Botë
Të paktën 26 të vrarë nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez
Published
11 months agoon
By
UBTnewsIndia ka hedhur raketa në disa pjesë të territorit të kontrolluar nga Pakistani në orët e hershme të së mërkurës, duke i vrarë të pakën 26 njerëz. Lideri i Pakistanit i cilësoi sulmet si “akt lufte”.
India tha se e ka goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët e lidhur me sulmin e muajit të kaluar në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir, ku u vranë 26 turistë hindu.
Pakistani tha se i ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë në shenjë hakmarrjeje, teksa dy avionë ranë në fshatrat e kontrolluara nga India në Kashmir. Të paktën shtatë civilë u vranë në këtë rajon nga sulmet pakistaneze, thanë policia dhe mjekët indianë.
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit – vende fqinje të armatosura me armë bërthamore – janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i muajit të kaluar, për të cilin India i ka fajësuar militantët e mbështetur nga Pakistani. Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i dënoi sulmet ajrore të së mërkurës dhe tha se vendi i tij do të hakmerret.
“Pakistani ka çdo të drejtë të përgjigjet fuqishëm ndaj këtij akti lufte të imponuar nga India, dhe vërtet jemi duke u përgjigjur fort”, tha Sharif.
Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit do të mblidhet të mërkurën në mëngjes.
Sulmi ndezi alarmin në Uashington, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është njoftuar për sulmin dhe shpreson që përleshjet “të përfundojnë shumë shpejt”.
Në Nju Jork, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim për sulmin dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale nga të dyja vendet.
“Bota nuk mund ta përballojë një përplasje ushtarake midis Indisë dhe Pakistanit”, tha Guterres, sipas zëdhënësit të tij.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kontaktoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Pakistanit, Asim Malik, i cili është gjithashtu shef i agjencisë kryesore të inteligjencës së Pakistanit, për të diskutuar situatën.
Rubio foli gjithashtu me homologun e tij nga India dhe tha se do të vazhdojë të angazhohet me të dyja vendet për të arritur një zgjidhje për konfliktin.
“Ai po inkurajon Indinë dhe Pakistanin të hapin sërish një kanal komunikimi midis udhëheqësve të tyre për të zbutur situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes, në një deklaratë.
Hassan Abbas, profesor i dalluar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike të Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithëse terrorizmi duhet të dënohet gjithmonë, pretendimi i nxituar i Pakistanit se incidenti ishte një operacion i rremë i organizuar nga India – pa hetim – është i papërgjegjshëm.
Po ashtu, nxitimi i Indisë për të fajësuar Pakistanin pa prova të besueshme vetëm sa thellon mosbesimin dhe rrit rrezikun e përshkallëzimit, tha Abbas.
Ushtria indiane goditi gjashtë lokacione në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore Punjab të Pakistanit – duke i vrarë 26 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë – tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif.
Zyrtarët thanë se edhe 38 njerëz të tjerë u plagosën nga sulmet, ndërsa pesë njerëz të tjerë u vranë në Pakistan gjatë shkëmbimeve të zjarrit përgjatë kufirit më vonë gjatë ditës.
Ministria e Mbrojtjes e Indisë theksoi se sulmet kishin në shënjestër të paktën nëntë vende “ku janë planifikuar sulme terroriste kundër Indisë”.
“Veprimet tona kanë qenë të përqendruara, të matura dhe të natyrë jopërshkallëzuese. Asnjë objekt ushtarak pakistanez nuk është shënjestruar”, tha Ministria indiane, duke shtuar se “India ka treguar vetëpërmbajtje të madhe”.
Pakistani tha se sulmet goditën të paktën dy vende që më parë ishin të lidhura me grupe të ndaluara militante.
Njëra raketë goditi xhaminë Subhan në qytetin Bahawalpur të Punjabit, duke vrarë 13 njerëz, përfshirë një fëmijë, sipas mjekut Zohaib Ahmed nga një spital i afërt.
Xhamia ndodhet pranë një medreseje që dikur ishte zyra qendrore e Jaish-e-Mohammed, një grup militant i ndaluar në vitin 2002. Zyrtarët thonë se grupi nuk ka pasur prani operacionale në atë vend që nga ndalimi.
Një raketë tjetër goditi një xhami në Muridke, duke dëmtuar strukturën e saj. Një ndërtesë e madhe aty pranë kishte shërbyer si selia e Lashkar-e-Taiba deri në vitin 2013, kur Pakistani e ndaloi grupin dhe arrestoi themeluesin e tij.
Sulmin e muajit të kaluar ndaj turistëve e mori përsipër një grup i panjohur më parë që e quan veten “Qëndresa e Kashmirit”./REL/
Aktualitet
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Published
2 days agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara është rrëzuar mbi territorin e Iranit, kanë bërë të ditur tre burime amerikane, duke konfirmuar kështu raportimet e mediave shtetërore iraniane.
Forcat amerikane kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, sipas të njëjtave burime. Përpjekjet e mundshme për shpëtim duket se janë kapur në disa video të postuara në rrjetet sociale, të cilat janë konfirmuar nga CNN.
Agjencia shtetërore “Tasnim” njoftoi se kërkimet për ekuipazhin e zhdukur deri më tani kanë qenë “të pasukseshme”. Ndërkohë, në “Fars News”, një spiker njoftoi se po ofrohet një shpërblim për këdo që arrin të kapë “pilotin ose pilotët armiq”.
Për momentin, mbetet ende e paqartë se në cilën pjesë të Iranit është rrëzuar avioni luftarak./ CNN/
Aktualitet
Ukraina shpreh gatishmëri t’i mbështesë përpjekjet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit
Published
3 days agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Ukraina mund të kontribuojë në mbrojtjen e rrugëve detare nëse ftohet, duke përmendur përvojën e fituar nga mbajtja e hapur e korridoreve të transportit në Detin e Zi nën sulme të vazhdueshme ruse, raporton AP.
“Nëse ftohemi, do të ndihmojmë”, tha Zelensky, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Ngushtica duhet të zhbllokohet”.
Oferta e Kievit vjen në një kohë kur ai po thellon bashkëpunimin me vendet e Gjirit si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe duke u orientuar drejt një roli afatgjatë si partner sigurie.
Ekipet ukrainase janë tashmë të dislokuara në rajon për të këshilluar mbi mbrojtjen ajrore, mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë detare.
Aktualitet
Kriza e re në NATO: Trump paralajmëron tërheqjen pas tensioneve për Iranin
Published
3 days agoon
April 3, 2026By
UBTNews
Aleanca e NATO-s i ka mbijetuar viteve të fundit sfidave ekzistenciale – që nga lufta në Ukrainë e deri te presionet dhe fyerjet e shumta nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim misionin e saj kryesor dhe ka kërcënuar me marrjen e Grenlandës.
Por është lufta SHBA-Izrael me Iranin, mijëra milje larg Evropës, ajo që pothuajse e ka shkatërruar bllokun 76-vjeçar dhe kërcënon ta lërë atë në gjendjen më të dobët që nga krijimi, thonë analistët dhe diplomatët.
Trump, i tërbuar që vendet evropiane kanë refuzuar të dërgojnë flotat e tyre detare për të hapur Ngushticën e Hormuzit për tregtinë globale pas fillimit të luftës ajrore më 28 shkurt, ka deklaruar se po shqyrton tërheqjen nga aleanca.
“A nuk do ta bënit edhe ju po të ishit në vendin tim?” pyeti Trump në një intervistë për Reuters të mërkurën.
Në një fjalim të mërkurën mbrëma, Trump kritikoi aleatët e SHBA-së, por u ndal para dënimit të hapur të NATO-s, siç mendonin shumë ekspertë se mund të bënte.
Por, të kombinuara me thumbime të tjera drejtuar evropianëve javët e fundit, komentet e Trumpit kanë nxitur një shqetësim të paparë se SHBA-ja nuk do t’u dalë në ndihmë aleatëve evropianë nëse ata sulmohen, pavarësisht nëse Uashingtoni largohet zyrtarisht apo jo.
Rezultati, thonë analistët dhe diplomatët, është se aleanca e krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që ka shërbyer prej kohësh si struktura bazë e sigurisë evropiane, po shpërbëhet dhe marrëveshja e mbrojtjes reciproke në bërthamën e saj nuk merret më si e mirëqenë.
“Kjo është gjendja më e keqe ku ka qenë (NATO) që nga themelimi i saj,” tha Max Bergmann, një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cili tani drejton Programin për Evropën, Rusinë dhe Eurazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Është vërtet e vështirë të mendosh diçka që i afrohet kësaj.”
Ky realitet po bëhet i qartë për evropianët, të cilët janë mbështetur te NATO si një mburojë kundër një Rusie gjithnjë e më agresive.
Së fundmi, në shkurt, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e kishte hedhur poshtë idenë e mbrojtjes së Evropës pa SHBA-në si një “mendim budalla”. Tani, shumë zyrtarë dhe diplomatë e konsiderojnë këtë si pritshmërinë kryesore.
“NATO mbetet e nevojshme, por ne duhet të jemi të aftë të mendojmë për NATO-n pa amerikanët,” tha Gjenerali Francois Lecointre, i cili shërbeu si shef i forcave të armatosura të Francës nga viti 2017 deri në 2021. “Nëse duhet të vazhdojë të quhet ende NATO – Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut – kjo është një pyetje e vlefshme.”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha: “Presidenti Trump e ka bërë të qartë zhgënjimin e tij me NATO-n dhe aleatët e tjerë, dhe siç theksoi Presidenti, ‘Shtetet e Bashkuara do të mbajnë mend’.”
Një përfaqësues i NATO-s nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment./ Reuters/
Aktualitet
Macron kritikon Trump-in: E pamundur të hapet ngushtica e Hormuzit me forcë
Published
4 days agoon
April 2, 2026By
UBTNews
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i është drejtuar Donald Trump-in, me tone jo shumë miqësore duke thënë se ai po minonte NATO-n duke krijuar “dyshime të përditshme mbi angazhimin e tij” ndaj aleancës.
Presidenti i SHBA-së, në intervista për media të ndryshme dje, bëri komente nënçmuese për NATO-n, duke e quajtur atë një “tigër prej letre” dhe duke kërcënuar se do të tërhiqte SHBA-në prej saj. Trump ka qenë veçanërisht kritik ndaj aleancës për refuzimin e saj për t’u përfillur kërkesave të tij për të siguruar ngushticën e Hormuzit me forcë, duke provokuar zemërimin e liderëve evropianë.
Macron paralajmëroi se komentet e Trump-it që vënë në dyshim angazhimin e SHBA-së ndaj aleancës “dëmtojnë themelet e saj”, ndërsa u bëri thirrje liderëve “të jenë seriozë”.
“Besoj se organizatat dhe aleancat si NATO përcaktohen nga ajo që mbetet e pathënë – domethënë, besimi që i mbështet ato, dhe kjo ka qenë shpesh rasti, rastësisht, me çështjet ushtarake dhe strategjike,” tha ai gjatë një vizite shtetërore në Seul të Koresë së Jugut.
“Nëse hidhni dyshime mbi angazhimin tuaj çdo ditë, ju dëmtoni themelet e saj.”
Ai vazhdoi: “Duhet të jemi seriozë, dhe nëse doni të jeni seriozë, nuk mund të deklaroni, duke thënë të kundërtën e asaj që keni thënë një ditë më parë.
Macron tha se ishte “jorealiste” rihapja e ngushticës së Hormuzit me forcë, duke u thënë gazetarëve se kjo do t’i ekspozonte flotat detare ndaj sulmeve iraniane. Ai tha se sigurimi i ngushticës mund të bëhej vetëm “në koordinim me Iranin” pas një armëpushimi. /The Guardian/
Rezalla kujton 98 viktimat: 27 vjet nga një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 5 prill, në vitet nëntëdhjetë
Përfundon mandati i Osmanit, Haxhiu merr përkohësisht presidencën
Përdorimi i minave tokësore në luftë: Rasti i Kosovës dhe vazhdimësia e rrezikut
Profesori John Doone: Në Gjilan zhvillohen ushtrime për tërmete, por Kosova ende nuk ka sistem të plotë të edukimit për emergjenca civile
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë
LVV bojkoton seancën për çmimin e naftës, opozita kritikon mungesën e pushtetit në Kuvend
Rrëzohet një avion luftarak amerikan mbi Iran, nisin kërkimet për pilotët
Emocione të forta,Kenan Yildiz publikon fotografi me Edon Zhegrovën
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Vendi2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
