Botë

Vritet nga një shpërthim në Moskë themeluesi i një batalioni që lufton në Ukrainë

Published

on

Autoritetet ruse njoftuan se një shpërthim në një kompleks banesor në Moskë ka lënë të vdekur disa njerëz, përfshirë themeluesin e një batalioni që lufton përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Shpërthimi i 3 shkurtit është më i fundit në një valë shpërthimesh dhe sulmesh, duke ngjallur frikë për rikthimin e dhunës së bandave që kishte përfshirë kryeqytetin rus në vitet e ’90-ta.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, i citoi autoritetet të kenë thënë se mjeti shpërtheu rreth orës 9:45 në mëngjes. Mjeti me gjasë ishte dërguar në kompleksin banesor, Alye Parusa, nga korrieri.

Në mesin e viktimave ishte edhe Armen Sarkisian, themeluesi i një batalioni ushtarak me përkatësi armene, i cili ka luftuar në Ukrainë përkrah trupave ruse. Agjencitë e lajmeve Interfax dhe TASS cituan zyrtarë të paemëruar që thanë se ai vdiq pasi u dërgua në spital në gjendje të rëndë.

Dëshmitarët thanë se në kohën e shpërthimit, Sarkisian u pa duke ecur në një korridor të ndërtesës drejt një parkimi.

TASS citonte një zyrtar të paemëruar të forcave të rendit që tha se me gjasë ky ka qenë tentativë për vrasje.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Gazeta Kommersant raportoi se truproja i tij, Oleg Kasperovich, u vra dhe një truprojë tjetër u plagos rëndë.

Batalioni që Sarkisian thuhet se e ka themeluar quhet ArBat, tani formalisht pjesë e Redut, një rrjet mercenarësh të mbështetur nga inteligjenca ushtarake ruse.

Autoritetet ukrainase e kanë akuzuar Sarkisianin për përfshirje në dhunën e protestave të rrugës Maidan në Kiev në vitin 2014.

Sipas mediave ukrainase, ai gjithashtu është mik i ngushtë i ish-presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, i cili iku në Rusi pas protestave të Maidanit në vitin 2014.

Në prill të vitit 2018, Sarkisian u ndalua në Francë, ku po priste ekstradimin në Ukrainë. Megjithatë, ai u lirua pas dy ditësh “me garanci personale”.

Shpërthimi i së hënës është i dyti në muajt e fundit në kryeqytetin rus që ka tronditur banorët dhe ka ngjallur frikën për rikthimin e dhunës në rrugë që Moska e përjetoi gjatë viteve ‘90.

Në dhjetor, një gjeneral i lartë i forcave ruse të mbrojtjes kundër armëve kimike dhe biologjike u vra kur një skuter elektrik shpërtheu në trotuar pranë ndërtesës së tij./REL/

Aktualitet

Trump pretendon “armëpushim energjetik” mes Rusisë e Ukrainës, Kievi raporton sulme të reja

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë daktord për një “armëpushim energjetik” me efekt të menjëhershëm, mirëpo pa dhënë detaje shtesë për marrëveshjen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i papritur nga ky njoftim, por konfirmoi se Kievi është i gatshëm të pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trump-it, Zelensky akuzoi Rusinë se goditi me dronë një central elektrik në Kiev dhe objekte energjetike në Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kërkesa e Trump-it ndaj Ukrainës për ndalimin e goditjeve mbi rafineritë ruse lidhet me një marrëveshje për importin e naftës dizele ruse, e cila ka pezulluar përkohësisht disa sancione me synim uljen e çmimeve të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo iniciativë ka nxitur kritikave të ashpra nga Zelensky, zyrtarë evropianë dhe politikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe BE-ja kanë shprehur mbështetje për idenë e një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik, ndërsa Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Rritet në pesë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Stamboll, përfundojnë kërkim-shpëtimet

Published

on

By

Ka arritur në pesë numri i personave të vdekur nga shembja e tre kateve të një pallati shtatëkatësh në lagjen “Cevizli” të zonës Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, pasi nga rrënojat u nxorën edhe tre trupa të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prefekturës së Stambollit, katër persona ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një i pestë vdiq në spital nga plagët e marra. Operacionet e kërkim-shpëtimit u përmbyllën zyrtarisht sot në orën 06:15 pas gjetjes së trupit të fundit, ndërsa në vendngjarje po vazhdon pastrimi i rrënojave.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë evakuuar 55 banorë nga tre ndërtesa fqinje, prej të cilëve 44 persona janë strehuar përkohësisht në hotele.

Ndërkohë, shkaqet e shembjes mbeten nën hetim të rreptë. Ekspertët kanë marrë mostra të betonishtes dhe armaturës metalike për analiza, ndërsa policia ka arrestuar arkitektin e ndërtesës dhe përgjegjësin e kantierit të ndërtimit. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përmbylljen e fazës së kërkimeve dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave. /TRT/

Continue Reading

Aktualitet

Sulme me raketa në aeroportin e Riadit: Tre të vrarë, pezullohen fluturimet

Published

on

By

Të paktën tre qytetarë sauditë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e dy sulmeve në aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit, Riad, ka njoftuar autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.

Sipas raportimeve, sulmi i parë kishte në shënjestër objektet e aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore “Saudia”. Burime nga aeroporti bëjnë të ditur se mbetjet e raketave të kapura nga sistemi mbrojtës kanë rënë mbi njërin nga terminalet. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një avioni Airbus A320 duke u djegur në pistë, i cili sipas raportimeve të medieve ishte i parkuar dhe pa pasagjerë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt Riadit deri më 16 tetor.

Përgjegjësinë për sulmet dyshohet se e mbajnë kryengritësit Huthi të mbështetur nga Irani, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar se objektet e naftës dhe infrastruktura strategjike në Arabinë Saudite mund të jenë shënjestra të ardhshme të goditjeve të tyre. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Në Gjermani vriten dy zyrtarë gjatë një kontrolli rutinë të armëve, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Policia gjermane ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Berngau të Bavarisë.

Sipas autoriteteve, viktimat janë dy nëpunës civilë të distriktit Neumarkt — një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare. Megjithëse fillimisht u raportua se zyrtarja kishte mbetur e plagosur rëndë, policia më vonë konfirmoi se ajo ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Pas sulmit pasditen e së enjtes, i dyshuari u ngujua për orë të tëra brenda një ndërtese. Policia rrethoi zonën, udhëzoi banorët të qëndrojnin brenda shtëpive dhe angazhoi njësitë e forcave speciale. Pavarësisht thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, i dyshuari refuzoi dhe paralajmëroi rezistencë.

Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale ku u përdorën edhe eksplozivë, 60-vjeçari mbeti i plagosur lehtë në këmbë nga një plumb i policisë dhe më pas u vu në pranga. Ai ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa motivet e këtij krimi mbeten ende të panjohura. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara