Teknologji

Viti i ndryshimeve në rrjetet sociale: Twitter shkoi, Threads erdhi, IA hyri në lojë

Published

on

Associated Press

E humbëm Twitter-in dhe e fituam X-in. I provuam Bluesky-in dhe Mastodon-in (epo, disa nga ne e bëmë). U shqetësuam për ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale (IA) dhe për shëndetin mendor të të rinjve. Kaluam kohë në biseda private online dhe u sorollatëm pafundësisht nëpër rrjete sociale siç bënim edhe në vitet e kaluara. Për përdoruesit e rrjeteve sociale, viti 2023 ishte një vend i fillimeve dhe i mbarimeve.

Më poshtë mund t’i lexoni disa prej ndodhive më të mëdha në rrjetet sociale më 2023 – si dhe çfarë të presim vitin e ardhshëm:

Lamtumirë Twitter

Para pak më shumë se një viti, Elon Musk u fut në zyrat qendrore të Twitter-it në San Francisko, e shkarkoi shefin ekzekutiv të tij dhe shefat e tjerë të lartë, duke e nisur shndërrimin e platformës së rrjetit social në atë që sot njihet si X.

Musku e zbuloi logon e X-it në korrik. Ai e ndryshoi shpejt emrin e Twitter-it dhe ikonën e kaltër të zogut, online dhe në zyrat qendrore të kompanisë në San Françisko.

“Dhe, së shpejti, ne do t’i themi lamtumirë markës së Twitter-it dhe, dalëngadalë, të gjithë zogjve”, shkroi Musk.

Për shkak të natyrës publike dhe për shkak se tërhiqte figura publike, gazetarë dhe përdorues të tjerë të profilit të lartë, Twitter-i gjithmonë ka pasur ndikim të madh në kulturën popullore – por ky ndikim duket se po shkon drejt shuarjes.

“Kishte shumë telashe edhe para se Musku ta merrte në dorë, ishte një markë e dashur me një rol të qartë në mjedisin e rrjeteve sociale”, tha Jasmine Enberg, analiste e rrjeteve sociale në Insider Intelligence.

Prejse u ble nga Musk, X-i është bombarduar me akuza për keqinformim dhe racizëm, ka pësuar humbje të mëdha financiare dhe rënie në përdorim. Musku tha se reklamuesit, të cilët u tërhoqën ishin të përfshirë në “shantazh” dhe u kërkoi atyre të “zhdukeshin”.

Duke i mirëpritur përdoruesit, të cilët ishin pezulluar nga ish-Twitter për shkak të gjuhës së urrejtjes, apo përhapjes së keqinformimit, në dhjetor, Musku ia ktheu llogarinë teoricienit konspirativ Alex Jones, duke u bazuar në një sondazh joshkencor që e kishte bërë me ndjekësit e vet. Jones e kishte cilësuar vazhdimisht si të rremë sulmin me të shtëna në shkollën “Sandy Hook” më 2012.

LGBTQ-ja dhe organizata të tjera që përkrahin grupet e margjinalizuara, ndërkohë, kanë alarmuar se X-i po bëhet vend më i pasigurt. Në prill, për shembull, X-i e hoqi në qetësi një rregullore e cila i mbronte transgjinorët. Në qershor, grupi avokues GLAAD e quajti atë si “platformën më të rrezikshme për njerëzit LGBTQ”. GLSEN, një grup edukues i LGBTQ-së, njoftoi në dhjetor se po largohet nga X-i, duke iu bashkuar edhe grupeve të tjera.

Përshëndetje X, Threads dhe Bluesky

Ndër ambiciet e Muskut për X-in është edhe shndërrimi i kësaj platforme në një “aplikacion për gjithçka” – sikurse WeChat në Kinë, për shembull. Puna është se nuk dihet nëse audiencat në SHBA dhe Perëndim janë të etura për një ide të tillë. Edhe vetë Musku është i paqartë për hollësitë.

Derisa X-i po vuan nga një krizë e identitetit, disa përdorues janë në kërkim të një zëvendësuesi. Mastodon ishte njëri nga kandidatët, bashkë me Bluesky, i cili në fakt, doli nga Twitter-i.

Dhjetëra mijëra njerëz, shumica përdorues të ngopur me Twitter-in, filluan të regjistrohen në aplikacionin Bluesky në pranverë, i cili ende funksionon vetëm me ftesa. Ky aplikacion ka më pak se vetëm 10 punëtorë, thotë drejtoresha e tij ekzekutive, Jay Graber.

Kjo nënkuptoi “përpjekje për ta bërë çdo gjë të jetë funksionale, për t’i mbajtur njerëzit online, përpjekje për të shtuar veçori, të cilat i kishim në udhëzues”, tha ajo, duke shtuar se “puna vetëm sa po rritej për t’u siguruar se sistemet mund ta përballonin fluksin e njerëzve”.

Duke e parë mundësinë për t’i joshur përdoruesit e pakënaqur të Twitter-it, pronarja e Facebook-ut, Meta, e lëshoi rivalin e tij, Threads, në korrik. Kjo platformë u rrit shpejt, pasi dhjetëra miliona njerëz filluan të regjistroheshin në të, megjithëse për të ka qenë goxha sfidë t’i mbajë njerëzit brenda. Pastaj, në dhjetor, shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, njoftoi befasisht se kompania po e testonte ndërveprueshmërinë – idenë e nisur nga Mastodon dhe Bluesky dhe rrjetet e tjera sociale, të cilat ua mundësojnë njerëzve të jenë në gjendje t’i përdorin llogaritë e veta në platforma të ndryshme – pak a shumë sikur email adresat, apo numrat telefonikë.

“Po e fillojmë një testim ku postimet nga llogaritë në Threads do të jenë në dispozicion në Mastodon dhe shërbimet e tjera që përdorin protokollin ActivityPub”, shkroi Zuckerberg.

Shqetësimet për shëndetin mendor

Ndikimi i rrjeteve sociale në shëndetin mendor të fëmijëve është rritur këtë vit, me kryemjekun amerikan që paralajmëroi në maj se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për të treguar se rrjetet sociale janë vend i sigurt për fëmijët dhe adoleshentët.

Ai u bëri thirrje kompanive teknologjike, prindërve dhe kujdestarëve të ndërmarrin veprime të menjëhershme për t’i mbrojtur fëmijët.

“Ne u bëjmë thirrje prindërve ta menaxhojnë një teknologji, e cila është duke u zhvilluar me shpejtësi të madhe, e cila thelbësisht e ndryshon mënyrën se si fëmijët e tyre mendojnë për veten, mënyrën se si ata ndërtojnë shoqëritë e tyre dhe mënyrën se si e përjetojnë botën”, tha Vivek Murthy për Associated Press.

Në tetor, dhjetëra shtete amerikane e paditën Meta-n për dëmtimin e të rinjve dhe për ndikimin në krizën e shëndetit mendor te të rinjtë, duke dizajnuar me vetëdije veçori në Instagram dhe Facebook, të cilat i bëjnë fëmijët të varur nga platformat e tyre.

Gjërat për të cilat duhet të jemi të vëmendshëm më 2024

Miqtë tuaj të inteligjencës artificiale kanë mbërritur – por ‘chatbot’-ët janë vetëm fillimi. Duke qëndruar në oborrin e kompanisë së tij në Menlo Park, Kaliforni, Zuckerbergu tha në vjeshtë se Meta është “e përqendruar në ndërtimin e një të ardhme të lidhjes njerëzore” – dhe tregoi se si në të ardhmen e afërt njerëzit mund të ndërveprojnë me versionet prej hologrami të miqve të tyre apo kolegëve, dhe me ‘bot’-ët e inteligjencës artificiale, të ndërtuar për t’iu asistuar atyre.

Kjo kompani shpalosi një ushtri të ‘bot’-ëve të inteligjencës artificiale – me të famshmit si Snoop Dogg dhe Paris Hilton i huazuan fytyrat e tyre për to – që përdoruesit e rrjeteve sociale të ndërveprojnë me ta.

Vitin e ardhshëm, inteligjenca artificiale do të “integrohet në praktikisht çdo cep të platformave”, tha Enberg.

“Aplikacionet e rrjeteve sociale do ta përdorin inteligjencën artificiale për ta nxitur përdorimin, fitimin nga të hyrat dhe reklamat, rritjen e abonuesve dhe aktiviteteve komerciale. Inteligjenca artificiale do ta shtojë varësinë e përdoruesve dhe reklamuesve, si dhe marrëdhëniet me mediat sociale, por zbatimi i saj nuk do të jetë i lehtë, sepse do të ketë edhe rritje të rregullave dhe mbikëqyrjes”, shtoi ajo.

Duke qenë se do të ketë zgjedhje të rëndësishme presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Indi dhe vende të tjera, roli i inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në keqinformim do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes së vazhduesve të rrjeteve sociale./REL

Teknologji

OpenAI lanson modelet zërore “GPT-Live” që dëgjojnë dhe flasin njëkohësisht

Published

on

By

Kompania OpenAI ka lansuar të mërkurën “GPT-Live”, një familje të re të modeleve zërore, të cilat janë të kapshme të dëgjojnë dhe të flasin në të njëjtën kohë në kohë reale.

Startup-i i inteligjencës artificiale, i cili po përgatitet për të dalë në bursë (IPO), njoftoi se do të nxjerrë në treg dy versione të këtij modeli – GPT-Live-1 dhe GPT-Live-1 mini – për përdoruesit në mbarë botën po të mërkurën.

Në maj, OpenAI prezantoi tre modele audio për platformën e saj të zhvilluesve, me qëllim që t’i bëjë agjentët softuerikë të bazuar në zë më bashkëbisedues dhe më të aftë për të kryer detyra në kohë reale. /Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Teknologji

Instagram sjell funksionin e shumëpritur: Tani mund ta riorganizoni profilin sipas dëshirës

Published

on

Instagram ka prezantuar zyrtarisht funksionin e ri që u mundëson përdoruesve të riorganizojnë postimet në profilin e tyre, pa marrë parasysh se kur janë publikuar.

Pas një pritjeje të gjatë, përdoruesit tani mund të ndryshojnë renditjen e fotografive dhe videove në rrjetën e profilit, duke krijuar estetikën dhe paraqitjen që dëshirojnë.

Funksioni ishte paralajmëruar vitin e kaluar nga kreu i Instagramit, Adam Mosseri, ndërsa tani është i disponueshëm globalisht. Për ta përdorur, mjafton të mbani të shtypur një postim në profil dhe të zgjidhni opsionin “Riorganizo rrjetin”, ku më pas mund të lëvizni postimet sipas preferencës.

Meta ka bërë të ditur se kjo ka qenë një nga veçoritë më të kërkuara nga përdoruesit e Instagramit, duke shtuar se është punuar gjatë për ta sjellë funksionin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Megjithatë, postimet e fiksuara (pinned posts) do të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të profilit dhe nuk do të shfaqen në opsionin për riorganizimin e rrjetës.

/A.K/

Continue Reading

Teknologji

OpenAI ndalon përdorimin e AI-së për mbikëqyrje ndaj amerikanëve pas reagimeve publike

Published

on

By

OpenAI ka njoftuar ndryshime në marrëveshjen që kishte lidhur me qeverinë amerikane për përdorimin e teknologjisë së saj në operacione të klasifikuara ushtarake, pas reagimeve të ashpra nga përdoruesit dhe publikimi i marrëveshjes fillestare.

Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, tha se marrëveshja do të përfshijë gjuhë që ndalon shprehimisht përdorimin e sistemeve të kompanisë për mbikëqyrje të brendshme ndaj shtetasve amerikanë. Ndryshimet gjithashtu parashikojnë që agjencitë e inteligjencës, si NSA, nuk do të mund të përdorin sistemet e OpenAI pa modifikime të mëtejshme të kontratës.

Marrëveshja fillestare kishte nxitur debate pasi rivalja e OpenAI, Anthropic, u përplas me Departamentin e Mbrojtjes për përdorimin e modelit të saj Claude për mbikëqyrje masive dhe armë autonome. OpenAI pranoi se nxituan me njoftimin e së premtes, duke e cilësuar atë “opportunist dhe të nxituar”.

Reagimet e përdoruesve ishin të menjëhershme: sipas Sensor Tower, numri i çinstalimeve të ChatGPT u rrit 200% nga norma e zakonshme që nga momenti i njoftimit. Ndërkohë, modeli Claude i Anthropics u radhit në vendin e parë në App Store të Apple.

AI përdoret nga ushtria për të thjeshtuar logjistikën dhe përpunuar shpejt informacion të madh. Shtetet si SHBA, Ukraina dhe NATO përdorin teknologji të Palantir për inteligjencë, mbikëqyrje dhe operacione ushtarake, ndërsa ekspertët theksojnë rëndësinë e mbikëqyrjes njerëzore mbi vendimet e AI-së.

Profesoresha Mariarosaria Taddeo nga Universiteti i Oksfordit paralajmëroi se largimi i Anthropics nga Pentagoni do të lërë një “mungesë të aktorit më të kujdesshëm për sigurinë” në përdorimin e AI-së për qëllime ushtarake, duke e konsideruar këtë një problem serioz.

Ky lajm tregon tensionin dhe sfidat që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në operacionet ushtarake dhe kontrollin e saj nga qeveritë dhe kompanitë private. /BBC/

Continue Reading

Teknologji

Google paralajmëron përdoruesit e WhatsApp për këtë funksion

Published

on

By

Së fundmi u zbulua një dobësi serioze e sigurisë në WhatsApp. Qendër e problemit ishte një funksion që shumë përdorues e kishin aktivizuar pa e ditur.

Ne shpjegojmë pse shkarkimet automatike janë të rrezikshme dhe si mund të mbroheni tani. Sulmi përmes grupeve të WhatsApp.

Sipas shërbimit të sigurisë IT Malwarebytes dhe zbulimeve të Project Zero të Google, sulmuesit shtuan viktimat e tyre pa paralajmërim në grupe WhatsApp dhe dërguan aty skedarë të manipuluar.

Meqë WhatsApp shkarkon mediat automatikisht si parazgjedhje, këta skedarë u ruajtën menjëherë në telefonat e viktimave. Veçanërisht të prekur ishin pajisjet Android, raporton gazeta gjermane Bild

Problem i madh: Nuk shfaqej asnjë pyetje sigurie ose paralajmërim. Kështu, malware ishte tashmë në telefon, pa pëlqimin aktiv të përdoruesit. Gjithçka që nevojitej nga sulmuesit ishte numri i telefonit i viktimës.

Skedari duhej të hapej për të shkaktuar dëmin, por sipas ekspertëve, sulmuesit përdorën edhe truke psikologjike – si thirrje ose mesazhe që të bindnin përdoruesin ta hapte skedarin.

Update-i nuk mjafton gjithmonë Kompania Meta publikoi një përditësim për të mbyllur dobësinë. Google e vlerësoi fillimisht këtë patch si të paplotë. Tani ekziston një fix i plotë.

Megjithatë, ekspertët këshillojnë që të mos mbështeteni vetëm te përditësimet, por të merrni vetë masa mbrojtëse. Këto masa duhet të merrni tani: Çaktivizoni shkarkimet automatike Hapni WhatsApp Shkoni te “Cilësimet” Zgjidhni “Ruajtja dhe të dhënat” Tek “Shkarkimi automatik i mediave” hiqni të gjitha shenjat tek të gjitha llojet e skedarëve Në iOS: tek të gjitha mediat vendosni “Kurrë” Shënim: Fotot dhe videot nuk do ruhen më automatikisht edhe në biseda individuale.

Parandaloni ruajtjen në galeri Hapni cilësimet e WhatsApp Shkoni te “Bisedat” Çaktivizoni “Shfaqjen e mediave” Në iOS: çaktivizoni “Ruaj në Foto” Shënim: Mediat do të shkarkohen ende, por nuk do ruhen ose shpërndahen automatikisht. Kufizoni ftesat për grupe Në cilësime shkoni te “Privatësia” Zgjidhni “Grupet” Në vend të “Të gjithë”, vendosni “Kontakte të mia” ose “Kontakte të mia përveç …” Përjashtoni kontaktet e panjohura ose të dyshimta /Bild/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara