Lajmet

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 2 prill, në vitet nëntëdhjetë  

Published

on

2 prill 1993

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Një delegacion i kongresistëve amerikanë viziton Kosovën

Gjermania ndaloi shitjen e biletave me tren për Serbi dhe Mal të Zi

Në karakollin kufitar në Brodosanë u dëgjuan të shtëna armësh

U arrestuan gazetarët e revistës “Zgjimi”

Vazhdon ndjekja e të rinjëve shqiptarë në komunën e Gjilanit

Oficeri serb shtiu në Hysen Mustafën

Bllokadë gjithnjë më e madhe e udhëtimit

Minatorët e padëgjueshëm të “Trepçës” në shtëpi

 

 

2 prill 1994

Lajm i plotë: Në Llap për pesë muaj u bastisën 530 familje, ndërsa 230 vetëm nga 1 marsi

Vetëm gjatë pesë muajve të fundit, gjithnjë nën pretekst të kërkimit të armëve, policia serbe në komunën e Podujevës bastisi 530 familje shqiptare, ndërkaq 230 prej tyre u bastisën vetëm nga 1 marsi i këtij viti, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Podujevë.

Si pasojë e këti represioni, gjatë muajit që kaloi, në stacionin e policisë në Podujevë janë keqtrajtuar brutalisht rreth 50 persona, kurse 80-të të tjerëve u janë lënë thirrjee për t’u paraqitur në stacionin e policisë në Podujevë, si gjithnjë nën pretekst të dorëzimit të armëve.

Gjatë muajit mars, përveç veprimtarëve të LDK-së, në shënjestër të policisë serbe ishin edhe shumë shkolla fillore. Në shumë shkolla policia ndërpreu procesin mësimor dhe keqtrajtoi dhe mori në pyetje shumë drejtorë të këtyre shkollave.

 

Lajme të tjera:

Klintoni i shkroi letër Sali Berishës

Në Strofc të Vushtrrisë iu lanë thirrjet për t’u paraqitur në polici 22 shqiptarëve

Represioni në Kosovë

Parlamentarët rusë në Kosovë

Në Klinë toka shoqërore u jipet serbëve

Futboll: Kosova – Prishtina 0:2

 

2 prill 1997

Lajmet kryesore:

Konferencë për shtyp e Adem Demaçit

“Bujku”: Republika nuk është maksimumi

Dr. F. Agani: Në Nju-Jork do të prezentojmë opcionin për pavarësinë e Kosovës”

Koment i gazetës “Iliria” për takimin e Nju Jorkut

  1. Drashkoviq: “Kosova duhet të mbetet në Serbi”!

Vdiq poeti Fahredin Gunga

Vazhdon autopsia e viktimave të anijes së mbytur në Otranto

Kadare: “Duhet çmuar vendimi për dërgimin e forcës ndërkombëtare në Shqipëri

Në Prishtinë e Podujevë u shënua 16- vjetori i demonstratave

Policia serbe mori dy inkasantë të KKF të Gllogocit

Regjimi serb kërkon kolaboracionistë për nxjerrjen e gazetës “Rilindja”

Inspektorët dhe policët serbë plaçkitën disa qytetarë në tregun e Mitrovicës

 

2 prill 1998

 Lajmet kryesore:

Franca dje përshëndeti miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit

Reagimet ndërkombëtare rreth Rezolutës së Këshillit të Sigurimit kundër Beogradit

Social-demokratët kroatë angazhohen për statusin e republikës për Kosovën

Masakrën në Drenicë e kanë bërë forcat paramilitare serbe me urdhërin e Sllobodan Millosheviqit

SHBA-të janë kundër mizorisë së qeverisë serbe në Kosovë

Gjukanoviq: “Konflikti në Kosovë mund të shtrihet në mbarë rajonin”

 

Lajm i plotë: Dëshmi nga Prekazi: Forcat serbe me shqiponjë shqiptare!

Njëri nga dëshmitarët që i shpëtoi masakrës së Prekazit, rrëfen për ngjarjen tragjike të 5 marsit dhe atë që pa gjatë sulmit të forcave serbe mbi Prekaz.

“Sulmi mbi Prekaz filloi në orën 6,30 të mëngjesit. Nga shtëpia ime kam parë një numër të madh të njerëzve të uniformuar. Sulmi mbi Prekaz ka filluar nga mali. Kanë filluar breshëri të shtënash, pa paralajmërim, kurse nga Fabrika e Municionit kanë filluar të shtënat me minahedhës. Fillimisht është djegur shtëpia e Shabanit, pastaj ajo e Maliqit, Beqirit, Sherifit, Fejzës dhe Zukës. Të nesërmen janë djegur dhe rrënuar edhe shtëpitë e Tahirit, Halitit, Qerimit, Hamitit dhe Sadikut. Prej të enjtes në mëngjes, kur filloi sulmi prej rreth 20 shtëpive të Jasharajve, vetëm një ditë pas sulmit në këmbë kishin mbetur edhe 5 shtëpi. Sulmi ka zgjatur prej të enjtes në mëngjes deri të premten në orën 18. Gjatë tërë kohës kam qenë në shtëpi me familjen time. Jam përpjekur t’i qetësojë fëmijët, të cilët donin të çmendeshin nga frika prej të shtënave. Rreth orës 10,30, të premten, të shtënat kanë pushuar për pak kohë, ndoshta nja 20 minuta. Kam dalë dhe kam parë se lagjja Jashari ishte djegur e tëra. U kam thënë nënës dhe gruas që të dalim, sepse çdo minutë më shumë për ne këtu do të thotë më afër vdekjes. Po provoj të dal i pari, u thashë gruas dhe fëmijëve. Mali prej shtëpisë ka qenë nja 150 metra. Papritmas kam hasur në njerëz të uniformuar, uniforma këto që ishin të njëjta me ato që i kam parë në gazeta dhe televizion, e për të cilat pohohej se janë të UÇK-së. Rreth 30 vetë, sa ishin, u sulën mbi mua. “Duart lart”, më urdhëruan në gjuhën shqipe, pastaj nisën të flasin serbish. I ngrita duart lart dhe u thashë se jam duarthatë. Më morën dhe më kontrolluan. Panë se isha i paarmatosur. Më ofruan afër një kaçube dhe flisnin njëri me tjetrin se çka të bëjnë me mua. disa thoshin “Po e vrasim këtu”, të tjerët thoshin ‘Jo, po e presim”, kurse njëri prej tyre tha: “Da pitamo onog gllavnog”, (ta pyesim atë kryesorin). Si duket ai kishte dhënë urdhër të më arrestonin. M’i vunë prangat në duar dhe m’i mbyllën sytë me një shami të zezë, nga e cila nuk shihja asgjë. Duke më rrahur me shqelma gjatë rrugë më kanë shpënë në një vend. Kur m’i çelën sytë pashë se isha në Fabrikën e Municionit, në Skënderaj. Aty ka ardhur një person i uniformuar me uniformë laramane të kaltër me të zezë dhe me fytyrë të ngjyrosur dhe ka filluar të më rrahë. Më ka rënë në nofullën e majtë. Ma ka thyer një dhëmbë, kurse nga veshi ka nisur të më rrjedhë gjak. Serbët klithnin plot gëzhim “Biçe mesa veçeras” (do të ketë mish për sonte). Pas rrahjes ka ardhur një civil dhe më ka marrë në pyetje. I kam treguar se jam profesor. Më tha se ti ke planet e UÇK-së. I thashë se unë nuk njoh dhe nuk kam parë të tillë, vetëm prej gazetave dhe televizionit kam dëgjuar për ta. Gjatë qëndrimit aty mësova se dirigjimi i forcave që sulmonin Prekazin bëhej nga Fabrika e Municionit, e cila është shndërruar në kamp. Aty dëgjova udhëzimet: majtas, djathtas, 10 metra. . . Në FMGJ kemi qenë 6 veta. Ka pasur edhe gra dhe fëmijë. Neve na e kanë qitur batanijen dhe na kanë rrahur me boksa e shqelma dhe me kondakë armësh. Na thoshin se në lagjen Jashari nuk do të banojë më asnjë shqiptar dhe se atë do ta banojnë me serbë e malazez. Para se të bjerë muzgu na kanë çuar në postkomandën e policisë në Skënderaj. Aty na ka pritur një grup prej 4 serbësh me thika, që thoshin: “Sillni t’ua heqim kokat”. Një polic i gjatë më ka qëlluar në pleksus dhe për një moment e humba vetëdijen. Pataj e kam parë veten në një zyrë. Në grupin e njerëzve të sigurimit njoha 3-4 fytyra, që kishin qenë në Prekaz në dhjetorin e 91-shit. Më pyetën se a kam pasur armë. U thashë jo. Prej aty na kanë çuar në postkomandën e policisë në Mitrovicë, ku na i kanë bërë analizat e duarve për të verifikuar nëse kishim përdorur armë. Rreth orës 21,30 na kanë liruar. Tre vetë kemi qenë të rrahur tej mase. Ashtu, duke u kalamendur, kemi dalë duke mbajtur njëri-tjetrin. Rrugëve të Mitrovicës kemi bredhur 2-3 orë. Kemi trokitur në shumë dyer, por njerëzit prej brenda përgjigjeshin dhe nuk i hapnin dyert. Një plak që hapi derën na tha “Ikni tutje, se do t’u vrasin”. Kjo ishte më e rëndë se gjithë ajo që përjetova për dy ditë. Kisha konfuzion të madh dhe nuk kisha orientim të qartë. M’u deshën tri orë ta gjejë shtëpinë e mbesës sime, ku kisha ardhur shumë herë të tjera.

Katër ditë isha me terapi intensive. Tash ndihem pak më mirë, megjithëse kam dhembje të mëdha të kokës nga të rënat në kokë.

Se jam i gjallë, nuk ndiej ndonjë kënaqësi, do të isha më i lumtur po të radhitesha me kushërinjtë e mi. . . , thotë në fund të rrëfimit të tij për “Bujkun”, njeriu që përjeoi masakrën e Prekazit dhe që shpëtoi i gjallë.

 

Edicioni i dytë (Ora 16:00)

Lajmet kryesore:

  1. Geci: Për masakrin që po paralajmërohet në Drenicë, përgjegjës moralë e politikë do të jenë të gjithë

U arrestua derisa po jipte një intervistë për televizionin holandez

Situatë e rëndë në komunën e Gjakovës

Pejë: Shpërthim bombe para dyqanit të A. Berishës

Gjilan: Armatosen civilët serbë

Kosova temë qendrore në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të OKB-së

Reagimet e partive politike serbe ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit

Punëtorët e Institutit Albanologjik u kthyen në ndërtesën e tyre

Prezencë e shtuar e policisë në Podujevë e rrethinë

Vushtrri: Vazhdon largimi i punëtorëve shqiptarë nga puna

 

Edicioni i tretë (Ora 19:30)

Lajmet kryesore:

Mitrovicë: Persona të paidentifikuar thyen xhamat e shtëpisë së Agim Kabashit

Shkuarje e forcave serbe nga Mitrovica në drejtim të Skënderajt

U rrahën dhe u plaçkitën pse nuk dinin të flisnin serbisht

Klinë: Tre serbë keqtrajtuan një nxënës

Kontrollim i rreptë i shqiptarëve në Malishevë

Gjatë muajit mars 170 veta përjetuan tortura të ndryshme nga policia serbe

Foto: Prekazi

Continue Reading

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara