Aktualitet

Zgjerimi i NATO-s: Një histori përplasjesh mes Rusisë dhe Perëndimit

Published

on

Disa mite na kthejnë shumë vite prapa.

Ky mit – nëse do të mund të vlerësohet i tillë – na kthen më 1990. Edhe tash pas tri dekadash ai vazhdon të jetë pika qendrore e retorikës kundërshtuese të presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me raportet e Moskës me Perëndimin.

Bëhet fjalë për zgjerimin e NATO-s. Kjo çështje mbetet një plagë e pashëruar në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, që shënoi kulmin gjatë Luftës së Ftohtë, por tani sërish ka dalë në sipërfaqe.

Kthimi në qendër të vëmendjes, kësaj radhë nuk u bë nga ndonjë shpërthim i zemërimit nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, por nga një raport i një instituti me qendër në Londër – Chatham House.

Raporti i publikuar më 13 maj, synon të heqë një sërë, siç i quan, “mite dhe keqkuptime”, që kanë formësuar mendimin perëndimor dhe e kanë ndaluar atë të mbajë “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të menaxhueshme me Moskën”.

Në veçani një “mit” ka nxitur debate në zjarrta online, për shembull në Twitter shkruhej: “Rusisë iu premtua që NATO-ja nuk do të zgjerohej”.

“Bashkimit Sovjetik kurrë nuk iu ofrua një garanci zyrtare mbi kufijtë e zgjerimit të NATO-s, pas vitit 1990”, shkroi James Lough, bashkëpunëtor i hulumtimit.

Sipas tij, Moska me qëllim shtrembëron historinë për të ruajtur një konsensus anti-perëndimor brenda vendit.

Por, me këtë, nuk pajtohet një ish-diplomat rus, që ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme në Moskë mes viteve 1987 dhe 1992.

“Raporti i Chatham House është shumë i keq. Tingëllon sikur të jetë prodhuar nga Departamenti i Ideologjisë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk na duhej të hapnim këtë çështje, ajo mund të mbetej një skenar i vogël në histori që nuk ka nevojë të zgjidhet”, tha ai.

Por, e kaluara është shumë aktuale, duke marrë parasysh gatishmërinë e Putinit për të qëndruar në detyrë deri në vitin 2030, dhe më shumë se dy dekada pasi përbërja origjinale e NATO-s së Luftës së Ftohtë, u zgjerua për herë të parë me tri vende të Traktatit të Varshavës.

“Ne ende po debatojmë për këtë pasi ithtarët e zgjerimit (të NATO-s) besojnë se ata vepruan me nder dhe ndihmuan miliona njerëz që kishin qenë nën sundimin sovjetik, të arrinin lirinë e tyre”, tha Jim Goldgeier, i cili ka shërbyer në Këshillin e Sigurimit Kombëtar gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, në vitet 1990.

“Retorika ruse thotë se Perëndimi i mashtroi ata dhe veproi në atë mënyrë pas Luftës së Ftohtë, duke i lënë jashtë Evropës. Është shumë e vështirë të tejkalohen këto pozicione”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Goldgeier.

“Pra, disa duan të fajësojnë Perëndimin dhe ka nga ata që duan të fajësojnë Putinin”.

“Nuk është në agjendë”

Shumë studiues të Luftës së Ftohtë thonë se fillet e kësaj historie mund të gjurmohen në një vizitë në Moskë nga ana e Sekretarit të atëhershëm të Shtetit, James Baker, ku u takua me udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Kishin kaluar vetëm tre muaj prej se Muri i Berlinit ishte shembur dhe udhëheqësit perëndimorë po diskutonin hapur nëse do të ndodhte ribashkimi i Gjermanisë. Moskës, ky fakt i ngjallte frikë. Përëndimi gjithashtu po diskutonte që në rast të ribashkimit, a do të vendoseshin trupat e NATO-s në atë që njihej si Gjermania Lindore. Edhe ky fakt e tmerronte Moskën.

Sipas disa transkripteve të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, Sekretari Baker doli me idenë që do të ishte më mirë që të ndodhte bashkimi i Gjermanisë brenda strukturës politike dhe ushtarake të NATO-s, sesa jashtë saj.

“Gjatë diskutimeve, në asnjë moment, Baker ose Gorbachev nuk ngritën çështjen e zgjerimit të mundshëm të NATO-s në vendet e tjera të Paktit të Varshavës, përtej Gjermanisë”, thotë Mark Kramer, drejtori i Projektit të Studimeve të Luftës së Ftohtë në Qendrën Davis të Universitetit të Harvardit.

Ai ka studiuar transkriptet e deklasifikuara dhe materialet e tjera.

“Atyre kurrë nuk do t’iu kishte shkuar ndërmend të flisnin për një çështje që nuk ishte në agjendë, as në Uashington, as në Moskë dhe as në ndonjë kryeqytet tjetër të Paktit të Varshavës ose të NATO-s”, shkroi Kramer në një artikull në prill të vitit 2009 .

Një ditë pas takimit me Baker, Mikhail Gorbachev ishte takuar me kancelarin e atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore, Helmut Kohl.

Sipas hulumtimit të Kramerit, në këtë takim dominoi tema e bashkimit të Gjermanisë më shumë sesa në takimin me Baker.

“Gorbachev nuk kërkoi ndonjë siguri në lidhje me zgjerimin e NATO-s dhe sigurisht nuk mori asnjë”, shkroi Kramer.

Sipas ish-ambasadorit amerikan, Steven Pifer, i cili ka shërbyer në Departamentin e Shtetit në atë kohë, përfundimisht, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe, së bashku me Gjermaninë, ranë dakord të mos vendosnin forca jogjermane të NATO-s në ish-Gjermaninë Lindore.

Në vitin 1999, disa vite pas bashkimit të Gjermanisë dhe tërheqjes të të gjitha trupave sovjetike nga Evropa Lindore, NATO-ja pranoi tri ish-vendet e Traktatit të Varshavës: Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë.

Dhjetë vjet më vonë, gjatë një interviste për gazetën gjermane Bild, Mikhail Gorbachev u ankua se Perëndimi e ka mashtruar Moskën.

“Shumë njerëz në Perëndim, përfshirë edhe ata që na kishin premtuar se ‘nuk do të lëvizim një centimetër më në lindje’, në fshehtësi po fërkonin duart e tyre dhe e ndienin atë si një fitore të shpejtë”, u citua të ketë thënë Gorbachev.

Më vonë, ai duket se e përmirësoi deklaratën e tij, duke thënë se tema e zgjerimit nuk është diskutuar kurrë më 1989 dhe 1990.

“Po e them me përgjegjësi se tema e ‘zgjerimit të NATO-s’ nuk u diskutua kurrë, nuk u ngrit në ato vite”, tha ai për gazetën Kommersant në tetor të vitit 2014.

Nuk ishte e mundur të merrej një deklaratë nga Gorbachevi në lidhje me këtë çështje dhe një zëdhënës i tij, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje në postën elektronike.

“Fryma e Traktatit”

Sipas disa dokumenteve të deklasifikuara, ish-presidenti i Rusisë, Boris Yeltsin, ishte i kujdesshëm në lidhje me çështjen e zgjerimit të NATO-s, por nuk e kundërshtoi atë.

Në një letër që Yeltsin i shkroi ish-presidentit amerikan, Bill Clinton në shtator të vitit 1993, thuhej se “natyrisht se ne e kuptojmë, që çdo integrim i mundshëm i vendeve të Evropës Lindore në NATO nuk do ta bëjë atë një aleancë që disi do të kthehet kundër Rusisë”.

“Por, është e rëndësishme të merret parasysh se si mund të reagojë opinioni ynë publik ndaj këtij hapi”, kishte shkruar ai.

Megjithatë, Yeltsin kishte cituar ato që i cilësoi si garanca të dhëna ndaj zyrtarëve sovjetikë gjatë negociatave për bashkimin e Gjermanisë se “fryma e traktatit përjashton mundësinë e zgjerimit të NATO-s në lindje”.

Në përpjekje për të ulur shqetësimet e Moskës, katër vjet më vonë, NATO-ja dhe Rusia nënshkruan Aktin Themelues NATO-Rusi, një marrëveshje politike në të cilën ndër të tjera thuhet se “NATO dhe Rusia nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtare”.

Ato u pajtuan të krijojnë një Këshill konsultativ, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por ai u pa si joefektiv nga shumë rusë.

Dy vjet më vonë, NATO-ja pësoi zgjerimin më të madh në historinë e saj, duke pranuar edhe shtatë vende të Evropës Lindore, përfshirë shtetet baltike Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat kishin qenë republika të Bashkimit Sovjetik.

Edhe pse nuk ishte hera e parë që një vend anëtar i NATO-s kufizohej me Rusinë, tashmë me këtë zgjerim, forcat e NATO-s, potencialisht mund të ndodheshin vetëm 625 kilometra larg nga Moska.

Në vitin 2007, në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, presidenti Putin akuzoi NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara, për dyfishim të madhësisë së aleancës dhe kërcënim ndaj Rusisë.

“Është e qartë se zgjerimi i NATO-s nuk ka asnjë lidhje me modernizimin e vetë aleancës ose me garantimin e sigurisë në Evropë. Përkundrazi, ai përfaqëson një provokim serioz që ul nivelin e besimit të ndërsjellë”, deklaroi Putin.

“Çfarë ndodhi me garancitë që partnerët tanë perëndimorë i bën pas shpërbërjes së Traktatit të Varshavës? Ku janë ato deklarata sot?”, pyeti Putini.

Një vit pas fjalimit të Putinit, NATO-ja, gjatë një samiti në Bukuresht, i siguroi Ukrainën dhe Gjeorgjinë se vendin e kanë në aleancë, por nuk pranoi t’iu ofrojë atyre një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit.

Katër muaj më vonë, Rusia pushtoi Gjeorgjinë, duke okupuar dy rajone që gëzonin autonomi të plotë.

Më 2014, NATO anuloi çdo konsultë me Rusinë pasi ajo aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës dhe mbështeti luftëtarët separatistë në Ukrainën lindore. Incidentet në këtë rajon po vazhdojnë sot e kësaj dite.

Menjëherë pasi Parlamenti rus miratoi aneksimin e Krimesë, Putini tha në një fjalim se Rusia u poshtërua nga zgjerimi i NATO-s.

“Ata na kanë gënjyer shumë herë, kanë marrë vendime prapa shpinës sonë, na kanë vendosur para një akti të kryer”, pretendoi ai.

Shpërndarja e retorikës

Ndër njerëzit që i ka bërë jehonë pretendimit për premtime të Perëndimit bërë ish-Bashkimit Sovjetik, është edhe ambasadori i fundit i SHBA-së në Bashkimin Sovjetik, Jack Matlock, i cili ka këmbëngulur në mënyrë të përsëritur se Gorbachev kishte marrë garanci se nëse Gjermania bashkohej dhe qëndronte në NATO, kufijtë e NATO-s nuk do të lëviznin drejt lindjes.

Ish-zëvëndësministri i Jashtëm i Gjermanisë, Wolfgang Ischinger, i cili tani është kreu i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, tha se marrëveshjet mbi ribashkimin gjerman nuk kanë përmendur zgjerimin e NATO-s.

“Rusia ka qenë mjaft e suksesshme në shpërndarjen e retorikës se atyre u ishte premtuar se nuk do të kishte zgjerim të NATO-s”, tha Ischinger për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Rusia e paraqet veten si viktimë.

“Çfarëdo premtimesh për moszgjerimin që mund të jenë diskutuar më 1990, një fakt kokëfortë është që Rusia pranoi zgjerimin, kur ra dakord për Aktin Themelues NATO-Rusi”, tha Ischinger.

“Pretendimet e mëvonshme ruse janë propagandë”, shtoi ai.

Ish-diplomati rus, Sokov, tha se zgjerimi i NATO-s mund të ishte “menaxhuar” në atë mënyrë që të minimizonte keqkuptimet.

Një mundësi e humbur?

Zgjerimi i parë më 1999 u bë rreth periudhës së bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, që kishin për qëllim të ndalonin sulmet e forcave serbe kundër popullatës shqiptare të Kosovës.

Ky intervenim dhe pushtimi i Irakut më 2003, nxitën zemërimin e Moskës.

“Është gabim të shmangësh shqetësimet ruse”, tha Sokov.

Sipas tij, Akti Themelues i vitit 1997 kishte qëllim të mirë, siç kishte edhe krijimi i Këshillit NATO-Rusi më 2002.

Por, ai thekson se këto marrëveshje “nuk kanë funksionuar kurrë”, duke shtuar se NATO-ja shpesh merr veprime pa u konsultuar me Moskën dhe të cilat prekin sigurinë ruse ose atë rajonale.

“NATO-ja merr një vendim, pastaj mundohet që ta bindë Rusinë se ai ishte vendim i mirë. Kjo është një formulë për katastrofë”, tha ai, duke shtuar se ka qenë e mundur që NATO-ja të zgjerohej dhe të shmangej konflikti.

“Mundësia është humbur dhe po shohim përkeqësim të konfliktit, prandaj pyetja rreth garancive të dhëna nga Baker nuk është asgjë tjetër përveç një simbol,” tha ai.

Ekspertët tjerë thonë se problemi qëndron kryesisht në anën e Moskës, për shkak të mënyrës sesi Putini dhe Kremlini perceptojnë historinë e zgjerimit të NATO-s.

“Nocioni se NATO e shkeli premtimin se nuk do të pranojë anëtarë të Evropës Lindore është një nga idetë thelbësore që nxit pikëpamjen e Rusisë për një Perëndim armiqësor”, tha Keir Giles, një konsulent dhe bashkëautor i raportit të Chatham House.

Dhe situata mbase nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti.

Premtimi i pretenduar për moszgjerimin e NATO-s pa dyshim se do të mbetet një element i qëndrimit anti-NATO të Putinit, thotë ish-ambasadori amerikan, Pifer.

“Lideri rus dëshiron të paraqesë një Rusi të hidhëruar dhe kjo i përshtatet shumë mirë”, tha Pifer. (RFE)

Continue Reading

Lajmet

Kushtetuesja sqaron afatet për zgjedhjen e presidentit: Reagojnë Presidenca, LDK dhe LVV

Published

on

By

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e 6 marsit, ku u përcaktua një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e presidentit të ri para shpërndarjes automatike të Kuvendit, institucionet dhe krerët politikë kanë shprehur qëndrimet e tyre mbi rrugën që duhet ndjekur.

Presidenca e Kosovës, përmes një komunikate zyrtare, vlerësoi se ky vendim konfirmon ligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra nga Vjosa Osmani.

“Presidentja e Republikës së Kosovës e mirëpret aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili i konfirmon argumentet juridike të dorëzuara nga Presidenca rreth këtij rasti, si dhe konfirmon se Presidentja Osmani nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, thuhej në njoftim, duke shtuar se përgjegjësia për zgjedhjet e mundshme bie mbi organin legjislativ.

“Nuk është dekreti ai që e çon vendin në zgjedhje të reja, por është dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të ri ai që i shkakton këtë proces”, potencoi Presidenca, duke u bërë thirrje deputetëve që urgjentisht të caktojnë seancën për votim.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se vendimi ka sjellë qartësinë e nevojshme dhe duhet të shërbejë si udhërrëfyes për hapat e mëtutjeshëm, ndonëse theksoi se barra kryesore i takon pushtetit.

“Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin. Përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare, e cila duhet të ofrojë zgjidhje sepse pa votat e saj ky proces nuk mund të përmbyllet”, shkroi Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja nuk do të bëhet “alibi e dështimeve të askujt”.

Ai insistoi se figura e re e presidentit nuk duhet të jetë një zgjatim i partisë në pushtet, por një profil që garanton balancë.

“Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës”, përfundoi kreu i LDK-së.

Ndërkaq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila bëri thirrje për një qasje pragmatike në mënyrë që të shmanget bllokada totale e institucioneve.

Ajo nënvizoi se afati prej 34 ditësh duhet të shfrytëzohet për dialog mes forcave politike, pa e ndalur punën e përditshme të Kuvendit.

“Është shumë e rëndësishme që e para Kuvendi të vazhdojë punën, e dyta që të ketë një kompromis dhe dakordim mes forcave politike për zgjedhjen e presidentit” është shprehur Kusari-lila në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Tutje ajo tha se “Derisa vazhdojnë negociatat për një person konsensual, besoj që mund të vazhdojmë me agjendën legjislative”, deklaroi Kusari-Lila, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në këtë fazë kritike.

Continue Reading

Aktualitet

Zhvillimet e fundit në bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit

Published

on

By

Gjatë një deklarate të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u shpreh se Presidenti Trump ka qenë i angazhuar gjatë tri ditëve të fundit në “biseda produktive” me Iranin.

Ajo shtoi se operacioni është “përpara afatit” dhe se regjimi iranian po kërkon një “rrugëdalje”. Megjithatë, ky mesazh bie në kundërshtim të plotë me tonin e Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i cili deklaroi më vonë se Irani “nuk ka ndërmend të negociojë për momentin”.

Araghchi specifikoi se mesazhet janë “përcjellë përmes vendeve miqësore”, por theksoi se këto shkëmbime nuk përbëjnë “as dialog, as negociata dhe asgjë të tillë”.

Pavarësisht kësaj, Trump insiston se iranianët “po negociojnë”, duke pretenduar se ata kanë frikë ta thonë këtë publikisht sepse mendojnë se do të vriten nga populli i tyre ose nga SHBA-ja.

Raporte kundërthënëse ka pasur edhe sa u përket propozimeve për t’i dhënë fund luftës, ku të mërkurën u raportua se Irani ka marrë një plan me 15 pika nga SHBA-ja për arritjen e një armëpushimi.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë politik dhe i sigurisë iranian u citua nga transmetuesi shtetëror Press TV të ketë thënë se ata kanë pesë kushte për t’i dhënë fund luftës, përfshirë pagesën e dëmeve të luftës dhe reparacioneve, si dhe përfundimin e luftimeve në të gjitha frontet. Ndërkohë që diskutohet për diplomaci, luftimet në terren po vazhdojnë.

Tym i zi është parë mbi një stacion energjetik izraelit pas një sulmi të raportuar me raketa iraniane, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë dëgjuar sërish në Teheran. /Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Deçan nën dyshimin për dhunim

Published

on

By

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi në Deçan, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit para disa javësh.

Sipas raportit zyrtar, bëhet fjalë për një të dyshuar burrë kosovar, i cili është vënë në pranga pas hetimeve lidhur me rastin e raportuar nga viktima femër kosovare.

Ndërsa me urdhër të prokurorit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për ekzaminime mjekësore gjinekologjike.

Pas intervistimit të të dyshuarit, prokurori ka nxjerrë vendim që ai të dërgohet në mbajtje për procedime të mëtejshme hetimore.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Dy raste të armëmbajtjes pa leje në rajonin e Gjilanit

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se janë evidentuar dy raste të armëmbajtjes pa leje në qytetin e Vitisë dhe Kamenicës.

Në fshatin Tërpezë të Vitisë, një person ka dorëzuar vullnetarisht në stacionin policor një armë zjarri, pasi i kishte skaduar afati i lejes.

Ndërkohë, në fshatin Berivojc të Kamenicës, njësitet policore kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari, ku kanë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë gjysmë-automatike, 100 fishekë dhe tetë karikatorë.

Lidhur me të dyja rastet është konsultuar prokurori kompetent, i cili ka udhëzuar që pas intervistimit të personave të dyshuar, ata të lirohen në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Të kërkuara