Ylli i YouTube dhe rrjeteve tjera sociale, Vitaly Zdorovetskiy, ka paralajmëruar vizitën në kryeqytetin e Kosovës, pak ditë para se bashkë me “OneLife Rally” të përfshijnë Kosovën në hartën e vendeve që “do t’i pushtojnë”.
Në rrjete sociale, Vitaly ka ndarë një fotografi nga vizita e fundit që kishte bërë në Kosovë. Në të ka shkruar: “Prishtinë, shihemi së shpejti”.
Më 28 qershor, organizimi i njohur botëror “OneLife Rally”, do të vijë në Kosovë për të qëndruar deri më 29 qershor.
Lajmi qe konfirmuar nga grupi i njohur i entuziastëve të veturave në Kosovë, “Marakli t’Kerreve!”
“Dallimi është që herën e parë e kanë pasur vetëm një ‘checkpoint’, ndërsa kësaj radhe do të kalojnë një natë në Prishtinë. Është një arritje shumë e madhe dhe një mund i stafit të grupit ‘Marakli t’kerreve!’ që t’i bindim me futë Kosovën në listën e shteteve ku do të qëndrohet për një natë”, ka thënë Behar Cakiqi, një nga administratorët e grupit ‘Marakli t’kerreve!’
“OneLife Rally” është grupi i njohur që për shtatë ditë bën turne nëpër qytete të ndryshme të Ballkanit e Evropës. Në Kosovë ishte edhe më 2019.
Vitaly kishte qenë në Kosovë edhe herën e shkuar kur “OneLife Rally” vizitoi Kosovën. /KultPlus
Muzeu “Reporting House” është anëtarësuar në Network of European Museum Organisations, një arritje e rëndësishme për promovimin e kulturës dhe kujtesës kolektive të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ky vlerësim konfirmon rëndësinë e rrëfimit për luftën, rezistencën dhe rolin e gazetarisë në ruajtjen e së vërtetës, duke e vendosur historinë e Kosovës në një kontekst më të gjerë evropian dhe duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi. Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se i ka ofruar këtij muzeu mbështetje trevjeçare, duke kontribuar në zhvillimin e tij si një hapësirë e rëndësishme për dokumentim, edukim dhe kërkim.
Nga kjo ministri është vlerësuar puna e ekipit të muzeut, duke e cilësuar këtë sukses si një hap të rëndësishëm në shërbim të ruajtjes dhe promovimit të kujtesës kolektive.
Në Bruksel është prezantuar vepra pesëvëllimëshe “Kujtesa e Kosovës: Ydriz Basha i Novosejt”, një projekt trevjeçar i realizuar nga Fondacioni Ydriz Basha në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Botimi përmbledh materiale të përzgjedhura nga një arkiv i pasur digjital me mbi 20 mijë njësi, të dhuruara nga familja Basha në vitin 2018, duke dokumentuar veprimtarinë e Ydriz Bashës në mbështetje të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ngjarja u mbajt në ambientet e Bibliotekës Mbretërore të Belgjikës, në praninë e përfaqësuesve diplomatikë, pjesëtarëve të diasporës shqiptare, institucioneve kulturore belge dhe kryetarit të Bashkisë së Brukselit, Philippe Close.
Ky botim është pjesë e projektit “Kujtesa e Kosovës”, i nisur në vitin 2022, që synon të dokumentojë historinë e patreguar të vendit përmes dëshmive dhe përjetimeve të atyre që kanë kaluar periudha të shtypjes dhe padrejtësive. Bashkëpunimi shënon herën e parë që Biblioteka Kombëtare e Kosovës i kushton vëmendje të veçantë kontributit të diasporës politike, duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Evropë gjatë viteve të rezistencës.
Kimete Mitrovica, një nga themelueset e fondacionit, theksoi se puna do të vazhdojë me mbledhjen dhe digjitalizimin e historive të diasporës shqiptare, me synimin për t’i përfshirë ato më fuqishëm në kujtesën kulturore shqiptare dhe evropiane.
Në këtë aktivitet folën edhe ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, si dhe drejtoresha e përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, e cila ftoi komunitetin shqiptar në mërgim të kontribuojë me materiale arkivore për ruajtjen e kujtesës historike dhe politike.
Sot, më 29 prill, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Baletit, një ditë e dedikuar promovimit të këtij arti skenik dhe vlerësimit të balerinëve dhe koreografëve.
Kjo datë është zgjedhur në nder të Jean-Georges Noverre, i cili konsiderohet si themelues i baletit modern. Në këtë ditë, institucione kulturore dhe studio baleti organizojnë shfaqje, aktivitete artistike dhe punëtori për të afruar publikun me këtë formë të veçantë arti.
Kjo ditë shërben gjithashtu si një kujtesë për rëndësinë e baletit në kulturë dhe në zhvillimin e artit skenik bashkëkohor.
Në kuadër të Ditës Botërore të Vallëzimit, më 29 prill, Baleti Kombëtar i Kosovës do të prezantojë premierën e parë për vitin 2026, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike për publikun.
Programi do të përfshijë dy shfaqje koreografike që do të eksplorojnë tema të ndryshme përmes lëvizjes dhe muzikës. Vepra “We will never give up on love”, me koreografi nga Erion Kruja, do të vijë me muzikë nga Chase & Status dhe vetë koreografi, ndërsa asistent do të jetë Fatmir Smani.
Ndërkohë, pjesa e dytë “Bletë” do të mbajë firmën koreografike të Clébio Oliveira, me asistencë nga Lela Di Costanzo dhe muzikë nga Matresanch.
Premiera do të mbahet më 29 prill, ndërsa repriza e parë do të zhvillohet më 30 prill, duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Kjo mbrëmje pritet të jetë një festë e vallëzimit dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke shënuar një fillim të rëndësishëm të sezonit artistik për vitin 2026.