Aktualitet

​Largimi i notimit diferencial, qëndrime pro dhe kundër

Published

on

Paralajmërimi për heqjen e notimit diferencial për nxënësit e klasave 1 deri në 5, ka ngjallur dilema se cili do të jetë ndikimi që mund të ketë tek nxënësit.

Ata që e vlerësojnë si hap pozitiv dhe që do të hiqte stresin e nxënësve për notat, kanë dilemat se si një gjë e tillë do të menaxhohej pastaj në klasën e 6-të, kur nxënësit do të përballeshin edhe me notim, dhe me mësim lëndor.

Ndërsa, ata që janë kundër largimit të notave, thonë se kjo do të ndikonte në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

Aktualisht në vendin tonë nxënësit e klasave 1 dhe 2 nuk vlerësohen me notim diferencial, por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, nuk kanë kthyer përgjigje se a kanë një plan konkret rreth largimit të notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor dhe kur pritet të realizohet një gjë e tillë.

Në anën tjetër, kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thotë se nga MASHTI kërkojnë që të mos merren vendime pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit me vendime dhe strategji eksperimentale.

Një reformë e tillë, sipas tij, duhet të bëhet me një strategji konkrete e cila duhet të implementohet në disa faza kohore dhe jo të jetë aty për aty.

“Ne si Këshill i Prindërve të Kosovës kërkojmë që mos të merren vendime të rëndësishme pa një analizë të thellë, në mënyrë që të mos e dëmtojmë arsimin respektivisht interesin e nxënësve me vendime dhe me strategji eksperimentale, sepse për 20 vite fëmijët tanë kanë qenë eksperiment në arsim, gjë që fatkeqësisht edhe koha tregoi. Gjithashtu, vendimet e MAShT-it për këso çështje duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Prindërve të Kosovës sepse po vendoset për të ardhmen edukative arsimore të fëmijëve tanë”, thuhet në përgjigje.

Reshiti potencon se asnjë veprim që prek nxënësit nuk do të ketë sukses nëse injorohet Këshilli i Prindërve të Kosovës, për çka edhe fton MAShTI-në që asnjë vendim të mos merret pa u konsultuar me ta.

E një ide të tillë që të largohet notimi diferencial e përkrahin edhe nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, megjithatë kanë dilemat e tyre se çfarë ndikimi do të kishte tek nxënësit kur të njëjtit do të dalin në klasën e 6 dhe të përballeshin edhe me notim edhe me mësim lëndor.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj thotë se heqja e notimit do të largonte stresin e nxënësve të cikli të ulët për notat.

“Mbase kjo ide duhet provuar dhe janë dy momente, një moment se do të hiqej stresi i fëmijëve për notat, do të hiqej presioni i mësimdhënësve nga prindërit sepse kemi informacione se prindërit një pjesë e tyre po them insistojnë në nota të larta për fëmijët e tyre dhe në këtë mënyrë mbase do të bëhej më e relaksuar mësimi nga 1-5. Por, e keqja që na frikëson është se në klasën e 6 pastaj fëmijët do të përballen me nota, do të përballen me një ndërrim total të sistemit arsimor se kalojnë te mësimi lëndor dhe mbase do të jenë mësuar pa nota dhe nuk di si do të reagojnë, si do të angazhohen kur fillon notimi i tyre. Pra, duhet studiuar mirë këtë çështje, mbase do të provohet në shtator, ne nuk e kundërshtojmë këtë gjë”, thotë ai.

Në anën tjetër, njohës të fushës së arsimit janë të ndarë rreth ndikimit që do të kishte largimi i notimit diferencial për nxënësit e ciklit fillor.

Drejtori ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja, thotë se largimi i notimit diferencial është një reformë e thellë e sistemit arsimor, por që një gjë e tillë deklaron se mund të ndikojë në uljen e përkushtimit të nxënësve për të mësuar.

“Largimi i vlerësimit diferencial si koncept vije nga vendet perëndimore në një sistem goxha të avancuar dhe në një kulturë më të lartë sa i përket arsimit, tash sa është e zbatueshme e njëjta tek ne kjo është diçka për të debatuar. Mirëpo, frika jonë është që largimi eventual i vlerësimit do të eliminojë atë përkushtimin që nxënësit e këtyre grupmoshave e kanë pasur. Rikujtojë që është pikërisht cikli fillor që dallon shumë më shumë sesa cikli i shkollave të mesme të ulëta dhe të larta në përkushtim të nxënësve dhe në nota më të mira. Jemi të vetëdijshëm se vlerësimi i brendshëm në të gjitha nivelet pa përjashtim nuk është real, mirëpo eliminimi i po të njëjtit për këto grup mosha dhe për këtë cikël kemi frikë që përkundrazi do të kishte kundërefekte”, thotë ai.

Krejt ndryshe mendon njohësi i çështjeve të arsimit Argjend Osmani, i cili thotë se largimi i notimit diferencial është një hap i qëlluar, por që thotë se një vendim i tillë duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore dhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

“Unë mendoj se ky hap është i qëlluar, por megjithatë duhet pasur parasysh që duhet të përcillet me investime masive në infrastrukturën shkollore, në zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe me krijimin e një ambienti të dashur për fëmijët ku ata do të zhvillojnë me një fjalë talentet dhe shkathtësitë e tyre. Vlerësimi mund të jetë motivim, por mund të jetë edhe demotivim për nxënësit varësisht se prej çfarë këndvështrimi analizohet. Mendoj që kjo nuk lidhet shumë me kushtet që u përmenden infrastrukturore dhe me kushtet e tjera përcjellëse në arsim, por që Qeveria definitivisht nuk guxon ta realizojë si masë të vetme, duhet ta përcjellë edhe me masa të tjera shtesë nëse me të vërtetë kanë synim që të ngrisin cilësinë e arsimit”, thotë ai.

Se largimi i vlerësimit tradicional do të ketë ndikim pozitiv tek nxënësit e thotë edhe Arian Musliu, psikolog nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore.

Një gjë e tillë, ai shprehet se e largon konkurrencën që shtyhet nga prindërit që fëmijët e tyre të kenë të gjitha notat 5, derisa potencon se heqja e notave nuk do të ketë ndikim në uljen e motivimit të nxënësve për mësim.

“Në psikologjinë e edukimit dhe në shkencat e të mësuarit nota nuk është aspekti motivues kryesor edhe kjo konkurrenca për të arritur të gjitha 5 nuk ndikon shumë në motivimin e brendshëm tek nxënësit. Unë mendoj që notat në këtë drejtim nuk do të ulin interesimin e nxënësve për arritje, por interesimi i nxënësve do të rritet në këtë formë. Pra, jo për shkak të eliminimit të konkurrencës po për shkak se nuk do të kenë diçka me të cilën ata do të ballafaqohen vazhdimisht, pra notën. Nga ana tjetër ne i marrim shembull gjithmonë notat pozitive, pra 5, 4, po eliminojmë ndikimin negativ që kanë notat negative që është shumë më i madh sesa ndikimi pozitiv i tyre, pra notat 1, 2 ose edhe 3 në raste të caktuara”, thotë ai.

Musliu thotë se më pastaj mësimdhënësit do të duhej t’i përgatisnin nxënësit të cilët kalojnë nga klasa 5 në të 6 me idenë se tashmë do të vlerësohen me notë.

Çështja e notimit për klasat 1 dhe 2 është rregulluar me udhëzim administrativ në vitin 2016, ku në nenin 3 pika 3.7.2 thuhet se nxënësit e shkallës I (klasa para fillore dhe klasat 1-2) nuk vlerësohen me notë numerike por vlerësohen me komente konstruktive të standardizuara kundrejt rezultateve të të nxënit.

Continue Reading

Bota

Costa: Rusia nuk ka ndërmend të negociojë paqen me Ukrainën

Published

on

By

BE-ja duhet të vazhdojë të ushtrojë presion mbi Kremlinin me më shumë sanksione, pasi nuk ka asnjë tregues se Rusia është e gatshme të negociojë një armëpushim që synon paqen në Ukrainë, deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një intervistë me agjencinë portugeze të lajmeve, LUSA, në kontekstin e gjashtë muajve të tij të parë në detyrë.

Rusia ka refuzuar një armëpushim, Rusia ka refuzuar të marrë pjesë në bisedimet në nivel të lartë në përpjekjet për negociata dhe në fakt, Rusia ka intensifikuar sulmet e saj ndaj Ukrainës, prandaj, nuk duket se Rusia ka ndonjë prirje për të negociuar paqen”, thotë Costa.

Duke shënuar gjashtë muajt e parë në detyrë si kreu i institucionit që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, ish-kryeministri portugez thekson se ”idealisht, lufta nuk do të kishte filluar kurrë. Skenari i dytë më i mirë do të ishte që ajo të mbaronte në një moment, [por] realiteti është se, pavarësisht gjithë mbështetjes që i kemi dhënë përpjekjeve të presidentit [Donald] Trump për të ndërmjetësuar paqen, këto përpjekje nuk kanë pasur asnjë përgjigje nga pala ruse”.

Në një kohë kur BE është gati të miratojë paketën e saj të 18-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, Costa thotë se blloku duhet ”jo vetëm të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, por […] të rrisë presionin mbi Rusinë”.

Kjo paketë e re masash kufizuese – e cila do të përfshijë lista të reja të subjekteve dhe individëve që i nënshtrohen sanksioneve, përpjekje të shtuara kundër flotës në hije ruse, që transporton naftë dhe kufizime të zgjeruara në sistemin bankar rus, është, sipas Costas, në fazat e saj të fundit dhe do të koordinohet “me Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Kjo duhet të jetë një përpjekje globale presioni për të qenë efektive”, argumenton ai.

Pavarësisht luftës së vazhdueshme, Costa këmbëngul se sanksionet e BE-së po funksionojnë, duke treguar gjendjen “shumë të dobësuar” të ekonomisë ruse.

Më 1 dhjetor 2024, Antonio Costa filloi mandatin e tij dyvjeçar e gjysmë si president i Këshillit Evropian, duke u bërë socialisti i parë dhe portugezi i parë që mbante këtë rol.

Ai e kaloi ditën e tij të parë në detyrë në Kiev, duke riafirmuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022, BE-ja ka ofruar 138,2 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës dhe është gati të kontribuojë me 30,6 miliardë euro në ndihmë financiare në vitin 2025./atsh

Continue Reading

Bota

Afati i Trump, paqartësi rreth marrëveshjes ekonomike Kore e Jugut – SHBA

Published

on

By

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, deklaroi se ende nuk është e qartë nëse Seuli dhe Uashingtoni do të arrijnë të përmbyllin negociatat për tarifat doganore deri në afatin e caktuar nga Presidenti Donald Trump për javën e ardhshme, duke theksuar të enjten se të dy vendet po punojnë për të sqaruar pozicionet e tyre dhe për të identifikuar fushat e pajtueshmërisë.

Duke folur në konferencën e tij të parë për shtyp që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, Lee gjithashtu përsëriti synimin e tij për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara me Korenë e Veriut, megjithëse pranoi se mosbesimi i ndërsjellë mes dy Koreve është shumë i thellë për t’u tejkaluar së shpejti.

Rritja e tarifave nga Trump dhe politikat e tjera “Amerika e Para” paraqesin sfida të mëdha për qeverinë një mujore të Lee, ashtu si programi bërthamor në zgjerim i Koresë së Veriut dhe vështirësitë ekonomike të brendshme. Lee, një politikan liberal, erdhi në pushtet pasi fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme presidenciale, të shkaktuara nga rrëzimi i presidentit konservator Yoon Suk Yeol pas vendosjes së tij fatkeqe të gjendjes së jashtëzakonshme në dhjetor.

Lee tha se negociatat për tarifat me SHBA-në kanë qenë “qartësisht jo të lehta” dhe theksoi se të dy vendet duhet të arrijnë rezultate të dobishme për të dyja palët.

Është e vështirë të thuhet me siguri nëse do të mund të arrijmë një përfundim deri më 8 korrik. Po bëjmë më të mirën,” tha Lee. “Ajo që na nevojitet është një rezultat vërtet reciprok që përfiton të dyja palët dhe funksionon për të gjithë, por deri tani, të dyja palët ende po përpiqen të përcaktojnë saktësisht se çfarë duan”.

Pauza 90-ditore e Trum.p për tarifat reciproke globale skadon më 9 korrik, çka mund të ekspozojë produktet koreanojugore ndaj një takse prej 25%.

Uashingtoni gjithashtu po kërkon të rrisë tarifat për produkte specifike si automjetet dhe gjysmëpërçuesit, që janë eksporte kyçe për ekonominë e varur nga tregtia të Koresë së Jugut. Ka shqetësime në rritje në Seul se Trump mund të kërkojë një marrëveshje më të gjerë që do ta detyronte Korenë e Jugut të paguante shumë më tepër për 28,000 trupat amerikane të vendosur në gadishull për të penguar kërcënimet nga Koreja e Veriut.

Lee ka kërkuar vazhdimisht durim në lidhje me tarifat, duke argumentuar se një marrëveshje e nxituar nuk do t’i shërbente interesit kombëtar.

Lee më herët ishte kritikuar se po anonte drejt Koresë së Veriut dhe Kinës, duke u larguar nga SHBA dhe Japonia. Por që nga zgjedhjet, Lee ka premtuar vazhdimisht diplomaci pragmatike, duke thënë se do të forcojë aleancën me SHBA-në, ndërsa do të përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me Korenë e Veriut, Kinën dhe Rusinë. Disa kritikë thonë se është shumë e vështirë të kënaqen të gjitha palët.

Qeveria e Lee ka ndërmarrë hapa të dukshëm për të ndërtuar besim me Korenë e Veriut, duke ndalur transmetimet propagandistike anti-Phenian në vijën e parë të kufirit dhe duke ndërmarrë hapa për të ndaluar aktivistët që dërgojnë tullumbace me fletushka propagandistike përtej kufirit.

Koreja e Veriut nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre gjesteve pajtuese nga Trump dhe Lee, por zyrtarët kanë thënë se transmetimet propagandistike të Koresë së Veriut nuk janë dëgjuar më në qytetet kufitare të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut ka refuzuar bisedimet me SHBA-në dhe Korenë e Jugut që kur bisedimet bërthamore mes Trump dhe Kim dështuan në vitin 2019.

Aktualisht, Koreja e Veriut po forcon marrëdhëniet me Rusinë, duke ofruar trupa dhe armë për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës në këmbim të ndihmës ekonomike dhe ushtarake./REL

Continue Reading

Bota

Danimarka merr vendimin historik, bën të detyrueshëm shërbimin ushtarak për gratë

Published

on

By

Për herë të parë në historinë e saj, Danimarka ka përfshirë zyrtarisht gratë në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, në bazë të një politike të re të barazisë gjinore në rekrutim që hyri në fuqi më 1 korrik 2025.

Ky ndryshim historik vjen pas një marrëveshjeje të gjerë të mbrojtjes të miratuar nga parlamenti danez në vitin 2023, që synonte forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe një përfaqësim më të drejtë gjinor.

Sipas rregullave të reja, gratë që mbushin 18 vjeç nga kjo datë e në vijim do të jenë subjekt i një sistemi rekrutimi me short, njësoj si meshkujt, dhe mund të thirren për të kryer 11 muaj shërbim ushtarak. Pesë muajt e parë përfshijnë trajnim bazë gjithëpërfshirës, ndërsa gjashtë muajt e tjerë përfshijnë detyra aktive në ushtri, flotë, forcat ajrore apo në Komandën e Operacioneve Speciale.

Gjenerali Michael Wiggers Hyldgaard, shef i mbrojtjes, e cilësoi reformën si një hap drejt një ushtrie moderne dhe gjithëpërfshirëse.

Kur hapim derën si për gratë ashtu edhe për burrat me të njëjtat kushte, ne shfrytëzojmë gjithë grupin e talenteve të Danimarkës. Na jep më shumë fuqi luftarake dhe dërgon një sinjal të qartë se Forcat e Armatosura janë një komunitet modern ku të gjithë mund të kontribuojnë në mbrojtjen e Mbretërisë së Danimarkës,” tha Hyldgaard.

Ndryshimi nuk do të prekë gratë që kanë mbushur 18 vjeç përpara 1 korrikut 2025, të cilat do të mbeten nën sistemin e vjetër ku shërbimi ushtarak për to ishte vullnetar.

Përmes këtij ligji, Danimarka i bashkohet një grupi të vogël vendesh europiane që aplikojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të dyja gjinitë, duke vendosur një standard të ri për barazinë gjinore në mbrojtjen kombëtare.

Continue Reading

Bota

Ambasada gjermane i përgjigjet Petkoviqit: Thirrjet për shtensionim duhet të vlejnë për të gjithë njëlloj

Published

on

By

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, i ka kërkuar Serbisë të bëjë më shumë në uljen e tensioneve me Kosovën në vend se vetëm të bëjë thirrje për ndaljen e veprimeve e Prishtinës, duke thënë se thirrjet duhet të vlejnë për të dyja palët njëlloj.

Në një reagim të mërkurën, Ambasada gjermane tha se e mori parasysh letrën e fundit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i cili kërkoi nga Perëndimi t’i ndalë “veprimet përshkallëzuese të Prishtinës” lidhur me ndërtimin e planifikuar të dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Petkoviq e akuzoi kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti, se po i përdor urat mbi Ibër – lumin që ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri – për “fushatë zgjedhore”, pasi zgjedhjet lokale në Kosovë mbahen këtë vjeshtë.

Duke njoftuar se urat do të hapen në tetor, para zgjedhjeve lokale, Kurti me vetëdije po e vë çështjen e sigurisë në shërbim të fushatës zgjedhore… BE-ja duhet ta ndalojë Kurtin në planet e tij para se të jetë tepër vonë”, tha Petkoviq.

Ambasada tha se, derisa i ka bërë thirrje vazhdimisht dhe i bën edhe tani Qeverisë së Kosovës të përmbahet nga veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen, thirrje të tilla vlejnë edhe për Serbinë.

Nuk është Qeveria e Kosovës ajo që po dështon të zbatojë masa ligjore ndaj përgjegjësve për sulmin e tmerrshëm në Banjskë”, tha ajo, duke iu referuar sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në shtator 2023 në veri, ku u vra një rreshter policor.

Fakti që udhëheqësi i vetëdeklaruar i atij sulmi, serbi i Kosovës dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, e pranoi publikisht përgjegjësinë dhe megjithatë vazhdon të lëvizë lirshëm në territorin serb, minon thellë përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe llogaridhënies në rajon”, tha ajo.

Kosova lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin dhe ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia ta ekstradojë atë, por kjo nuk ka ndodhur edhe përkundër trysnisë nga Perëndimi që Beogradi të bashkëpunojë.

Tre nga 45 të akuzuarit për rastin e Banjskës janë duke u përballë me gjyq në Kosovë.

Duke iu referuar një thënieje në gjermanisht “Erstmal vor der eigenen Haustür kehren” – që në shqip do të thotë: fillimisht merruni me çështjet e tuaja, ajo tha se Serbia “duhet të vendosë rregull në oborrin e vet para se ta kritikojë vazhdimisht Kosovën për vendimet e saj”.

Mosndjekja penale e autorëve të dhunës është po aq e dënueshme dhe kundërproduktive sa çdo veprim i pakoordinuar nga Prishtina”, tha ajo.

Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi ka protestuar te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurë themelet për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër.

Kanë bërë shumë gjëra dhe tani kemi parë që kanë vendosur gurë themele për dy ura, pa marrë pëlqimin e popullit serb dhe të njerëzve nga Mitrovica e Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, tha Vuçiq.

Njëra urë parashihet të jetë për këmbësorë dhe tjera për automjete.

Autoritetet kosovare thanë se projekti, me një vlerë prej rreth 3 milionë eurosh, ka për qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet banorëve nga të dyja anët e lumit./REL

Continue Reading

Të kërkuara