Kronikë e zezë

Vrasja për 20 euro borxh, i akuzuari thotë se familja e tij s’mund të lëvizë lirshëm shkaku i raporteve me atë të viktimës

Ahmeti po akuzohet se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020.

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, ka përfunduar procedura e provave me dhënien e mbrojtjes nga akuzuari Sylejman Ahmeti, i cili tha se familja e tij nuk mund të lëvizë lirshëm pasi nuk i ka rregulluar raportet me familjen e tani të ndjerit.

Ahmeti po akuzohet se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës për shkak të një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ahmeti ka thënë se familja e tij kanë tentuar të rregullojnë raportet me familjarët e të ndjerit Sh.K dhe t’i kërkojnë falje, por që ata nuk kanë pranuar një gjë të tillë dhe se për këtë ai tha se familja e tij nuk mund të lëvizin lirshëm.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Teuta Krusha, se a është e vërtetë se gjatë bisedës mes tani të ndjerit Sh.K dhe Nijazi Ahmetit ka pasur fyerje dhe sharje, i akuzuari Ahmeti ka pohuar se mes tyre ka pasur mosmarrëveshje por që nuk e di arsyen e kësaj. Ai ka shtuar se tani është në dijeni se kjo mosmarrëveshje ka qenë për shkak të borxhit për punimet e kryera më herët.

Tutje, ai ka mohuar faktin se veprimet të cilat i ka bërë ditën kritike të kenë qenë arsyeja e borxhit që i ndjeri Sh.K i kishte pasur Nijazi Ahmetit.

Po ashtu, ai tha se në ditën kritike ka kontaktuar me tani të ndjerin Sh.K dhe i ka kërkuar që të takohen për të sqaruar problemin që kishte me vëllanë e tij Nijaziun.

“Unë e kam lutur Sh. që të takohemi të pijmë kafe dhe të bisedojmë për çfarë problemi bëhet fjalë, mirëpo Sh. nuk e ka pranuar ofertën time”, tha i akuzuari Ahmeti.

I pyetur se a është shkaktar vëllai i tij Nijaziu për vrasjen që ka ndodhur në ditën kritike, Ahmeti ka thënë se i njëjti nuk është shkaktar për këtë vrasje.

“Jo nuk është, nuk e kisha ba as për Nijazin as për askënd”, tha Ahmeti.

Ndërsa, në pyetjet e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Raima Elezi lidhur me borxhin që kishte i ndjeri Sh.K ndaj Nijaziut, i akuzuari tha se ashtu siç kishte deklaruar vëllai Nijaziu para trupit gjykues, ai ia ka kërkuar borxhin e pastaj kanë vazhduar me sharje e fyerje.

Tutje shtoi se Nijaziu nuk kishte dalë në takim që paraprakisht kishte lënë me të ndjerin Krasniqi sepse sipas tij Shaipi ka pasur për qëllim që ta rrihte atë dhe se këtë gjë e ka kuptuar më vonë kur ka hyrë në burg.

Kurse, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Luan Berisha nëse i kujtohet momenti kur kishte shkuar të marrë armën tek kamioneta, i akuzuari tha se nuk ka shkuar në kamionetë me atë qëllim por që të shkojë në shtëpinë e tij.

Gjithashtu, ai tha se para veprimit përfundimtar nuk ka pasur qëllim të keq përveç se të merren vesh mes vete.

Po ashtu, ai tha se në ditën kritike ka pasur armën e tij në kamionetë për arsye se në fshat ka shumë egërsira dhe se e ka mbajtur vetëm në rastet kur ka shkuar të ruajë livadhet, arat dhe fushat dhe se natën kritike ka pasur ndërmend të bëjë një gjë të tillë.

Ndryshe, në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Nazmi Mustafi ka propozuar që të bëhet ekspertizë e re neuropsikiatrike, duke kundërshtuar ekspertizën e bërë të Institutit të Psikiatrisë dhe Forenzikës të Kosovës (IPFK) më 28 mars 2022, të cilën e cilësoi si të mangët.

Për këtë, ai tha se deri tek ky propozim ka ardhur në bazë të deklaratës së ekspertit Ajet Bunjaku pasi që sipas tij i njëjti kishte thënë që nuk kishte poseduar tërë dokumentacionin e nevojshëm.

Propozimin e avokatit Mustafi, e ka kundërshtuar prokurori Metush Biraj, i cili tha se ky propozim është dashur të bëhet para se të përfundojë procedura e provave dhe se sipas tij qëllimi i mbrojtjes është vetëm që të zvarrisë procedurën.

Kundërshtime ka paraqitur edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës Kumrije Krasniqi, avokati Miftar Qelaj me arsyetimin se këtë propozim është dashur ta bëjë pas deklaratës së ekspertit lidhur me raportin e IPFK-së.

Më pas, gjykatësja Krusha e ka refuzuar propozimin e mbrojtjes me arsyetimin se mbrojtja nuk ka propozuar ekspertizë të re pas dhënies së vërejtjeve pas dëgjimit të ekspertit Bunjaku dhe se ky propozim nuk mbështetet në asnjë provë.

Pas kësaj, avokat Mustafi i është drejtuar prokurori Biraj me fjalët “nuk është puna vetëm dënoje njeriun”, e që ky i fundit reagimin e avokatit e konsideroi si të palogjikshëm dhe shtoi se prokurori nuk dënon por vetëm akuzon.

Seanca e sotme është ndërprerë për arsye se avokati Mustafi ka kërkuar kohë që të përgatisë fjalën përfundimtare. Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 11 gusht 2022.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Sylejman Ahmetin se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e Liman Aliut.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Krasniqi vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L. e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit Liman Aliu, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, Agron Krasniqin dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q* shtatë mijë n, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, Ahmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Lajmet

Mbi dy mijë tiketa trafiku në raportin 24-orësh të Policisë

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka qenë mjaft aktive në teren, ku sipas raportit të fundit janë shqiptuar gjithsej 2270 tiketa trafiku për shkelësit e rregullave të komunikacionit.

Përkundër kontrolleve të rrepta, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 47 aksidente, prej të cilëve 21 përfunduan me persona të lënduar dhe 26 me dëme materiale, ndërsa fatmirësisht nuk u shënua asnjë rast me fatalitet.

Sa i përket rendit dhe ligjit, policia ka arrestuar 14 persona për vepra të ndryshme penale. Me vendim të prokurorit, 8 prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa 4 persona janë dërguar në vuajtje të dënimit.

Gjatë këtij raportimi 24-orësh, nuk është regjistruar asnjë person në ndalim policor.

Continue Reading

Kronikë e zezë

Prizren: Aksident fatal me motor, humb jetën një shtetas i huaj

Published

on

By

Një shtetas i huaj ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur dje në Prizren, ku motori me të cilin po udhëtonte është rrokullisur.

Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet përkatëse policore kanë nisur hetimet për rrethanat e aksidentit.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Continue Reading

Lajmet

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje dhe kanosjes në disa qytete të ndryshme.

Sipas raportit lidhur me këto raste janë arrestuar katër persona.

Në Drenas është arrestuar një i dyshuar pasi ka sulmuar fizikisht dhe ka kanosur një grua, e cila ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ngjashëm, në Podujevë dhe Kamenicë, dy persona janë dërguar në mbajtje nën dyshimin për dhunë në familje dhe kanosje ndaj viktimave.

Në Mitrovicën e Jugut, një person nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar fizikisht një grua, e cila ka marrë ndihmë mjekësore, mirëpo i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë po ashtu është raportuar një rast i kanosjes ku i dyshuari po hetohet në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Vushtrri policia po vazhdon hetimet për një rast tjetër të dhunës ku viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor. Të gjitha rastet janë iniciuar në koordinim me prokuroritë përkatëse.

Continue Reading

Lajmet

Tri raste te dhunës në familje brenda një dite

Published

on

By

Në raportin e Policisë së Kosovës në 24 orët e fundit janë regjistruar tri raste të dhunës në familje dhe sulmeve ndaj integritetit personal.

Rasti i parë është shënuar në Prishtinë, ku është arrestuar një person i dyshuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra pas një mosmarrëveshjeje. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast i rëndë është raportuar në Gjakovë, ku një vajzë e mitur ka denoncuar se është sulmuar seksualisht nga një person. Policia ka reaguar menjëherë duke arrestuar të dyshuarin, i cili me vendim të prokurorit tashmë gjendet nën masën e ndalimit policor.

Ndërkaq, në Leposaviq, një grua me shtetësi serbe ka njoftuar policinë se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj gjatë orëve të mbrëmjes. Palët në këtë rast janë intervistuar nga hetuesit, ndërsa me vendim të prokurorisë, i dyshuari është liruar dhe rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt hetimore.

 

Continue Reading

Të kërkuara