Lajmet

Talibanët u kthyen – çka tash?

Qeveria në Kabul, që njihej ndërkombëtarisht, gjerësisht ka kolapsuar.

Published

on

Situata në kryeqytetin afgan, Kabul po ndryshon shpejt teksa talibanët kanë hyrë në qytet dhe kanë marrë kontrollin e shumicës së qytetit, përfshirë edhe të Pallatit presidencial. E gjithë kjo ndodhi derisa presidenti afgan, Ashraf Ghani u largua nga shteti dhe forcat e sigurisë në qytet u larguan.

Edhe pse shumëçka nuk dihet, janë disa pyetje kyçe për shtetin e shkatërruar nga lufta teksa grupi militant islamik merr kontrollin e të gjithë shtetit.

Çfarë ndodhi me Qeverinë afgane të zgjedhur në mënyrë demokratike?

Qeveria në Kabul, që njihej ndërkombëtarisht, gjerësisht ka kolapsuar.

Presidenti Ashraf Ghani u largua nga Afganistani më 15 gusht, efektivisht duke ua dhënë pushtetin talibanëve, teksa luftëtarët rrethuan Kabulin dhe më vonë hynë në qytet. Ai arriti në Taxhikistan dhe raportohet se ka udhëtuar menjëherë në një shtet të tretë.

Anëtarët kyçë të administratës së Ghanit – përfshirë zëvendëspresidentin e parë, Amrullah Saleh, një kritik i ashpër i talibanëve; Këshilltarin për siguri kombëtare, Hamdullah Mohib; dhe Fazel Fazly, kreun e zyrës administrative të presidentit – gjithashtu janë larguar nga shteti.

Disa zyrtarë të lartë qeveritarë, përfshirë edhe ministra të kabinetit qeverisës, vazhdojnë të jenë në qytet.

Kush po udhëheq tani?

Forcat e sigurisë afgane duket se pjesërisht kanë nën kontroll qytetin, por mbrëmjen e 15 gushtit u raportua se talibanët me shpejtësi po e marrin kontrollin e kryeqytetit.

Pasi fillimisht u zotuan se nuk do të hynin në qytet, talibanët thanë se kanë dërguar luftëtarët në “disa zona” të qytetit, për siç thanë, mbajtur rendin, për shkak të pretendimeve se mund të ketë plaçkitje.

Ka pasur raportime për të shtëna sporadike në qytet, por duket se nuk ka pasur ndonjë luftim të madh.

Disa ushtarë afganë dhe zyrtarë policorë janë parë duke u larguar nga postet e tyre, duke hequr uniformat dhe duke ikur, pa dorëzuar armët.

Komandantët talibanë shpejt morën kontrollin e të gjitha ndërtesave qeveritare dhe ata janë parë brenda Pallatit presidencial, që gjendet në qendër të Kabulit. Ata janë parë duke hequr flamurin afgan, që si duket ishte i vendosur në zyrën e Ghanit.

Aeroporti ndërkombëtar i Kabulit ende kontrollohet nga disa mijëra forca amerikane, që po mbajnë të sigurta fluturimet për evakuimin e diplomatëve të huaj, qytetarëve të huaj dhe afganëve që kanë punuar me entitetet e huaja.

Omar Samad, ish-diplomat afgan në Evropë tha se “ka njësi të sigurisë gjithandej, por nuk ka komandant të përgjithshëm pasi kreu i shtetit u largua nga vendi”.

Hamid Karzai, ish-presidenti afgan, më 15 gusht ka njoftuar për krijimin e “këshillit koordinues”. Ai tha se ky trup do të mbikëqyrte transferimin paqësor të pushtetit.

Në këtë këshill, përveç Karzait bën pjesë edhe Abdullah Abdullah, që është zyrtari i dytë më i lartë i Qeverisë në Kabul dhe Hekmatyar Gulbuddin, një prej ish-komandantëve më famëkeq afganë dhe ish-lider i militantëve.

“Duket se ky këshill është përgjegjës”, tha Ali Adili, hulumtues në Rrjetin e Analizave të Afganistanit, një organizatë e pavarur në Kabul.

“Por, është e paqartë se kush e ka autorizuar këtë këshill”, shtoi ai. “Formimi i këshillit ende nuk e ka siguruar popullin e Kabulit”.

U bë edhe më e paqartë nëse këshilli do të formohej teksa talibanët nisën të hynin në Kabul më 15 gusht.

Çfarë qeverie pritet të formohet?

Ministri i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Sattar Mirzakawal tha se pushteti do të dorëzohej te një administratë kalimtare.

Por, talibanët duket se kanë refuzuar këto pretendime, duke insistuar se grupi pret që ta marrë pushtetin e plotë.

“Kam frikë se talibanët do ta marrin pushtetin direkt ose do të kenë një qeveri të përkohshme, që praktikisht do të udhëhiqet nga ta”, tha Haroun Rahimi, profesor në Universitetin amerikan të Afganistanit në Kabul.

“Në atë rast, sistemi i ardhshëm politik ka pak gjasa të jetë gjithëpërfshirës duke bërë që shumë afganë ta perceptojnë atë si të imponuar dhe jolegjitim”, shtoi ai.

Zyrtarët amerikanë thanë se Uashingtoni nuk do ta njohë një qeveri të talibanëve nëse grupi militant merr pushtetin me forcë.

Talibanët më herët kanë thënë se preferojnë një qeveri kalimtare, nëse Ghani jep dorëheqje. Por, është e paqartë nëse ata do të vazhdojnë ta mbajnë premtimin për formimin e qeverisë kalimtare.

“Tani që Ghani është larguar, ne do ta dimë nesër ose pas dy ditësh nëse do të ketë sistem me bazë të gjerë apo sistem njëpartiak, edhe pse shenjat tregojnë se do të ketë një periudhë me qeverisje kalimtare, që do të jetë më përfshirëse”, tha Samad.

Torek Farhadi, ish-këshilltar i Qeverisë afgane, tha se nëse do të ketë një periudhë kalimtare të qeverisjes, që do të jetë më gjithëpërfshirëse, talibanët me gjasë do ta dominojnë atë, por sipas tij, mund të ketë hapësirë edhe për aktorë të tjerë politikë, edhe pse ai pret që personalitete më pak të njohur dhe hisedarë, në vend të figurave aktuale të elitës politike në Kabul, të jenë pjesë e kësaj qeverie.

“Talibanët me gjasë do të formojnë një qeveri sipas dëshirës së tyre, me përfaqësues nga të gjitha provincat dhe grupet etnike, por jo domosdoshmërish ata do të jenë figura politike që ne i njohim”, tha Farhadi.

Po në periudhë më afatgjatë?

Qeveria e dominuar nga talibanët në Kabul ka gjasa që të formohet, thonë analistët.

Gjatë udhëheqjes së talibanëve, pushteti ishte i centralizuar në duart e “Amir ul-Momineen” ose liderit të besimtarëve. Lideri suprem ishte kreu i shtetit dhe kishte autoritet të plotë. Ai ishte Mullah Omari, lideri shpirtëror i talibanëve dhe themeluesi i këtij grupi.

Talibanët kanë refuzuar demokracinë dhe zgjedhjet, duke i cilësuar këto procese si “importe të huaja”.

Është ende e paqartë nëse talibanët do të rivendosin regjimin brutal, që kishin në të kaluarën.

Kur kanë udhëhequr nga Afganistanin nga 1996 deri më 2001, fundamentalistët islamikë shtypën gratë, masakruan minoritetet etnike dhe fetare dhe ndaluan muzikën dhe televizionin.

Indikacionet e para sugjerojnë se militantët do të rivendosin shumicën e ligjeve shtypëse dhe të kthejnë mbrapsht politikat e Kabulit – siç kanë bërë edhe në qytetet e tjera që kanë marrë nën kontroll në mbarë Afganistanin.

Grupi ekstremist kishin ndaluar gratë që të punojnë jashtë shtëpive të tyre, kishin kufizuar edukimin e vajzave dhe nuk lejonin që gratë të dalin nga shtëpia pa u shoqëruar nga një anëtar mashkull i familjes. Ka pasur disa raportime se gratë e reja janë detyruar që të martohen me luftëtarët talibanë.

Përkundër gjithë këtyre, militantët kanë tentuar që të portretizojnë se janë më të moderuar, duke premtuar se do të respektojnë të drejtat e grave dhe do të mbrojnë të huajt dhe afganët.

“Ne i sigurojmë njerëzit, veçanërisht në qytetin e Kabulit, se pronat e tyre dhe jeta e tyre janë të sigurta”, tha më 15 gusht, zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen.

Me çka mund ta kushtëzojnë fuqitë e huaja një qeveri të talibanëve që të sigurohen se militantët respektojnë të drejtat e njeriut?

Fuqitë perëndimore më herët janë zotuar se do të jenë të angazhuara në Afganistan edhe pasi të gjitha trupat ndërkombëtare do të largohen më 31 gusht.

“Është thelbësore, siç kemi premtuar, që komuniteti ndërkombëtar të mos largohet dhe të braktisë Afganistanin siç ka ndodhur nga viti 1989 deri më 2001”, tha Samad.

“Po ashtu, është imperative që talibanët të sillen në atë mënyrë që të kenë vëmendjen dhe mbështetjen ndërkombëtare, veçanërisht sa u përket politikave të tyre për të drejtat e njeriut dhe të drejtat gjinore dhe liritë themelore, siç është liria e shprehjes”, shtoi ai.

Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera të huaja mund të ndikojnë në sjelljen e talibanëve, duke iu ofruar ndihmë ndërkombëtare për vendin e varfër, por edhe duke e njohur këtë grup.

Vëzhguesit thonë se Uashingtoni po vë bast që talibanët do të ngurojnë të sundojnë si një parti ndërkombëtare, siç bën në vitet e 90-ta.

Por, është e paqartë nëse legjitimiteti ndërkombëtar është ende i rëndësishëm për talibanët, marrë parasysh se ata kanë marrë pothuajse tërë territorin e Afganistanit. Deri më 15 gusht, ky grup ka kontrollin e 27 prej 34 provincave afgane.

“Nëse talibanët tregojnë se nuk janë të interesuar që të fitojnë legjimitetin e brendshëm përmes një qeverive gjithëpërfshirëse, atëherë legjitimiteti ndërkombëtar mund të jetë një prej burimeve që mund të përdoren për t’i kushtëzuar ata”, tha Rahimi.

Lajmet

REL: Firma investuese zotohet se do t’i respektojë proceset publike pas protestave ndaj projektit në Zvërnec

Published

on

By

Kompania e lidhur me investimet e parapara të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, tha për Radion Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

Kjo përgjigje erdhi pasi REL-i iu drejtua kompanisë së lidhur me Kushnerin, Affinity Partners, pas protestave tashmë disaditore në Shqipëri kundër një projekti turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”, shtoi ai.

Protestat në Zvërnec kundër punimeve për një projekt turistik në zonën Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë nisën javën e kaluar. Kjo zonë është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Protestat vazhduan edhe të martën në kryeqytetin Tiranë, me thirrje për anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë në Tiranë më 2 qershor, për të protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, në jugprëndim të Shqipërisë.

Banorë të zonës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësinë e tokës dhe transparencën e investimit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online.

Por, kryeministri Rama e ka mbrojtur projektin dhe ka thënë se ai nuk do të ndalet për sa kohë është kryeministër.

Rama tha po ashtu se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin. SPAK-u nuk e ka konfirmuar publikisht bllokimin e ndonjë transaksioni.

SPAK-u më 1 qershor konfirmoi se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin, por nuk dha hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.

Projekti ka marrë vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Kushnerit. Në mars të vitit 2024, ai tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor të vitit 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha të martën se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Objekti Kujtesë” sjell interpretimet kreative të studentëve të vitit të parë të Artit dhe Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit prezantuan ekspozitën “Objekti Kujtesë”, të realizuar në kuadër të lëndës Skulpturë (Semestri II), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita paraqiti një seri punimesh që eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet objektit, kujtesës dhe përditshmërisë, duke transformuar objekte të zakonshme në forma skulpturore me vlera estetike dhe konceptuale.

Përmes përdorimit të materialeve të gjetura, objekteve të përdorimit të përditshëm dhe materialeve të ricikluara, studentët krijuan vepra që tejkalojnë funksionin fillestar të objektit, duke i dhënë atij kuptime të reja dhe dimensione artistike. Çdo punim shpalosi histori, kujtime dhe reflektime personale e kolektive, duke dëshmuar potencialin krijues dhe aftësinë e studentëve për të zhvilluar gjuhë bashkëkohore artistike.

Ekspozita “Objekti Kujtesë” ofroi një hapësirë dialogu mes artit, kujtesës dhe materialitetit, duke nxitur publikun të reflektojë mbi mënyrën se si objektet e përditshme mund të bartin histori, emocione dhe identitete.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e vitit të tretë të Artit dhe Dizajnit në UBT hapën ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Ditët e Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT prezantoi ekspozitën “Praktika Artistike si Komunikim”, e realizuar nga studentët e vitit të tretë në kuadër të lëndës Projekt Individual (Semestri VI), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita solli para publikut një gamë të gjerë projektesh artistike, të cilat pasqyrojnë qasje individuale, kërkime personale dhe eksperimente krijuese të studentëve në mediume të ndryshme bashkëkohore.

Ndryshe nga ekspozitat tematike, kjo ekspozitë nuk u fokusua në një temë të vetme, por krijoi hapësirë për secilin student që të prezantojë vizionin, interesat dhe drejtimin e vet artistik. Përmes veprave të ekspozuara, studentët reflektuan mbi temat, konceptet dhe format e komunikimit që i konsiderojnë të rëndësishme në zhvillimin e praktikës së tyre profesionale.

Ekspozita “Praktika Artistike si Komunikim” dëshmoi potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e mbështetjes së proceseve të pavarura artistike, duke shërbyer si një platformë prezantimi dhe dialogu mes artistëve të rinj dhe publikut.

Ditët e Artit dhe Dizajnit në UBT vazhdojnë të ofrojnë aktivitete të ndryshme akademike, artistike dhe kulturore, duke promovuar kreativitetin, inovacionin dhe zhvillimin profesional të studentëve.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e vitit të parë të Modës në UBT promovojnë qëndrueshmërinë përmes dizajnit kreativ

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe të Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të programit të Modës, në lëndën Bazat e Teknikave të Qepjes me Prof. Ardita Rizvanolli, me mysafire në punëtori MSc në Dizajn, Zana Maxhuni, realizuan një punëtori njëditore të fokusuar në riciklimin dhe ripërdorimin kreativ të materialit xhins.

Gjatë punëtorisë, studentët transformuan veshje të vjetra xhinsi në krijime të reja dhe atraktive, duke demonstruar kreativitet, aftësi profesionale dhe vetëdije për rëndësinë e modës së qëndrueshme. Punimet e realizuara u ekspozuan në fund të aktivitetit në hollin e Kampusit në Lipjan, ku tërhoqën vëmendjen e studentëve, stafit akademik dhe vizitorëve.

Kjo nismë synon të inkurajojë qasjet inovative në dizajn, të promovojë riciklimin si praktikë të përgjegjshme dhe të nxisë studentët të eksplorojnë mundësitë krijuese që ofrojnë materialet e ripërdorshme.

Continue Reading

Të kërkuara