Lajmet
Qeveria bën përgjegjëse ASK-në për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë
Procesi i regjistrimit të popullsisë do të fillojë me dy muaj vonesë.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiQeveria ka shtyrë datën e regjistrimit të popullsisë së Kosovës për dy muaj. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u tha se ky proces do të fillojë në nëntor të këtij viti, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe vonesave të shkaktuara. Po ashtu, janë ndarë 60 mijë euro në kuadër të masës 1.3 për punësimin e grave dhe 100 mijë euro për investimin në infrastrukturë dhe ambient.
Kryeministri Albin Kurti ka hedhur akuza për procesin e vitit 2011 të regjistrimit të popullsisë, ku deklaroi se është bërë me një memorandum të thjesht mirëkuptimi.
“Duke respektuar kushtetutën dhe Ligjin për Marrëveshje Ndërkombëtare, ne nuk mund të trajtonim një bashkëpunim të tillë, ndryshe përveç se si marrëveshje ndërkombëtare. Për dallim nga qeveritë e kaluara të cilat në vitin 2011 pikërisht në qëllim të regjistrimit të popullsisë, bashkëpunimin me një organizatë ndërkombëtare të cilat ia transferuan miliona euro për qëllime të prokurimit, e bën me një memorandum të thjeshtë mirëkuptimi. Mënyra e tillë e bashkëpunimit e cenon shtetësinë e Kosovës. Një gjë e tillë me qeverinë tonë nuk bëhet”, deklaroi ai.
Më tej, shefi i ekzekutivit shtoi se prokurimi i është lënë në menaxhim Autoritetit Qendror të Prokurimit, për çka ka pasur rezistencë brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Megjithatë, ai deklaroi se ky proces do të fillojë me vonesë.
“Procesin nuk mund ta fillojmë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj me vonë. Për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit. Për këtë propozoj para jush që të plotësojmë-ndryshojmë vendimin për datën e fillimit të regjistrimit të popullsisë. Regjistrimi i popullsisë do të bëhet, duke filluar nga data 1 nëntor 2023”, tha Kurti para ministrave.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 mijë euro për mbështetjen e punësimit të grave dhe 100 mijë euro të tjera për investimin në infrastrukturë. Këto mjete janë në kuadër të zbatimit të masës 1.3 dhe masës 5 të pakos së ringjalljes ekonomike.
“Bëhet fjalë për masën 1.3 që është mbështetja e punësimit të grave që është masë në vazhdim, ku do të ndahen 60 mijë euro si dhe masa 5-investimi në infrastrukturë dhe ambient ku parashihen të ndahen 100 mijë euro, pra tek Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në programin ‘renovimi i objekteve ekzistuese të departamentit të pensioneve’ me kod 13484”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kabineti qeveritar ka vendosur edhe për përfundimin e mandatit të parakohshëm të drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Bujar Ejupi.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se shkarkimi i tij bazohet në raportimet për shkelje profesionale.
“Mosaprovimi i raporteve vjetore të AAC-së nga ana e Kuvendit të Kosovës, raportimi i shkeljeve profesionale të zotëri Ejupit nga ana e bordit mbikëqyrës të AAC-së, raportimi me shumë gjetje i Autoritetit Mbikëqyrës të Islandës në emër të KFOR-it, raporti me 20 gjetje të eskpertëve austriakë dhe një varg shkeljesh të cilat janë të paraqitura në memorandumin shpjegues që është përcjellë në qeveri, paraqesin bazë të mjaftueshme për përfundimin e mandatit të parakohshme të zotëri Bujar Ejupit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil”, deklaroi ai.
Ndërkaq kabineti qeveritar ka shtyrë për shqyrtim shpronësimin e pronave të paluajtshme në Komunën e Leposaviqit dhe Zubin Potokut.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, po ashtu i janë propozuar Kuvendit të Kosovës, Florent Mehmeti dhe Salihe Gashi Loku si kandidatë për dy pozita të anëtarëve të Komisionit të Aurotitetit të Konkurrencës.
Ministrat kanë votuar pro edh koncept-dokumentit për Kodin e Procedurës Civile dhe për Gjykatën Administrative dhe të Punës.
Lajmet
Studentja e UBT-së, Adile Jashari, fiton çmimin e parë në Itali në ngjarjen prestigjioze të modës “Sotto il Cielo di Genzano 2026”
Published
11 hours agoon
June 14, 2026By
ubtnews
Pesë studente të Departamentit të Dizajnit të Modës në UBT, të cilat përfaqësojnë gjeneratën e re të dizajnereve të Kosovës, prezantuan me sukses kreativitetin, talentin dhe vizionin e tyre në ngjarjen prestigjioze ndërkombëtare të modës “Sotto il Cielo di Genzano 2026”, të mbajtur në Romë, Itali. Përmes koleksioneve dhe koncepteve të tyre unike, ato përfaqësuan denjësisht UBT-në dhe Kosovën para një audience ndërkombëtare, duke dëshmuar potencialin e dizajnit kosovar në skenën globale.
Suksesi më i madh i kësaj pjesëmarrjeje u shënua nga studentja e UBT-së, Adile Jashari, e cila fitoi vendin e parë në kategorinë “Ricerca Stilistica” (Kërkim Stilistik), një çmim që vlerëson origjinalitetin, hulumtimin kreativ dhe qasjen inovative në dizajn.
Ky vlerësim i rëndësishëm e veçoi Adilen mes pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, duke konfirmuar nivelin e lartë profesional dhe kreativ të studentëve të UBT-së në arenën ndërkombëtare.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe katër studente të tjera të Departamentit të Dizajnit të Modës në UBT, të cilat prezantuan punimet e tyre para profesionistëve dhe dashamirëve të modës nga vende të ndryshme, duke promovuar talentin, kulturën dhe identitetin krijues të Kosovës.
Pjesëmarrja dhe suksesi i studentëve të UBT-së në “Sotto il Cielo di Genzano 2026” dëshmojnë përkushtimin e institucionit në zhvillimin e talenteve të reja dhe krijimin e mundësive që studentët të prezantohen dhe të vlerësohen në ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare të artit dhe dizajnit.

Lajmet
United Hospital, adresa ku teknologjia e së ardhmes kujdeset për shëndetin e gruas dhe mirëqenien e familjes
Published
16 hours agoon
June 14, 2026By
UBTNews
Në një kohë kur shëndetësia moderne po përjeton transformime të mëdha teknologjike në nivel global, United Hospital po pozicionohet si një nga institucionet më inovative dhe më dinamike shëndetësore në Kosovë dhe rajon, duke sjellë standarde të reja në diagnostikim, trajtim dhe kujdes ndaj pacientit.
Me investime të vazhdueshme në teknologjitë më të avancuara mjekësore, me staf të specializuar dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e mjekësisë, ky institucion po dëshmon çdo ditë se shëndetësia cilësore ndërtohet mbi kombinimin e dijes, inovacionit dhe humanizmit.
Një nga risitë më të rëndësishme është përdorimi i sistemeve diagnostikuese të mbështetura nga Artificial Intelligence, të cilat po revolucionarizojnë mënyrën e identifikimit dhe analizimit të problemeve shëndetësore. Pajisja moderne e rezonancës magnetike (MRI), e integruar me Inteligjencë Artificiale, ofron saktësi të lartë diagnostikuese, identifikim të ndryshimeve minimale patologjike, kohë më të shkurtër ekzaminimi dhe komoditet më të madh për pacientët.
Kjo qasje moderne nuk është vetëm investim në teknologji, por investim në sigurinë dhe cilësinë e jetës së pacientëve, duke mundësuar diagnostikim më të hershëm dhe trajtime më efikase.
Një rëndësi e veçantë po i kushtohet edhe shëndetit të gruas. Përmes departamenteve të specializuara të gjinekologjisë dhe obstetrikës, United Hospital po ofron pako të strukturuara të kontrollit dhe diagnostikimit, të cilat synojnë parandalimin, zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe garantimin e një kujdesi gjithëpërfshirës për gratë në çdo fazë të jetës së tyre.
Ndërkohë, ekipi profesional i udhëhequr nga specialistë me përvojë po realizon ndërhyrje kirurgjikale moderne me standarde bashkëkohore evropiane. Një nga rastet e fundit ishte operacioni i suksesshëm për largimin e cistës së gjëndrës Bartholini, i realizuar nga Sebajdin Gjini, procedurë e cila garanton trajtim efektiv, minimizim të komplikimeve dhe rikuperim të shpejtë të pacientes.
Një kapitull i veçantë në filozofinë e këtij institucioni mbetet kujdesi ndaj nënës dhe foshnjës. Përmes paketave moderne të lindjes, që përfshijnë lindjen natyrale, lindjen me epidural dhe lindjen cezariane, pacientet përfitojnë kujdes të specializuar, monitorim të vazhdueshëm, analiza të nevojshme dhe mbështetje profesionale para dhe pas lindjes.
United Hospital, modeli i ri i mjekësisë moderne në Kosovë: Teknologji me Inteligjencë Artificiale, ekspertizë elitare dhe kujdes maksimal për çdo pacient
Por ajo që e bën edhe më të veçantë rrugëtimin e United Hospital është vizioni i menaxhimit dhe lidershipit akademik mbi të cilin është ndërtuar kjo histori suksesi. Fakti që ky institucion drejtohet nga një prej figurave më të njohura të arsimit, inovacionit dhe shkencës në Kosovë, Edmond Hajrizi, konsiderohet nga shumë njohës të fushës si garanci për zhvillim të qëndrueshëm, modernizim të vazhdueshëm dhe orientim drejt praktikave më të avancuara ndërkombëtare.
Nën këtë frymë, United Hospital nuk po investon vetëm në aparatura dhe infrastrukturë, por po ndërton një kulturë të re shëndetësore ku pacienti mbetet në qendër të çdo vendimmarrjeje profesionale.
Teknologjia, Inteligjenca Artificiale, ekspertiza mjekësore, etika profesionale dhe kujdesi njerëzor po bashkohen në një adresë të vetme, duke e shndërruar United Hospital në një nga emrat më të respektuar dhe më premtues të shëndetësisë moderne në Kosovë. Për shumë pacientë, ai tashmë nuk përfaqëson vetëm një spital, por një qendër besimi, sigurie dhe shprese për një jetë më të shëndetshme./rajonipress/
Kujtesë
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 qershor 1993-1998?
Published
16 hours agoon
June 14, 2026By
UBT News
Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.
Foto: Më 14 qershor 1998, tre shqiptarë të vrarë në Carralevë
14 qershor 1993
Shpërthime të paidentifikuara në Gjakovë
Sot, prej orës 9,30 min. deri në orën 10,00, disa mbushje eksplozive, tash për tash të paidentifikuara, shpërthyen në disa vende e objekte në rrugën “Boris Kidriq” të Gjakovës, prej shkollës fillore “Mazllom Këpuska” e deri te Kisha Katolike. Siç bën me dije Dega e LDK-së në Gjakovë, gjurmët e këtyre shpërthimeve vërehen në teracën e shkollës fillore “Mazllom Këpuska”, ku po mësonin filloristët shqiptarë, pastaj afër shitores nr. 211-pronë e Lulzim Mulliqit, në kulmin e shitores nr. 376-pronë e Ramiz Barakut, në kulmin e punëtorisë zdrukthare të Fahredin Çarrit, në shtëpinë nr. 396 dhe në objekte të tjera. Nuk ka njoftime për pasojat e këtyre shpërthimeve.
Funksionarët e LDK-së në Gjakovë thanë se prej orës 9,30 min. e deri në orën 10,00 min. janë dëgjuar të shtëna nga kodra e Çabratit, ku qe një kohë bën ushtrime ushtria serbe. Ata thanë, poashtu, se pas pushimit të të shtënave, një oficer serb, me automjetin “Zastava”, me regjistrimin 126-56 ka kërkuar mbeturinat nëpër vendet ku ka gjurmë të shpërthimeve.
Nga Gjakova bëhet me dije se janë njoftuar anëtarët e Misionit Vëzhgues të KSBE-së në Pejë.
Lajmet nga Gjakova bëjnë me dije për një situatë shumë të tensinuar atje. Sot ishte ditë tregu dhe ka drojë se këto shpërthime ishin drejtuar për në turmën e qytetarëve të shumtë.
Pas vrasjes së më se dhjetë shqiptarëve në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri dhe dy të tjerëve në Brekoc, ky është provokimi më i rëndë në Gjakovë.
Rexhep Osmani u dënua me 60 ditë burg
Kryetarit të Lidhjes së arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” dhe anëtar i delegacionit të Kosovës për çështje të arsimit shqiptar në kuadër të Konferencës së Gjenevës, Rexhep Osmanit, sot iu dorëzua vendimi i Gjyqit komunal për kundërvatje, me të cilin dënohet 60 ditë burg, si organizator i protestave për arsimin shqip, që u mbajtën më 12 tetor 1992.
Të përkujtojmë se Rexhep Osmani, në kohën e organizimit të protestave për arsimin shqip, ka qenë në paraburgim. Nga paraburgimi ai është liruar më datën 10 tetor 1992. Po ashtu Osmani nuk ka qenë fare anëtar i Këshillit për organizimin e këtyre protestave.
Vuajtjen e dënimit, sipas këtij vendimi, Rexhep Osmani duhet ta fillojë 15 ditë pasi ky vendim të bëhet i plotfuqishëm.
14 qershor 1994
Kosova në botimin më të ri të “Historisë së botës”
Botimi më i ri i “Historisë së botës”, lëshuar në qarkullim nga shtëpia botuese e Londrës është projekti i fundit që njeh realitete të reja në historinë e vonë të botës si dhe rivalorizon faktet, qëndrimet e botëkuptimet për proceset historike nga parahistoria e deri në postkomunizëm që ka zënë të bëhet skemë e përkufizimit kohor.
Kosova në këtë botim jipet në një njësi të veçantë duke dhënë kryesisht në detaje historinë e saj nga autonomia e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në fillim jipet përkufizimi gjeografik dhe kufizimi i saj me Shqipërinë amë që ka qenë tendencë e përhershme për t’u bashkuar drisa më 1980 Serbia agjiton shkrirjen e saj në Serbi. Më 1990, pas përleshjeve të policisë me shqiptarët dhe me minoritetin sllav aty vihet gjendje e jashtëzakonshme, shpërndahet Parlamenti i Kosovës dhe qeveria dhe, formalisht, Parlamenti i Serbisë anekson Kosovën në shtator 1990. Më 1991, Parlamenti i Kosovës, edhe pse teknikisht i shpërndarë, organizon referendum për pavarësi që përfundon me 99 për qind mbështetje. Parlamenti zgjodhi qeverinë e përkohshme me Bujar Bukoshin kryeministër, e cila u riorganizua në tetor 1991. Në maj 1992, shumica e shqiptarëve mban zgjedhjet duke zgjedhur Ibrahim Rugovën president dhe 131 anëtarë të Parlamentit. Serbia i konsideroi këto zgjedhje ilegale, por lejoi të mbahen.
Në njësi të veçantë e të gjerë jipet historia e Shqipërisë nga Iliria e deri te qeveria demokratike e A.Meksit dhe presidentit Berisha, personalitetet historike: Skënderbeu, Mbreti Zog, diktatori Hoxha, presidenti i fundit komunist Alia etj.
Projekti është koncipuar si Histori e botës – ngjarje, popuj, qytetërime, nga parahistoria deri te postkomunizmi.
14 qershor 1995
“Dojçe Vele”: Bildti do të angazhohet edhe për Kosovën
Në një koment të Dojçe Veles, lidhur me zgjedhjen e Karl Bildtit për ndërmjetësues të Bashkimit Evropian në mbledhjen ministrore në Luksemburg, thuhet se ndërmjetësuesi i Bashkësisë Evropiane lidhur me krizën në ish-Jugosllavisë, nuk do të preokupohet vetëm me gjendjen në BH, por edhe me gjendjen në Maqedoni, Kosovë e Sanxhak.
Në komunikatën për shtyp nga kjo mbledhje e 15 ministrave të Bashkësisë Evropinae paralajmërohet aksioni për zgjidhjen e gjithmbarshme të krizës në ish-Jugosllavi dhe për herë të parë pas një viti përmendet edhe Konferenca e Gjenevës për ish-Jugosllavinë.
Nga kjo mbledhje ju sugjerua ndërmjetësuesit të ri evropian që strategjinë e tij ta zhvillojë mbi bazat e kësaj konference, ndësa për herë të parë, gjithashtu pas një viti, në dokumentin përfunditmar të BE-së nuk përmendet Grupi i Kontaktit për ish-Juogslalvinë. Nga kjo mund të konkludohet se Evropa dëshiron ta kthejë rolin e saj dominues në ish-Jugosllavi, transmeton “Bujku”.
14 qershor 1997
Tryezë për çështje të financimit në Kosovë
Në Shoqatën e Shkrimtarëve në Prishtinë, në organizim të Këshillit Qendror për Financim të Kosovës (KQFK), sot u mbajt tryeza në temën “Problemet financiare në Kosovë, përvojat e deritashme dhe perspektiva”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve e aasociacioneve të ndryshme si dhe të disa partive politike të Kosovës.
Në fjalën e hapjes, kryetari i KQFK, Ismail Kastrati tha se realizimi i planit të grumbullimit të mjeteve në Kosovë ka trende pozitive, ndërsa në realizimin e mjeteve nga 3 përqindëshi në disporë, sidomos në Gjermani, ka ngecje. Ai theksoi se organizimi i kësaj tribune ka për qëllim kërkimin e mundësive për funksionim më efikas dhe më frytdhënës në fushën e financave.
Naser Osmani, nënkryetar i KQFK paraqiti ecuritë e punës së këtij këshilli. Pasi pasqyroi format e deritashme të punës së KQFK, ai theksoi se prej vitit 1992 plani i të hyrave është rritur për 1034. 1 për qind ose mbi 10 herë, ndërsa vëllimi i të hyrave është shtuar për gjashtë herë.
Më tutje z. Osmani tha se me rreth 90 për qind të të gjitha mjeteve të grumbulluara është financuar arsimi, kurse mjetet tjera janë shpërndarë për financimin e veprimtarive të tjera shoqërore (shëndetësi, kulturë, sport dhe asistencë sociale). Ai vlerësoi se në shkallën e realizimit të mjeteve kanë ndikuar mundësitë ekonomike, niveli profesional i kuadrove të angazhuar, niveli i organizimit të punës, shkalla e zbatimit të vendimeve dhe akteve normative të KQFK, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi me subjektet tjera të Republikës së Kosovës dhe stimulimi material i të punësuarve në këshill. Z. Osmani tha se, sipas shkallës së realizimit të planit të grumbullimit të mjeteve, më të suksesshmit janë këshillat e financimit në Suharekë, Rahovec, Istog, Zhur, Junik, Prizren, Pejë e Gjilan; të mirë janë këshillat e Prishtinës, Ferizajt, Shtimjes, Kamenicës, Vitisë, Dragashit e Deçanit; si relativisht të mirë ato të Kaçanikut, Klinës, Malishevës, Lipjanit, Gllogocit, Shtërpcës, Obiliqit dhe Hanit të Elezit; ndërsa rezultate modeste arritën këshillat e Podujevës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Skënderajt dhe Fushë Kosovës.
Në fund ai theksoi se KQKF, me rastin e ndarjes së mjeteve plotësuese për Këshillat e Financimit, ka përfilluar të gjitha kriteret, specifikat dhe rrethanat aktuale.
Kolë Staka, nënkryetar i Komisionit për Ekonomi e Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në fillim foli për gjendjen sociale në Kosovë. Ai theksoi se aktualisht në Kosovë mbi 700. 000 qytetarë shqiptarë nuk gëzojnë sigurim shëndetësor, kurse mbi 400. 000 fëmijë nuk marrin shtesa. Ai paraqiti edhe të dhënën se 75 për qind e popullsisë aktive të Kosovës është e papunë, se rreth 9O për qind e popullsisë jeton në kufi të varfërisë ndërsa ndërmjet 55 e 60 përqind jeton në varfëri ekstreme.
Ai më tutje foli në mënyrë kritike për institucionalizimin e jetës në Kosovë në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë e të financave. Si rezultat të të metave në institucionalizim ai e vështroi faktin se në Kosovë gjatë vitit inkasohen 16 milionë marka, ndërsa pushteti serb, në mënyra të ndryshme legale e jolegale, inkason dhjetrëra herë më shumë mjete në Kosovë.
Mehmet Hajrizi, anëtar i kryesisë së LDK-së, vlerësoi se fuqia akumuluese në Kosovë është shumëfish më e madhe se sa mjetet e inkasuara dhe e çmoi pozitivisht punën e KQFK. Ai u angazhua për institucionalizimin e mëtejmë të jetës në të gjitha fushat dhe e vlerësoi të domosdoshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të kompletojë gjithë administratën në Kosovë, derisa nuk bëhet konstituinmi i Kuvendit dhe i organeve tjera të Kosovës.
Dr. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Prishtinës, pasi vlerësoi se ekonomia e Kosovës gjendet para një krize të madhe, sepse shkalla e amortizimit është më e madhe se sa shkalla e riprodhimit, theksoi se veprimi i KQFK varet prej veprimit të institucioneve të tjera dhe e çmoi të domosdoshëm respektimin e institucioneve, sidomos të Qeverisë së Republikës. Ai vlerësoi se në këtë fushë nuk mund të bëhet më shumë derisa në Kosovë nuk hartohet politika fiskale, për hartimin e të cilës është i nevojshëm hartimi i programit ekonomik. Politikën fiskale, tha ai, duhet ta bëjë Qeveria ose ndonjë institucion profesional.
Jonuz Salihu, nënkryetar i PPK-së u angazhua për profesionalizimin e punës në këshillat komunalde dhe për shtimin e cilësisë.
Mr. Bajram Shatri, përfaqësuesi i Entit Pedagogjik të Kosovës, tha se për shkak të mosfunksionimit të Ministrisë së Arsimit në shkollat e Kosovës mungojnë edhe mjetet elementare të konkretizimit, ndërsa Sylë Preshtreshi, afarist, e çmoi të nevojshme që në tryezë të bisedohej për karakterin e financave dhe jo për problemet në sfera tjera. Ai u angazhua për një bashkëpunim më të mirë të institucioneve financiare me partitë politike në Kosovë.
Muharrem Ibrahimi, kryetar i Kontrollit Financiar të KQFK-së, tha se deri tasni në Kosovë janë bërë 14. 272 kontrolle, ndërsa numri i parregullsive është i vogël. Në sicilin kontroll janë konstatuar mesatarisht nga 0. 5 për qind. Ai u angazhua për themelimin e një gjyqi nderi për rastet e parregullsive.
Në këtë tryezë diskutuan edhe Behxhet Rushiti (BSPK), Lekë Gashi (PLK), Qerim Ujkani (PNDSH), Sali Klinaku (UNIKOMB) etj.
Organizatori i tryezës, KQFK, paraqiti disa propozime të reja për shtimin e shkallës së inkasimit të mjeteve.
14 qershor 1998
Forcat serbe filluan sot në mëngjes një sulm të ri kundër katër fshatrave të Deçanit
Forcat serbe ushtarake e policore serbe ndërmorën sot në mëngjes një aksion të gjerë kundër fshatrave Carrabreg i Poshtëm, Carrabreg i Epërm, Drenoc e Prejlep të Deçanit. Nga ora 05 në këto fshatra janë shkrepur mbi 500 granata. Në orën 7:15 forcat serbe shtinë me 16 raketa të tipit “kaqusha”, njoftoi Osman Cacaj kryetar i Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Deçan.
Në orën O4;40 nga Peja në Deçan kanë shkuar mbi 40 automjete me armatime të llojshme, ndërsa në orën 06:00 shkuan edhe 15 tanke.
Gjatë rrugës për në Deçan, pjesëtarët e forcave serbe ua kënë vënë zjarrin disa shtëpive të këtyre katër fshatrave. Nga shumë shtëpi vazhdonte të dilte flaka edhe në orën 10: 00 kur z. Cacaj po njoftonte nga rrethina e Deçanit për këtë aksion të forcave serbe.
Pasojat e këtyre sulmeve deri më tash nuk dihen.
Ushtarët serbë vranë Mefail Fejzullahun në Gjilan
Mefail Fejzullahu (1966) u vra nga ushtarët jugosllavë mbrëmë rreth orës 20:00 në malin e fshatit Velekincë të Gjilanit.
Bashkëpuntori i QIK-ut nga Gjilani saktësoi se z. Fejzullahu ishte me prejardhje nga fshati Mohovc, komuna e Bujanocit, ndërsa banonte përkohësisht në Gjilan, rruga “Ferizaji”. Ai u qëllua për vdekje derisa po mblidhte kërpudha, për shkak të gjendjes së rëndë sociale të familjes së tij.
Ditëve të fundit, te vendi Zabeli i Sahit Agës afër malit të fshatit Velekincë, janë koncentruar forca të mëdha serbe.
Velekinca është paralagje e qytetit, ndërsa ende nuk dihen rrethanat në të cilat u vra Mefaili.
Trupi i të vrarit është bartur nga spitali i Gjilanit në Prishtinë dhe tash gjendet në morg.
Varrimi i tij bëhet në vendlindje, në fshatin Mohoc.
Forcat serbe vranë mbrëmë Muhamet Ukshinin e Shkelzen Hasanin në Morinë
Forcat serbe kanë vazhduar mbrëmë sulmet kundër fshatrave të Rekës së Keqe, dhe se në këtë zonë është u zhvilluar një luftë e ashpër në mes të forcave ushtarake serbe dhe banorëve të këtyre fshatrave. Njoftohet se sulmet serbe kanë qenë të koncentruara sidomos në fshatin Morinë, në vijën kuftare Shqipëri-Kosovë. Në mbrojtje të shtëpive të veta janë vrarë Muhamet Imer Ukshini dhe Shkelzen Sylë Hasani, ndërsa është plagosur rëndë edhe një shqiptar tjetër, identiteti i të cilit ende nuk dihet. Trupi i pajetë i Muhametit është dërguar mbrëmë vonë nga policia serbe në morgun e spitalit të Gjakovës.
Dje pas një ultimatumi që ua bëri ushtria serbe fshatarëve të Morinës, nga fshati u tërhoqën edhe ata pak banorë shqiptarë që kishin mbetur ende në shtëpitë e veta. Numri më i madh i tyre është larguar nga fshati qysh më herët. Një ultimatum i njëjtë u është bërë edhe fshatrave Popoc e Ponoshec.
Rrugët që çojnë nga Gjakova për në fshatrat e Rekës së Keqe sot janë bllokuar nga policia serbe dhe nuk lejohet asnjë hyrje-dalje.
Njoftohet për tre shqiptarë të vrarë në Carralevë
Forcat serbe vranë sot tre shqiptarë në Carralevë, ndërsa dy të tjerë i arrestuan, njoftuan burimet e LDK-së në Shtimje.
Më parë nga Ferizaji ishin nisur 11 tankse, dhjetë transporterë, 16 kamionë, një tanks tërheqsë, një kamion për uhë e një për lidhje, një kamion të ndihmës së parë, dy pizgauerë, një vetëgjuajtës kundërajror. Konvoji kaloi nëpër Shtimje dhe shkoi në drejtim të Duhlës. Gryka e Carralevës gjendet në mes Shtimjes e Duhlës, në magjitralen Prishtinë – Prizren.
Burimet e LDK-së e Shtimjes njoftojnë se nga Carraleva dëgjohen shpërthime të herëpashershme të fuqishme.
Pasdreke u dogjën mbi 30 shtëpi në fshatrat e sulmuara të Deçanit
Forcat serbe kanë ndërmarrë sot sulme masive kundër Deçanit dhe rrethinës. Granatimet me topa 220 mm, kaçusha dhe raketa tokë- tokë kanë filluar në orën 06:00 dhe po vazhdojnë ende. Janë granatuar fshatrat Drenoc, Prejlep, Rastavicë, Voksh, Sllup, Junik, Jasiq, Gjocaj, e tjerë.
Vetëm pasdreke janë kallë mbi 30 shtëpi. Në fshatin Strellc i Epërm janë kallë 6 shtëpi, në Lëbushë 5, në Isniq 3, në Deçan 4, në Carrabreg i Ulët 3, e tjerë.
Forcat serbe kanë plaçkitur e vjedhë shumë fshatra. Veetëm në fshatin Lëbushë janë vjedhë mbi 100 lopë dhe të gjitha janë dërguar në bazën e forcave serbe te Manastiri i Deçanit.
Grantimet e sotme janë bërë nga baza ushtarake në Hulaj dhe nga Ura e Bajram Hasanit.
Në Deçan sot kanë arritur në orët e hershme forca të shumta ushtarake me 65 mjete të ndryshme, tanksa, pizgauerë, autoblinda, kamionë, të gjithë janë ushtarake.
Vendi
Gjimnazi Gjuhësor në UBT International Smart Schools, porta drejt komunikimit global dhe suksesit akademik
Published
16 hours agoon
June 14, 2026By
UBTNews
Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, njohja e gjuhëve të huaja dhe aftësia për të komunikuar në mjedise ndërkombëtare janë shndërruar në një nga kompetencat më të kërkuara. Pikërisht për këtë arsye, Gjimnazi Gjuhësor në UBT International Smart Schools paraqet një mundësi ideale për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë një të ardhme akademike dhe profesionale pa kufij.
Si pjesë e një prej institucioneve më inovative arsimore në Kosovë, Gjimnazi Gjuhësor kombinon programin bashkëkohor mësimor me teknologjinë moderne, metodologjitë interaktive të mësimdhënies dhe standardet ndërkombëtare të edukimit. Nxënësit përfitojnë njohuri të avancuara në gjuhë të huaja, letërsi, komunikim, kulturë dhe fusha të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e tyre akademik dhe personal.
Një nga përparësitë më të mëdha të këtij drejtimi është fakti se nxënësit kanë mundësinë të ndjekin programe të akredituara nga Cambridge International Education, duke përfituar kualifikime dhe diplomë të njohur ndërkombëtarisht. Kjo u hap atyre dyert e universiteteve prestigjioze brenda dhe jashtë vendit, duke i përgatitur për sfidat e arsimit të lartë dhe tregut global të punës.
Mësimi zhvillohet në ambiente moderne dhe të pajisura me teknologji të avancuar, duke krijuar një përvojë dinamike dhe motivuese për nxënësit. Përveç përvetësimit të gjuhëve të huaja, programi fokusohet edhe në zhvillimin e aftësive të komunikimit, të mendimit kritik, të prezantimit publik dhe të punës në grup – kompetenca që janë thelbësore për suksesin në universitet dhe në karrierë.
Një tjetër veçori e UBT International Smart Schools është integrimi i teknologjisë dhe inovacionit në procesin mësimor. Nxënësit mësojnë në një ambient kreativ dhe interaktiv, ku edukimi shkon përtej klasës tradicionale dhe përfshin aktivitete të shumta akademike, kulturore dhe ekstrakurrikulare.
Përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe orientimit drejt standardeve globale të arsimit, Gjimnazi Gjuhësor i UBT-së përgatit të rinjtë për studime universitare në vend dhe jashtë vendit, si dhe për karriera në fusha të ndryshme si diplomacia, marrëdhëniet ndërkombëtare, komunikimi, gazetaria, turizmi, përkthimi dhe menaxhimi.
Me një mjedis modern, staf profesional dhe fokus të veçantë në zhvillimin e gjeneratave të reja, Gjimnazi Gjuhësor në UBT International Smart Schools vazhdon të mbetet një nga zgjedhjet më të mira për nxënësit që dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme të suksesshme në një botë pa kufij gjuhësorë.
Studentja e UBT-së, Adile Jashari, fiton çmimin e parë në Itali në ngjarjen prestigjioze të modës “Sotto il Cielo di Genzano 2026”
United Hospital, adresa ku teknologjia e së ardhmes kujdeset për shëndetin e gruas dhe mirëqenien e familjes
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 14 qershor 1993-1998?
Gjimnazi Gjuhësor në UBT International Smart Schools, porta drejt komunikimit global dhe suksesit akademik
UBT merr pjesë në vizitën studimore të projektit TBEAI në Universitetin e Lubjanës
UBT zhvillon takim bashkëpunimi me New University në Lubjanë
Studentët dhe stafi i Fakultetit të Shkencave të Sportit të UBT-së zhvillojnë internship në Vjenë në kuadër të projektit ndërkombëtar SHAPE
UBT nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Indian Economic Trade Organisation (IETO) nga India
Nga Kosova në Itali: UBT përfaqësohet me gjeneratën e re të dizajnerëve në “Rome – Sotto il Cielo di Genzano”
Të kërkuara
-
Lajmet nga UBT2 weeks agoStudentët e vitit të tretë në UBT prezantojnë ekspozitën përfundimtare “The Graduets”
-
Lajmet3 months agoProf. Dr. Marigona Bekteshi Ferati, recensuese e 20 punimeve shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science dhe Scopus (Q1)
-
Lajmet3 days agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim mbi përdorimin e antibiotikëve gjatë pandemisë në revistën prestigjioze “Pharmacoepidemiology”
-
Opinione3 months agoUji dhe Gjinia” – Shtytës i Zhvillimit të Qëndrueshëm
