Lajmet

​Hapet panairi i punës në Gjakovë, 800 vende të lira pune

Në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë janë hapur dyert për organizimin e panairit të punës.

Published

on

Mbi 40 kompani po marrin pjesë në Panairin e Punës në Gjakovë, i cili po mbahet për të katërtën herë me radhë. Biznese, shkolla, e organizata janë bërë pjesë e këtij panairi, ku tashmë është bërë shpallja për oferta pune në 800 vende të lira pune. Ky panair po organizohet me qëllim të vendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta të punëdhënësve dhe punëkërkuesve.

Në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë janë hapur dyert për organizimin e panairit të punës. Menaxheri i projektit “Aftësimi për tregun e punës” në GIZ Kosova, Tobias Seilberlich ka thënë se po presin diskutim të frytshëm dhe marrëveshje të mira gjatë këtij panairi.

“Të gjithë së bashku kemi diku 45 kompani dhe partnerë pjesëmarrës në këtë panair. Dhe të gjitha së bashku kanë bërë një shpallje prej më shumë se 800 pozitave të hapura për punësim. Këto janë pozita të cilat përfshijnë në punën e shitjes me pakicë dhe shërbimeve të ndryshme në këto kompani, gastronomia, hotelieri dhe fusha e teknologjisë informative. Në të njëjtën kohë kemi edhe pjesën e ndërtimtarisë dhe thjesht zdrukthëtarisë. Dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, sektori i bujqësisë. Ne këtu në mesin këtu kemi edhe po ashtu zyrën e aftësimit profesional për Gjakovën”, është shprehur ai.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj ka treguar se ky panair shërben si urë lidhëse me qëllim të punësimit të të rinjve.

“Qëllimi i organizimit të këtij panairi do të thotë prej Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Punës dhe Agjencisë së Punësimit me mbështetje të GIZ-it është që sot disa kompani kanë ardhur këtu dhe institucionet e ndryshme që e kanë bërë ofertën e vet për ata që kanë nevojë dhe janë të profilizuar për punën që do e gjejnë këtu. Mund të jetë një urë lidhëse dhe mund t’i bashkojë të dyja këto dhe besoj që ky panair do të dal sa më i suksesshëm për ata që kanë nevojë për punë dhe për bizneset që sot janë këtu dhe kanë nevojë për punëtorë”, ka thënë Kolaj.

Në hapjen e këtij panairi, zëvendëskryeshefja ekzekutive në Agjencinë e Punësimit, Jehona Namani tha se roli i tyre është që të bëjnë bashkë punëkërkuesit dhe punëmarrësit me qëllim të ndërmjetësimit në punësim.

“Uroj që gjatë ditës së sotme të ketë sa më shumë vende të lira të punës, ashtu siç e kam listën që është përgatitur përfaqësuesit të GIZ-it. Uroj që të gjeni punëtorë të kualifikuar për atë që ju po kërkoni. Uroj që punëkërkuesit sot të shpërndajnë sa më shumë CV dhe që të kemi sukses sot në ditën tonë”, u shpreh ajo.

Ali Tafarshiku nga “Medcare Gjakova” tha se në panairin e sotëm janë në kërkim të punëtorëve shëndetësorë dhe atyre socialë.

“Përveç faktit që ne si kompani e re në Komunën e Gjakovës, kemi interesim të shtuar për punësim. Ne si kompani shërbyese për moshat e treta, kemi nevojë për punëtorë shëndetësorë, për punëtorë socialë dhe besoj që do të kemi një rast të mirë për identifikimin e personave më konkret që do të shërbejnë në qendrën që do të hapet në Gjakovë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Blerta Rudi Rizvanolli, e cila është udhëheqëse në “Ruddy Company” tha se ky panair ju ndihmon që të vendosin kontakte me punëtorë potencialë.

“Është një kompani që merret me prodhime vendore… Jemi falënderues ndaj Komunës për këtë organizim dhe organizatorëve të tjerë të panairit të punës, ku neve si prodhues vendorë na jep mundësinë të promovohemi karshi tregut të punës… Është një iniciativë shumë e qëlluar se na ndihmon shumë që të gjejmë në këtë kohë numër të madh të punëtorëve”, u shpreh ajo.

Panairi i punës organizohet nga projekti i GIZ-it me Agjencinë e Punësimit dhe Komunën e Gjakovës. 

Lajmet

Njëzet zonat urbane më të mëdha në botë (2026)

Published

on

Statistika e këtij viti ka nxjerrë 20 qytetet me numrin më të madh të banorëve në botë.

Në këtë listë prin qyteti Guangzhou i Kinës, i pasuar nga Shangai e Tokio. Listën e mbyll Stambolli në vendin e njëzet.

Lista e plotë:

  1. Guangzhou, Kinë – 73.6 milionë banorë
  2. Shanghai, Kinë – 42.3 milionë banorë
  3. Tokio, Japoni – 41.3 milionë banorë
  4. Delhi, Indi – 36.9 milionë banorë
  5. Xhakarta, Indonezi – 29.8 milionë banorë
  6. Mumbai, Indi – 28.1 milionë banorë
  7. Manila, Filipine – 27.1 milionë banorë
  8. Qyteti i Meksikos, Meksikë – 25.6 milionë banorë
  9. Seul, Koreja e Jugut – 25.4 milionë banorë
  10. Dhaka, Bangladesh – 23.7 milionë banorë
  11. Kajro, Egjipt – 23.2 milionë banorë
  12. São Paulo, Brazil – 22.7 milionë banorë
  13. Nju Jork, SHBA – 22.6 milionë banorë
  14. Bangkok, Tajlandë – 22.4 milionë banorë
  15. Lagos, Nigeri – 21.9 milionë banorë
  16. Pekin, Kinë – 21.8 milionë banorë
  17. Karachi, Pakistan – 21.8 milionë banorë
  18. Moskë, Rusi – 19.1 milionë banorë
  19. Chengdu, Kinë – 18.3 milionë banorë
  20. Stamboll, Turqi – 18.0 milionë banorë

Continue Reading

Lajmet

QKUK përfundon verifikimin e pronësisë, paralajmëron rrënimin e objekteve pa leje në oborr

Published

on

By

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.

Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.

Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.

Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.

Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.

“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KEDS: Rikthehet energjia elektrike për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur nga erërat e forta

Published

on

By

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) ka njoftuar se, përkundër erërave të fuqishme që shkaktuan dëmtime në rrjetin shpërndarës, furnizimi me energji elektrike është normalizuar për rreth 80 për qind të konsumatorëve të prekur brenda tri orëve të para pas qetësimit të motit.

Ndër zonat më të prekura nga moti i ligë kanë qenë Prishtina, Gjakova, Dragashi, Prizreni, Suhareka, Kamenica, Gjilani, Kaçaniku, Lipjani, Shtimja, Drenasi, Obiliqi, Fushë Kosova, Podujeva dhe Ferizaj.

Sipas KEDS-it, paralelisht me rikthimin e energjisë për shumicën e konsumatorëve, janë lokalizuar defektet në shtylla dhe përçues në pothuajse të gjitha pikat e rrjetit ku janë evidentuar dëmtime.

Ekipet në terren po vazhdojnë punën intensive për sanimin e plotë të problemeve dhe rikthimin e rregullt të furnizimit për të gjithë konsumatorët./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Nga 18 vjet burgim për Ilir dhe Rrahim Abdullahun për vrasjen e policit Triumf Riza

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të premten aktgjykimin dënues ndaj Ilir dhe Rrahim Abdullahut, duke i dënuar me nga 18 vjet burgim secilin për vrasjen e zyrtarit policor, Triumf Riza. Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, bëri të ditur se gjykata i shpalli të akuzuarit fajtorë për kryerjen në bashkëkryerje të veprës penale “Vrasje e rëndë”, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Abdullahut i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërsa e njëjta masë e paraburgimit i është caktuar edhe Rrahim Abdullahut. Gjatë seancës së shpalljes së vendimit, në sallë ishte i pranishëm vetëm i akuzuari Ilir Abdullahu i shoqëruar nga avokati i tij, Ramë Dreshaj, ndërsa Rrahim Abdullahu mungoi dhe u përfaqësua nga avokatja Agnesa Salihu. Në seancë mungoi po ashtu edhe prokurorja e rastit, Arbëresha Shala.

Zyrtari policor Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007 në lagjen “Dardania” në Prishtinë. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Të kërkuara