Botë

Trump thotë se telefonata e tij me Putinin i sjell palët me afër bisedimeve për paqe

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka rritur përpjekjet për ta ndërmjetësuar një marrëveshje për paqe, në mënyrë që t’i japë fund luftës në Ukrainë, pasi bisedoi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për më shumë se një orë dhe u pajtua me të për fillimin e bisedimeve.

Trumpi njoftoi më 12 shkurt në rrjetin e tij social, Truth Social, se me Putinin u “pajtua për të punuar ngushtë së bashku, përfshirë duke vizituar vendet e njëri-tjetrit. Gjithashtu, jemi pajtuar që ekipet tona t’i nisinë bisedimet menjëherë”.

Ai foli më gjatë për planet e tij më vonë në Shtëpinë e Bardhë, ku u tha gazetarëve: “Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të arritur paqe”.

Ai theksoi se pas telefonatës me Putinin, foli edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, por nuk u shpreh qartë nëse Ukraina do të jetë pjesëmarrëse e barabartë në negociatat me Rusinë.

Mendoj se ata duhet të bëjnë paqe. Njerëzit e tyre po vdesin”, tha Trump.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u tha aleatëve të NATO-s në Bruksel më 12 shkurt se është “joreale” të pritet që kufijtë e Ukrainës të kthehen në gjendjen e para vitit 2014 dhe se Shtëpia e Bardhë nuk e sheh anëtarësimin e Ukrainës në NATO si pjesë të zgjidhjes për konfliktin.

Komentet e tij ishin goditje ndaj synimeve të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe për ta larguar Rusinë nga të gjitha territoret ukrainase që i ka pushtuar.

Edhe Trumpi tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk do të ishte “praktike.”

Këto komente janë ndër treguesit më të qartë se si presidenti Trump synon ta përmbushë premtimin e tij elektoral për t’i dhënë fund luftës. Disa ekspertë e cilësuan si strategji të dobët përgatitjen e rrugës për bisedime duke i dhënë kushte të favorshme Rusisë.

Oxana Shevel, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin Tufts, tha për Radion Evropa e Lirë se Ukraina tashmë e ka kuptuar që shpresat e saj për t’u anëtarësuar në NATO nuk do të jenë pjesë e tryezës së bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.

Por, ajo paralajmëroi se do të jetë çështje edhe më serioze nëse Putini përpiqet ta bindë Trumpin ta zhbëjë deklaratën e NATO-s për “rrugën e pakthyeshme” të Ukrainës drejt anëtarësimit.

Putini do ta dëshironte shumë këtë”, tha Shevel, duke shtuar se një gjë e tillë nuk do të pritej mirë nga vendet evropiane të NATO-s.

Rusia e ka nën kontrollon rreth një të pestën e Ukrainës, përfshirë Gadishullin e Krimesë, dhe forcat e saj kanë përparuar në rajonin lindor të Donbasit për muaj të tërë, megjithëse me një kosto të madhe, ndërsa vazhdojnë të godasin objektiva civile në të gjithë vendin.

Hegseth tha se Ukraina duhet të përgatitet për një marrëveshje paqeje, e cila do të mbështetej nga trupa ndërkombëtare, por theksoi se forcat amerikane nuk do të jenë pjesë e asnjë garancie të sigurisë.

Zelensky nuk tregoi ndonjë shenjë zhgënjimi për deklaratat e tyre, duke theksuar se ai dhe Trump diskutuan “mundësitë për ta arritur paqen” dhe “gatishmërinë tonë për të punuar së bashku në nivel ekipi”.

Ukraina e dëshiron paqen më shumë se kushdo tjetër. Ne do t’i përcaktojmë hapat tanë të përbashkët me Amerikën për ta ndaluar agresionin rus dhe për të garantuar një paqe të besueshme dhe afatgjate”, tha ai në postime në rrjetet sociale.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Trump “shprehu mbështetje për ndërprerjen e menjëhershme të luftimeve dhe zgjidhjen e çështjes me mjete paqësore”.

“Presidenti Putin, nga ana e tij, përmendi nevojën për t’i eliminuar shkaqet kryesore të konfliktit dhe ra dakord me Trumpin se një zgjidhje afatgjate mund të arrihet përmes negociatave paqësore”, tha Peskov.

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po i afrohet përvjetorit të tretë këtë muaj dhe diplomacia po intensifikohet para Konferencës së Sigurisë në Munih, e cila do të mbahet nga 14 deri më 16 shkurt dhe ku Zelensky dhe zyrtarë të lartë amerikanë planifikojnë të marrin pjesë./REL/

Aktualitet

Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët

Published

on

By

Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi territorin e Iranit, kanë bërë të ditur tre burime amerikane, duke konfirmuar kështu raportimet e mediave shtetërore iraniane.

Forcat amerikane kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas të njëjtave burime. Përpjekjet e mundshme për shpëtim duket se janë kapur në disa video të postuara në rrjetet sociale, të cilat janë konfirmuar nga CNN.

Agjencia shtetërore “Tasnim” njoftoi se kërkimet për ekuipazhin e zhdukur deri më tani kanë qenë “të pasukseshme”. Ndërkohë, në “Fars News”, një spiker njoftoi se po ofrohet një shpërblim për këdo që arrin të kapë “pilotin ose pilotët armiq”.

Për momentin, mbetet ende e paqartë se në cilën pjesë të Iranit është rrëzuar avioni luftarak./ CNN/

Continue Reading

Aktualitet

Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit

Published

on

By

Presidenti ukrainas,  Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.

“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.

Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.

Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.

Continue Reading

Aktualitet

Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin

Published

on

By

Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.

Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.

Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.

“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.

Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.

Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.

Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.

“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”

Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.

Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.

“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”

Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/

Continue Reading

Aktualitet

Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë

Published

on

By

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.

Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.

Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.

“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.

“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”

Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.

Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/

Continue Reading

Të kërkuara