Lajmet
Monitorimi i zhurmës në lokale nis në Prishtinë, gjoba deri në 3 mijë euro për ata që e tejkalojnë
Bizneset nuk lejohen ta kenë zhurmën më shumë se 60 decibel.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiKomuna e Prishtinës ka nisur monitorimin e zhurmës brenda lokaleve të gastronomisë, e cila do të bëhet nga Dhoma e Monitorimit e cila sot është funksionalizuar. Për ata që tejkalojnë me zhurmën u tha se sistemi i kontrollit do t’i shqipton gjobat në mënyrë automatike, e të cilat do të jenë nga 500 deri në 3 mijë euro, madje parashihet edhe mbyllje të lokaleve nga tetë ditë.
Derisa për ata që ende nuk kanë aplikuar për vendosjen e pajisjeve që e kontrollojnë zhurmën u tha se nisin dënimet që nga sot.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se tanimë kanë instaluar një numër të madh të censorëve dhe kanë krijuar edhe rregulloren. Ai u lavdërua se ky sistem i kontrollit është i vetmi në botë dhe për ta marrë këtë kishte interesim edhe nga një senator amerikan.
“E kemi çdo bazë ligjore që nëpërmjet këtij sistemi ta monitorojmë, ta kontrollojmë zhurmën në kryeqytet, në restorante të ndryshme dhe po ashtu edhe gjoba për ata që nuk kanë aplikuar. Pra nëse ata që nuk kanë apliku dhe operojnë do të ketë gjoba, pra do të fillojmë prej sot dhe për fat të keq nuk është ajo çka duam por duam por është mënyra e vetme që ta krijojnë një balancë për të gjithë… me operatorin kemi krijuar një sistem që nuk ekziston askund në botë, faktikisht është një gjë e re, domethënë Prishtina me këtë sistem është lider në botë dhe kemi pas diskutime të shumta me të tjerë, p.sh një senator amerikan e ka kërkuar por i kemi thënë se pa e testuar ne dhe pa e pa që po punon këtu dhe me vendos rendin në kryeqytet, nuk do të punojmë me të tjerë”, tha ai.
Sipas tij, bizneset nuk lejohen ta kenë zhurmën më shumë se 60 decibel, derisa dha detaje edhe për gjobat.
“Gjobat në bazë të rregullores i kemi nga një mijë deri në tre mijë, por faktikisht sistemi operon në nivele, pra nëse e kalon, herën e parë atëherë e ka vërejtje, nuk ka gjobë. Vërejtja i shkon në email secilit operatorë që është i regjistruar. Nëse e kalon prapë, atëherë e kemi gjobën e parë 500 euro , nëse e kalon edhe herën e dytë, gjoba është 1000 euro. Nëse e kalon herën e tretë, atëherë operatori mbyllet për tetë ditë dhe hapet prapë. Mirëpo prapë nëse e kalon vazhdon të ngritët gjoba prej 1000 në 1500, e mas andej 2000…ata që nuk kanë leje do të gjobiten, nuk mund të gjobiten pa leje, duhet secili, e kanë pas periudhën kohore, ne e kemi zgjat një herë, e kemi zgjatë dy herë që secili operator me apliku dhe me pas instalimin e censorëve, deri tash i kemi diku rreth 350 aplikues dhe 350 janë instaluar. Ndërsa, që nuk kanë apliku e lëshojnë muzikë, do të gjobitën derisa ta marrin licencën për me lëshuar muzikë”, tha ai.
Kurse, drejtori i Inspektimit, Florian Dushi tha se nëpërmjet kësaj dhomë e serverëve do të kenë mundësi që drejtpërdrejt të mbikëqyrin dhe monitorojmë zhurmën e cila tejkalohet në rastin e lokaleve të gastronomisë.
“Sistemi do të gjenerojë informatat edhe për vet pronarët e këtyre bizneseve por edhe për inspektorët të cilët do të vazhdojë kontrollet sa i përket orarit të punës, ndërkohë që sistemi do të gjenerojë gjobat në mënyrë automatike për secilin biznes. Ju po e shihni e kemi si hartë por edhe bizneset veç e veç secili prej tyre do të mund të kontrollohet dhe të shihet nëse i ka tejkaluar decibelët e lejuar, njëjtë do të kenë mundësi të kenë qasje të gjithë qytetarët e kryeqytetit por njëkohësisht do të kenë qasje edhe vet pronarët e gastronomisë për të qenë më të kujdesshëm për mos prodhimin e zhurmës së bezdisshme për qytetarët”, tha ai.
Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, përgëzoi për lanësimin e këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët dhe gastronomët dhe se ky projekt do t’i ndihmojë edhe Policisë së Kosovës.
“Dihet se kemi pak probleme sa i përket zhurmës dhe në këtë drejtim kemi pas ankesa në baza ditore sa i përketë çështjes së kalimit të decibelëve të zhurmës dhe Policisë së Kosovës do t’i ndihmojë shumë në reduktimin e personelit në këtë drejtim”, tha ai.
E përfaqësuesit e gastronomëve thanë se për ata është një lehtësim sepse është një shmangie e konkurrencës jolejale.
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 gusht 1993-1998?
Published
1 hour agoon
August 2, 2026By
UBT News
Lajmet
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 gusht 1993-1998?
Published
1 day agoon
August 1, 2026By
UBT News
Lajmet
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
Published
2 days agoon
July 31, 2026By
UBTNews
Në një kohë kur teknologjia po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si funksionojnë ekonomitë, bizneset dhe institucionet publike, një pyetje bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për të rinjtë: cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në pesë apo dhjetë vitet e ardhshme?
Përgjigjja vjen nga Future of Jobs Report 2025, raporti i World Economic Forum, i cili analizon transformimin e tregut global të punës përmes të dhënave të mbledhura nga mijëra punëdhënës në mbarë botën. Sipas raportit, deri në vitin 2030 do të krijohen rreth 170 milionë vende të reja pune, ndërsa miliona role tradicionale do të transformohen ose do të zëvendësohen si rezultat i inteligjencës artificiale, automatizimit, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital.

Në krye të listës së profesioneve me rritjen më të shpejtë renditen Big Data Specialists, FinTech Engineers, Artificial Intelligence and Machine Learning Specialists, Software and Applications Developers, Security Management Specialists, Information Security Analysts, Data Scientists, UI/UX Designers, Internet of Things Specialists, Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers, si dhe specialistët e automjeteve autonome dhe elektrike.
Në këtë kontekst, një analizë e ofertës akademike të UBT-së tregon një përputhje të qartë me prioritetet që identifikon World Economic Forum. Institucioni ka ndërtuar një ekosistem të arsimit të lartë që i përgjigjet transformimit të tregut të punës, duke ofruar programe studimi në fusha që lidhen drejtpërdrejt me profesionet me rritjen më të shpejtë në nivel global.
Në fushën e teknologjisë, UBT ofron programe si Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, Inxhinieri e Mekatronikës, si dhe specializime në Inteligjencë Artificiale, Data Science, Cyber Security, Cloud Computing, Machine Learning, Internet of Things (IoT) dhe Robotikë, duke përgatitur profesionistë për rolet që raporti i World Economic Forum i rendit ndër më të kërkuarat në botë.
Një nga profesionet me rritjen më të shpejtë sipas raportit është FinTech Engineer, një profil që po transformon sektorin financiar përmes teknologjisë. Duke e parë këtë zhvillim, UBT ka zhvilluar programin FinTech, i cili kombinon financën, teknologjinë, analizën e të dhënave dhe inovacionin digjital, duke përgatitur specialistë për industrinë financiare të së ardhmes.
Transformimi global nuk kufizohet vetëm në sektorin e teknologjisë. Raporti evidenton se tranzicioni drejt ekonomisë së gjelbër po krijon një kërkesë të jashtëzakonshme për Environmental Engineers, Renewable Energy Engineers dhe specialistë të sistemeve energjetike. Për këtë arsye, programet e Inxhinierisë së Mjedisit, Inxhinierisë së Energjisë dhe Inxhinierisë Mekanike në UBT marrin një rëndësi strategjike, duke përgatitur profesionistë që do të kontribuojnë në zhvillimin e energjisë së pastër, teknologjive të qëndrueshme, efikasitetit energjetik dhe infrastrukturës moderne.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi i industrisë automobilistike drejt automjeteve elektrike dhe autonome po krijon mundësi të reja për inxhinierët mekanikë dhe ekspertët e sistemeve inteligjente, fusha në të cilat UBT ka investuar në laboratorë modernë dhe mjedise praktike të të nxënit.
Raporti i World Economic Forum evidenton gjithashtu rritjen e vazhdueshme të kërkesës për profesionet që lidhen me sigurinë. Përveç Information Security Analysts, të cilët mbrojnë infrastrukturat digjitale nga sulmet kibernetike, raporti rendit edhe Security Management Specialists, si rezultat i sfidave të reja gjeopolitike dhe rritjes së nevojës për menaxhimin e rreziqeve. Në këtë drejtim, UBT ofron programe në Studime të Sigurisë, krahas programeve në Cyber Security, duke kombinuar sigurinë fizike, sigurinë kombëtare dhe atë digjitale në një qasje multidisiplinare.
Ndërkohë, transformimi i industrisë ushqimore dhe rritja e fokusit global në sigurinë ushqimore, teknologjitë e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm kanë rritur rëndësinë e profesionistëve të Shkencave të Ushqimit. Përmes këtij programi, UBT përgatit ekspertë që kontribuojnë në kontrollin e cilësisë, nutricionin, inovacionin ushqimor, teknologjinë e përpunimit dhe standardet ndërkombëtare të sigurisë ushqimore.
Përtej programeve akademike, UBT ka ndërtuar zhvillimin mbi një ekosistem të plotë inovacioni. Institucioni ofron mbi 50 programe studimi, mbi 150 fusha specializimi, më shumë se 200 laboratorë modernë, bibliotekën më të madhe akademike në Kosovë. UBT Smart City, është kthyer në rol model dhe ka tërhequr interesin e institucioneve dhe studiuesve ndërkombëtarë për t’u analizuar si praktikë e zhvillimit universitar, ndërsa së fundmi USA Today e ka përshkruar UBT-në si “Silicon Valley of the Balkans”, duke theksuar rolin në ndërtimin e një ekosistemi të avancuar të teknologjisë, laboratorëve, parqeve teknologjike dhe inovacionit që përgatit profesionistë për tregun global.
Përmes laboratorëve të specializuar dhe qendrave kërkimore, studentët angazhohen në projekte që lidhen me Artificial Intelligence, Big Data, Cyber Security, Internet of Things, Cloud Computing, Virtual Reality, Extended Reality, Smart Cities, 5G, automatizimin industrial dhe transformimin digjital. Kjo qasje i afron ata me teknologjitë që sot po udhëheqin ekonominë globale dhe që sipas World Economic Forum do të përcaktojnë profesionet e dekadës së ardhshme.
Raporti vlerëson se deri në vitin 2030, rreth 39% e aftësive aktuale të fuqisë punëtore do të transformohen, ndërsa punëdhënësit do të kërkojnë gjithnjë e më shumë profesionistë me kompetenca në analizën e të dhënave, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerit, sigurinë, inxhinierinë, energjinë, qëndrueshmërinë, kreativitetin dhe komunikimin.
Nëse dekada e kaluar u karakterizua nga revolucioni i internetit, dekada që po jetojmë po karakterizohet nga inteligjenca artificiale, ekonomia e të dhënave, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital. Treguesit globalë dëshmojnë se profesionet me rritjen më të shpejtë janë pikërisht ato që ndërthurin teknologjinë, inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Përmes programeve në Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sisteme të Informacionit, FinTech, Studime të Sigurisë, Inxhinieri të Mjedisit, Inxhinieri të Energjisë, Inxhinieri Mekanike, Shkenca të Ushqimit, Media dhe Komunikim, si dhe dhjetëra programeve të tjera të orientuara drejt inovacionit, UBT po kontribuon në përgatitjen e profesionistëve që do të jenë pjesë e transformimit të ekonomisë globale dhe e tregut të punës të së ardhmes.
Lajmet
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Published
2 days agoon
July 31, 2026By
UBT News
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin nga Maroku drejt qytetit autonom spanjoll të Ceutës, në Afrikën e Veriut. Ndërkohë, rreth 60 mijë migrantë raportohet se kanë hyrë në territorin e Ceutës brenda 24 orëve të fundit, duke krijuar një situatë të jashtëzakonshme në kufirin mes Marokut dhe Spanjës.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se qeveria do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të garantuar sigurinë në Ceutë, pas tensioneve të fundit të shkaktuara nga fluksi i madh i migrantëve.
“Qeveria spanjolle qëndron me qytetin e Ceutës. Ne e kuptojmë shqetësimin dhe pasigurinë që qytetarët po përjetojnë në orët e fundit,” u shpreh Sánchez.
Ai theksoi se shteti do të angazhojë të gjitha burimet e nevojshme për të mbrojtur qytetarët dhe për të ruajtur rendin dhe bashkëjetesën në këtë territor spanjoll në bregdetin e Afrikës së Veriut.
“Qeveria do të përdorë çdo burim të shtetit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të Ceutës,” shtoi ai, duke nënvizuar se asnjë qeveri e mëparshme nuk ka investuar aq shumë burime në këtë territor sa administrata aktuale.
Sánchez njoftoi gjithashtu se autoritetet do të vendosin barriera lundruese në zonën e molit si masë e përkohshme, ndërsa po shqyrtohen edhe ndryshime ligjore për menaxhimin e situatës.
Ceuta, e vendosur në bregun verior të Afrikës dhe e rrethuar nga territori maroken, mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së migrantëve drejt Bashkimit Evropian. Fluksi i ditëve të fundit ka rritur ndjeshëm tensionet në këtë zonë kufitare, duke shtuar presionin mbi autoritetet spanjolle./A.K/
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 gusht 1993-1998?
Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 1 gusht 1993-1998?
Profesionet me rritjen më të shpejtë në botë janë pjesë e ofertës akademike të UBT-së
34 të vdekur dhe mijëra migrantë në Ceutë, Spanja forcon masat në kufi
Dua Lipa promovon Prishtinën në Google Street View: “Vendlindja ime tani mund të eksplorohet virtualisht”
Një person me pesë identitete, arrestohet i dyshuari në Prishtinë – del të jetë shtetas i Shqipërisë, i dënuar për vrasje
Këshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
Sunny Hill Festival nis sot në Prishtinë, Katy Perry ylli kryesor i mbrëmjes së parë
32 vjet burgim për katër të akuzuarit në rastin “Toka 2”, konfiskohen 45 ngastra kadastrale
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoYll Limani falënderon fansat pas dy netëve koncert në Tiranë
-
Sport2 days agoKëshilltari i lartë i Gianni Infantinos jep dorëheqje mes polemikave për planin e FIFA-s
-
Lajmet1 week agoSHBA vendos tarifa ndaj 60 vendeve për punën e detyruar
-
Lajmet2 days agoHamasi pranon marrëveshje për çarmatim, Trump e cilëson hap historik drejt paqes në Gaza

