Federata e Futbollit e Kosovës, në kuadër të një projekti të mbështetur nga programi UEFA HatTrick, ka ndërmarrë një iniciativë të rëndësishme që synon rritjen e sigurisë në fushat e futbollit.
Nëpërmjet këtij projekti, të gjitha klubet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë, si dhe klubet e vajzave, janë pajisur me defibrilatorë të teknologjisë më të avancuar, të cilët mund të bëjnë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes në rastet e urgjencave shëndetësore.
Në dekadën e fundit, raste të rënda shëndetësore të ndodhura në fushën e gjelbër kanë nxjerrë në pah rëndësinë e pajisjeve mjekësore si defibrilatori, i cili mund të shpëtojë jetë në rast të arresteve kardiake.
Përveç shpërndarjes së pajisjeve, projekti është shoqëruar edhe me organizimin e trajnimeve dhe fushatave për ndërgjegjësim rreth përdorimit të saktë dhe të shpejtë të defibrilatorëve, ku ligjërues ishte stafi mjekësor i Kombëtares A të Kosovës, duke ndarë eksperiencat e marra nga trajnimet e UEFA-s.
Trajnimet në fushën e shëndetit në futboll do të vazhdojnë dhe FFK do të punojë ngushtë me klubet për të siguruar që çdo ekip të ketë personel të trajnuar që di të reagojë menjëherë në raste emergjente.
Ky projekt është një hap domethënës jo vetëm për sigurinë, por edhe për profesionalizimin e mëtejshëm të futbollit kosovar, duke ndjekur standardet evropiane të kujdesit shëndetësor në sport.
Mbështetja e UEFA-s përmes programit HatTrick është një konfirmim i mëtejshëm i besimit dhe përkushtimit që ky institucion ka ndaj zhvillimit të futbollit në Kosovë.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e vlerësoi këtë projekt jo vetëm si investim në pajisje, por edhe si investim në jetë, në siguri dhe në të ardhmen e futbollit kosovar, meqë futbolli ynë është përballur me humbje jetësh në fushat e gjelbërta.
“Në një kohë kur sporti gjithnjë e më shumë po konsiderohet jo vetëm si argëtim, por edhe si një aktivitet që kërkon kujdes të madh për mirëqenien fizike dhe psikologjike të sportistëve, ky projekt tregon qartë që siguria dhe shëndeti i lojtarëve janë prioritet absolut për Federatën e Futbollit të Kosovës”, tha ai.
Mjeku i Kombëtares A të Kosovës, Amir Vejseli, theksoi se defibrilatori është pjesë jetike dhe urgjente që duhet të jetë i pranishëm në çdo ndeshje futbolli.
“Defibrilatorët janë kërkesë urgjente, meqë kjo pajisje mund të jetë jetike për rastet e sulmeve kardiake që mund të ndodhin gjatë ndeshjeve dhe seancave stërvitore. Pjesa e organizimit mjekësor në një ndeshje futbolli është po aq e rëndësishme sa edhe organizimi sportiv”, u shpreh ai./S.K/EO/FFK/