Aktualitet
Tregu i punës ishte i qëndrueshëm në Kinë gjatë vitit 2022
Kjo sipas të dhënave nga Byroja Kombëtare e Statistikave.
Published
3 years agoon
By
UBT newsTregu i punës i Kinës mbeti gjerësisht i qëndrueshëm në vitin 2022, treguan të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave të publikuara sot.
Specifikohet se gjithsej 12.06 milionë vende të reja pune u krijuan në zonat urbane vitin e kaluar, që tejkaloi objektivin vjetor prej 11 milionë, raporton Radio Ndërkombëtare e Kinës.
Kreu i Byrosë Kombëtare të Statistikave, Kang Ji, tha se kur bëhet fjalë për punësimin, Kina ka prezantuar një sërë masash efektive, me theks në grupet kryesore.
Sipas tij, për shkak të ringjalljes së epidemisë së virusit korona, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme u përballën me vështirësi më të mëdha në vitin 2022, gjë që vështirësoi gjetjen e punës për grupet kryesore, veçanërisht të rinjtë, por tregu i punës së fundmi u rimëkëmb.
Të dhënat e Byrosë tregojnë se shkalla e papunësisë në zonat urbane në dhjetor të vitit të kaluar ishte 5.5 për qind, që është një rënie prej 0.2 për qind krahasuar me muajin e kaluar.
Kang deklaroi se numri i studentëve të diplomuar në Kinë vitin e kaluar arriti në 11.5 milionë dhe se kjo shkaktoi presion në tregun e punës në vend, por shprehu besimin se kjo sfidë do të tejkalohet.
“Me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e kërkesës për vende pune, numri i vendeve të punës pritet të rritet. Tregu i punës i Kinës do të përjetojë një përmirësim gjithëpërfshirës këtë vit”, beson Kang.
Lajmet
Hiqet fusnota për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve
Published
22 minutes agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mirëpritur vendimin e Komitetit Evropian të Rajoneve për të hequr fusnotën nga emërtimi i Republikës së Kosovës në të gjitha dokumentet dhe komunikimet e tij zyrtare.
Sipas njoftimit të MPJD-së, ky hap i rëndësishëm institucional e harmonizon praktikën e këtij mekanizmi me atë të Parlamentit Evropian, duke shënuar një progres të ri në procesin e integrimit evropian të vendit.
“Ky vendim e harmonizon praktikën e këtij institucioni me emërtimin zyrtar që përdoret nga Parlamenti Evropian, dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm institucional në integrimin evropian të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë zhvillim, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka shprehur mirënjohje të veçantë për raportuesen Gillian Coughlan.
Ai vlerësoi lart angazhimin e saj të vazhdueshëm në kuadër të Grupit Punues për Kosovën, duke e cilësuar këtë vendim si një njohje të rëndësishme për subjektivitetin institucional të Kosovës në arenën evropiane.
Lajmet
REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n
Published
59 minutes agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi më 12 mars se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike CM-400 nga Kina.
“Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë”, tha Vuçiq në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë.
Ai shtoi se Forcat e Armatosura të Serbisë i kanë integruar tashmë me sukses raketat kineze në avionët luftarakë rusë MiG-29, të cilët i zotërojnë.
Deklarata e tij vjen pasi një forum i specializuar ushtarak publikoi së voni fotografi që tregonin disa avionë luftarakë të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Një avion, siç u pretendua, ishte i armatosur me një raketë kineze ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi, me shenjën CM-400.
Tjetri, sipas raportit, mbante një bombë ajrore LS-6, gjithashtu të prodhuar në Kinë.
Vuçiq tha se avionët me raketat kineze ishin “filmuar rastësisht”.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarit se sa kushtuan raketat kineze.
“Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta. Ne i morëm me një zbritje të vogël”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se rrezja e tyre është 200 deri në 400 kilometra dhe se ato janë raketa me fuqi të madhe shkatërruese.
Ndaj kësaj blerjeje reagoi kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq.
Ai tha se vendi i tij – anëtar i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s – do të flasë me aleatët e tij për këtë çështje.
“Ne do të flasim me partnerët tanë në NATO dhe do t’i paralajmërojmë për armët e tilla, të cilat janë risi në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë”, tha Pllenkoviq.
Megjithatë, ai shtoi se nuk pret që një armë aq e fuqishme të përdoret ndonjëherë kundër vendeve fqinje, si Kroacia apo ndonjë shtet tjetër.
Serbia, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli dhe Uashingtoni, po e zgjeron bashkëpunimin e saj ushtarak me Kinën.
Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) në Stokholm, në periudhën 2020–2024, Serbia ka importuar më së shumti armë nga Kina (57%), më pas nga Rusia (20%) dhe nga Franca (7.4%).
Duke reaguar ndaj deklaratës së Pllenkoviqit, Vuçiq tha se “Zagrebi nuk do të vendosë se çfarë do të ketë Serbia”.
Ai tha se Serbia “po përgatitet për mundësinë e sulmit nga aleanca që po formohet nga Prishtina, Tirana dhe Zagrebi”.
Shtoi se, gjatë një vizite në Indi në mes të shkurtit, Pllenkoviq e ka siguruar se bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nuk është i drejtuar kundër Serbisë.
“E dëgjova dhe kaq. Por, a kam ende një dozë shqetësimi dhe frike? Po, kam”, tha Vuçiq.
Në mars të vitit 2025, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, të cilën zyrtarët serbë e cilësuan si kërcënim për sigurinë e Serbisë. /REL/
Aktualitet
Përplasje në Shtëpinë e Bardhë për luftën në Iran
Published
1 hour agoon
March 13, 2026By
UBTNews
Një përplasje e fortë brenda Shtëpisë së Bardhë ka bërë që Presidenti Donald Trump të ndryshojë shpesh deklaratat e tij publike mbi luftën në Iran. Ndërsa konflikti po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme, këshilltarët e tij po debatojnë ashpër se kur dhe si duhet të shpallet fitorja.
Disa zyrtarë po e paralajmërojnë Trumpin se shtrenjtimi i naftës mund t’i kushtojë rëndë politikisht, sidomos pas sulmeve amerikano-izraelite. Në anën tjetër, “skifterët” e administratës po i bëjnë presion që të mos e ndalë ofensivën ushtarake. Këto prapaskena, të siguruara nga Reuters, tregojnë vështirësitë e Shtëpisë së Bardhë për të menaxhuar operacionin më të madh ushtarak që nga lufta e Irakut në vitin 2003.
Situata është mjaft e ndërlikuar për Trumpin, i cili u rikthye në detyrë me premtimin për të shmangur ndërhyrjet ushtarake “të marra”. Megjithatë, dy javë pas nisjes së luftës që tronditi tregjet financiare dhe tregtinë e naftës, ai ndodhet mes disa zjarreve. Ndonëse fillimisht synimet ishin gjithëpërfshirëse, ditët e fundit Trump ka deklaruar se objektivat kryesisht janë arritur, por mesazhet e tij mbeten kontradiktore. Në një tubim në Kentucky, ai deklaroi: “Ne fituam”, por menjëherë shtoi se “nuk duam të largohemi herët pa e përfunduar punën”.
Këshilltarët ekonomikë kanë paralajmëruar se një goditje në çmimin e karburantit mund të zbehë mbështetjen e brendshme për luftën. Për këtë arsye, drejtuesit e stafit si Susie Wiles dhe James Blair po e nxisin Trumpin ta kufizojë operacionin dhe të sinjalizojë fundin e tij. Nga ana tjetër, senatorë si Lindsey Graham dhe Tom Cotton insistojnë që presioni ushtarak të vazhdojë për të parandaluar pajisjen e Iranit me armë bërthamore. Një forcë e tretë, baza populiste e Trumpit, po kërkon me ngulm shmangien e një konflikti të zgjatur.
Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, i hodhi poshtë këto raportime duke i quajtur “thashetheme”, duke theksuar se Presidenti është vendimmarrësi i vetëm dhe se ekipi është i fokusuar në përmbushjen e objektivave të operacionit “Epic Fury”.
Përtej retorikës, realiteti në terren mbetet i vështirë. Ndonëse sulmet ajrore kanë vrarë liderë të rëndësishëm iranianë dhe kanë dëmtuar arsenalin e tyre, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar cisternat e naftës në Gjirin Persik. Mbyllja e mundshme e Ngushticës së Hormuzit mbetet kërcënimi më i madh për ekonominë botërore.
Duket se një pjesë e konfuzionit vjen nga llogaritë e gabuara, ku disa këshilltarë besonin se fitorja në Iran do të ishte po aq e shpejtë sa operacioni në Venezuelë në janar të këtij viti. Mirëpo, Irani është treguar një kundërshtar shumë më i fortë dhe më i armatosur. Ndërsa zgjedhjet e nëntorit për Kongresin po afrojnë, presioni mbi Trumpin për të gjetur një rrugëdalje “triumfuese” vetëm sa vjen e rritet. /Reuters/
Lajmet
Presidentja Osmani pret në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-së në Kosovë
Published
17 hours agoon
March 12, 2026By
UBTNEWS
Vjosa Osmani ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në vend dhe çështje të bashkëpunimit bilateral.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u trajtuan zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe tema të tjera me interes të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në fokus të bisedës ishte edhe rëndësia e ruajtjes së një mjedisi demokratik, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.
Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Kosova për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në, duke ritheksuar se aleanca ndërmjet dy vendeve mbetet jetike dhe e pazëvendësueshme për Kosovën.
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 13 mars, nga viti 1993-1999
Hiqet fusnota për Kosovën në Komitetin Evropian të Rajoneve
Gilgeous-Alexander thyen rekordin 63-vjeçar të NBA-së për ndeshjet me 20+ pikë
REL: Serbia blen raketa kineze “shkatërruese”, Kroacia njofton NATO-n
Rezultatet e Conference League
Arrestohen pesë persona për bixhoz në Malishevë
Rezultatet e Europa League
Hapet thirrja për dizajnimin e logos dhe identitetit vizual të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”
Përplasje në Shtëpinë e Bardhë për luftën në Iran
Të kërkuara
-
Vendi3 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Aktualitet3 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
-
Lajmet2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet3 months agoProfesori Lulzim Beqiri përfaqëson UBT-në në mobilitetin akademik në Technische Hochschule Lübeck
