Lajmet

​Mësimdhënësit në grevë, Jasharaj: Një ligj që na e punon dikush tjetër ne nuk e pranojmë

Mësimdhënësit po kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Published

on

Ka nisur sot greva njëorëshe në të gjitha institucionet arsimore në vend. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka deklaruar se deri tek ky vendim ka ardhur për shkak të mosplotësimit të kërkesave nga Qeveria e Kosovës. Mësimdhënësit po kërkojnë 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Rrahaman Jasharaj, kryetar i SBAShK-ut, ndoqi nga afër rrjedhën e grevës në shkollën fillore, “Asim Vokshi”, i cili tha se me muaj të tërë i kanë bërë kërkesa e shkresa Qeverisë për të mos ardhur deri te greva, porse siç tha ai, ekzekutivi nuk i ka marrë parasysh. Ai bëri të ditur se ndër kërkesat e mësimdhënësve është edhe Ligji për sigurime shëndetësore, derisa ka akuzuar Qeverinë për deklaratat që po ju dhimbsen nxënësit janë false.

“Nëse vërtete stresohen që do të humbë mësimin në greva e kanë mundësinë të ulen me sindikatat të ofrojnë zgjedhje, të thonë do të vazhdojmë me 100 euro, ja ligji, hajde ta punojmë bashkë. Një ligj që na punon dikush tjetër ne nuk e pranojmë… Deklaratat që po na dhimben nxënësit të Qeverisë janë false, janë për të krijuar nervozë të prindërit. Nëse i dhimben Qeverisë Kurti nxënësit dhe mësimi, le të ulet me Sindikatat dhe të bëjë zgjedhje”, theksoi Jasharaj.

Kryetari i SBAShK-ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, ka thënë që greva nuk vjen nga dëshira por ngase Qeveria qe nuk po i plotëson kërkesat e SBAShK-ut.

“Kjo grevë është organizuar për shkak të obligimeve që nuk i kryen Qeveria e sotme e Republikës së Kosovës, dihet se kjo nuk është me vullnetin dhe dëshirën tonë por na ka imponuar për kërkesat tona të cilat janë legjitime”, tha ai.

Anëtari i kryesisë i grupit të grevës, Adnan Veseli, është shprehur i shqetësuar për orët e humbura në grevë, porse ka shtuar se mospërmbushja e kërkesave nga ana e Qeverisë po i shtyn të hyjnë në grevë.

“Është grevë jo me dëshirën tonë sepse të gjithë mësimdhënësit e dimë që një orë mësimore me humb fëmija është e madhe. Por, detyrimet neve po na shtynë të hymë në këtë lojë dhe të jemi këta që jemi për momentin… Me këto kushte qysh janë ngritur çmimet edhe ne nuk kemi kushte të mira, nuk kemi mundësi me mbajt një familje dy anëtarëshe sepse rrogat tona pas pesë dite nuk janë, e ata po mendojnë që po marrim kushedi sa”, tha ai.

Ata që pësojnë më së shumti nga grevat në arsim janë nxënësit, të cilët janë ankuar para kamerës së KosovaPress-it se për këtë shkak po mbesin prapa me mësime.

Nxënësja e kësaj shkolle, Ensara Govori shprehet e shqetësuar për grevën njëorëshe që është mbajtur sot, teksa ka kërkuar nga institucionet ta ndalin grevën.

“Jam në klasën e shtatë. Sot orën e parë e kemi humbur duke u mbajt greva. Lus institucionin që ta ndalin grevën sepse po mbesim shumë mbrapa me mësime”, tha ajo.

Edhe Suela Sinidolli shprehet e brengosur për shkak të grevës.

“Ne kemi humbur orën e parë për shkak të grevave… dhe ne jemi të dëmtuarit më të mëdhenj. Kërkojmë nga Qeveria që të plotësohen kërkesat dhe të mos mbajnë greva”, tha ajo.

Ndërkaq SBAShK-u ka paralajmëruar se nëse Qeveria e Kosovës vazhdon të mos plotësojë kërkesat e tyre edhe pas datës 20 maj, do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre. Po ashtu ka kërkuar edhe mirëkuptim nga prindërit, mësimdhënësit dhe studentët për këtë grevë. 

Vendi

Justina Shiroka-Pula zgjidhet presidente e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Në votimin e zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, për Shiroka-Pulën kanë votuar 81 deputetë, ndërsa dy fletëvotime janë shpallur të pavlefshme. Një votë i është dhënë deputetes Eliza Hoxha.

Pas zgjedhjes në këtë pozitë, presidentja e re ka mbajtur fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit, duke thënë se e pranon detyrën me nder dhe përgjegjësi.

“Sot e pranoj me nder të madh dhe me përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës. Ky mandat nuk i përket vetëm një personi; ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.

Ajo u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.

“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, do të dal pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, u shpreh ajo.

Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi edhe orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.

“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha presidentja e re./A.K/

Continue Reading

Vendi

Kurti propozon për presidente ish-ministren e PDK-së, Justina Shiroka-Pulën

Published

on

By

Në orët e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje të re drejt PDK-së.

Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të votojë ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara – një kërkesë kjo e kahershme e PDK-së.  

Përmes kësaj oferte, Kurti i ka bërë thirrje PDK-së që të hyjë në seancë, duke propozuar si kandidate për presidente ish-deputeten dhe ish-ministren nga radhët e PDK-së, Justina Shiroka-Pula.  

Ky propozim vjen pasi kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, refuzoi emrat e propozuar më parë, si Feride Rushiti dhe Glauk Konjufca. Kurti iu drejtua opozitës me thirrjen për bashkëpunim në Kuvend për të votuar së pari ligjin e kërkuar dhe më pas kandidaturën e Shiroka-Pulës për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Continue Reading

Vendi

Rritet numri i protestuesve, protesta vazhdon në sheshin “Skënderbeu”

Published

on

By

Është shtuar numri i qytetarëve që po marrin pjesë në protestën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa protesta po vijon përpara institucioneve të vendit.

Protesta e sotme është thirrur lidhur me kërkesat për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zhvillimet rreth Gjykatës Speciale në Hagë.

Continue Reading

Lajmet

Hamza e refuzon ofertën e dytë të Kurtit për presidentin dhe Specialen: Po tentohet të shndërrohet në pazar

Published

on

By

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, i është përgjigjur negativisht propozimit të kryeministrit Albin Kurti për votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit.

Në një konferencë për media, Hamza ka kritikuar qasjen e deritanishme, duke thënë se çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është përgjegjësi vetëm e PDK-së.

Çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është çështje që i takon vetëm PDK-së, po flasim për historinë, për të tashmen dhe për të ardhmen”, është shprehur Hamza.

Ai ka thënë se kjo çështje, sipas tij, po tentohet të përdoret për pazare politike në momentet e fundit.

“Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar ai.

Hamza ka theksuar se pjesëtarë të UÇK-së janë të lidhur me subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka akuzuar për tentim të përdorimit të kësaj çështjeje për arritjen e qëllimeve politike.

“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që me pasë një president politik dhe me e përmbyllë njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë Hamza.

Ai ka shtuar se ka marrë pjesë në takime për tejkalimin e situatës, por ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.

“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, ka deklaruar Hamza.

Continue Reading

Të kërkuara