Lajmet

​Kosova për tri vjet importoi 55 milionë euro energji elektrike nga kompania serbe

Kosova në periudhën 2006-2008 më së shumti ka importuar energji nga IFT Grup nga Serbia.

Published

on

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës.

Para anëtarëve të komisionit ka dëshmuar ish-kryeshefi i kompanisë KOSTT, Fadil Ismajli. Pas interesimit të deputetëve, ai ka paraqitur rolin e KOSTT-it në tregtimin e energjisë, për çka ka thënë se i njëjti nuk është në kompetencën KOSTT-it, mirëpo në cilësinë e operatorit të tregut vetëm i përcakton rregullat e palëve se si të sillen në treg.

Megjithatë ai bëri të ditur se Kosova në periudhën 2006-2008 më së shumti ka importuar energji nga IFT Grup nga Serbia. Sipas tij, në bazë të komunikimeve që ka pasuar në atë kohë me KEK-un, i është thënë se kjo kompani është ofertuesja më e lirë.

“KOSTT në portofolin e vet nuk e ka tregtimin e energjisë. KOSTT i ka tri shtylla, ka operatorin e sistemit, operatorin e transmisionit dhe operatorin e tregut. KOSTT në këtë rast, në cilësinë e operatorit të tregut vetëm i përcakton rregullat e palëve që duhen të sillen në treg, por nuk tregton”, tha ai.

Mirëpo, sipas anëtarit të komisionit nga radhët e LVV-së, Armend Muja, në këtë periudhë tri vjeçare sa ka qenë në krye të KOSTT zotëri Ismajli, Kosova ka importuar energji elektrike 118 milionë euro. Ai tha se 55 milionë euro të importit të energjisë janë nga IFT Grup e Vuk Vukamoviq dhe 20 milionë tjera nga Roadnap grup e Qeverisë së Serbisë.

“Në bazë të asaj që ju na keni dërgu dhe anëtarët e komisionit e kanë, thuhet se janë importuar për tri vjet 118 milionë euro energji elektrike nga Kosova. Në mesin e partnerëve kah kemi importuar energji elektrike, nga 118 milionë euro, 55 milionë i kemi importuar nga IFT Grup nga Vuk Vukamoviq, 20 milionë nga Roadnap Grup e Qeverisë së Serbisë, 2 milionë euro nga IPIES dhe 2.6 milionë euro nga GENI-DOO Beograd”, tha ai.

Lidhur me këtë pati një arsyetim ish-kryeshefi i KOSTT-it.

“IFT që e dina kush qëndron prapa, e di që ofertat në KEK gjithmonë ka qenë më i volitshmi. Shtrohet pyetja pse… ka pasur kompani që kanë ofertuar, por gjithmonë IFT ka dal më e lira, sepse ajo i ka keqpërdor hidrocentralet e Bosnjës që janë në pjesën e Republikës serbe, dhe duke qenë hidrocentrale ata munden me ofru energjinë modulare kurdo që ti e kërkon”, theksoi ai.

Sipas Ismajlit, KOSTT-it i është bërë padrejtësi e madhe që të kujdeset për furnizimin në veri.

“Importi i KOSTT-it vjen për shkak të gabimit të madh që i është bërë dhe padrejtësisë ndaj KOSTT-it kur është vendos që të kujdeset për furnizimin në veri. Po ashtu edhe më vonë me hyrjen e rregullës së balancimit, kur KOSTT-i e merr përsipër me bë edhe balancimin”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, deputeti tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci, pyeti ish-kryeshefin e KOSTT se a ka qenë pronar i kompanisë Contel, e cila sipas tij ka fituar tender në KOSTT.

“Zotëri Ismajli ju keni qenë pronar i kompanisë Contel, po flas për vitin 2006-2008. A keni fituar tender edhe pse është bartë prona te shoku juaj, Vegim Gashi. Kjo kompani a ka fituar tenderë për vitin 2006-2008 në KOSTT”, pyeti ai.

Mirëpo, Ismajli tha se ka qenë partner në kompaninë Contel vetëm para luftës në Kosovë. Pasi, sipas tij në periudhën 2000 ka vazhduar kontributin në KEK.

Megjithatë ai konfirmoi se kjo kompani ka fituar tender në KOSTT, mirëpo në partneritet me një kompani tjetër e cila ka qenë bartëse e projektit.

“Është e vërtet se unë për një periudhë para luftës kam pas për një kohë të shkurtër, kam qenë partner në firmën Contel. Por mënyra siç ju e thatë tingëllon ndryshe, kam qenë paraluftës. Pas luftës unë nuk kam qenë më dhe secili ka shkuar rrugëve të veta, unë jam kthyer në KEK në kompaninë amë, aty ku kam qenë prej vitit 1983-1990. Contel ka qenë aty në partneritet me kompaninë e cila ka qenë bartëse e projektit”, tha ai.

Pas përfundimit të dëshmisë së Ismajlit, komisioni mbylli punimet.

Vendi

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Continue Reading

Vendi

KFOR-i me stërvitje speciale pranë Bondsteel-it për menaxhimin e rasteve urgjente

Published

on

By

Ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje të specializuar për reagim ndaj rrëzimit të aviacionit pranë Kampit Bondsteel.

Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë në zonat operative.

Stërvitja bëri bashkë ekuazhet ajrore dhe mjekët fluturues për të ushtruar triazhin e të lënduarve, trajtimin mjekësor dhe procedurat e evakuimit urgjent.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i mban gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burim Berisha sjell “RESIDUE”, një reflektim artistik mbi kujtesën dhe transformimin

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Burim Berisha, do të prezantojë ekspozitën e tij personale “RESIDUE”, e cila do të hapet më 18 korrik në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.

Ekspozita është pjesë e programit kuratorial të institucionit dhe paraqet një përmbledhje të praktikës artistike të Berishës, të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh krijimtari në fushën e artit bashkëkohor.

Përmes skulpturës dhe instalacioneve që ndërthurin elemente si tingulli, tymi, dheu dhe materiale të ndryshme, “RESIDUE” eksploron marrëdhënien ndërmjet kujtesës, transformimit dhe gjurmëve që mbeten pas një ngjarjeje, personi apo objekti. Veprat ftojnë publikun në një reflektim mbi praninë dhe mungesën, duke e trajtuar artin si një proces që ruan dhe rikrijon kujtesën përtej momentit të krijimit.

Në këtë ekspozitë, figura nuk paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtohet përmes materialit, shenjave të pranisë dhe hapësirës, duke krijuar një dialog mes asaj që është e dukshme dhe asaj që mbetet e nënkuptuar.

Ekspozita “RESIDUE” dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm artistik të Prof. Burim Berishës dhe kontributin e tij në zhvillimin e artit bashkëkohor, si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë ligjëron në UBT për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026, në kuadër të Global UBT Fest 2026, me një ligjëratë të veçantë nga Ambasadori i Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, i cili zhvilloi një dialog me studentët dhe stafin akademik mbi temën “EU Enlargement Policy”.

Aktiviteti inaugurues mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi një nga temat më aktuale të agjendës evropiane – politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e saj për vendet aspirante.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Dux trajtoi zhvillimet më të fundit në procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë që e shoqërojnë këtë proces, si dhe perspektivën e Hungarisë lidhur me të ardhmen evropiane të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një element kyç për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në Evropë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët adresuan pyetje mbi procesin e integrimit evropian, politikat e zgjerimit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rajonit.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, UBT vazhdon të sjellë pranë studentëve diplomatë, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për debat akademik dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave mbi çështjet më të rëndësishme të politikës globale.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete akademike të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara