Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën që vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbahet më 14 gusht 2026, në orën 11:00.
Kërkesa u dorëzua në Zyrën e Sekretarit nga anëtari i PDK-së, Përparim Gruda, dhe i është adresuar kryesuesit të seancës, deputetit më të vjetër në moshë, Avni Dehari.
“Në emër të partisë i bëj thirrje deputetit Kurti ta lejojë Deharin ta thërrasë seancën. Deharit nuk i takon ta japë asnjë vlerësim politik, ka rol teknik për ta thirrur seancën dhe për ta realizuar atë”, deklaroi Gruda pas dorëzimit të kërkesës.
Në letrën e protokolluar, PDK thekson se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Subjekti politik sqaron se, sipas jurisprudencës kushtetuese, tejkalimi i afatit nuk e shuan detyrimin për konstituimin e institucionit legjislativ, prandaj vonesat e mëtejshme vetëm sa e thellojnë bllokadën politike.
Po ashtu, PDK i rikujton kryesuesit se roli i tij si deputeti më i vjetër është i kufizuar nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit vetëm në lehtësimin e ecurisë së seancës. Në letër potencohet se ai nuk ka kompetencë të vendosë mbi bazën e vlerësimeve apo konsideratave politike se kur duhet të vazhdojë ky proces.
“Vlerësimet dhe negociatat politike u takojnë forcave politike dhe ato mund e duhet të zhvillohen vetëm brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilën të gjithë jemi të obliguar ta respektojmë”, nënfundohet në letrën e PDK-së. /E.A/