Sport

​Flet Majlinda Kelmendi, zbulon problemin e xhudistëve të rinj dhe këshillën e artë të Driton Kukës

Pasi theu të gjitha barrierat, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.

Published

on

Pasi theu të gjitha barrierat duke u shpallur si xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë në vitin 2014, e pasuar tutje edhe me medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2016 dhe shumë trofe të tjera, Majlinda Kelmendi tashmë ka nisur misionin e saj të ri.

Ajo po e ushtron profesionin e trajneres së xhudos dhe është e fokusuar në zbulimin dhe përgatitjen e xhudistëve të rinj për suksese ndërkombëtare, duke pasur gjithmonë mbështetjen e trajnerit më të mirë në botë, Driton Kuka.

Vitin e parë të saj si trajnere, Kelmendi e konsideron si të vështirë, por thotë se e kanë bërë të lumtur sukseset e xhudos të arritura në arenën ndërkombëtare gjatë vitit 2022.

“Në përgjithësi viti 2022 për mua ka qenë një vit me plotë sfida duke marrë parasysh që kam filluar një karrierë të re si trajnere dhe realisht fillimi si në çdo punë tjetër ka qenë i vështirë, mirëpo e kam cekur gjithmonë që jam shumë me fat që e kam Tonin afër dhe kam prej kujt të mësoj. Në përgjithësi ka pasur vështirësi, por ka pasur edhe suksese të mëdha. Jam shumë e lumtur që ekipit iu kanë bashkangjitur edhe emra të rinj. Sivjet Laura është bërë kampione evropiane, është bërë e dyta në Masters, pikë të reja olimpike, kështu që në përgjithësi ka qenë vit i suksesshëm duke marrë parasysh që edhe kemi marrë medalje në Kampionat Botëror, në Kampionatin Evropian edhe Distria është bërë e bronztë, kështu që vit i suksesshëm”, thotë Kelmendi.

Kelmendi thotë se puna me të rinjtë është bërë shumë e vështirë për shkak se rrjetet sociale po e marrin vëmendjen e tyre. E për ta tejkaluar këtë, ajo thotë se ka marrë një këshillë të artë nga Driton Kuka.

“Problemi kryesor kur kam filluar të punojë si trajnere që unë për vete kam qenë punëtore jashtëzakonisht e madhe, edhe kam pritur që edhe garuesit tjerë ta kenë atë, përderisa një ditë ka ardhur Toni ka thënë ‘hej këta nuk janë ti, nuk e kanë kokën tënde, përkushtimin tënd, fokusin, kështu që duhet secilit t’i qasesh ndryshe-ndryshe. Ta gjesh formën si ta bësh secilin veç e veç, ta jep maksimumin në stërvitje’. Kështu që realisht shumë e vështirë, ndoshta edhe fajin e kanë rrjetet sociale, shumë e vështirë me ua sjellë atë fokusin në stërvitje, mirëpo, pavarësisht kësaj, prapë se prapa po arrijmë me e nxjerrë maksimumin prej sportistëve, por realisht jo lehtë”, thotë Kelmendi.

Por, ajo është e bindur se e ardhmja e xhudos në Kosovë është e ndritur.

“Realisht kemi edhe talentë të rinj, kemi djem e vajza të cilët janë shumë të talentuar dhe që po merrem me ata, katër apo pesë orë në ditë dhe progresi tash e një vit që ia kemi filluar me u marrë me ata më seriozisht, është shumë i madh, kështu që nuk po dyshoj aspak që edhe në të ardhmen do të kemi emra të rinj ndoshta për kadetë, juniorë e pse jo edhe seniorë”, tha Kelmendi.

Për vitin 2023, Kelmendi sfidon të gjithë xhudistët. Ajo kërkon medalje në secilën garë që do të marrin pjesë.

“Cikli olimpik të shkojë sa më mirë që është e mundshme. Të marrim medalje pothuajse në secilën garë që të shkojmë sepse niveli i garuesve është i lartë dhe është shumë çudi nëse ndonjëri prej garuesve që janë në ekip të marrë mos të marrin medalje. Të mos ketë lëndime çfarë është shumë me rëndësi, lëndimet janë ndoshta pjesa më e vështirë e një sportisti, të mbajnë larg stërvitjeve, larg garave. Të mos kemi lëndime dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike në Paris të shkojnë sa më mirë që është e mundur”, shton ajo.

Në fund, ajo dha një koment për Distria Krasniqin, xhudisten që po thyen rekorde të reja me rezultate kulminante evropiane e botërore. “Ajo është për çdo lëvdatë”, thotë Majlinda Kelmendi.

“Distria të gjithë e dimë që ka kaluar në kategorinë 52 kilogramë edhe për një vit ka arritur të bëhet e para në ranglistën botërore, diçka e jashtëzakonshme. Distria e ka xhudon shumë të mirë, shumë me ndjesi edhe është punëtore, është shumë gjakftohtë, i di qëllimet e saj edhe nuk e ka ndërprerë punën asnjëherë. Pas Lojërave Olimpike, dy javë dhe menjëherë është kthyer në stërvitje edhe e ka ditur cakun e saj, kështu që është për çdo lëvdatë”, thotë ajo.

Në vitin 2013, Majlinda renditej në vendin e parë në renditjen ndërkombëtare nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos për kategorinë 52 kilogramë, ndërsa në Kosovë, një vit më vonë u dekorua me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”.

Sport

Kosova U18 e nis me fitore Kampionatin Evropian

Published

on

By

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në konkurrencën e meshkujve e ka nisur me fitore aventurën në FIBA U18 EuroBasket 2026, Divizioni C, duke triumfuar ndaj Andorrës me rezultat 87:79, pas vazhdimeve.

Ndeshja ishte shumë e luftuar dhe e baraspeshuar nga fillimi deri në fund, me të dyja skuadrat që zhvilluan një duel të fortë. Pas 40 minutave të rregullta, rezultati ishte i barabartë, duke bërë që fituesi të përcaktohej në pesë minutat shtesë.

Në vazhdime, basketbollistët e Kosovës treguan më shumë qetësi dhe efikasitet, duke siguruar fitoren e parë në turne.

Kampionati FIBA U18 EuroBasket 2026, Divizioni C po zhvillohet në Shkodër të Shqipërisë, ku Dardanët e rinj e kanë nisur garën me sukses.

D.L

Continue Reading

Sport

Javier Tebas kërkon largimin e Gianni Infantinos nga drejtimi i FIFA-s

Published

on

By

Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka drejtuar kritika të forta ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino, duke e akuzuar se mënyra aktuale e drejtimit po i shkakton dëm futbollit.

Tebas u shpreh se zgjerimi i vazhdueshëm i garave dhe ngarkesa gjithnjë e më e madhe mbi futbollistët po vendosin interesat ekonomike përpara zhvillimit të qëndrueshëm të sportit.

Sipas tij, ka ardhur koha që Infantino të largohet nga posti i presidentit të FIFA-s.

“Duhet të largohet, ka ardhur momenti. Por ai ka mbështetjen e sistemit dhe të federatave. Në Shtetet e Bashkuara kam dëgjuar shumë njerëz që janë kundër Infantinos dhe nuk pajtohen me mënyrën se si ai po vepron”, ka deklaruar Tebas.

D.L

Continue Reading

Sport

FIFA nis hetim ndaj katër argjentinasve pas incidenteve në finalen e Kupës së Botës

Published

on

By

Federata Ndërkombëtare e Futbollit  ka hapur një procedurë disiplinore ndaj katër anëtarëve të përfaqësueses së Argjentinës, pas përleshjeve që shpërthyen në fund të finales së Kupës së Botës, ku skuadra u mposht nga Spanja.

Komiteti Disiplinor i FIFA-s ka emëruar një prokuror disiplinor dhe etik për të shqyrtuar ngjarjet që ndodhën menjëherë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit. Nëse shpallen fajtorë, lojtarët ose anëtarët e stafit teknik të përfshirë mund të përballen me pezullime, ndërsa Federata Argjentinase e Futbollit (AFA) rrezikon të ndëshkohet me gjobë.

Hetimi përfshin futbollistët Nahuel Molina, Leandro Paredes dhe Thiago Almada, si dhe ndihmës trajnerin Roberto Ayala.

Fillimisht, FIFA njoftoi se Leandro Paredes ishte ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Slavko Vinçiç, pasi dyshohej se kishte kapur për fyti mbrojtësin spanjoll Eric Garcia dhe e kishte shtyrë atë. Megjithatë, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, kartoni i kuq i Paredes u hoq nga raporti zyrtar i takimit.

Spanja fitoi finalen ndaj Argjentinës me rezultatin 1-0 pas kohës shtesë, falë golit të Ferran Torres, duke u shpallur kampione e botës për herë të dytë në histori.

D.L

Continue Reading

Sport

Enzo Fernandez: Të vesh fanellën e Argjentinës është nderi më i madh i karrierës sime

Published

on

By

Mesfushori i Argjentinës, Enzo Fernandez, ka reaguar me një mesazh emocionues në rrjetin social Instagram pas humbjes 1:0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026. Pavarësisht zhgënjimit për humbjen e titullit, ai theksoi se krenaria për të përfaqësuar Argjentinën mbetet më e madhe se çdo rezultat.

“La Albiceleste” u mposht pas kohës shtesë në finalen e së dielës, ndërsa Fernandez u përjashtua në fund të kohës së rregullt pasi mori kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje ndaj Pau Cubarsit.

Në mesazhin e tij, mesfushori argjentinas shkroi se me kalimin e kohës kupton se ka gjëra shumë më të rëndësishme se rezultati i një ndeshjeje, duke shtuar se kjo skuadër prej vitesh ka treguar versionin më të mirë të vetes. Sipas tij, të garosh nuk do të thotë vetëm të fitosh, por të japësh gjithçka për fanellën dhe të mos dorëzohesh kurrë.

Fernandez u shpreh krenar që është pjesë e kësaj gjenerate të Argjentinës, duke theksuar se skuadra ka luftuar gjithmonë me krenari, përulësi dhe përkushtim për të mbrojtur ngjyrat e vendit.

Ai pati edhe një mesazh falënderimi për tifozët argjentinas, të cilët i mbështetën gjatë gjithë turneut.

“Faleminderit që jeni gjithmonë pranë nesh, që na mbështesni në çdo ndeshje, për dashurinë e pakushtëzuar dhe që na bëni të ndihemi si në shtëpi kudo në botë”, shkroi ai.

Në fund, Fernandez ritheksoi se përfaqësimi i Argjentinës është arritja më e madhe personale në karrierën e tij, duke premtuar se do të vazhdojë të japë maksimumin sa herë që të ketë mundësinë të veshë fanellën e kombëtares.

“Të vesh fanellën e vendit tim është nderi më i madh i karrierës sime dhe do të vazhdoj të jap gjithçka sa herë që të vijë momenti ta mbroj atë”, përfundoi Fernandez.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara