Lajmet

Trendafilova: Nuk mendoj që ShBA-të do të përfshihen në Dhomat e Specializuara të Kosovës

Published

on

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova deklaroi se nuk pret që administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ndikojë në punën e kësaj gjykate. Pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trendafilova tha se “askush, asnjëherë, nuk ka provuar të ndërhyjë në punën tonë”. Ajo theksoi se fundi i Dhomave të Specializuara në Hagë do të ndodhë vetëm kur rastet të përmbyllen.

Ndërkohë, bëri të ditur se në prill të vitit të ardhshëm pritet të përfundojë çështja e prokurorisë në rastin e Thaçit dhe të tjerëve dhe t’i hapet rruga çështjes së mbrojtjes. Ndërkohë, kryetarja e Gjykatës Speciale theksoi se janë 43 dëshmitarë që prokuroria ka planifikuar t’i dëgjojë.

Gjatë informimit të mediave mbi zhvillimet e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, kryetarja e kësaj gjykate ka folur për procedurën gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Procedura gjyqësore në rastin Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi, është një rast shumë voluminoz, në këtë rast kemi dhjetë akuza për secilin të akuzuar për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Ka ekipe mbrojtëse që janë shumë aktive në sallën e gjyqit, siç duhet të jetë rasti, sigurisht që duhet t’u shërbejnë më së miri… klientëve të tyre. Janë 153 viktima që janë të etnive të ndryshme, shqiptarë, serbë, ka edhe romë, egjiptianë, kështu që këtu është një larmi personash të ndryshëm, dua t’ua sqaroj të gjithëve që janë të interesuar të dëgjojnë për viktimat që marrin pjesë në procedura, ju nuk duhet të jeni të mendoni që gjyqtarët thjesht po i japin kujtdo që dëshiron t’i jep et statusi pjesëmarrës. Është miratuar kërkesa e viktimave të supozuara në ligj dhe në rregulla ka disa kërkesa shumë strikte që duhet të plotësohen në mënyrë që kushdo që pretendon se është viktimë… të lejohet të marrë pjesë në procedurë”, deklaroi Trendafilova.

Kryetarja e Gjykatës Speciale tha se janë bërë hapa për të intensifikuar ritmin e procedurave dhe për të përshpejtuar ato.

“Është komunikuar nga prokuroria se janë 43 dëshmitarë që prokuroria po mendon të dëgjojë, 43 dëshmitarë dhe të mbyllë çështjen dhe ende data është jo më vonë se prilli i vitit të ardhshëm. Dhe javën e kaluar prokuroria vendosi të anulojë nga lista 14 dëshmitarë. Sigurisht, ky është rezultat i politikës shumë të fuqishme të menaxhimit nga trupi gjykues 2, i cili zhvilloi një sërë konferencash me palët që ishin konferenca publike, duke diskutuar se çfarë hapash duheshin marrë për të intensifikuar ritmin e procedurave dhe për të përshpejtuar procedurat… (05:44)Numri fillestar i dëshmitarëve ishte rreth 152 dhe edhe atëherë prokurori thoshte dhe mund të shtohen edhe disa. Pra totali mund të kishte arritur në 355. Pra ky është një nga hapat që është ndërmarrë drejt efikasitetit në këtë rast”, shtoi Trendafilova në njoftimin për mediat.

Ish-i dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Richard Grenell kishte kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sipas tij përdor “akuza të sajuara nga Jack Smith” kundër krerëve të UÇK-së.

Administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trendafilova nuk pret që do të përfshihet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Ne nuk jemi subjekt politik, ne jemi gjykatë, dhe askush nga ne nuk ka marrë pjesë në asnjë vendim lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në fakt, palët tona kryesore të interesit janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por ne kemi edhe shtete kontribuuese, mes tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, këtë e kam thënë dhe do ta përsëris deri në momentin kur do të jem gabim se askush nuk u përpoq të ndërhynte në punën tonë, vetëm nëse kanë pyetur se sa do të zgjasë ky rast, sa kohë do të zgjasë ai rast, kjo është e gjitha. Pra, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë para së gjithash; sigurisht fundi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ky është projekt i Bashkimit Evropian dhe i Kosovës, fundi i institucionit mund të jetë njoftimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian se çështja është para përfundimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe se hetimet kanë përfunduar. Dhe në lidhje me [zgjedhjet], kjo ishte zgjedhja e njerëzve në Shtetet e Bashkuara, zgjedhje spektakolare. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dihet se janë një nga vendet që promovojnë shumë sundimin e ligjit dhe nuk mendoj se do të përfshihen në ndonjë gjë që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u përgjigj Trendafilova.

Trendafilova u pyet edhe për raportet për ish-prokurorin Jack Smith, dhe “se ai ishte i korruptuar dhe kishte sjellë dëshmitarë për Thaçin dhe te tjerët. Kryetarja e Gjykatës Speciale deklaroi se “ai është shtetas i Shteteve të Bashkuara dhe besoj se do të marrin masa”.

“Nëse, për shembull, dikush vetëm në mënyrë abstrakte, përveç pyetjes konkrete, nëse dikush ka qenë i angazhuar me dëshmitarë, prova të rreme, duke fabrikuar disa prova, kjo i takon gjykatësve për të vendosur, sepse ne po shqyrtojmë me përpikëri çdo pjesë të provave, nëse është e rëndësishme, nëse është e besueshme, nëse është e sigurtë, nëse është e rëndësishme për të gjithë lëndën e çështjes ose për disa elementë, dhe sigurisht, autenticiteti, natyrisht dhe gjyqtarët do të jenë absolutisht të pamëshirshëm ndaj pjesëve të provave që nuk plotësojnë standardet e larta që ne kemi përfshirë në procedurën dhe provat tona, ata thjesht do të shpërfillin këtë pjesë të provës, nuk do të jetë pjesë e sistemit të provave mbi të cilat gjyqtarët do të vendosin për objektin e çështjes, qoftë dënim, qoftë lirim, drejtësia vendoset në mënyrë të barabartë”, deklaroi kryetarja e Gjykatës Speciale.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova mohoi të ketë dëgjuar më parë emrin e Enver Sekiraqës, kur u pyet se a është marrë në pyetje si dëshmitar.

“Emrin e këtij personi e dëgjoj për herë të parë dhe këtu nuk ka asgjë. Kështu që nuk pata kohë të pyes jo veten sigurisht, por dikë nga kolegët e mi më të rinj, ekipin, për të gjetur diçka më shumë, por për këtë periudhë kohore nuk ka asgjë në dosje, ai emër nuk figuron kurrë në dosje sepse unë i marr të gjitha dosjet. Dhe nëse nuk kam kohë gjatë javës për të lexuar, gjatë fundjavës do të ndjek gjithçka”, përfundoi Trendafilova.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka filluar më 3 prill të vitit 2023. Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

lajme

Kurti takon në Paris emisarin Sorensen: Diskutohet për normalizimin dhe dialogun me Serbinë

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Paris, është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, në margjinat e Forumit të Paqes.

Gjatë takimit u diskutua për perspektivat e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me fokus njohjen reciproke, stabilitetin institucional të paszgjedhjeve në Kosovë, si dhe rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, u shpreh kryeministri Kurti.

Edhe emisari evropian Sorensen konfirmoi takimin përmes një njoftimi, duke vlerësuar bisedën si të frytshme për përcaktimin e hapave të mëtejshëm në dialog dhe procesin e normalizimit në dobi të qytetarëve dhe rajonit. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin francez, Kurti gjithashtu zhvilloi një bashkëbisedim me studentë, ku theksoi pritjet e tij që udhëheqja e re e Serbisë të njohë Republikën e Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Kosova U19 mposhtet nga Belgjika në raundin e dytë kualifikues

Published

on

By

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll e ka nisur me humbje raundin e dytë kualifikues për Kampionatin Evropian Euro 2027, pasi u mposht nga Belgjika me rezultat 2:0.

Në ndeshjen e zhvilluar në Skoci, pjesa e parë përfundoi pa gola, mirëpo belgët zgjidhën sfidën me dy goditje të shpejta me të filluar pjesa e dytë. Naim Amengai realizoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi epërsinë dy minuta më vonë.

Sfida e radhës për futbollistët e rinj të Kosovës në kuadër të Grupit A2 do të jetë të shtunën kundër nikoqires së turneut, Skocisë.

Në anën tjetër, edhe Përfaqësuesja U17 e Kosovës ka pësuar humbje në sfidën ndaj Bjellorusisë, ndërsa ndeshjen e ardhshme do ta zhvillojë më 17 nëntor përballë Kazakistanit. Tri ekipet e para të secilit grup do të sigurojnë kalimin në raundin e tretë, me shortin që pritet të tërhiqet më 10 dhjetor. /E.A/

Continue Reading

lajme

Murati prezanton buxhetin për 2027-ën, opozita kritikon investimet kapitale

Published

on

By

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar në shqyrtimin e parë para Komisionit për Buxhet Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2027, i cili parasheh shpenzime në vlerë prej 4 miliardë e 268.7 milionë eurosh, të mbështetura nga të hyra prej 4 miliardë e 2 milionë eurosh dhe një deficit fiskal prej 2 për qind.

Gjatë raportimit, ministri Murati theksoi se buxheti reflekton rritjen ekonomike dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike, ndërsa arsyetoi rritjen e kostos së jetesës me faktorë dhe tronditje të jashtme gjeopolitike.

“Sa i përket inflacionit, patjetër që është problem rritja e kostos së jetesës edhe në Kosovë, sikurse në të gjitha vendet tjera të botës. Kjo ka dy shkaktarë, fillimisht ishte lufta në Ukrainë, e cila ndikoi në tronditjen globale të çmimeve të energjisë, por edhe të ushqimeve, dhe tash së fundi kemi edhe valën e re që vjen si rezultat i konfliktit në Gjirin Persik”, deklaroi Murati.

Prezantimi u pasua me kritika të ashpra nga anëtarët e opozitës. Deputeti nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, ngriti shqetësimin për ngecjen e investimeve kapitale dhe ndikimin e inflacionit në mirëqenien e qytetarëve, duke iu referuar edhe raporteve që tregojnë se mbi një miliard euro investime të planifikuara kanë mbetur të pashpenzuara gjatë viteve të kaluara.

Seanca u karakterizua edhe nga debati i tensionuar mes ministrit Murati dhe deputetit të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili kritikoi mungesën e një orientimi të qartë strategjik në infrastrukturë, shëndetësi dhe energji, duke vënë në dyshim pasqyrimin e premtimeve qeverisëse në kornizën trevjeçare buxhetore.

“S’je i interesuar sepse je mashtruesi më i madh që ka pasur ky vend… Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik”, u shpreh Hoti gjatë përplasjes direkte me ministrin e Financave.

Sipas planifikimit të ndarjeve buxhetore sipas kategorive ekonomike, për paga janë paraparë 1 miliard e 84.9 milionë euro, për subvencione dhe transfere 1 miliard e 446 milionë euro, ndërsa për investime kapitale është alokuar shuma prej 1 miliard e 70 milionë eurosh. Projektligji pritet të vazhdojë procedimin në komisionet e linjës për shqyrtim të mëtejshëm. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Foda rindërton mbrojtjen pas largimit të Dellovës

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës në futboll është përballur me ndryshime të papritura në repartin defensiv në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Mbrojtësi Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve”, ndërsa përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar në vend të tij Betim Fazlijin. Kjo mungesë e ndërlikon edhe më shumë situatën në prapavijë, meqë jashtë fushave vazhdon të jetë edhe Albian Hajdari për shkak të një lëndimi afatgjatë.

Në skemën e tij të zakonshme 3-4-3, tekniku gjerman do të duhet të rindërtojë treshen e mbrojtjes. Lajm pozitiv për skuadrën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit pas lëndimit, i cili pritet të jetë nga minutat e para pranë Ilir Krasniqit dhe Ron Raçit. Si opsione të reja në dispozicion janë edhe dy debutuesit nga Zvicra dhe Suedia, Lindrit Kamberi e Bleon Kurtulus, si dhe Betim Fazliji i cili mbulon disa pozicione në mbrojtje e mesfushë.

“Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, u shpreh përzgjedhësi Foda lidhur me zgjedhjet e reja në mbrojtje. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara