Aktualitet

Tërnava uron Kurban Bajramin – kërkon respektimin e masave, lutet për ata që pësuan nga vërshimet

Published

on

Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava me rastin e Festës së Kurban Bajramit tha se festat fetare në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë.

Ai ka shtuar se Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, që karakterizon therja e kurbanit dhe kryerja e haxhit.

“Kjo qëndron edhe te festa e Kurban-Bajramit, ngase në themelet e saj ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë, vlera këto që si askush tjetër, kjo festë i sjellë për besimtarët dhe për njerëzimin. Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit”.

Ai më tej ka shtuar se lirimi i masave anti-Covid dhe ardhja e bashkatdhetarëve e bëjnë edhe më madhështore këtë fetës duke kërkuar edhe më tutje respektim të masave.

“Edhe më madhështore festën e Kurban Bajramit të sivjemë e bën lirimi i masave anti-Covid, e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin e familjes. Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, të shijomë nimetet e kësaj feste, por njëkohësisht të kemi kujdes që të respektojmë masat anti-covid, sepse virusi është ende në mesin tonë”.

“Në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga Covidi, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale”.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar besimtarë!

Vëllezër e motra!

Të nderuar qytetarë të Kosovës!

Kam nderin dhe kënaqësinë, që sot, në këtë ditë të madhe për besimtarët myslimanë, në Ditën e Arafatit, kur prej festës së Kurban Bajramit na ndajnë edhe pak orë, në emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim, t’ju drejtohem me këtë mesazh urimi të gjithë besimtarëve myslimanë, me urimet dhe përgëzimet më të ngrohta e më të sinqerta, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që ta përjetojmë Mëshirën e Ditës së Arafatit, dhe kënaqësinë e festës së Kurban-Bajramit.

Vëllezër të nderuar,

Festat e Bajramit si për nga karakteri ashtu edhe për nga ndikimi, janë festat më popullore te besimtarët myslimanë, ngase në këto festa besimtarët si në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain, e për atë që ka nevojë.

Festat fetare te populli ynë, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës, dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë.

Kjo qëndron edhe te festa e Kurban-Bajramit, ngase në themelet e saj ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë, vlera këto që si askush tjetër, kjo festë i sjellë për besimtarët dhe për njerëzimin.

Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit.

Zoti xh.sh. në Kuran thotë:

“Andaj, ti falu për hir të Zotit tënd dhe prej kurban”

Përmes therjes së kurbanit, besimtarët myslimanë vazhdojnë traditën e pejgamberit Ibrahim a.s., derisa Haxhi reflekton bazat e drejtësisë, si në tavaf, në Arafat, në Muzdelife, në namaz në Qabe, në veshje e në lutje, ngase të gjithë janë të barabartë. Këtu nuk ka dallim ndërmjet të pasurit e të varfërit, në moshë a gjini, dallim në etni a gjuhë, por të gjithë janë në një mision të përbashkët për të fituar mirësitë e Krijuesit Fuqiplotë përmes lutjeve, ibadeteve e pendimit të sinqertë.

Fatkeqësisht, edhe këtë vit, besimtarëve tanë për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës e Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’ju lutur Krijuesit të gjithësisë.

Vëllezër të nderuar,

Nimet i rëndësishëm i kësaj feste është edhe Sofra e bajramit e cila na bashkon me më të dashurit tanë, na bën të reflektojmë për familjen e të afërmit tonë, dhe na ndërgjegjëson për ata që kanë nevojë për kujdesin e përkrahjen tonë.

T’i shijojmë nimetet e sofrës së bajramit me dashuri e respekt, pranë familjeve tona, pranë farefisit tonë, sepse s’ka gjë më të rëndësishme në këtë dynja sesa ruajtja e familjes dhe edukimi i drejtë i saj. E kemi për obligim fetar po edhe traditë kombëtare që ta ruajmë familjen, ta kultivojmë, kujdesemi, ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të.

Në këtë ditë të madhe kujtojmë sakrificën e nënave dhe baballarëve tanë që kanë bërë për ruajtjen e familjes së shëndoshë. Çdo pretendim për të cenuar familjen është në kundërshtim me natyrën e njeriut, në kundërshtim me mësimet hyjnore dhe traditën pozitive të popullit tonë. Familja është e shenjtë dhe duhet ta ruajmë atë.

Edhe më madhështore festën e Kurban Bajramit të sivjemë e bën lirimi i masave anti-covid, e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin e familjes.

Vëllezër të nderuar,

Më lejoni që në prag të festës së Kurban-Bajramit, në Ditën e Arafatit, të shpreh dhembshurinë time të thellë për viktimat që humbën jetën nga përmbytjet në shtetet mike: Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, si dhe solidaritetin tonë me familjarët e tyre, duke lutur Zotin e Madhërishëm që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar.

Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, të shijomë nimetet e kësaj feste, por njëkohësisht të kemi kujdes që të respektojmë masat anti-covid, sepse virusi është ende në mesin tonë.

Në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga Covidi, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale.

Vëllezër e motra

Duke ju uruar për festën e madhe të Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja.

Me hajr e mbarësi festa e Kurban-Bajramit!

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara