Lajmet

​NATO rikonfirmon mbështetjen e saj për integritetin territorial të Ukrainës

Published

on

NATO veproi me shpejtësi të martën për të siguruar Ukrainën se ka mbështetjen e NATO-s pas komenteve të një prej zyrtarëve të saj të lartë.

Duke folur gjatë një paneli diskutimi në Norvegji, Stian Jenssen, shefi i shtabit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, propozoi që Ukraina t’i jepte një pjesë të territorit të saj Rusisë në këmbim të anëtarësimit në NATO, në mënyrë që t’i jepte fund luftës, shkruan AA.

“Unë mendoj se një zgjidhje mund të jetë që Ukraina të japë një pjesë nga territori dhe në këmbim të anëtarësohet në NATO” tha ai, duke shtuar megjithatë se “duhet të jetë në dorën e Ukrainës që të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh duan të negociojnë,” gazeta tabloide norvegjeze Verdens Gang raportoi më 15 gusht.

Megjithatë, Jenssen vuri në dukje se kjo ishte vetëm një nga zgjidhjet e mundshme dhe jo qëndrimi i NATO-s për këtë çështje.

Një burim zyrtar nga Aleanca ka reaguar.

“Ne mbështesim plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, siç riafirmuan liderët e NATO-s në Samitin e Vilniusit në korrik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe jemi të përkushtuar për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.

NATO ka thënë vazhdimisht se Ukraina duhet të vendosë për kohën dhe kushtet e paqes me Rusinë.

Zyrtarët ukrainas në mediat sociale kritikuan vërejtjet e Jenssen.

“Të flasësh për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në këmbim të heqjes dorë nga një pjesë e territoreve të Ukrainës është absolutisht e papranueshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko në Facebook.

“Ne gjithmonë kemi supozuar se Aleanca, si Ukraina, nuk tregton territore. Pjesëmarrja e vetëdijshme ose e pavetëdijshme e zyrtarëve të NATO-s në formësimin e narrativës në lidhje me mundësinë e dorëzimit të territoreve nga Ukraina është në duart e Rusisë”, tha Nikolenko.

Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak tha në platformën e rrjeteve sociale “X” se heqja e territorit në këmbim të anëtarësimit në NATO do të nënkuptonte “zgjedhje të qëllimshme të humbjes së demokracisë, inkurajimin e një krimineli global, ruajtjen e regjimit rus, shkatërrimin e ligjit ndërkombëtar dhe kalimin e luftës në brezat e tjerë.”

Kronikë e zezë

Zhduket një person në Viti

Published

on

By

Një person është shpallur i zhdukur në Viti, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Rasti në Polici është raportuar nga një familjar i të zhdukurit.

Ndërkaq, rasti po hetohet nga ekipet relevante. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shpërthen një granatë në një oborr në Prishtinë, dëmtohen dy shtëpi dhe një veturë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në Prishtinë, pasi persona të panjohur kanë hedhur një mjet të dyshuar shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë, në oborrin e një shtëpie.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja është denoncuar nga dy burra. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në muret e dy shtëpive si dhe është dëmtuar një automjet i parkuar aty pranë.

Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar. Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa rasti vazhdon të jetë nën hetime intenzive. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 gusht 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 gusht 1993

Arif Krasniqi vdiq në rrethana të pandriçuara në stacionin e policisë në Prizren

Mbrëmë, në rrethana ende të pasqaruara, në stacionin e policisë në Prizren, vdiq Arif (Mehmet) Krasniqi (1951), nga fshati Hatmagjaj i Prizrenit, baba i shtatë fëmijëve, me profesion taksist i kamionit.

Arif Krasniqi, nga policët serbë u arrestua dje, në hyrje të Prizrenit, rreth orës 17,30, derisa po punonte me kamionin e tij.

Sot, në mëngjes, në orën 9,30, Hazër Krasniqi, i afërm i të ndjerit, në organet e punëve të brendshme të Prizrenit, u njoftua nga një inspektor serb se Arifi kishte vdekur dhe se kufoma e tij gjendej në morgun e Spitalit të Prizrenit.

Qendrës për Informim të Kosovës, Hazër Kransiqi sot i tha se kufoma e të ndjerit ende po qëndron në morgun e Spitalit, ku gjoja po bëhet obduksioni.

Hazër Krasniqi po ashtu deklaroi se Arif Krasniqi nuk kishte kurrfarë shenja të ndonjë sëmundjeje dhe ai dje, sikur edhe ditëve të mëparshme, kishte dalë për të punuar me kamionin e tij. Para se ta arrestonte policia, Arif Krasniqi kishte kryer një punë taksie në drejtim të Zhurit, ndërsa u arrestua gjatë kthimit për në Prizren.

Disa dëshmitarë kanë theksuar se policët arrestimin e kishin arsyetuar me një aksident trafiku, që gjoja e kishte shkaktuar Arifi në afërsi të Zhurit. Më vonë, meqë u vërejt se ai nuk kishte kurrfarë lidhjeje me aksidentin, policia nga Arifi kërkoi armë.

Policia serbe deri më tash nuk dha kurrfarë sqarimesh se në çfarë rrethanash vdiq Arif (Mehmet) Krasniqi në stacionin e policisë.

Arif Krasniqi ëshë viktima e njëmbëdhjetë shqiptare gjatë këtyre muajve të këtij viti nga policia serbe në Kosovë.

 

31 gusht 1994

Represioni në Kosovë

Prishtinë: – Sot, me pretekst të kërkimit të armëve, në rrugën “Prilepi” në Prishtinë, policia bastisi famijen e Namon Canollit. Njoftohet se u rrah kryefamiljari dhe tre djemtë e tij. Janë demoluar dyer dhe dritare të shtëpisë dhe porta e oborrit.

Më 29 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policia thirri në stacion Qamil Musliun (29) nga lagja e Spitalit. Pasi Qamili mohoi se ka armë, atë e futën në një zyrë, e zhveshën, i hodhën ujë të ftohtë dhe pastaj e rrahën, duke e goditur kokës, në vesh, fytyrës, ndërsa me shkopinj e goditën shpinës, këmbëve e duarve, dhe në fund, me shkop pingul e goditën barkut derisa u alivanos. Pas tri orë rrahje e torture e nxorën në rrugë në gjendje gjysmë të alivanosur.

Më 28.8.1994, në fshatin Sofali, afër Prishtinës, një lopë e pronarit Mehedin Aliu, ka hyrë në luadhin e një serbi, i quajtur Miroslav. Ky e merr lopën dhe e mbanë 48 orë të ngujuar. Të nesërmen Miroslavi ia dërgon Mehedinit lopën dhe i thotë se të kam paraqitur në polici. Milicët serbë e morën Mehedinin në ora 7 të mëngjesit dhe e mbajtën deri në orët e pasditës, duke i kërkuar armë. Pastaj ia kontrolluan shtëpinë e vëllaut të tij, Shekfiut me ç’rast ia orën një pushkë të gjuetisë me leje. Gjatë kësaj bastisje, policia rrahu edhe djalin e Mehedinit, Bekimin. Në fund policia kërkoi nga Mehedini që t’i sjellë djemtë në stacionin e policisë.

Podujevë: – Dje policia, me pretekst të kërkimit të armëve, shkoi në shtëpinë e Nexhmi Balës, drejtor i Qendrës së Kulturës dhe ish-i burgosur politik. Nexhmiu nuk gjendej në shtëpi, ndërsa policia ia la thirrjen që të paraqitet në stacionin e policisë.

Malishevë: – Më 24 gusht, duke u kthyer në shtëpi, u rrah brutalisht Valon J.Gashi, nxënës i shkollës së mesme, nga Kieva. kohë më parë policia serbe ka ndërhyrë edhe në oborrin e shkollës fillore “Bajram Curri” në Drenoc  dhe në oborrin e gjimnazit “Abdyl Frashëri”, ku janë rrahur nxënës dhe arsimtarë. Ndërsa, në Drenoc policia shtiu me armë zjarri në drejtim të nxënësve, anipse ata luanin në oborrin e shkollës së tyre. Në Malishevë policia rrahu edhe nuhi Mazrekun.

Më 30 gusht, me pretekst të kërkimit të armëve, policia bastisi shtëpinë e Haki Krasniqit në fshatin Carrallukë. PO atë ditë u bastis edhe shtëpia e Rrahman Krasniqit. Policia rrahu vëllanë e tij, Sinanin (18).

Prizren: – Më 28 gusht, rreth orës 19, policia mori para shtëpisë së tij Ilir Kraniqin, në rrugën “Imer Kasëmi” nr.60. Ky i ri 19-vjeçar, i nacionalitetit rom, u dërgua në kazermën ushtarake serbe në Prizren dhe u torturua nga policia ushtarake.

Mitrovicë: – Me pretekst të kërkimit të armëve, pardje, u bastis shtëpia e Beshir Aliut në fshatit Koshtovë e Gashit. Policia nuk gjeti armë, por mori në stacionin e Mitrovicës Beshirin, të cilin e liroi pas një ore.

Sot, në lagjen Ura e Gjakut, gjashtë policë shkuan në shtëpinë e Sylejman Halilit nga i cili kërkuan një revole. Ai mohoi se ka armë. Policia pastaj e rrahu në praninë e anëtarëve të familjes. Sylejman Halilin e morën edhe në stacionin e policisë dhe e rrahën derisa u alivanos. Njoftohet se policia ka shkaktuar dëme materiale në këtë familje 7-anëtarëshe.

Sot, në po këtë lagje, u bastis edhe shtëpia e Agim Ramës me pretekst të kërkimit të armëve. Policia nuk gjeti armë, ndërsa Agimin e rrahu në praninë e fëmijëve të tij deri në alivanosje. Derisa ishte i alivanosur, policia iu kërcënua nënës së tij se derisa të dorëzojë armën ai do të rrahet në këtë mënyrë.

Suharekë: – Dje, rreth orës 6 të mëngjesit, policia e arrestoi Sejdi Bytyçin nga fshati Nishor për shkak të një dënimi të para pesë vjetëve rreth refuzimit të shërbimit ushtarak. Ai ishte dënuar atëherë me 1 vjet burg. Familja e tij nuk di se ku është dërguar Sejdiu.

Ferizaj: – Para dy ditësh inspektori i policisë serbe Nebojsha Gjorgjeviq nga Nerodima shkoi në punëtorinë e Adem Sejdiut, kryetar i Nëndegës së LDK-së në fshatin Gaçkë dhe i tha se do ta arrestojë, por për shkak se në lokal kishte shumë palë, policia e urdhëroi atë që të paraqitet në polici më 31 gusht, në orën 9.

Dje, rreth orës 15, policia shkoi në shtëpinë e Hyzri Sejdiut dhe e mori në pyetje, gjoja të rastësishme, babain e tij.

 

 

31 gusht 1995

NATO vazhdon bombardimet në Bosnjë

Tridhjetë e tetë orë pas lansimit të operacionit kundër pozicioneve të serbëve të Bosnjës, edhe sot në mëngjes (31 gusht), avionët e NATO-s po vazhdojnë me bombardimin e pikave strategjike të serbëve të Bosnjës, të cilët po refuzojnë të respektojnë kërkesat e OKB-së, njofton agjencia Rojter nga Sarajeva.

Sipa agjencive Rojter e AFP, OKB-ja kërkon që serbët e Bosnjës të tërheqin të gjitha armët e rënda nga Zona e Sigurisë – 20 kilometra rreth Sarajevës, të pranojnë hapjen e bisedimeve për armëpushim dhe të ndërprejnë sulmet kundër “zonave të sigurisë” -Gorazhdë e Tuzëll.

Sipas agjencive të lartëpërmendura, komandanti i forcave të serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq, refuzoi mbrëmë të respektojë këto tri kushte të OKB-së.

Sipas burimeve të NATO-s, deri dje pasdite avionët e NATO-s kanë bërë më shumë se 200 “dalje” të grupuara në katër “valë sulmesh” kundër pozicioneve të serbëve të Bosnjës, në sektorët e Sarajevës, Pales e Tuzllës.

Sipas agjencisë Rojter që bazohet në burimet e Pentagonit, bombardimet e avionëve të NATO-s dhe të artilerisë së Forcës së Reagimit të Shpejtë (FRR), kanë dëmtuar dhe shkatërruar “një numër substancial të objektivave”, që nënkupton depot e municionit, telekomunikimin (komandën dhe kontrollin) armët e rënda etj.

Ndërsa përfaqësuesit e UNPROFOR-it kanë deklaruar dje, se është ende herët, për të bërë një bilanc të objektivëve të qëlluar prej fillimit të bombardimeve.

AFP nga Sarajeva njofton se dje pasdite, bateritë antiajrore të serbëve të Bosnjës kanë rrëzuar një avion “Mirazh 2000”.

Mbrëmë në ditarin televiziv të programit TF 1, ministri francez i Mbrojtjes Sharl Mion, deklaroi se piloti dhe navigatori i avionit të rrëzuar francez, e kanë lëshuar avionin para rrëzimit dhe nuk dimë më tepër për fatin e tyre.

Sipas burimeve të UNPROFOR-it nga Zagrebi, pesë observatorë të Unionit Evropian (tre spanjollë, një irlandez dhe një holandez) janë vrarë gjatë bombardimeve.

Agjencia AFP njofton gjithashtu se presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha aprovoi dje intervenimin masiv të aviacionit të NATO-s, kundër forcave të serbëve të Bosnjës.

 

Dje ra borë në Luboten

Luboteni, maja më e lartë në malet e Sharrit gdhiu e mbuluar me borë në mëngjesin e djeshëm. Kjo është e pazakonshme për muajin gusht.

Pas motit me shi dje ra borë edhe në bjeshkët e komunës së Dragashit.

 

 31 gusht 1998

Në Duhël e Semetisht të Suharekës forcat serbe kanë masakruar edhe dy shqiptarë

Më 24 gusht të këtij viti në fshatin Duhël, forcat serbe kanë vrarë e masakruar Ilir Jemin Perteshin (21) nga Duhla, i cili ende nuk është varrosur, pasi është vështirë të depërtohet nga forcat serbe deri në vendin ku i ndjeri është vrarë, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Suharekë.

Njoftohet se në vendin ku është vrarë Iliri, ka edhe shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe.

Ndërkaq më 26 gusht në fshatin Semetisht, forcat serbe kanë masakruar edhe të sëmurin mental Izet Bytyçin (45). Njoftohet se gjatë kohës derisa banorët e Semetishtit po evakuoheshin nga granatimet serbe, qytetarët shqiptarë i kanë dëgjuar të klithurat e tij derisa po masakrohej nga forcat serbe.

 

Shtime: Deri tash forcat serbe kanë vrarë 2 shqiptarë dhe kanë djegur 465 shtëpi shqiptare

Nga 14 qershori e deri në ditën e sotme, forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe ndërmorën ofensivën në këto fshatra të Shtimes, Carralevë, Zborc, Reçak, Petrovë, Mollopolc, Pjetërshticë, Belincë, Zukë, Karaçicë, Racë e Petrovë të Re, njofton KI i Degës së LDK-së në Shtime.

Deri tash në këtë komunë forcat serbe kanë vrarë 20 shqiptarë, 11 prej të tyre të familjes Selim Asllani nga Ranca. Njoftohet se prej tyre 7 janë fëmijë, 4 nxënës, 3 gra dhe 6 burra. Ndërkaq, në këtë komunë numri i të plagosurve shqiptarë nga forcat serbe arrinë në 23 veta, ndërsa janë arrestuar 3 shqiptarë dhe 4 të tjerë janë zhdukur, për fatin e të cilëve ende nuk dihet asgjë.

Bëhet e ditur se në komunën e Shtimes, forcat serbe deri tash kanë djegur 465 shtëpi, ndërsa numri i shqiptarëve të zhvendosur arrinë në 11. 750 veta, të cilët vazhdojnë të jetojnë nën qiellin e hapur. Njoftohet se një numër i këtyre banorëve është vendosur në komunën e Ferizajt dhe të Lipjanit.

Gjendja humanitare në këtë komunë është shumë e rëndë, pasi ndihet nevojë e madhe për ushqim, shtrojë, mbulojë, veshëmbathje e mjete të tjera higjienike.

 

Foto: Fshati Duhël, Suharekë

Continue Reading

Lajmet

Kuriozitetet e ditës

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

 

  1. Ekziston një shkencëtar që me dëshirë i lejoi insektet ta pickonin për të zbuluar se cila i dhembte më shumë. Xhastin Shmit e shndërroi trupin e tij në një mjet kërkimor për të krijuar Shkallën e Dhimbjes Shmidt – dhe zbuloi se milingona plumb e Amerikës së Jugut jep pickimin më të dhimbshëm nga të gjithë, duke e përshkruar atë si sikur të qëllohesh.

 

  1. Toka është 4.54 miliardë vjeçe. Duke përdorur datimin radiometrik, shkencëtarët kanë zbuluar se Toka është 4.54 miliardë vjeçe (pak a shumë 50 milionë vjet). Kjo e bën planetin tonë gjysmën e moshës së Galaktikës së Rrugës së Qumështit (11-13 miliardë vjeç) dhe rreth një të tretën e moshës së Universit (10-15 miliardë vjeç).

 

  1. Në fakt, është në rregull të pish alkool ndërsa merr antibiotikë. Nuk ka gjasa që pirja e alkoolit me masë të shkaktojë një problem të madh nëse merr një antibiotik të zakonshëm (megjithëse ka përjashtime, veçanërisht metronidazol).

 

  1. Kastorët në të vërtetë nuk jetojnë në diga. Teknikisht, kastorët jetojnë në një shtëpizë që e ndërtojnë pas një dige, brenda një pellgu të thellë me ujë.

 

  1. Dikush la një foto familjare në Hënë. Kur astronauti i Apollo 16, Charles Duke, zbarkoi në Hënë në vitin 1972, ai vendosi të linte pas një foto të tij, të dy djemve të tij dhe gruas së tij. Fotografia mbetet në Hënë deri më sot.

Continue Reading

Të kërkuara