Botë

Trump takon udhëheqësin e ri të Sirisë pas premtimit për heqjen e sanksioneve

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është takuar të mërkurën me presidentin e ri të përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, një ish-udhëheqës i kryengritësve, që kaloi vite i burgosur nga forcat amerikane pasi u kap në Irak.

Takimi ndodhi para se Trump të përfundojë qëndrimin e tij në Arabinë Saudite dhe të udhëtojë për në Katar, në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë, gjithashtu, një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Trump dhe al-Sharaa u takuan prapa dyerve të mbyllura, ndërsa gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë, raportoi Associated Press.

Al-Sharaa u shpall president i Sirisë në janar, një muaj pas një ofensive të befasishme të grupeve kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilën ai e drejtonte. Kjo organizatë është e shpallur terroriste nga SHBA-ja. Ato forca pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit 54-vjeçar të familjes Assad.

Trump tha, para takimit, se vendimin për ta takuar al-Sharaan e mori pas inkurajimit nga princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai premtoi, gjithashtu, se do të heqë sanksionet shumëvjeçare ndaj Sirisë.

Në Siri ka një qeveri të re që, shpresojmë, do të arrijë të stabilizojë vendin dhe të ruajë paqen”, tha Trump në një fjalim të gjerë për politikën e jashtme të mbajtur të martën, ku njoftoi heqjen e sanksioneve që kanë qenë në fuqi që nga viti 2011.

Kjo është ajo që duam të shohim në Siri”.

I njohur më parë me nofkën Abu Mohammed al-Golani, al-Sharaa ishte rreshtuar me radhët e al-Kaidës kundër forcave amerikane në Irak pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja.

Ai ende përballet me një fletarrestim për akuza për terrorizëm në Irak. Dikur, SHBA-ja kishte ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për informacione mbi vendndodhjen e tij, për shkak të lidhjeve të tij me al-Kaidën.

Al-Sharaa u rikthye në Siri pas shpërthimit të konfliktit në vitin 2011, dhe mori drejtimin e degës së al-Kaidës, e njohur si Fronti Nusra. Më pas, ai e riemërtoi grupin në Hayat Tahrir al-Sham, dhe shkëputi lidhjet formale me al-Kaidën.

Sanksionet ndaj Sirisë datojnë nga koha e Bashar al-Assadit, i cili u rrëzua nga pushteti në dhjetor. Ato synonin të dëmtonin rëndë ekonominë e regjimit të tij.

Të dy administratat amerikane – administrata e kaluar e presidentit Joe Biden dhe administrata aktuale e presidentit Trump – i kishin lënë në fuqi këto sanksione edhe pas rrëzimit të Assadit, ndërsa vlerësonin qëndrimin e al-Sharaas, i cili ka mohuar lidhjet e mëtejshme me al-Kaidën./REL/

Aktualitet

Trump “shpërthen” ndaj Gjermanisë: Merz nuk e ka idenë se çfarë flet, po e shkatërron vendin

Published

on

By

Një përplasje e fortë në distancë ka nisur mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Kancelarit gjerman, Friedrich Merz. Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka lëshuar akuza të rënda ndaj liderit gjerman, duke e cilësuar qasjen e tij ndaj Iranit si një rrezik për sigurinë globale. Sipas Trump, Merz mendon se është e pranueshme që Irani të pajiset me armë bërthamore, një skenar ky që sipas tij do ta mbante të gjithë botën peng.

“Ai nuk e di për çfarë po flet!”, ka shkruar Trump, duke shtuar se SHBA po ndërmerr veprime ndaj Teheranit që presidentët e mëparshëm duhet t’i kishin bërë kohë më parë. Ky reagim i ashpër i Presidentit amerikan erdhi si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të Merzit, i cili gjatë një aktiviteti në Gjermaninë Perëndimore u shpreh se Irani po poshtëron Shtetet e Bashkuara.

Përveç kritikave për politikën e jashtme, Trump nuk ka kursyer as gjendjen e brendshme të Gjermanisë, duke e cilësuar situatën ekonomike atje si të mjerueshme. Ai deklaroi se nuk është aspak befasuese që Gjermania po përballet me rënie të fortë si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social, duke ia faturuar këtë dështim lidershipit aktual gjerman.

Në fund, Presidenti Trump ka shprehur irritim të thellë edhe me aleatët e NATO-s, të cilët sipas tij nuk po kontribuojnë ushtarakisht në pikat e nxehta të konfliktit. Ai kritikoi ashpër mungesën e flotave detare aleate në Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet pothuajse e bllokuar. Kjo situatë në këtë rrugë kyçe ujore ka shkaktuar tronditje në tregjet botërore dhe ndërprerje të paprecedentë të furnizimit me energji, duke rritur tensionet mes Uashingtonit dhe partnerëve evropianë.

Continue Reading

Aktualitet

Trump refuzon propozimin e Iranit: Çështja bërthamore mbetet “vija e kuqe” për Uashingtonin

Published

on

By

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shprehur pakënaqësi të hapur ndaj ofertës më të fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës dymujore, bëjnë të ditur zyrtarë amerikanë. Shkak i këtij refuzimi është kushti i Teheranit që diskutimet për programin bërthamor të shtyhen për një fazë të mëvonshme.

Sipas propozimit iranian, bisedimet për aktivitetet bërthamore do të nisnin vetëm pasi të përfundonte lufta dhe të zgjidheshin tensionet për transportin detar në Gjirin Persik. Megjithatë, administrata Trump mbetet e palëkundur në qëndrimin se çështja bërthamore duhet të jetë pika kryesore dhe fillestare e çdo negocimi.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, theksoi se SHBA-ja nuk do të bëjë diplomaci përmes mediave, duke shtuar se “vijat e kuqe” të Uashingtonit janë tashmë të qarta për palën tjetër.

Ky ngërç i ri pason historinë e tensionuar mes dy vendeve, e cila u rëndua pas tërheqjes së Trumpit nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Edhe pse Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore dhe civile, SHBA-ja po kërkon një marrëveshje shumë më të rreptë përpara se të pranojë ndalimin e armiqësive.

Continue Reading

Aktualitet

I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

Published

on

By

I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.

Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media më 27 prill – dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo tha se i dyshuari, Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

“Ato janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa hetimet zhvillohen”, tha Pirro.

“Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u larguan me shpejtësi nga një sallë pranë, pa u lënduar.

Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.

Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë”.

Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve të tij.

Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceromoni, kur ndodhën të shtënat.

“Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi”, tha Raufoglu, duke kujtuar momentet e para.

“Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë. Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë”, shtoi ai. /REL/

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet izraelite godasin lindjen e Libanit, pavarësisht armëpushimit

Published

on

By

Ushtria izraelite ka nisur të hënën një valë sulmesh ajrore në lindje të Libanit, duke zgjeruar zonën e bombardimeve gjatë periudhës së armëpushimit, i cili nuk ka arritur t’u japë fund plotësisht luftimeve me grupin Hezbollah.

Goditjet në Luginën Bekaa shënojnë herën e parë që ky rajon sulmohet që nga 16 prilli, kur hyri në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Ndonëse marrëveshja uli ndjeshëm intensitetin e dhunës, shkëmbimet e zjarrit kanë vazhduar, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e këtij procesi. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara