Botë

Trump: Armët amerikane do të dërgohen në Ukrainë përmes NATO-s

Published

on

Trump ka thënë se do të bëjë një “deklarim të madh” për Rusinë më 14 korrik. Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi në këtë aspekt, mirëpo ka folur për dërgimin e armëve.

“Po i dërgojmë armë NATO-s, dhe NATO-ja po paguan për këto armë 100%. Pra, çfarë po bëjmë është se armët që po nisen, po shkojnë në NATO, dhe më pas NATO-ja do t’i dorëzojë këto armë në Ukrainë dhe NATO-ja do të paguajë për këto armë”, ka thënë Trump në një intervistë për transmetuesin amerikan NBC.

Më herët gjatë javës, Trump ka thënë se do të kërkojë nisjen e disa armëve për mbrojtje për Ukrainën, pas komenteve negative të disa anëtarëve të Kongresit rreth njoftimit të Pentagonit, më 2 korrik, që disa armë nuk do të dërgohen, pas shqetësimeve se rezervat amerikane kanë rënë në mënyrë të konsiderueshme.

Trump duket se e ka përmbysur këtë vendim më 8 korrik, kur ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë për mbrojtje të Ukrainës, teksa intensifikohen sulmet ruse.

Ai, gjithashtu, është shprehur i zemëruar me presidentin rus, Vladimir Putin, duke thënë se po e shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Moskës.

Trump ka thënë se është duke e studiuar propozimin e senatorëve Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal për vendosjen e sanksioneve dhe tarifave ndaj shteteve që mbështesin luftën e Rusisë, dhe masa tjera ndëshkuese për sistemin bankar të Rusisë.

“Besoj se do të bëj një deklarim të madh për Rusinë të hënën”, ka thënë Trump gjatë intervistës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve që t’i përdorin “asetet ruse” për rindërtim të Ukrainës dhe ka kërkuar më shumë armë, investime dhe prodhim të përbashkët të armëve për mbrojtje.

Më 10 korrik, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka thënë se ia ka përsëritur homologut të tij rus, Sergei Lavrov se Moska duhet të jetë më fleksibile.

Dy diplomatët janë takuar në margjina të një samiti në Malajzi.

“Na duhet një plan veprimi për të ecur përpara për zgjidhje të këtij konflikti”, ka thënë Rubio, duke shtuar se administrata Trump është angazhuar me Senatin amerikan rreth asaj se si mund të duken sanksionet e reja ndaj Rusisë.

“Patëm bisedë të sinqertë. Ishte e rëndësishme”, ka thënë Rubio pas takimit në Kuala Lampur.

Ministria e Jashtme ruse ka thënë se Rubio dhe Lavrov kanë pasur “këmbim të sinqertë dhe substantial të pikëpamjeve të tyre”.

Rubio ka thënë se njoftimi i Pentagonit për dërgimin e armëve në Ukrainë është keqkuptuar, dhe që shumica e ndihmës amerikane nuk është ndalur kurrë për Ukrainën.

Ai e ka pranuar që Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme Patriot dhe që disa janë “të qasshme në shumë shtete në Evropë, por askush nuk dëshirojë t’i ndajë me ta”, prandaj ka thënë se beson që situata do të ndryshojë.

Ai ka thënë se Rusia i ka humbur 100.000 ushtarë prej janarit, dhe që ata janë vrarë, nuk janë vetëm të plagosur.

Ukraina, sipas tij, ka humbur më pak ushtarë përgjatë asaj periudhe.

“Ndonëse shifra është më e vogël, megjithatë është e konsiderueshme”, ka deklaruar mes tjerash Rubio.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Aktualitet

Trump pretendon “armëpushim energjetik” mes Rusisë e Ukrainës, Kievi raporton sulme të reja

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Rusia dhe Ukraina kanë rënë daktord për një “armëpushim energjetik” me efekt të menjëhershëm, mirëpo pa dhënë detaje shtesë për marrëveshjen.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh i papritur nga ky njoftim, por konfirmoi se Kievi është i gatshëm të pezullojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse nëse Moska bën të njëjtën gjë. Megjithatë, menjëherë pas deklaratës së Trump-it, Zelensky akuzoi Rusinë se goditi me dronë një central elektrik në Kiev dhe objekte energjetike në Kharkiv, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.

Kërkesa e Trump-it ndaj Ukrainës për ndalimin e goditjeve mbi rafineritë ruse lidhet me një marrëveshje për importin e naftës dizele ruse, e cila ka pezulluar përkohësisht disa sancione me synim uljen e çmimeve të karburantit në SHBA përpara zgjedhjeve të mesmandatit. Kjo iniciativë ka nxitur kritikave të ashpra nga Zelensky, zyrtarë evropianë dhe politikanë amerikanë. Nga ana tjetër, Britania e Madhe, Franca, Kanadaja dhe BE-ja kanë shprehur mbështetje për idenë e një armëpushimi të qëndrueshëm energjetik, ndërsa Moska ende nuk ka bërë ndonjë koment zyrtar. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Rritet në pesë numri i viktimave nga shembja e ndërtesës në Stamboll, përfundojnë kërkim-shpëtimet

Published

on

By

Ka arritur në pesë numri i personave të vdekur nga shembja e tre kateve të një pallati shtatëkatësh në lagjen “Cevizli” të zonës Maltepe, në anën aziatike të Stambollit, pasi nga rrënojat u nxorën edhe tre trupa të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prefekturës së Stambollit, katër persona ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një i pestë vdiq në spital nga plagët e marra. Operacionet e kërkim-shpëtimit u përmbyllën zyrtarisht sot në orën 06:15 pas gjetjes së trupit të fundit, ndërsa në vendngjarje po vazhdon pastrimi i rrënojave.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë evakuuar 55 banorë nga tre ndërtesa fqinje, prej të cilëve 44 persona janë strehuar përkohësisht në hotele.

Ndërkohë, shkaqet e shembjes mbeten nën hetim të rreptë. Ekspertët kanë marrë mostra të betonishtes dhe armaturës metalike për analiza, ndërsa policia ka arrestuar arkitektin e ndërtesës dhe përgjegjësin e kantierit të ndërtimit. Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi përmbylljen e fazës së kërkimeve dhe u shpreh ngushëllime familjeve të viktimave. /TRT/

Continue Reading

Aktualitet

Sulme me raketa në aeroportin e Riadit: Tre të vrarë, pezullohen fluturimet

Published

on

By

Të paktën tre qytetarë sauditë kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e dy sulmeve në aeroportin ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në kryeqytetin saudit, Riad, ka njoftuar autoriteti i aviacionit civil të mbretërisë.

Sipas raportimeve, sulmi i parë kishte në shënjestër objektet e aeroportit, ndërsa i dyti goditi një aeroplan të linjës ajrore “Saudia”. Burime nga aeroporti bëjnë të ditur se mbetjet e raketave të kapura nga sistemi mbrojtës kanë rënë mbi njërin nga terminalet. Në rrjetet sociale janë publikuar pamje të një avioni Airbus A320 duke u djegur në pistë, i cili sipas raportimeve të medieve ishte i parkuar dhe pa pasagjerë.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, kompania ajrore “Lufthansa” ka njoftuar pezullimin e të gjitha fluturimeve drejt Riadit deri më 16 tetor.

Përgjegjësinë për sulmet dyshohet se e mbajnë kryengritësit Huthi të mbështetur nga Irani, të cilët së fundmi kanë paralajmëruar se objektet e naftës dhe infrastruktura strategjike në Arabinë Saudite mund të jenë shënjestra të ardhshme të goditjeve të tyre. /Reuters/

Continue Reading

Lajmet

Në Gjermani vriten dy zyrtarë gjatë një kontrolli rutinë të armëve, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Policia gjermane ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të së premtes një burrë rreth të 60-ave, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje dy zyrtarë të qarkut gjatë një kontrolli rutinë të armëve të zjarrit në Berngau të Bavarisë.

Sipas autoriteteve, viktimat janë dy nëpunës civilë të distriktit Neumarkt — një burrë 54-vjeçar dhe një grua 45-vjeçare. Megjithëse fillimisht u raportua se zyrtarja kishte mbetur e plagosur rëndë, policia më vonë konfirmoi se ajo ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje.

Pas sulmit pasditen e së enjtes, i dyshuari u ngujua për orë të tëra brenda një ndërtese. Policia rrethoi zonën, udhëzoi banorët të qëndrojnin brenda shtëpive dhe angazhoi njësitë e forcave speciale. Pavarësisht thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, i dyshuari refuzoi dhe paralajmëroi rezistencë.

Gjatë ndërhyrjes së forcave speciale ku u përdorën edhe eksplozivë, 60-vjeçari mbeti i plagosur lehtë në këmbë nga një plumb i policisë dhe më pas u vu në pranga. Ai ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërsa motivet e këtij krimi mbeten ende të panjohura. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara