Më ndryshe se kurrë më parë, për të përmbyllur punën e përditshme, ngjarjet, arritjet dhe sukseset e shumta, UBT ka mbajtur një takim virtual me stafin akademik dhe administrativ për të kremtuar përfundimin e një viti të veçantë, siç ishte viti 2020.
Për t’i vlerësuar gjithë ata që ndikuan në rritjen e institucionit dhe u bën pjesë e sukseseve madhështore përgjatë vitit që po lëmë pas, rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, virtualisht falënderoi stafin për punën e palodhur dhe kontributin e dhënë në punën administrative, akademike dhe shkencore.
Gjatë këtij takimi virtual, rektori Hajrizi theksoi se dhe sivjet bashkërisht arritëm që të zhvillojmë një larmi aktivitetesh, dhe të regjistrojmë gjeneratën e re të profesionistëve të ardhshëm të të gjitha fushave jetësore.
“UBT ka bërë një kthesë në historinë e arsimit në Kosovë në këtë vit sfidues të pandemisë, duke u bërë institucioni i parë privat në vend që koordinoi plan-programet dhe ofroi mundësi të jashtëzakonshme, arriti që studentëve t’u krijojë kushte dhe të vazhdojë procesin e diplomimit për nivelin bachelor dhe master, vendosi ligjëratat online, ofroi mësim virtual në laboratorë, e mbajti shumë konferenca me video-lidhje, e regjistroi një numër rekord të studentëve të rinj. Këto rezultate të rëndësishme për institucionin u kurorëzuan edhe sivjet falë profesionalizmit të lartë dhe cilësisë së dëshmuar në punë”, potencoi rektori Hajrizi.
Tutje, në këtë organizim virtual të fundvitit, rektori Hajrizi tha se strategjia e punës deri në viti 2025 ka filluar të zbatohet, ngaqë siç tha ai, ka filluar të jetësohet Qyteti Inovativ dhe i Mençur. Sipas tij, UBT është shndërruar në Ekosistem të Dijës, pjesë e së cilit është parku shkencor dhe teknologjik që përmbush misionin për përfshije në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Në këtë takim virtual u prezantua edhe dokumentari i shkurtër i përgatitur për UBT-në dhe për biografinë e rektorit të UBT-së, nga stafi i zyrës së Media Group të UBT-së, ku u paraqitën fakte dhe shifra për institucionin, njëherësh sukseset dhe sfidat gjatë vitit 2020.
Më pas, për kontributin e dhënë ndër vite, UBT nderoi me mirënjohje punëtorët që për dhjetë vite i qëndruan besnikë dhe kontribuuan për institucionin.
Ajhan Bajmaku, Azir Jusufi, Kozeta Sevrani, Feim Brava, Nazmi Pllana, Sakip Imeri, Arber Sadiku, Osman Osmani, ishin anëtarët e stafit që dhanë kontribut madhor përgjatë këtyre viteve.
Po ashtu, drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Tortuës në Kosovë, Feride Rushiti, është nderuar nga UBT, me çmimin “Excellence Leadership Award”. Çmimi është ndarë nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të UBT-së, dhe në kuadër të përmbylljes së vitit 2020.
Ndërkaq, për të nderuar kontributin 20-vjeçar të dhënë në arsim, shkencë, teknologji dhe inovacion, për ndërkombëtarizimin e Kosovës, stafi i UBT-së i ka ndarë mirënjohje presidentit të UBT-së, prof.dr Edmond Hajrzi, dhe duke i uruar mbarësi dhe shumë suksese tjera në punën akademike dhe shkencore.
Studentët e programit Master në Agrokulturë me Mjedis, Sihana Bokshi dhe Shpëtim Salihu, nën udhëheqjen e profesorit Ismet Babaj, kanë dizajnuar metodikën e hulumtimit dhe kanë nisur punën eksperimentale për kultivimin e sallatës së gjelbër (Lactuca sativa L.) në sistemin e kultivimit pa tokë.
Qëllimi i këtij eksperimenti është vlerësimi i efekteve të sistemit të prodhimit dhe furnizimit me azot në formë të nitratit mbi statusin ushqyes të bimëve, akumulimin e nitrateve dhe nitriteve, prodhimin e biomasës, si dhe morfologjinë e sistemit rrënjor.
Në kuadër të hulumtimit po testohen tre trajtime me tretësira ushqyese në dy sisteme të hapura të prodhimit pa tokë, përmes vazove me vëllim prej 1 litri: njëri sistem përdor vermikulitin si substrat rritës, ndërsa tjetri përdor cocopeat (torfë kokosi).
Puna kërkimore do të përmbyllet me analiza kimike dhe matje të parametrave të rritjes së bimëve. Të dhënat dhe rezultatet e përfituara do t’u shërbejnë studentëve për përgatitjen e punimeve të tyre të diplomës, si dhe për publikime në revista shkencore, duke dëshmuar gërshetimin e suksesshëm të teorisë me praktikën shkencore.
UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin dhe rezultatet e tij në avancimin e shkencës dhe kërkimit shkencor, duke ruajtur edhe këtë vit pozicionin në mesin e institucioneve më të vlerësuara shkencore në Kosovë, sipas renditjes së Kosovo National H-Index Ranking.
Në këtë renditje, UBT konfirmon vazhdimësinë e performancës së tij shkencore, duke u pozicionuar krahas Universitetit të Prishtinës në krye të institucioneve shkencore në vend. Ky vlerësim përbën një tjetër dëshmi të punës së vazhdueshme të stafit akademik, studiuesve dhe grupeve kërkimore të UBT-së në prodhimin e njohurive të reja dhe avancimin e shkencës.
Kosovo National H-Index Ranking është një renditje e pavarur që vlerëson ndikimin dhe produktivitetin shkencor të studiuesve dhe institucioneve në Kosovë, duke u bazuar në H-indeksin e konsoliduar dhe të dhënat nga platformat kryesore ndërkombëtare shkencore, përfshirë Web of Science, Scopus dhe Google Scholar.
Ruajtja e këtij pozicioni edhe këtë vit dëshmon për konsistencën e UBT-së në zhvillimin e kërkimit shkencor, rritjen e prezencës akademike dhe fuqizimin e bashkëpunimit me komunitetin shkencor ndërkombëtar.
Për UBT-në, ky rezultat përfaqëson jo vetëm një vlerësim të arritjeve të deritanishme, por edhe një motivim të mëtejshëm për të investuar në kërkim, inovacion dhe ekselencë akademike, duke kontribuar në zhvillimin e shkencës në Kosovë dhe përtej saj.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një nga synimet kryesore strategjike të vendit. Gjatë ceremonisë së shënimit të 10-vjetorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), ajo deklaroi se ambicia e Kosovës është zhvillimi i mëtejmë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në mënyrë që ushtarët kosovarë të shërbejnë një ditë krah për krah me ata të vendeve aleate.
Duke rikujtuar rolin vendimtar të Aleancës në çlirimin e vendit më 1999, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye, presidentja theksoi se NATO zë një vend të veçantë në historinë e Kosovës dhe mbetet simbol i lirisë dhe sigurisë së saj.
Shiroka Pula vlerësoi lart mbështetjen që NALT-i ka ofruar gjatë kësaj dekade për Ministrinë e Mbrojtjes, FSK-në dhe Agjencinë e Menaxhimit Emergjent. Sipas saj, kjo ndihmë ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e strukturave institucionale, mbikëqyrjen demokratike dhe avancimin e menaxhimit të emergjencave.
Në përmbyllje të ceremonisë, presidentja falënderoi gjeneralin Thomas Schulte-Borghoff dhe të gjithë pjesëtarët e NALT-it për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve të Kosovës, duke i uruar me rastin e 10-vjetorit të themelimit. /E.A/
UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.
Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.
Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”
Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.
“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”
Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.
Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.
UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.