Lajmet

Thëniet më të bukura nga romancierja Jane Austen

Published

on

Jane Austen ishte romanciere e shquar angleze. Në 6 romanet që ka shkruar, është fokusuar në botën e femrës, realitetin e vështirë social-ekonomik, sfidat e martesës dhe nevojën për ti dhënë një dimension më të madh lirie.

Në romanet e saj dallohet ironia e hidhur, humori dhe përshkrimi i detajuar i realitetit. Vepra më e njohur e saj është “Krenari dhe paragjykim”.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi përzgjedhur një koleksion të thënieve më të bukura të Austen:

Nuk është ajo që themi ose mendojmë që na përcakton, por ajo që bëjmë.

Ka njerëz, të cilët sa më shumë të bësh për ta, aq më pak do të bëjnë për veten e tyre.

Personi, qoftë zotëri apo zonjë, të cilit nuk i pëlqen një roman i mirë, duhet të jetë budalla në mënyrë të padurueshme.

Nuk ka asgjë që nuk do të bëja për ata që janë vërtet miqtë e mi. Nuk e kam atë nocionin t’i dua njerëz përgjysmë, nuk është natyra ime.

Imagjinata e një zonje është shumë e shpejtë; hidhet nga admirimi në dashuri, nga dashuria në martesë në një moment.

Unë nuk dua që njerëzit të jenë shumë të sjellshëm, pasi më kursen mundimin që t’i pëlqej shumë.

Sa më shumë që njoh botën, aq më shumë jam e bindur se nuk do të shoh kurrë një njeri që mund ta dua vërtet. Unë kërkoj kaq shumë!

Eshtë një e vërtetë e pranuar botërisht, që një burrë beqar që zotëron një pasuri të mirë, duhet të ketë nevojë për grua.

Njerëzit e zemëruar nuk janë gjithmonë të mençur. Unë lehtë mund ta falja krenarinë e tij, nëse ai nuk do ta kishte mbytur timen.

Ah! Nuk ka asgjë si të qëndrosh në shtëpi, për një rehati të vërtetë.

Unë duhet të mësoj të jem e kënaqur me të qenit më e lumtur se sa e meritoj.

Në momentin e parë që e pashë, zemra ime ishte zhdukur në mënyrë të pakthyeshme.

Gjërat pa kuptim pushojnë së qeni të kota nëse ato bëhen nga njerëz të mençur në një mënyrë të pacipë.

Miqësia është sigurisht balsami më i mirë për dhimbjet e zhgënjimit të dashurisë.

Nëse do të të doja më pak, do isha në gjendje të flisja më shumë për ty.

Unë nuk e kam kënaqësinë të të kuptoj.

Unë mund ta kem humbur zemrën, por jo vetëkontrollin tim.

Unë jam krijesa më e lumtur në botë. Ndoshta njerëz të tjerë kanë thënë kështu më parë, por jo me një drejtësi të tillë. Unë jam më e lumtur edhe se Xhein; ajo vetem buzeqesh, une qesh.

Kur të dashurohem, do të jetë përgjithmonë.

Për çfarë jetojmë, për të dhuruar shfaqje për fqinjët tanë, dhe për të qeshur me ta nga ana jonë?

Unë gjithmonë e meritoj trajtimin më të mirë, sepse nuk duroj kurrë ndonjë tjetër.

Deri në këtë moment nuk e njoha kurrë veten.

Jeta nuk është tjetër veçse një radhitje e shpejtë e gjërave boshe.

Ai është një zotëri, dhe unë jam vajza e një zotërie. Deri më tani jemi të barabartë.

Mendimi im i mirë po humbi njëherë, humbet përgjithmonë.

Nëse do të mund ta dija zemrën e tij, gjithçka do të bëhej më e lehtë.

Distanca nuk është asgjë kur dikush ka një motiv.

Asgjë nuk më lodh më shumë, sesa kur bëj atë që nuk më pëlqen.

Sa krijesa të çuditshme janë vëllezërit!

Deklaroj se në fund të fundit nuk ka kënaqësi si leximi! Sa shpejt që njeriu lodhet nga gjithçka tjetër përveçse nga një libër!

Oh, Lizzy! Bëj gjithçka në vend që të martohesh pa dashuri.

Mary dëshironte të thoshte diçka shumë të arsyeshme, por nuk dinte si.

Askush nuk mund të tregojë se çfarë vuaj! Por gjithnjë është kështu. Ata që nuk ankohen kurrë nuk janë të mëshirshëm.

Një grua, veçanërisht nëse ka fatin e keq të dijë ndonjë gjë, duhet ta fshehë atë sa më mirë që të mundet.

Njëra gjysmë e botës nuk mund të kuptojë kënaqësitë e tjetrës.

Cilën nga të gjitha gjërat e mia të rëndësishme do t’ju tregoj së pari?

Ajo ishte e ndjeshme dhe e zgjuar, por e etur në gjithçka; hidhërimet, gëzimet e saj nuk mund të kishin moderim.

Sa shpejt i gjejmë arsyet për të aprovuar atë që na pëlqen.

Do jem e qete. Unë do të jem zonja e vetvetes.

Nëse aventurat nuk do t’i ndodhin një zonje të re në fshatin e saj, ajo duhet t’i kërkojë ato jashtë vendit.

Vendi

Sot shënohet 29-vjetori i protestave studentore të 1 Tetorit 1997

Published

on

By

Sot shënohet 29-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një nga kthesat më të mëdha historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Protesta paqësore e 1 tetorit të vitit 1997 u organizua si përgjigje ndaj masave të dhunshme të regjimit të Slobodan Milosheviqit, i cili kishte dëbuar studentët dhe profesorët shqiptarë nga objektet universitare, duke imponuar me forcë plan-programin serb.

E prirë nga rektori i atëhershëm, Ejup Statovci, së bashku me drejtuesit e Lëvizjes Studentore si Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, marshimi paqësor u ndërpre dhe u shpërnda me dhunë brutale nga policia serbe. Si pasojë e ndërhyrjes policore, dhjetëra studentë dhe profesorë mbetën të lënduar e të arrestuar.

Akti i guximshëm i studentëve mori një jehonë të jashtëzakonshme në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare, duke tejkaluar çdo zhvillim tjetër politik të asaj periudhe. Kjo ngjarje historike konsiderohet si një pikë kthese që vendosi çështjen e Kosovës në krye të agjendës diplomacisë ndërkombëtare.

Continue Reading

Aktualitet

Ish-presidentit Hashim Thaçi i vazhdohet paraburgimi për rastin e pengimit të drejtësisë

Published

on

By

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur t’i vazhdojnë masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë së bashku me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin.

Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i rastit, Christopher Gosnell, i cili konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet se i akuzuari mund të pengojë ecurinë e procesit apo të kryejë vepra të tjera penale.

Në arsyetimin e saj, gjykata bëri me dije se gjatë marrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e mëparshëm të Thaçit në çështjen gjyqësore për krime lufte. Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, ky dënim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual, i cili vlerësohet në bazë të faktorëve specifikë të kësaj çështjeje.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se bëhet fjalë për veprime të koordinuara në grup me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre.

Ndaj ish-presidentit Thaçi në këtë çështje rëndojnë tri akuza për pengim të personave zyrtarë, tri akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, si dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Published

on

By

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Continue Reading

Lajmet

Arbër Havolli dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen në Llapashticë të Podujevës

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 20 vjet burgim unik Arbër Havollin, i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 6 shtator 2025 në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.

Trupi gjykues e dënoi Havollin me 19 vjet burgim për veprën penale “Vrasje” dhe me dy vjet burgim për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke shqiptuar ndaj tij dënimin unik prej 20 vjetësh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I dënuari është ngarkuar po ashtu me shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 150 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij aktgjykimi brenda 30 ditëve nga dita e pranimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, më 6 shtator 2025, rreth orës 19:30, në rrugën “Hysen Havolli” në Llapashticë të Epërme, Havolli ishte afruar te vetura e viktimës B.S., e cila ndodhej e ndalur përballë një marketi. Pas një bisede me viktimën, i akuzuari kishte shtënë nëntë herë me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Havolli ishte arrestuar nga policia më 23 tetor 2025.

Continue Reading

Të kërkuara