosdoshëm drejt luftimit të traditës institucionale që padrejtësisht ka privuar gratë nga pjesëmarrja në politikë dhe procese vendimmarrëse. Po ashtu, le të sjellim ndër mend se këto zgjedhje po mbahen vetëm pak muaj pas zgjedhjeve nacionale të parakohshme të mbajtura me 14 shkurt 2021, me ç’rast përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës u rrit për pesë ulëse (krahasuar me zgjedhjet e kaluara të vitit 2019), e po ashtu edhe kësaj radhe më shumë gra u zgjodhën pa kuotë se sa që u zgjodhën falë saj. Andaj, më 17 tetor, cilëndo listë që zgjedhni, votoni për më shumë gra në komuna! Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Lajmet

Rreth 50 të arrestuar në një aksion kundër rrjetit të narkotikëve me anëtarë nga Ballkani Perëndimor

Published

on

By

Rreth 50 të dyshuar janë arrestuar në një aksion policor ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, anëtarët e të cilit janë të lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, njoftoi të enjten Agjencia Evropiane e Policisë, Europol.

Europol-i tha se të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasje, rrëmbime, të shtëna me armë zjarri dhe sulme me granata dore në gjithë Evropën.

Aksioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, ndërsa arrestimet u kryen në bashkërendim me një qendër operative në Lubjanë dhe me mbështetjen e Europol-it.

Mes të dyshuarve janë shtetas të Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë, si dhe të Sllovenisë, Bullgarisë, Turqisë dhe Holandës.

Në hetim morën pjesë shërbimet policore dhe gjyqësore nga 22 shtete.

Numri më i madh i të dyshuarve u arrestua në Slloveni, gjithsej 34, bëri të ditur Europol-i, ndërsa nga një person u arrestua në Spanjë dhe Kroaci.

Edhe 11 të dyshuar të tjerë ishin arrestuar më herët, gjatë një hetimi disavjeçar.

Gjatë ditës së fundit të aksionit, policia sekuestroi 66 kilogramë drogë, përfshirë 51 kilogramë kanabis dhe 15 kilogramë amfetaminë, si dhe armë zjarri, stoli dhe para të gatshme, thuhet në njoftim.

Hetimi zbuloi se grupi kriminal fshihte sasi të mëdha narkotikësh në ngarkesa komerciale të mallrave, duke përdorur rrugët e ligjshme të transportit si mbulesë për kontrabandën.

Sipas Europol-it, anëtarët e rrjetit angazhonin kryesisht shoferë nga Sllovenia, Bosnje e Hercegovina dhe Bullgaria, të cilët me kamionë, furgonë dhe automjete bartnin drogën së bashku me mallra të ligjshme.

Për komunikim dhe koordinim, ata përdornin platformat e enkriptuara SKY ECC dhe CryptCom.

Kokaina, kanabisi, amfetamina, MDMA-ja dhe metamfetamina transportoheshin nga Belgjika, Holanda dhe Spanja drejt vendeve të tjera evropiane. Transporti i ligjshëm i mallrave njëkohësisht sillte fitime shtesë dhe ulte kostot e kontrabandës.

Humbja e drogës çonin në dhunë

Sipas rezultateve të hetimit, EUROPOL-i thekson se dërgesat e drogës të sekuestruara ose mosmarrëveshjet mes anëtarëve të rrjetit shpesh përfundonin me përleshje të dhunshme.

Hetuesit e lidhin grupin me disa të shtëna me armë zjarri, vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe me rrëmbimin e një anëtari të organizatës.

Në sulme u përdorën mjete shpërthyese, përfshirë granata dore, ndërsa objektiva ishin anëtarët e rrjetit kriminal dhe familjarët e tyre.

Autoritetet thonë se dhuna përdorej për të rikuperuar humbjet, për të ndëshkuar përgjegjësit për dërgesat e dështuara dhe për të ruajtur kontrollin brenda organizatës. Gjatë hetimit u zbulua edhe një tentativë vrasjeje në Spanjë.

Nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan 253 kilogramë kokainë, 404 kilogramë kanabis, 18.8 kilogramë metamfetaminë dhe 825 gramë MDMA.

U sekuestruan gjithashtu 550 litra anhidrid acetik, një kimikat që përdoret në prodhimin e drogës, armë automatike me silenciator, municion dhe disa pistoleta.

Megjithatë, Europol-i thotë se sasitë e sekuestruara përbëjnë vetëm një pjesë të aktiviteteve të përgjithshme kriminale.

Përmes analizimit të komunikimeve në SKY ECC dhe provave të tjera, hetuesit kanë rindërtuar transporte dhe transaksione të tjera të lidhura me të dyshuarit.

Për këtë arsye, pritet që të dyshuarit të ndiqen penalisht për trafikimin e 2.5 tonëve të tjerë kanabis, 474 kilogramëve kokainë, 104 kilogramëve heroinë, 30 kilogramëve amfetaminë, 11.6 kilogramëve MDMA, nga një kilogram ketaminë dhe hashash, 18.000 tabletave ekstazi dhe 1.000 njësive kërpudhash psikoaktive.

Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu 45 litra vaj të destinuar për prodhimin e amfetaminës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se Europol-i gjatë hetimit u ofroi policive kombëtare mbështetje analitike dhe operacionale, ndërsa në ditën e aksionit një ekspert i kësaj agjencie dhe një hetues kroat punuan nga qendra e koordinimit në Lubjanë.

Nga kjo qendër u koordinuan në kohë reale arrestimet dhe aktivitetet e hetuesve në territorin e disa shteteve. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Më 23 dhe 24 tetor mbahet “UBT Business & Career Fair 2026” në UBT Smart City

Published

on

By

Me synimin për të lidhur arsimin e lartë me kërkesat e tregut të punës, UBT organizon ngjarjen kryesore të vitit për zhvillimin profesional — UBT Business & Career Fair 2026. Panairi do të zhvillohet më 23 dhe 24 tetor 2026, në hapësirat e UBT Smart City.

Kjo ngjarje dyditore përben një platformë strategjike për studentët, të diplomuarit dhe të gjithë të interesuarit që synojnë të hedhin hapa konkretë drejt ndërtimit të karrierës. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takojnë drejtpërdrejt përfaqësues nga më shumë se 100 biznese dhe kompani lider nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Çfarë ofron UBT Business & Career Fair 2026?

  • Mundësi punësimi dhe praktike: Qasje direkte te pozicionet e hapura të punës dhe programet e praktikës profesionale.
  • Prezantim i drejtpërdrejtë: Mundësi për të dorëzuar CV-në dhe për të zhvilluar intervista të shkurtra me rekrutuesit.
  • Zgjerim i rrjetit profesional: Krijim i kontakteve me udhëheqës biznesesh dhe profesionistë të fushës.
  • Orientim në karrierë: Informim rreth trendeve më të fundit të tregut dhe aftësive më të kërkuara nga punëdhënësit.

Gjatë panairit, të pranishmit do të mund të shpalosin potencialin e tyre para kompanive pjesëmarrëse, duke krijuar ura lidhëse që lehtësojnë kalimin nga bankat akademike në tregun e punës.

Regjistrimi për pjesëmarrje është hapur dhe të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë online përmes formularit zyrtar.

 

Continue Reading

Lajmet

Një pushkë automatike, dy pistoleta dhe 92 fishekë sekuestrohen në Rahovec

Published

on

Policia e Kosovës ka sekuestruar një pushkë automatike, dy pistoleta dhe 92 fishekë gjatë kontrollit në një shtëpi në Rahovec.

Kontrolli është kryer pas informatave inteligjente lidhur me dyshimet për posedim të paautorizuar të armëve. Zyrtarët e Stacionit Policor në Rahovec kanë lokalizuar vendbanimin dhe të dyshuarin, ndërsa kontrolli është realizuar me pëlqimin e tij dhe me udhëzim të prokurorit.

Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, dy pistoleta, 92 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe katër karikatorë.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Rahovec, ku është intervistuar në prani të autoriteteve përkatëse.

Në koordinim me prokurorin e shtetit, ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Pas përfundimit të procedurave, i dyshuari është liruar./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një 25-vjeçare angleze në një apartament në Durrës, policia jep detajet

Published

on

Një 25-vjeçare e huaj është gjetur pa shenja jete këtë të enjte në një apartament në Durrës.

Sipas raportimeve të policisë, është gjetur pa shenja jete shtetasja angleze E.S., 25 vjeçe, ku nga këqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune.

Ndërkohë, në apartament është gjetur edhe një fëmijë, rreth 2 vjeç, fëmija i 25-vjeçares, në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi plotë i policisë:

Rreth orës 12:50, në lagjen Nr.1, në një apartament, nga shërbimi i Urgjencës Durrës është gjetur pa shenja jete shtetasja angleze E. S., 25 vjeçe.

Nga këqyrja paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune. Gjithashtu është gjetur edhe fëmija i kësaj shtetaseje, rreth 2 vjeç, në gjendje të mirë shëndetësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. /Euronews.al/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara