Lajmet
Ulen tensionet mes Britanisë dhe Francës për të drejtat e peshkimit
Published
5 years agoon
By
Betim GashiTensionet midis Britanisë dhe Francës në lidhje me të drejtat e peshkimit u ulën të enjten vonë pasi Britania tërhoqi dy luftanije nga ujërat përreth ishullit britanik të Xhersit, ku peshkatarët francezë kishin organizuar një protestë.
Rreth 20 peshkarexhe franceze lundruan drejt Xhersit të enjten herët, duke hedhur raketa ndriçuese dhe duke shfaqur parulla me thirrje për hyrje në ujërat e Xhersit. Peshkatarët francezë thanë se po u ndalohej hyrja në ujërat përreth territorit britanik që shtrihet deri afër bregdetit verior të Francës.
“Ne erdhëm sot për të protestuar sepse gjithmonë kemi peshkuar në këto ujëra dhe ata brenda natës na hoqën të gjitha të drejtat e peshkimit”, tha peshkatari francez Ludovic Lazaro për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.
Një anije franceze hyri për pak kohë në portin kryesor të ishullin e vetëqeverisur që është nën kontrollin e Britanisë.
Britania dislokoi dy luftanije në këtë zonë për të “monitoruar situatën”, ndërsa Franca dërgoi dy anije patrulluese në ujërat franceze përreth Xhersit. Anijet britanike dhe franceze ishin në një distancë prej rreth 20 kilometrash larg njërëra-tjetrës.
“Duke marrë parasysh se për momentin situata është zgjidhur, anijet e Patrullës Detare të Marinës Mbretërore do të përgatiten të kthehen në port në Britani”, thuhet në një deklaratë të Kryeministrit britanik Boris Johnson të lëshuar të enjten. “Ne mbetemi në gatishmëri për të ofruar çdo ndihmë të mëtejshme nëse ajo kërkohet nga Xhersi.”
Dimitri Rogoff, president i shoqatës së peshkimit në rajonin e Normandisë Franceze, tha se “demonstrimi i forcës ka mbaruar. Tani, politika duhet të udhëheqë përpjekjet për zgjidhjen e kësaj çështjeje.”
Pasojat e Brexit-it
Marrëveshja për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian përcakton dispozita të veçanta për zonat e peshkimit rreth ishullit, thotë eksperti britanik i peshkimit, James Kane nga Instituti për Qeverinë, një organizatë jo-fitimprurëse.
“Anijet franceze që po peshkonin në ujërat e Xhersit për të paktën 10 ditë në vit midis 2017 dhe 2020 kanë të drejtë të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Ajo që duket se ka ndodhur është se autoritetet e Xhersit kanë ndjekur një qasje shumë kufizuese për ata që duhet të japin prova se kanë peshkuar në tre vitet e fundit”, tha zoti Kane për Zërin e Amerikës.
Ian Gorst, Ministër për Marrëdhëniet me Jashtë i qeverisë së Xhersit, këmbëngul se ka një zbatim të duhur të rregullave në lidhje me peshkimin rreth ishullit.
“Marrëveshja e re e tregtisë e arritur pas Brexitit është e qartë se duhet të ofrohen prova mbi natyrën dhe historinë e të drejtave të peshkimit”, tha ai të enjten për kanalin Sky News.
Duke folur para ligjvënësve në Asamblenë Kombëtare, Ministrja franceze për Çështjet Detare, Annick Girardin kërcënoi të ndërpresë furnizimin me energji elektrike për Xhersin.
“Ne jemi gati të përdorim këto masa hakmarrëse. Evropa, Franca i ka mundësitë e parashikuara në marrëveshje. Pra, do të doja t’ua kujtoja, për shembull, se ne furnizojmë me energji elektrike Xhersin përmes kabllove të vendosura nën sipërfaqen e detit”, tha Ministrja franceze të martën.
Ministri britanik Nadhim Zahawi tha të enjten se qeveria britanike do të kërkonte gjetjen e një zgjidhje për këtë çështje.
“Do të punojmë së bashku për të zgjidhur çdo çështje, çdo problem në mënyrë që kjo marrëveshje historike midis Britanisë dhe BE-së, një nga marrëveshjet më të rëndësishme që kemi arritur, të jetë në funksion të njerëzve, komuniteteve, dhe komunitetit të peshkatarëve”, tha ai për kanalin Sky News.
Peshkimi përbën vetëm 1% të ekonomive britanike dhe evropiane. Por ai është një forcë e fuqishme kulturore dhe politike, thotë eksperti i peshkimit James Kane.
“Në ekonominë moderne, peshkatarët janë të vetmit njerëz që akoma merren me gjueti. Ata e gjejnë ushqimin dhe e sjellin në shtëpi. Kjo sjell një dimension primar tek peshkimi që ndoshta e bën atë pak të ndjeshëm. Përveç kësaj, pëshkimi është i rrënjosur thellë në komunitetet bregdetare. Njerëzit duket se kujdesen shumë për të në një shkallë që është jashtëzakonisht joproporcionale me rëndësinë e tij ekonomike. Pastaj edhe nga ana politike, është mjaft e dobishme që të dyja palët të trajtojnë këtë histori sepse ajo ka kaq shumë rezonancë”, thotë ai.
Analistët thonë se tensionet mbi peshkimin ka të ngjarë të vazhdojnë ndërsa Britania kërkon të përmbushë premtimin e saj për Brexitin, për të “rimarrë kontrollin” e kufijve të saj ujor dhe tokësor./ VOA
You may like
Lajmet
Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim
Published
3 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, vizitoi sot Prekazin, ku u përul në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, së bashku me Ministrin për Punët e Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Ajo u prit në Kullën e Jasharajve nga Rifat Jashari.
Gjatë vizitës, Spiropali theksoi rëndësinë e vendimit të familjes Jashari për të mos u dorëzuar dhe reflektimin mbi çmimin e lirisë.
“Është dëshmi se liria ka pasur çmim – dhe ai çmim është paguar me jetë. Këtu ndjen peshën e historisë, por edhe përgjegjësinë e së ardhmes. Liria nuk është trashëgimi automatike. Ajo kërkon dinjitet, unitet dhe drejtësi çdo ditë. Prekazi nuk na kërkon lot. Na kërkon të jemi të denjë.”
Kjo vizita thekson lidhjet historike mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe respektin për sakrificën që bëri të mundur lirinë e vendit.
Lajmet
Elisa Spiropali për vizitë zyrtare në Kosovë, takime me krerët e shtetit
Published
4 hours agoon
February 25, 2026By
UBTNews
Ministrja për Evropë dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë.
Sipas njoftimit të Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ajo fillimisht do të pritet në takim nga homologu i saj, Glauk Konjufca, i cili njëherësh mban edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës. Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në objektin e MPJD-së.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Spiropali do të zhvillojë takime edhe me kryeministrin Albin Kurtin në orën 12:35 dhe me pas me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, si dhe me presidenten Vjosa Osmani.
Në agjendën e saj janë paraparë gjithashtu takime me kryetarë të partive parlamentare në Kosovë.
Lajmet
Rreth 1 milion euro të padeklaruara zbulohen në Merdare
Published
22 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Rreth një milion euro të padeklaruara janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdare, gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas Doganës se Kosovës, automjeti u përzgjodh për kontroll të detajuar pas analizës së riskut. Gjatë skanimit me rreze X u identifikuan dyshime për një hapësirë të modifikuar në dyshemenë e veturës.
Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kontrolli u thellua dhe u konfirmua se në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit ishin fshehur mjete monetare të padeklaruara.
Vlera e dyshuar e shumës arrin rreth 1,000,000 euro. Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa prokurori kompetent është njoftuar dhe po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore.
Lajmet
Haxhiu pret ambasadorin italian, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike
Published
23 hours agoon
February 24, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot ne takim Ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.
Pjesë e diskutimeve në këtë takim ishin zhvillimet aktuale në vend.
Gjithashtu, Kryetarja Haxhiu ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, në cdo fazë të zhvillimit të shtetësisë.
“Kryetarja Haxhiu nënvizoi ecurinë pozitive në funksionimin e Kuvendit të Kosovës dhe rritjen e angazhimit për realizimin e agjendës së punës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Të dyja palët riafirmuan përkushtimin për bashkëpunim të mëtejshëm dhe fuqizim të partneritetit mes Kosovës dhe Italisë, duke përfshirë zgjerimin e kontakteve dhe shkëmbimeve në nivel parlamentar.
Grevë kombëtare në transportin publik në Gjermani: Autobusët dhe trenat ndalojnë
Dhjetëra të vdekur nga rrëshqitjet e dheut në Brazil, qeveria shpall gjendjen e katastrofës
Hendboll: Kosova publikon listën për ndeshjet me Finlandën në Euro 2026
Spiropali: Prekazi na kujton se liria ka çmim
Filharmonia e Kosovës shënon debutimin e saj në Vjenë
Pse përhapen thashethemet në punë, madje edhe në ekipet e shëndetshme
Vendet me rezervat më të mëdha të arit
Sot ndeshje interesante në Ligën e Kampionëve, a do të mbijetojë Juventusi?
Bodø/Glimt trondit Interin 2-1 në “San Siro”
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
