Kulturë

​Kurti në Dokufest, viziton edhe bienalen e artit bashkëkohor

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizitoi tre ekspozita të bienales ndërkombëtare të artit bashkëkohor, Autostrada Biennale.

Ata fillimisht vizituan hapësirën e edukimit dhe prodhimit të Autostradës Biennale në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren, ku u njoftuan mbi ekspozitën dhe programin e edukimit që kjo biennale po zhvillon.

Sipas një komunikate të Qeverisë, e ndodhur në hangarin e dikurshëm të KFOR-it gjerman, transformuar tashmë në një hapësirë inovacioni, ajo ka për qëllim fuqizimin e të rinjve të Kosovës përmes edukimit, trajnimeve dhe punëtorive në fushën e artit, teknologjisë dhe inovacionit.

Nga aty, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku vazhduan për në Stacionin e Autobusëve në Prizren kur po shfaqen ekspozitat e katër artistëve të artit bashkëkohor.

Stacioni i Autobusëve këtë vit po mirëpret ekspozitat e Autostradës Biennale për të tretën herë radhazi. Në fund, ata vizituan ekspozitën e artistëve Sezgin Boynik dhe Tevfik Rada e cila po mbahet në Shtëpinë e Shani Efendiut.

“Se arti nuk është vetëm e bukura, por edhe mësimi dhe puna, po na e dëshmon edhe ky edicion i Autostrada Biennale”, u shpreh kryeministri Kurti. Ai i falënderoi organizatorët dhe kuratorën për prezantimin e tyre. Meqë arti dhe veprat e artit duhet të jenë të atilla që sa më shumë njerëz t’i shohin sa më shpesh, kryeministri uroi që gjithnjë e më shumë qytetarë të bëhen vizitorë të këtyre ekspozitave.

Autostrada Biennale është i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren dhe është themeluar në vitin 2014.

Mbrëmë është përmbyllur edhe edicioni jubilar i 20-të i festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër Dokufest. Për një javë rresht në këtë festival u shfaqën rreth 200 filma e dokumentarë nga e gjithë bota, ndërsa qyteti i Prizrenit u bë vendtakim i dhjetëra mijëra vizitorëve.

Kryeministri Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë përmbyllëse të tij, me ç’rast ndau çmimin për filmin në garën kombëtare. Filmi “Mardhë” nga regjisorja Flaka Kokolli mori mirënjohje speciale, kurse filmi “Një fëmijë” nga regjisori Bekim Guri u zgjodh filmi më i mirë kombëtar.

Në fjalën e tij të shkurtër gjatë ndarjes së çmimeve ai ua uroi të pranishmëve dhe organizatorëve 20-vjetorin e DokuFest-it, ndërsa shtoi se ky festival, i cili u ngrit e edhe sot mbështetet në punën e palodhshme të vullnetarëve që ndihmojnë në realizimin e tij, është rritur shpejt dhe shumë si pak çka tjetër në Kosovën e pasluftës.

Lajmet

“Neighbours / From Motherland” hap edicionin e pestë të International Dance Festival of Tirana

Published

on

Edicioni i pestë i International Dance Festival of Tirana (IDFT) do të hapet këtë tetor me shfaqjen “Neighbours / From Motherland”, me koreografi të Brigel Gjokës dhe Rauf “RubberLegz” Yasit.

Shfaqja do të prezantohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 7 tetor do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“From Motherland” trajton tema si identiteti, trashëgimia, përkatësia dhe kujtesa e përcjellë ndër breza, duke sjellë në fokus lidhjet mes individit, vendit dhe kujtesës kolektive.

Vepra vjen si bashkëprodhim mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Shqipërisë dhe Baletit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja përfaqëson një kapitull të ri të projektit “Neighbours”, duke sjellë një tjetër bashkëpunim artistik mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe duke bashkuar në skenë performues nga të dyja vendet./A.K/

Continue Reading

Kulturë

Zbulohet thesari i Romës Antike, hapen për publikun freskat dhe mozaikët unikë

Published

on

By

Autoritetet italiane kanë hapur për herë të parë për publikun një prej komplekseve më të mëdha të freskave dhe mozaikëve të periudhës së Romës Antike, të zbuluara në një galeri nëntokësore të ish-Termave të Trajanit në Romë.

Freskat dhe mozaikët, të cilët datojnë në shekullin I të erës sonë, u zbuluan gjatë gërmimeve arkeologjike në vitet 1990 në kodrën Opio, pranë Koloseut. Tashmë, pas një procesi të gjatë restaurimi, veprat “Qyteti i pikturuar” dhe “Mozaiku i madh” janë prezantuar për publikun.

Vizitat fillimisht do të zhvillohen në grupe prej maksimumi 15 personash, ndërsa ekspertët do të monitorojnë ndikimin e lagështirës dhe faktorëve të tjerë klimatikë në këto vepra të ndjeshme. Në varësi të rezultateve, qasja mund të zgjerohet edhe për më shumë vizitorë.

Kryetari i Romës, Roberto Gualtieri, ka vlerësuar veçantinë e freskës “Qyteti i pikturuar”, e cila paraqet nga një këndvështrim i lartë një qytet-port të fortifikuar. Sipas tij, bëhet fjalë për freskën më të madhe të këtij lloji të zbuluar në Romën e lashtë.

“Është vërtet unik në botë, si për nga bukuria artistike, ashtu edhe për nga rëndësia historike dhe dokumentare”, ka deklaruar Gualtieri.

Në freskë paraqiten ndërtesa, një teatër, tempull, sheshe publike dhe kulla, duke ofruar një pamje të jashtëzakonshme të një qyteti të madh të asaj kohe. Megjithatë, arkeologët ende nuk kanë arritur të përcaktojnë se cilit qytet i referohet vepra.

Edhe “Mozaiku i madh” paraqet një pasuri të rrallë artistike. Ai përmban elemente të ndërlikuara arkitekturore, kolona dhe figura të vendosura në katër nivele. Gjatë restaurimit janë zbuluar edhe detaje të një tjetër paraqitjeje të një qyteti-port në pjesët e poshtme të mozaikut.

Termat e Trajanit shtriheshin në rreth gjashtë hektarë dhe në kohën e tyre konsideroheshin kompleksi më i madh i banjove publike në botë. Përveç hapësirave për larje dhe aktivitete sportive, kompleksi kishte edhe ambiente të dedikuara për kulturën.

Në mesin e tyre ndodhet edhe një strukturë e madhe gjysmërrethore, e cilësuar si “bibliotekë”, e cila besohet se ishte pjesë e kompleksit termal dhe u ofronte vizitorëve mundësinë të kombinonin aktivitetet fizike me jetën kulturore.

Zbulimet e reja u japin arkeologëve dhe publikut një mundësi të rrallë për të parë nga afër një pjesë të jetës dhe artit të Romës Antike, të ruajtur për afro dy mijë vjet.

D.L

Continue Reading

Kulturë

Kalaja e Prizrenit rihapet pjesërisht, por problemet mbeten

Published

on

By

Kalaja e Prizrenit është rihapur sërish pjesërisht për vizitorët, në episodin e tretë të mbylljeve dhe rihapjeve brenda katër muajve të fundit.

Ministria e Kulturës ka njoftuar se nga 7 shtatori 2026, Kalaja është e hapur për vizitorë nga ora 12:00, por disa pjesë të saj do të mbeten të mbyllura për shkak të punimeve që po vazhdojnë.

“Punimet në Kala do të vazhdojnë, për këtë arsye disa pjesë të hapësirës do të jenë të mbyllura për vizitorët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë, e cila ka kërkuar nga vizitorët të respektojnë shenjat orientuese dhe kufizimet e vendosura.

Rihapja e pjesshme vjen pas një periudhe në të cilën Kalaja fillimisht ishte mbyllur pjesërisht, më pas plotësisht, ndërsa tani është sërish e qasshme vetëm në disa zona. Se kur do të hapet tërësisht, ende nuk dihet.

Ndërhyrje emergjente, por jo zgjidhje përfundimtare

Në fund të gushtit, Kalaja u mbyll tërësisht për vizitorët, ndërsa ndërhyrjet emergjente nisën pas një tenderi të dhënë në fund të korrikut.

Thirrja për punime, me titull “Masat emergjente në Kalanë e Prizrenit dhe Kalanë e Novobërdës”, kap vlerën prej 110 mijë e 820 eurosh. Për Kalanë e Prizrenit janë paraparë mbi 80 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër është dedikuar ndërhyrjeve në Kalanë e Novobërdës.

Punimet në Prizren përfshijnë pastrimin e terrenit, vendosjen e rrethojave mbrojtëse, kamerave të sigurisë dhe sistemit të monitorimit, zërimin, rregullimin e shtigjeve për vizitorë, tabelave informuese, ulëseve në amfiteatër dhe zhvendosjen e tualeteve jashtë hapësirës së mureve rrethuese.

Megjithatë, problemet e Kalasë janë shumë më të thella sesa ndërhyrjet aktuale emergjente.

Një raport i përgatitur nga ekspertë të Institutit Arkeologjik të Kosovës, Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka evidentuar dëmtime serioze në strukturat e monumentit.

Në raport rekomandohet sigurimi i segmenteve të dobësuara të mureve, pastrimi dhe plotësimi i fugave me llaç origjinal, kufizimi i qasjes së vizitorëve në zonat e rrezikshme, si dhe hartimi urgjent i një programi të plotë për konservim dhe restaurim.

Rreziku nga degradimi i mureve

Sipas raportit të hartuar nga Veron Tara, Caner Tatar, Elvis Shala, Sara Sylejmani, Jusuf Xhibo dhe Besar Grazhda, në muret e larta rrethuese është konstatuar humbje e madhe e qëndrueshmërisë së llaçit lidhës me bazë gëlqereje.

Problemi lidhet me ndikimet atmosferike dhe depërtimin e ujit në brendësi të mureve. Si pasojë, janë krijuar zbrazëtira, ka humbje të materialit në mbushjet e brendshme dhe në disa pjesë janë evidentuar edhe rënie gurësh.

Raporti konstaton se në disa segmente tashmë ka pasur shembje të pjesshme dhe se procesi i degradimit është ende në zhvillim.

Kalaja e Prizrenit, një prej monumenteve dhe pikave turistike më të vizituara në Kosovë, është përballur kështu me mbyllje të njëpasnjëshme dhe ndërhyrje emergjente. Ndërsa vizitorët tash mund të rikthehen në disa pjesë të saj, mbetet e paqartë se kur do të bëhet një ndërhyrje e plotë që do t’i trajtonte problemet e trashëgimisë dhe mirëmbajtjes në mënyrë afatgjatë.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Muzetë e Gjirokastrës tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë

Published

on

Trashëgimia e pasur e traditës dhe folklorit, e ekspozuar në ambientet e Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.

Ciceronët thonë se interesi për muzetë e qytetit është në rritje, ndërsa në itineraret turistike, përveç Muzeut Etnografik, përfshihen edhe Muzeu i Armëve, Muzeu i Luftës së Ftohtë dhe Muzeu “Kadare”.

Këto muze janë kthyer në pjesë të rëndësishme të vizitave turistike, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen më nga afër me historinë, traditën dhe mënyrën e jetesës së zonës ndër vite.

Në total, katër muzetë kanë pritur rreth 62 mijë vizitorë nga janari deri në fillim të vjeshtës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara