Lajmet

Veseli përfundon dëshminë në Hagë, thotë se askush nuk mund ta mohojë që BIA ka luftuar kundër pushtuesit

Ai ka thënë që beson se trupi gjykues është i interesuar të gjejë të vërtetën.

Published

on

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sejdi Veseli ka thënë se anëtarët e njësisë BIA kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së dhe se askush nuk mund ta mohojë që të njëjtit kanë luftuar kundër pushtuesit serb. Veseli i cili ka dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës në Hagë, ka thënë para trupit gjykues që BIA ishte vendosur në Zllash meqë ishin të rrezikuar të qëndronin në qytet për shkak të aksioneve të shumta që kishin kryer.

Në Hagë, Veseli ka pasur kritika për çështjen e përkthimit pasi sipas tij, transkriptet janë me gabime.

“Për që kam thënë vinë me u strehu ata nuk kanë ardhur që kanë punuar në bujqësi, kanë marrë pjesë luftarake, nuk bien ë kontradiktë me vetveten, unë e kuptoj ata kanë ardhur, ka mujt me qenë ‘lapsus’, edhe mundet me ndodh që edhe të përkthimi, unë dje e kam parë, kur e kam parë transkriptën e kam parë çfarë gabime katastrofale ka, çfarë konstrukti të fjalisë palidhje ka, dhe mund të ndodh, unë po them shumë troç ata kanë qenë pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sikur që kam qenë unë, ata e kanë pasur komandën e vet nuk ka qenë detyrë e imja me përcjellë çka punojnë ata, dhe as nuk kam lejuar me më përcjellë çka punon Brigada 153 se janë rregulla ato, shumë strikte. Askush nuk mund të ua mohojë se ata kanë luftuar kundër pushtuesit dhe kanë ardhur jo për qejf, nuk kanë ardh në piknik në Zllash, por kanë ardh me u rehabilitu pas aksioneve që kanë kryer sepse kanë kryer shumë aksione”, ka thënë Veseli.

Veseli ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për programin e njësisë BIA veçse të njëjtit janë bashkuar me Brigadën 153 në ofensivën e prillit të vitit 1999.

“Unë programin e tyre nuk e kam ditë dhe nuk kam dashur me interefru në punën e tyre, ata i kanë ditë punët e veta por një e di dhe e kam thënë gjithmonë, kanë qenë ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata e kanë pasur programin e vet, e kanë pasur komandën e vet dhe natyrisht në bazë të programit të vet kanë bërë edhe veprime taktike çfarë është dashur me i bë, por e thash që kur ka ardh puna te ofensiva ata ushtarët e BIA-s të cilët kanë qenë të strehuar në atë kompleks, ata janë bashkuar në një front me Brigadën 153, kanë luftuar dhe më konkretisht te Vitia e Marecit”, ka thënë Veseli.

Megjithatë, Veseli ka deklaruar që BIA nuk i ka raportuar Brigadës 153 duke theksuar se ata kanë qenë njësi në vete.

Në fund të dëshmisë së tij, Veseli i cili është ftuar nga ZPS për dëshmi, ka thënë që beson se trupi gjykues është i interesuar të gjejë të vërtetën.

“Kam besim që jeni luftëtarë që doni me zbulu të vërtetën dhe qëndrimi im prej fillimit ka qenë shumë i sinqertë, pa marrë parasysh që ju jeni panel gjykues, këta janë prokurorë, në mua çdo herë mund të llogarisni një mik”, ka thënë ai.

Dëshmitari i radhës në gjykimin ndaj Salih Mustafës do të dëgjohet të martën, më 1 shkurt, dhe i njëjti mban kodin W04849.

Deri tani në proces janë dëgjuar dhjetë dëshmitarë të mbrojtur të ZPS-së, pas tyre Fatmir Sopi e Sejdi Veseli në seanca të hapura.

Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte. Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

Vendi

William Walker propozon Faton Bislimin për president të Kosovës

Published

on

Ish-ambasadori amerikan, William G. Walker, ka propozuar Faton Bislimin, lobuesin për cështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në SHBA, si kandidat për president të Kosovës.

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, përmes një letre dërguar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur shqetësimin e tij për krizën politike për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në letrën që ka siguruar KosovaPress, Walker e konsideron person adekuat për postin e presidentit Faton Bislimim, i cili ka qenë edhe deputet i parlamentit të Kosovës.

“Kam dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm. Të gjithë ia vlen të merren në konsideratë, por sipas gjykimit tim, asnjëri prej tyre nuk i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme, përvojën dhe personalitetin që kërkon ky post. Më lejoni të sugjeroj një zgjedhje të mundshme. E njoh Faton ‘Tony’ Bislimin prej shumë vitesh. Kemi diskutuar shpesh për politikën e Kosovës, si në planin e brendshëm, ashtu edhe për vendin e këtij shteti të ri në Evropë dhe në botë. Nuk kam asnjë dyshim për pavarësinë e mendimit të Tonit dhe për aftësinë e tij për të shprehur qëndrimin e tij mbi çdo temë. Sipas mendimit tim, i vetmi ndër emrat e mundshëm, Toni i zotëron të gjitha aftësitë e nevojshme – si dhe personalitetin që u përshtatet atyre – për të qenë një President i suksesshëm. Më lejoni të rendis aftësitë që i konsideroj thelbësore për një presidencë të suksesshme”, thuhet në letrën e tij dërguar.

Walker thekson veçanërisht se Kosova ka nevojë për një president që përfaqëson vendin në tërësi, e jo një parti apo një qëndrim të caktuar politik./KosovaPress//A.K/

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca: VV-ja i ka emrat për president, nuk do t’i bëjmë publikë para takimit me LDK-në

Published

on

Lëvizja Vetëvendosje tashmë i ka përcaktuar emrat që mund t’i propozojë për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk do t’i bëjë publikë para takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka deklaruar ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se VV-ja dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë të gatshëm për takimin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Sipas Konjufcës, në takimin e ardhshëm pritet të diskutohen emra konkretë dhe ekziston mundësia që nga kjo përpjekje të arrihet një marrëveshje për presidentin.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me ju, sepse kjo do ta humbte kuptimin e procesit të negociimit”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se LVV-ja është në pritje të një ftese nga LDK-ja për caktimin e ditës së takimit, pasi Abdixhiku kishte deklaruar më herët se bisedimet do të zhvilloheshin gjatë kësaj jave.

Konjufca ka shprehur keqardhje që takimi nuk u zhvillua javën e kaluar, por ka thënë se e mirëkupton nevojën e partive për të përcaktuar emrat konkretë para se të diskutohet për një marrëveshje përfundimtare.

LVV-ja dhe LDK-ja po zhvillojnë prej një kohe diskutime për zgjedhjen e presidentit. Në takimin e fundit mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku morën pjesë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është thënë se është arritur pajtim për profilin e presidentit të ardhshëm dhe se në takimin vijues do të diskutohen kandidatura konkrete.

Ndërkohë, gjatë ditës është raportuar se ish-shefi i misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka propozuar Faton Bislimin për president në një letër drejtuar liderëve të partive parlamentare./A.K/

Continue Reading

Vendi

PDK dhe Aleanca kërkojnë konstituimin e Kuvendit: “Askush nuk ka të drejtë ta ndalë”

Published

on

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës janë mbledhur në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, ka deklaruar se askush nuk ka të drejtë ta ndalë procesin e konstituimit apo t’ua kufizojë deputetëve ushtrimin e mandatit.

“Kush ka të drejtë ta ndalë konstituimin dhe përfundimin e tij? Kush ka të drejtë t’ua marrë deputetëve mandatin? Asnjë deputet dhe asnjë parti”, ka thënë Reçica, duke shtuar se institucionet e shtetit nuk janë pronë private e askujt.

Ai ka kritikuar edhe administratën e Kuvendit për mungesën e zërimit në sallë, duke thënë se një institucion nuk duhet të pengohet së funksionuari.

Reçica ka akuzuar gjithashtu qeverisjen aktuale për krizë të vazhdueshme institucionale, tensione me aleatët dhe polarizim të shoqërisë.

Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se po e dëmton sistemin kushtetues të vendit.

Pavarësisht kërkesave të PDK-së dhe Aleancës për vazhdimin e seancës, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë deklaruar se seanca nuk do të vazhdojë pa një marrëveshje politike.

Ndërkaq, Kurti, i pyetur se kur do të thirret vazhdimi i seancës konstituive, ka thënë se nuk është ai që e thërret seancën, por kryesuesi i saj, Avni Dehari.

Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Në rend dite kanë mbetur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nis seanca gjyqësore kundër Glauk Konjufcës

Published

on

Ka filluar rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës Glauk Konjufcës lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.

Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë./Kosovapress/

Continue Reading

Të kërkuara