Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim për vrasjen e shtetases argjentinase, e cila ishte e dashura e tij, ngjarje kjo e ndodhur në Fushë-Kosovë në vitin 2023.
Vendimi u bë publik nga kryetari i trupit gjykues, Gazmend Bahtiri, së bashku me anëtarët e trupit gjykues Gëzim Ademi dhe Alltën Murseli.
Sipas gjykatës, pas shqyrtimit të provave materiale dhe dëshmive personale, është vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se veprimet e të akuzuarit përbëjnë elementet e veprës penale “Vrasje e rëndë”. Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar, në instancën më të lartë.
Në seancën e shpalljes së vendimit morën pjesë prokurori Armend Hamiti, i akuzuari së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Drilon Imeri, si dhe pala e dëmtuar e përfaqësuar nga avokati Betim Shala.
I akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 28 maj 2025.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika më 1 gusht 2023, në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij – tani të ndjerën M.K.-U. – fillimisht e kishte sulmuar fizikisht dhe kishte tentuar ta godiste me veturë në parkingun e hotelit.
Sipas përshkrimit në aktakuzë, pasi kishin hyrë në dhomë, ai kishte vazhduar ta godiste viktimën dhe, në kulmin e përleshjes, e kishte shtyrë drejt dritares, duke e hedhur nga kati i gjashtë. Si pasojë e plagëve të marra, viktima ndërroi jetë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës, pavarësisht ndihmës mjekësore.
Me këto veprime, i akuzuari u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.