Aktualitet

Veliaj vizitë zyrtare në Amerikë

Veliaj u prit nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi.

Published

on

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet për një vizitë në Washington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.

Veliaj u prit nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, si dhe nga ish-kandidati për president të ShBA-së, senatori Mitt Romney. Kryebashkiaku i Tiranës u prit edhe nga kongresmeni i New York-ut, Ritchie Torres, dhe udhëheqësi i shumicës në Senatin Amerikan, Charles Schumer.

Pas takimeve, Veliaj tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe aleatëve tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Vizita në Kongresin dhe Senatin Amerikan është një kënaqësi e jashtëzakonshme, jo vetëm se Tirana është në qendër të vëmendjes si Kryeqyteti Europian i Rinisë, por edhe për ngjarje sfiduese si sulmet e fundit nga Irani, apo për disa situata të vështira që kemi pasur prej qëndrimit që Shqipëria mban, duke qenë në krah të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për të qenë e vendosur që t’i ruajë vlerat e saj, duke mikpritur ata që kanë nevojë dhe iu jep një dorë të gjithë atyre që janë në vështirësi”, deklaroi Veliaj.

Siç pohoi ai, në takimin me kryetaren e Kongresit, Veliaj e informoi Pelosin lidhur me zhvillimet e fundit dhe e ftoi atë për një vizitë në Tiranë.

“E njoha kryetaren Pelosi me të gjitha të rejat nga Tirana dhe Shqipëria. Kryeministri ynë ka një respekt të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një aleat kryesor, si një lider i vendosur dhe si dikush që ka marrë gjithmonë vendimet e drejta, si për aleatët tanë amerikanë dhe të NATO-s, ashtu edhe për të mikpritur ata që janë në nevojë, nuk ka rëndësi nëse janë ukrainas, afganë apo qoftë edhe iranianët e strehuar në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku shprehet se marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sot në nivelin më të mirë dhe vendi ynë gëzon një reputacion që nuk e ka pasur kurrë më parë.

“Më vjen mirë që raportet me Amerikën janë sot në nivelin më të mirë, ku në të gjitha nivelet, si në qeverinë qendrore, edhe në atë lokale, Shqipëria ka një derë të hapur dhe emri i Shqipërisë sot gëzon një reputacion, të cilin nuk e ka gëzuar kurrë më përpara. Ndaj, jam vërtet krenar për gjithë çfarë kemi bërë për Tiranën, si Kryeqyteti Europian i Rinisë. Shumë takime që po planifikohen me Kongresin dhe Senatin Amerikan për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen, besoj se do t’i forcojnë më shumë këto ura bashkëpunimi. Me miq të tillë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ditët më të mira do t’i kemi gjithmonë përpara”, tha Veliaj.

Vizita e kryebashkiakut Veliaj në Washington do të vijojë me takime të tjera, por edhe me komunitetin shqiptar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./klankosova.tv

Lajmet

PDK i kërkon përseri Avni Deharit vazhdimin e seancës konstituive më 20 gusht

Published

on

By

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i kanë dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të thirrur vazhdimin e seancës ditën e enjte, më 20 gusht.

Përmes një letre, PDK-ja ka theksuar se caktimi i seancës është një obligim kushtetues dhe procedural i kryesuesit, duke paralajmëruar se vonesat e mëtejshme thellojnë shkeljet ligjore.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, ,thuhet në kërkesen e PDK-së.

Kjo kërkesë vjen në kuadër të aksioneve të vazhdueshme të PDK-së, deputetët e së cilës po protestojnë çdo mëngjes para Qeverisë dhe po mblidhen çdo dy ditë në sallën e Kuvendit.

Në anën tjetër, që nga vazhdimi i fundit më 8 gusht, kryesuesi Avni Dehari nuk ka thirrur seancë të re, duke mbështetur qëndrimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se pa një marrëveshje politike seancat mbeten “shterpe”. Kurti ka kërkuar më shumë kohë për negociata, me arsyetimin se pa një dakordim për postin e presidentit, vendi do të shkojë pashmangshëm në zgjedhje të reja.

Përderisa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin, ky i fundit ka zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), përfshirë një takim me liderin e saj, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar rreth çështjes së presidentit. Ndërkohë, afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit pas certifikimit të rezultateve tashmë ka kaluar. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Murici dhe Vojvoda shkëlqejnë në Kupën e Italisë: Zënë vend në formacionin e javës

Published

on

By

Dyshja e kombëtares së Kosovës, Arijanet Muric dhe Mërgim Vojvoda, kanë dhënë paraqitje të shkëlqyera në Kupën e Italisë, duke u përfshirë në formacionin më të mirë të javës sipas platformës së specializuar të statistikave, SofaScore.

Portieri Arijanet Muric dhuroi një paraqitje të nivelit të lartë në fitoren 3-0 të Sassuolos ndaj Cesenas, duke u vlerësuar me notën e lartë 8.7.

Nga ana tjetër, mbrojtësi Mërgim Vojvoda po ashtu ishte vendimtar në triumfin e Udineses kundër Padovas me rezultat 1-0, ku për performancën e tij u shpërblye me notën 8.3.

Përfshirja e të dy futbollistëve kosovarë në 11-shen më të mirë konfirmon formën e tyre të mirë në fillim të këtij edicioni në futbollin italian. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Milot Rashica drejt largimit nga Besiktashi

Published

on

By

Ylli i kombëtares së Kosovës, Milot Rashica, mund t’i japë fund aventurës së tij te Besiktasi, përkundër faktit se ka edhe një vit kontratë aktive me gjigantin nga Stambolli.

Sipas raportimeve nga mediat turke, përfshirë gazetën Milliyet, e ardhmja e anësorit kosovar varet direkt nga lëvizjet e radhës së klubit në afatin kalimtar. Besiktasi po shqyrton mundësinë e transferimit të një tjetër futbollisti në krahun e djathtë të sulmit. Nëse ky transferim realizohet, skuadra do të ketë tre lojtarë të huaj për të njëjtën pozitë, çka do të shtynte drejtuesit të konsiderojnë shitjen e Rashicës.

Drejtuesit e klubit turk janë të kënaqur me paraqitjet e Vaclav Cerny-t, i cili ka përparësi në këtë repart. Prandaj, ardhja e një përforcimi të ri do të rriste ndjeshëm gjasat për ndarjen e rrugëve me kosovarin.

Gjatë periudhës së tij te Besiktasi, Milot Rashica ka lënë gjurmë të rëndësishme duke shënuar 13 gola dhe duke dhuruar 25 asistime në 119 paraqitje zyrtare.

Continue Reading

Lajmet

Mbi 320 raste brenda 24 orëve në QKUK: Të lënduar nga aksidentet, përleshjet dhe armët e ftohta

Published

on

By

Në Qendrën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar gjithsej 321 raste gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas raportit të shërbimeve emergjente, nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 90 raste janë

menaxhuar në Reanimim, 90 në Emergjencën Internistike, 53 në Emergjencën Kirurgjike dhe 60 pacientë kanë marrë trajtime në Emergjencën Ortopedike. Ndërkaq, në sallën e vogël janë kryer 19 ndërhyrje, kryesisht për qepje, përpunim dhe pastrim të plagëve.

Sa i përket natyrës së lëndimeve, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar: 21 persona të lënduar në aksidente trafiku, 1 rast nga përdorimi i armëve të ftohta, 1 person i lënduar në përleshje fizike, 1 rast intoksikimi (helmim).

Përveç kësaj, gjatë këtij 24-orëshi janë realizuar 28 pranime për trajtim të mëtejshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së, ndërsa është regjistruar edhe një rast vdekjeje. /A.M/

Continue Reading

Të kërkuara