Lajmet

​Kjo është thirrja e punëtorëve të RTK-së karshi Kurtit

Published

on

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga sot kanë nisur grevën e përgjithshme dyorëshe për shkak të mosmarrjes së pagave. Përfaqësuesit sindikalë të RTK-së i bëjnë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore dhe të gjejë zgjidhje për t’i siguruar buxhetin RTK-së. Në të kundërtën, ata thanë se do t’i ashpërsojnë masat, mes tjerash edhe bojkotimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, si dhe mos­përcjelljen e aktiviteteve politike.

Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duhet t’i sigurojë buxhetin RTK-së, pasi ka zgjidhje ligjore për një gjë të tillë. 

“Prej sot jemi në grevë dyorëshe. Ne herët kemi hyrë në edicion të lajmeve, në vendin e punës tonë ku punojmë çdo ditë, për me shpreh pakënaqësinë tonë. Po hyjmë në muajin e dytë pa asnjë sinjal nga askush, andaj injorimi i kërkesave tona na ka sjellë deri këtu. Na kanë injoruar kërkesat si sindikatë dhe i kemi bërë thirrje më herët Kuvendit, por u shpërnda Kuvendi. Tash po bëjmë thirrje te qeveria, te kryeministri Kurti. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore dhe të gjejë zgjidhje, pasi ka zgjidhje ligjore. Gjatë kësaj kohe unë kam takuar avokatë dhe njohës të ligjit dhe më janë prezantuar disa nga format që qeveria mund t’i ndërmarrë shumë shpejt dhe nuk bien në kundërshtim me ligjin. Prandaj kjo mbetet në vullnetin e qeverisë dhe kryeministrit Kurti për të gjetur ndonjë zgjidhje”, tha ai.

Në të kundërtën, Bimbashi tha se do t’i ashpërsojnë masat, madje do të bojkotojnë të gjitha aktivitetet politike si dhe fushatën elektorale.

“Në fund të kësaj jave do t’ju njoftojmë për masat e tjera. Fillimisht kemi shkuar me grevë dyorëshe dhe nga fundi i javës do të dalim me qëndrime për të vazhduar tutje. Greva nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë çdo ditë. Ne, nëse nuk bëhet një zgjidhje, do të kërkojmë që të pezullohet mbulimi i fushatës elektorale, jo prej qejfit dhe dëshirës”, shtoi Bimbashi.

Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se situata e RTK-së është e paprecedent dhe e papranueshme për AGK-në. Duke shprehur përkrahjen ndaj grevës së RTK-së, ai tha se sigurimi i buxhetit për RTK-në është në dorën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.

Ai bëri thirrje që të ndalohet presioni politik dhe financiar ndaj RTK-së.

“Kjo është një situatë e paprecedent dhe e papranueshme për transmetuesin publik. Ne e përkrahim grevën e sotme, përkrahim edhe masat e tjera në të ardhmen që sindikata mund t’i marrë, siç u përmend edhe bojkotimi i fushatës zgjedhore që do të ishte hapi minimal i ngjarjeve politike. Si AGK, që e kemi thënë edhe të kaluarën, ka vetëm një adresë të përgjegjësisë që është Qeveria e Kosovës. Gjithçka është në dorën e kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati. Tashmë kanë edhe një përparësi për të ndërmarrë hapa pasi nuk janë ligjërisht deputetë të Kuvendit të Kosovës, janë vetëm kryeministër në detyrë dhe ministër në detyrë. Një argument më shumë për të marrë një vendim dhe për të ndarë buxhetin për tre muaj”, theksoi ai.

Sindikatat paralajmërojnë se greva do të vazhdojë deri në alokimin e buxhetit për RTK-në dhe, përveç grevës, do të organizojnë edhe protestë para Qeverisë dhe Kuvendit ditët në vijim. Në mungesë të pagave dhe zgjidhjes institucionale, sipas tyre rrezikohet funksionimi i programeve dhe misioni publik i transmetuesit të vetëm në vend.

Vendi

Prokuroria e Pejës kërkon mbikëqyrje më të madhe ndaj policëve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Published

on

By

Në takim morën pjesë edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë Rajonale në Pejë, major Mirsad Kelmendi, shefi i operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Disha-Haxhosaj ka kërkuar rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve, me qëllim të garantimit të një qasjeje profesionale dhe respektimit të procedurave ligjore.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar rasteve të dhunës në familje dhe atyre që përfshijnë të miturit, si dhe nevojës për reagim të shpejtë institucional dhe koordinim ndërmjet mekanizmave kompetentë.

Ajo ka kërkuar gjithashtu vigjilencë dhe përkushtim të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së institucioneve përgjegjëse për ofrimin e mbrojtjes efektive.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për parandalimin e veprave penale, identifikimin me kohë të rasteve dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore. /Ekonomia Online /

Continue Reading

Vendi

IKSHPK: 10 raste të reja me kancer çdo ditë në Kosovë

Published

on

By

Në Kosovë, mesatarisht 10 persona në ditë marrin diagnozën e sëmundjes së kancerit. Raporti më i fundit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) tregon se gjatë vitit 2025 janë regjistruar 3,775 raste të reja me kancer, një shifër kjo që është më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2012, ku raportoheshin 1,588 raste.

Nëse llogariten edhe pacientët e diagnostikuar më parë që trajtuan sëmundjen gjatë vitit, sistemi shëndetësor mbuloi gjithsej 5,564 persona. Ekspertët tërheqin vërejtjen se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha institucionet shëndetësore i raportojnë rregullisht rastet.

Sipas të dhënave, gratë përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve me 1,927 diagnostikime, ku kanceri i gjirit prin bindshëm duke përbërë 31% të të gjitha rasteve (592 raste). Shqetësuese mbetet mosha e të prekjeve: gati gjysma e grave u diagnostikuan para moshës 60 vjeç, ndërsa një e treta e atyre me kancer të gjirit ishin nën 50 vjeç.

Nga ana tjetër, te burrat u regjistruan 1,848 raste të reja, ku dominon kanceri i mushkërive (243 raste), i fshikëzës urinare dhe i laringut – të gjitha këto të lidhura drejtpërdrejt me përdorimin e duhanit. Sëmundja nuk ka kursyer as fëmijët, ku gjatë vitit 2025 u diagnostikuan 52 fëmijë dhe adoleshentë.

Përveç moshës dhe gjenetikës, faktorët kryesorë që po ndikojnë në rritjen e frikshme të rasteve në Kosovë mbeten konsumimi i lartë i duhanit si dhe ndotja e lartë e ajrit gjatë sezonit të dimrit. /Gazeta Shneta/

Continue Reading

lajme

Rama nga Brukseli: Serbia duhet të njohë Kosovën për të ecur drejt BE-së

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar nga Brukseli se njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë është një kusht kyç dhe i panegociueshëm për avancimin e Beogradit zyrtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë një interviste për mediat në samitin Euronews Enlargement Summit, ku diskutoi për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Rama nëvirtualizoi se integrimi i Serbisë mbetet i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, por kërkon hapa konkretë dhe përmbushje të detyrimeve.

“Ajo çfarë di është që fituesi në Beograd nuk tregon hapjen për mua dhe shqiptarët, që është njohja e çështjes së Kosovës. Kjo nënkupton që muzika në Beograd nuk do të ndryshojë. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht anëtar i BE-së dhe ne jemi ata që dëgjojmë leksione, nuk japim leksione, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor,” u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se gjithmonë ka mbështetur qëndrimin se Serbia nuk duhet të lihet pas apo të shtyhet drejt braktisjes së projektit evropian. Sidoqoftë, ai nënvizoi se Beogradi duhet të adresojë hezitimet e tij si në lidhje me Kosovën, ashtu edhe në lidhje me linjëzimin e politikës së jashtme karshi Rusisë dhe sanksioneve perëndimore.

Sipas Ramës, për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, Serbia duhet të dëshmojë me rezultate konkrete se e meriton këtë përkatësi duke përmbushur kriteret bazë që BE-ja i konsideron të panegociueshme.

Continue Reading

Lajmet

Kremlini konfirmon bisedimet trepalëshe për paqe me Ukrainën dhe SHBA-në në Abu Dabi

Published

on

By

Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime paqeje trepalëshe në Abu Dabi më 10 dhe 11 nëntor, në një përpjekje të re diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të ulur tensionet ushtarake.

Lajmi është konfirmuar të martën nga Kremlini. Zëdhënësi Dmitry Peskov bëri të ditur gjatë një konference me gazetarët se delegacioni rus do të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, ndihmës i presidentit Vladimir Putin dhe kryenegociator i Moskës në këtë proces.

Nga ana e tij, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff deklaroi se Uashingtoni po lehtëson mbledhjen e delegacioneve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas tij, fokusi kryesor i bisedimeve të javës së ardhshme do të jetë hartimi i marrëveshjeve të sigurisë për periudhën e pasluftës dhe gjetja e mekanizmave për uljen e menjëhershme të tensioneve në terren.

Kjo iniciativë vjen pasi negociatorët amerikanë po kërkojnë me ngulm një përparim konkret në tryezën e bisedimeve, duke shënuar rikthimin e palëve në dialog pas një pauze prej disa muajsh që nga takimet e fundit të mbajtura në fillim të vitit. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara