Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme, e cila i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor. Sallahu ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të paraqesë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi në Gjykatën Kushtetuese.
Ai theksoi se LVV do të kërkojë edhe masën e përkohshme ndaj vendimit, duke e quajtur atë “absurd dhe të ndikueshëm politikisht”. Sallahu shkruan në një postim në Facebook se informacione të brendshme sugjerojnë se diskutimi për këtë vendim në Gjykatën Supreme ka qenë më shumë politik dhe jo juridik, duke sugjeruar se vendimi është më shumë rezultat i ndikimeve politike sesa një vendim tërësisht të bazuar në ligj.

“Do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore për të sjellë drejtësi për këtë skemë krimi dhe manipulimi”, shkruan Sallahu në postimin e tij.
Gjykata Supreme ka refuzuar ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjve (PDAK), të cilët kërkonin rishikimin të disa çështjeve zgjedhore. LVV kishte dorëzuar një ankesë kundër vendimit të PZAP-së që refuzoi kërkesën e saj për anulimin e votave me postë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kërkesën për rivotim me postë.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, pas vendimit të Gjykatës Supreme, do të ndërmerren veprimet e nevojshme për të zbatuar vendimet dhe për të proceduar me certifikimin përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve.
Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në bazë të rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27%, dhe koalicioni AAK-Nisma me 7.06%. Me këto rezultate, LVV do të ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8, dhe 20 deputetë nga komunitetet jo shumicë.
Sipas këtyre shifrave, asnjë parti nuk ka mundësinë të formojë qeverinë e vetme, duke hapur mundësinë për bisedime dhe koalicione ndërpartiake.