Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp sot me kryeministrin Edi Rama, tha se Shqipëria ka bërë një progres të mrekullueshëm në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Von der Leyen vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare dhe theksoi se mbështet ambicien e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e grup-kapitujve deri në fund të vitit 2027.
“Mesazhi im i parë është mjaft i qartë: Shqipëria është në rrugën e duhur drejt BE-së. Ju keni bërë një rrugë të gjatë, keni bërë progres, por dua të theksoj se është një progres i mrekullueshëm, në një shpejtësi rekord dhe një përshpejtim i vërtetë në tre vitet e fundit.
“5 nga 6 grup-kapitujt janë të hapur, ne planifikojmë të hapim të fundit në vjeshtë. Qëllimi juaj është të mbyllni negociatat deri në vitin 2027. Është ambicioze, por ne na pëlqen ambicia. Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi me ju në çdo hap të kësaj rruge”, tha Von der Leyen.
Von der Leyen theksoi se Shqipëria është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të sigurisë me Bashkimin Evropian.
“Momenti gjeopolitik është tani këtu. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin e tij dhe Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, jeni plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të sigurisë së BE-së dhe së bashku veprojmë si një”, tha ajo.
Më tej Presidentja e KE-së theksoi se ekonomia jonë ka fituar akses në tregun e përbashkët dhe në investimet e reja të BE-së.
“Që të afroheni me Bashkimin Evropian, nuk ka të bëjë vetëm me politikat, por ka të bëjë edhe për një biznes të zgjuar dhe në të vërtetë dy vite më parë ne lançuam Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe parimi juaj është mjaft i qartë: ekonomia juaj ka fituar akses në tregun e përbashkët dhe në investime të reja të BE-së dhe në këmbim ju zbatoni reforma kyçe.
Dyert e sektorit të tregut të vetëm janë të hapura. Kemi një treg të gjerë të përbashkët. Plani i Rritjes ka potencialin që të dyfishojë ekonominë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë dekadë dhe shohim që tashmë ka filluar të japë rezultate”, u shpreh Von der Leyen, shkruan ATSH.
Von der Leyen dha tre shembuj të përmbledhur në lidhje me këtë.
“Ju keni bërë progres të fortë në reformat kyçe, në sajë të kësaj mund të them dhënien e 100 milionë eurove. Tani kemi për ta zbatuar këtë plan. Jemi në rrugën e duhur. Kjo është rruga që Shqipëria të aksesojë të gjithë fondin, në bazë të Planit të Rritjes ka rreth 1 miliardë euro.
“E dyta, është futja e Shqipërisë në SEPA. Në atë kohë dukej si projekt ambicioz, por për dy vite ju e bëtë që të ndodhte. Që prej javës së kaluar transferimet e parave mes Shqipërisë dhe BE-së janë më të sigurta dhe të lira.
“Shembull i tretë është roaming. Ne arritëm një marrëveshje me operatorët në 2023-shin dhe vitin që vjen ne do të heqim të gjitha tarifat e roaming midis Shqipërisë dhe BE-së”, tha Von der Leyen.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Von der Leyen u shpreh se “mesazhi im i fundit është ky: ndoshta ky është rasti më i fortë për zgjerimin, nuk është çështja ekonomike apo gjeopolitike, por janë njerëzit. Studimi i fundit ka treguar se 90% të shqiptarëve do të votonin për anëtarësimin në BE”.
“Gjenerata e re është me ju. Dy të tretat e atyre që janë në moshë nga 15-40 vjeç mbështesin zgjerimin dhe ky është sinjali i të gjithëve. Gjenerata e re do të jetojë në një BE të fortë, të sigurt dhe të bashkuar”, tha ajo.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen ndodhet në Tiranë në kuadër të Forumit të parë të Investimeve “Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor” që do të zhvillojë punimet në datat 13-14 tetor./D.B/KP