Lajmet

​Kurti: Po zbatojmë me përpikëri marrëveshjen e Bratislavës

Ai tha se Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës.

Published

on

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se në Greqi ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë. Po ashtu, ai shtoi se është e domosdoshme njohja reciproke dhe të drejtat e pakicave sipas konventave evropiane. Para mbledhjes së qeverisë, ai shtoi se de-eskalimi në katër komunat në veri të vendit ka ndodhur dhe se Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratislavës.

Në darkën e përbashkët me vendet e Ballkanit Perëndimor, presidenten e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, Kurti tha se theksoi se të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë.

“Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelenskyy ishte pjesëmarrës në këtë takim me Ballkanin Perëndimor me ç’rast edhe nxorëm një deklaratë të përbashkët. Kjo deklaratë mes tjerash bën thirrje për mbështetje të palëkundur për pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndëshkimin e krimeve të kryera gjatë luftës dhe thirrjen për përgjegjësi ndaj kryerësve të krimeve. Ndërkaq në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë. Që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet të zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke, de-jure, e de-facto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, tha Kurti.

Veç tjerash, Kurti në adresimin e tij shtoi se në takimet bilaterale me kryeministrin e Greqisë, presidenten e Komisionit Evropian dhe kryeministrin e Kroacisë ka theksuar edhe progresion ekonomik dhe demokratik të Kosovës.

“Theksova progresin ekonomik e demokratik të Kosovës, si dhe rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë. De-eskalimi në katër komunat në veri të vendit praktikisht ka ndodhur, ndërkohë që Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratisllavës. Në prag të Samitit të Berlinit në Tiranë në këtë tetor, takimi në Athinë me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky i kontribuon bashkëpunimit rajonal dhe procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Për Kosovën, pjesëmarrja në Athinë dhe takimet e nivelit të lartë në pallatin Maximos përbëjnë edhe një hap tjetër drejt avancimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Greqisë”, shtoi Kurti.

Në takimet bilaterale dhe darkën e përbashkët, shefi i ekzekutivit tha se u përmend edhe de-eskalimi në veri, ku sipas tij është rezultat i arrestimit të elementëve të dhunshëm.

“Po ashtu theksova se de-eskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementëve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi. Kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz, e edhe më gjatë prej kur ka pasur protesta të dhunshme. Tani duhet parandaluar ri-eskalimi. Kur s’ka protesta të dhunshme të planifikuara, të organizuara nga Beogradi zyrtar, nuk ka eskalim në veriun e Kosovës. Kosova është gjithashtu duke zbatuar me përpikëri dakordimin e arritur në Bratislavë me 10 korrik të këtij viti”, përfundoi Kurti.

Shefi i ekzekutivit para ministrave u shpreh se në qytetin e Akropolit dhe Partenonit kanë bërë thirrje kundër agresionit dhe luftës për paqe dhe për drejtësi e Evropë të bashkuar. 

Lajmet

Hapen qendrat e votimit në SHBA: Nis beteja zgjedhore me pjesëmarrje masive

Published

on

By

Procesi i votimit për zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fazën më intensive, me hapjen e qendrave të votimit nga Bregu Lindor e deri në pjesën qendrore të vendit. Ndërsa miliona qytetarë po u drejtohen kutive të votimit në shtete kyçe si Pennsylvania, Florida, Georgia, Michigan dhe Ohaio, të dhënat zyrtare tregojnë se procesi ka nisur me një pjesëmarrje masive falë votimit të hershëm.

Mbi 58 milionë amerikanë e kanë ushtruar tashmë të drejtën e tyre të votës përmes postës ose personalisht ditët e fundit, duke reflektuar një interesim të lartë në këto zgjedhje përcaktuese.

Këto zgjedhje mbartin një peshë të jashtëzakonshme politike, pasi rezultati i tyre do të përcaktojë kontrollin e Kongresit Amerikan. Republikanët synojnë të mbrojnë shumicën e tyre të ngushtë në të dyja dhomat për të çuar përpara prioritetet legjislative të administratës, ndërsa Demokratët kërkojnë të përmbysin balances e forcave për të marrë në dorë Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Vëmendja kryesore mbetet te shtetet e ashtuquajtura “fushëbetejë”, ku gara pritet të jetë jashtëzakonisht e ngushtë dhe numërimi i votave mund të zgjasë me orë të tëra pas mbylljes së qendrave.

Prirja e garës është shoqëruar edhe me zhvillime të papritura brenda taborëve politikë, veçanërisht në shtetin e Michigan-it. Kongresmenja me përvojë nga radhët e Demokratëve, Haley Stevens, ka shkaktuar reagime të shumta brenda partisë së saj pasi doli publikisht në mbështetje të kandidatit republikan për Senat, Mike Rogers. Stevens e arsyetoi vendimin e saj duke kritikuar fushatën e rivalit demokrat El-Sayed për gjuhë përçarëse dhe qasje përjashtuese. Me qendrat e votimit që vazhdojnë të presin votuesit gjatë gjithë ditës, rezultatet e para zyrtare pritet të fillojnë të rrjedhin vetëm në orët e vona të mbrëmjes. /BBC/ – /REUTERS/ foto

 

Continue Reading

Lajmet

Policia do t’i kthejë patentat e shoferëve të mbajtura më gjatë se 8 ditë, pas vendimit të Supremes

Published

on

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do t’i kthejë patentat e shoferëve që janë mbajtur përkohësisht për më shumë se afati ligjor prej tetë ditësh, pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se më 2 nëntor 2026 ka pranuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, të datës 20 tetor, me të cilin është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar paragrafi 3 i nenit 17 të Udhëzimit Administrativ për Procedurat e Kundërvajtjes.

Sipas Policisë, vendimi nuk i shfuqizon masat mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjeteve, por përcakton se patentat fizike të shoferëve mund të mbahen për një periudhë maksimale prej tetë ditësh.

“Policia e Kosovës do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për kthimin e patentave të shoferëve, të marrë më herët përkohësisht, për të cilët ka kaluar afati ligjor i mbajtjes, në përputhje me Vendimin e Gjykatës Supreme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, Policia ka sqaruar se kthimi i patentë-shoferit nuk nënkupton automatikisht rikthimin e së drejtës për të drejtuar automjetin.

Personat ndaj të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit duhet ta respektojnë atë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar.

Policia ka paralajmëruar se drejtimi i automjetit gjatë kohëzgjatjes së kësaj mase dënohet me gjobë prej 500 eurosh, ndalim të drejtimit për gjashtë muaj, pesë pikë negative dhe konfiskim të përkohshëm të automjetit.

Kontrollet në trafikun rrugor do të vazhdojnë, ndërsa masat mbrojtëse, pikët negative dhe kufizimet e tjera ligjore do të verifikohen përmes evidencave përkatëse.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama e quan “show politik” dërgimin në Prokurori të kontratës për ndriçimin publik nga LVV

Published

on

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka cilësuar si “show politik” veprimin e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), të cilët kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin lidhur me kontratën për ndriçimin publik në kryeqytet.

Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e LVV-së, duke pretenduar se ata nuk kanë paraqitur propozime konkrete në Kuvendin e Kryeqytetit për përmirësimin e çështjes së ndriçimit publik.

“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paskan shku edhe sot me bo një SHOW POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni pru najherë në Asamblenë e Kryeqytetit ndonjë propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës? Apo keni hi n’asamble me e luajt hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin? Punoni, more, najsen”, ka shkruar Rama.

Reagimi i tij vjen pasi shefi i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, dhe deputeti Ilir Kërçeli njoftuan se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale dokumentacionin për kontratën e ndriçimit “Smart”, duke pretenduar se ka pasur dallime të mëdha në çmime dhe dëmtim të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria ndan edhe 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Published

on

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e 1 milion eurove në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave në fushën e efiçiencës së energjisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, përmes kësaj marrëveshjeje Qeveria synon të mbështesë uljen e konsumit të energjisë, përdorimin më efikas të saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve përmes investimeve afatgjata.

Në njoftim bëhet e ditur se që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e Fondit dhe zgjerimin e masave për efiçiencën e energjisë në vend.

Përkrahja është realizuar përmes ndarjeve buxhetore, por edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që përfshijnë familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.

Investimet e Fondit përfshijnë rinovimin e ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore, me qëllim të uljes së konsumit dhe shpenzimeve për energji, si dhe përmirësimit të kushteve të banimit.

Sipas Ministrisë, këto investime u mundësojnë familjeve të kenë banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, duke përfituar njëkohësisht nga kursimet në faturat e energjisë.

Përveç përfitimeve për ekonomitë familjare, efiçienca e energjisë ndihmon edhe në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, forcimin e sigurisë energjetike të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit.

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara