Lajmet

UBT shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me konferencë për sfidat e gazetarisë moderne

Published

on

Në kuadër të Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, më 3 maj, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi një konferencë ku u diskutua mbi zhvillimet e gazetarisë në kohën moderne dhe sfidat me të cilat përballen mediat sot.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike dhe profesionistë të medias, të cilët në një panel diskutimi trajtuan tema që lidhen me dezinformimin, ndikimin e inteligjencës artificiale, pavarësinë e mediave dhe përgjegjësinë e gazetarëve në epokën digjitale.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, duke uruar këtë ditë, theksoi rëndësinë e medias si sektor kyç në shoqëri.

“Me lejoni që në emër të UBT-së t’ju uroj Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Mediat janë një sektor i rëndësishëm dhe fakti që sot funksionojnë në formate të ndryshme tregon se ende ka shumë punë për t’u bërë”, tha ai.

Ai shtoi se hapja e Fakultetit të Medias në UBT ka ardhur si përgjigje ndaj nevojës për gazetarë cilësorë në vend. Sipas tij, një nga sfidat kryesore mbetet verifikimi i burimeve dhe saktësia e informacionit, sidomos në një kohë kur dezinformatat janë në rritje dhe teknologjitë si inteligjenca artificiale po ndikojnë fuqishëm në përhapjen e informacionit. Hajrizi vlerësoi se sistemi mediatik në Kosovë është ende në tranzicion dhe kërkon qartësim më të madh të rolit të mediave private për të garantuar pavarësinë e gazetarëve.

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, u ndal te balanca mes lirisë së shprehjes dhe kufizimeve të saj.

“Liria e shprehjes dhe informimit duhet të jetë sa më e gjerë, por kufijtë bëhen të domosdoshëm kur cenohet liria e të tjerëve”, u shpreh ai.

Selimi theksoi se mediat ndodhen në një paradoks, pasi nga njëra anë gëzojnë liri, ndërsa nga ana tjetër përballen me forma të ndryshme kontrolli. Ai paralajmëroi se dezinformimi është kthyer në një ndër kërcënimet kryesore për të drejtën e informimit, duke relativizuar të vërtetën dhe duke krijuar një ambient të pasigurt për publikun. Sipas tij, megjithëse gazetaria e pavarur përballet me sfida financiare, format alternative të financimit mund të ofrojnë mundësi për përmirësim.

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Nailja Selmani theksoi rëndësinë e edukimit medial si mënyra më efektive për të luftuar dezinformimin.

“Mënyra e vetme për ta luftuar këtë mjegull totale është të jemi të edukuar në aspektin medial”, tha ajo.

Selmani nënvizoi se burimi i informacionit është kyç për të shmangur lajmet e rreme, veçanërisht në kohën e inteligjencës artificiale, kur manipulimet janë bërë më të sofistikuara.

Ndërkaq, profesori Musa Sabedini, pjesë e Fakultetit Media dhe Komunikim, gjatë diskutimit në panel foli për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballen sot gazetarët.

Ai theksoi se, pavarësisht këtyre sfidave, gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në trajtimin e temave që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e shoqërisë dhe në informimin e drejtë të publikut.

Ndërkaq, gazetarja e Deutsche Welle, Vjosa Qerkini, foli për përgjegjësinë profesionale të gazetarëve në epokën digjitale.

“Një gazetar, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë, nëse dëshiron të jetë i respektuar në profesionin e tij, duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo postim në rrjetet sociale mund të ketë pasoja në të ardhmen”, theksoi ajo.

Sipas Qerkin-it, gazetaria kërkon përkushtim të vazhdueshëm, duke filluar nga përzgjedhja e temave e deri te mënyra e raportimit, ndërsa përmbledhja e informacionit në kohë të shkurtër nuk duhet të vijë në dëm të profesionalizmit.

Konferenca u vlerësua si një platformë e rëndësishme për diskutim dhe reflektim mbi të ardhmen e gazetarisë, në një kohë kur mediat vazhdojnë të mbeten kanali kryesor i informimit për publikun.

Continue Reading

Lajmet

Nuk ka ndryshim: Çmimi i naftës mbetet i njëjtë.

Published

on

By

Çmimet e derivateve në Kosovë nuk kanë pësuar lëvizje gjatë 24 orëve të fundit. Sipas tavanit të përcaktuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), vlerat maksimale të shitjes për sot janë: Nafta: 1.68 euro për litër; Benzina: 1.47 euro për litër; Gazi: 0.85 euro për litër

Shtrenjtimi i theksuar i naftës erdhi si pasojë e tensioneve gjeopolitike që nisën më 28 shkurt, pas shpërthimit të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.

Situata u rëndua veçanërisht me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit nga ana e Iranit, një pikë strategjike përmes së cilës qarkullon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë.

Continue Reading

Lajmet

Raste të dhunës dhe lëndimeve në disa qytete

Published

on

Sipas raportit të fundit të policisë, gjatë 29 prillit  janë regjistruar disa raste të dhunës fizike dhe lëndimeve trupore në disa qytete të Kosovës, ku disa persona janë arrestuar dhe janë marrë masa nga prokuroria.

Në Prishtinë, në rrugën “Garibaldi”,  janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se janë përleshur fizikisht mes vete. Si pasojë, dy prej tyre kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, njëri i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Në një rast tjetër në Prishtinë, në rrugën “Agim Hajrizi”, një femër kosovare është sulmuar fizikisht nga një mashkull kosovar pas një mosmarrëveshjeje. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Prizren, në rrugën “Edit Durham” , janë arrestuar dy meshkuj kosovarë të dyshuar se kanë sulmuar dhe therur me thikë një viktimë mashkull kosovar. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Lajmet

Sulm me thikë në Mitrovicë, e dyshuara dërgohet në spitalin psikiatrik

Published

on

By

Një grua është arrestuar pasditen e së mërkurës në jug të Mitrovicës, pasi dyshohet se ka therë me thikë një burrë.

Viktima është dërguar menjëherë për mjekim, ndërsa e dyshuara, me vendim të prokurorit, është dërguar për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë.

Policia po e heton rastin si “lëndim i rëndë trupor”.

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës

Published

on

Një mbrëmje e veçantë që vjen në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës – një ansambël që mishëron traditën e shkëlqyer polake të muzikës së dhomës dhe finesën e interpretimit evropian.
Më 5 maj 2026, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, katër muzikantë të shquar të Filharmonisë së Krakovës – Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys do të interpretojnë dy kryevepra të muzikës polake për kuartet harkor: Kuartetin Harkor Nr. 3 të Grażyna Bacewicz dhe Kuartetin Harkor Nr. 2, Op. 42 të Władysław Żeleński.
Në këtë program takohen energjia moderne dhe forca ekspresive e Bacewicz me lirizmin romantik dhe finesën kompozicionale të Żeleński-t, duke krijuar një udhëtim artistik përmes identitetit muzikor polak. Për publikun e Prishtinës, kjo mbrëmje është një mundësi e rrallë për të përjetuar nga afër interpretimin e një ansambli që përfaqëson një prej institucioneve më të rëndësishme muzikore të Evropës Qendrore.
Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike  është një takim kulturash, një dialog përmes tingullit dhe një dëshmi e fuqisë së muzikës për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve.

Continue Reading

Të kërkuara