Dr. Fatbardha Qehaja Osmani së bashku me hulumtuesen shkencore nga Universiteti Ibn Haldun në Turqi, Elma Berisha, kanë publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare Reading Psychology të shtëpisë botuese Taylor & Francis (Q1) duke sjell rezultate të rëndësishme për mënyrën se si fëmijët zhvillojnë aftësinë për lexim të rrjedhshëm. Ky është një nga studimet e rralla që është bërë në fushën kognitive tek popullata shqipfolëse.
Punimi, me titull “The Mediating Role of Executive Functions in Reading Fluency Among 8–10 Year Old Children: Evidence from a Transparent Orthography”, është zhvilluar në Kosovë dhe përfshin 168 nxënës nga shkollat publike dhe private të Prishtinës.
Ky studim eksperimental ofron provat e para empirike për lidhjen ndërmjet moshës, funksioneve ekzekutive dhe rrjedhshmërisë së leximit në një gjuhë me ortografi të qartë si gjuha shqipe.
Sipas gjetjeve, fëmijët me aftësi më të zhvilluara në përditësimin e informacionit, frenimin e impulseve dhe fleksibilitetin kognitiv lexojnë më shpejt dhe më saktë. Këto funksione të trurit shpjegojnë rreth 23% të ndryshueshmërisë në performancën e leximit, edhe kur merren parasysh faktorë si mosha, gjinia apo inteligjenca joverbale.
Studimi tregon gjithashtu se mosha ndikon në lexim përmes funksioneve ekzekutive, duke theksuar rolin e zhvillimit kognitiv. Ndërkohë, statusi socio-ekonomik dhe arsimimi i nënës rezultuan faktorë që ndikojnë ndjeshëm në këtë proces, fëmijët nga mjedise më të thjeshta përfitojnë më shumë nga rritja e moshës, duke treguar rëndësinë e mbështetjes familjare.
Autorët rekomandojnë që mësuesit të përdorin leximin me zë të lartë, leximin e përsëritur dhe vlerësimin e hershëm të funksioneve ekzekutive që në fazat parashkollore, për të identifikuar fëmijët me rrezik për vështirësi në lexim. Autorët poashtu theksojnë se këto gjetje ndërlidhen ngusht me strategjitë e reja për përmirësimin e leximit në përgjithësi e në veçanti në performancën e fëmijëve tanë në testin PISA.
Ky hulumtim vlerësohet si një kontribut i parë shkencor ndërkombëtar mbi zhvillimin e leximit në gjuhën shqipe, duke vendosur shqipen në qendër të diskutimeve akademike për gjuhët me ortografi transparente si finlandishtja apo italishtja.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu: Reading Psychology – Taylor & Francis Online